Izraeli Teston Raketat në Mesdhe

Dy raketa balistike janë hedhur të martën në Detin e Mesdheut nga flota ushtarake e Izraelit gjatë një manovre ushtarake të përbashkët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Testi raketor vjen pikërisht në kohën kur Senati amerikan po bëhet gati të dëgjojë seancën e parë publike të argumentimit të intervenimit të mundshëm ushtarak në Siri.

Sipas burimeve të BBC-së testi balistik është bërë për qëllim të testimit të sistemit mbrojtës të këtij vendi. Po ashtu është raportuar që ka qenë flota ushtarake ruse e vendosur afër brigjeve të Sirisë ajo që ka regjistruar lansimin e raketave.

Izraeli ka stacionuar trupat e tij ushtarakë në Rrafshnaltën e Golanit, ndërsa druhet se një intervenim i mundshëm ushtarak në Siri do të provokonte sulme në territorin e tij.

Përderisa administrata e presidentit Obama po përgatit terrenin për një intervenim të mundshëm ushtarak në Siri, Mbretëria e Bashkuar në anën tjetër ka përjashtuar javën e kaluar pjesëmarrjen e saj në koalicionin ndërhyrës, pasi parlamentarët britanikë votuan me rezultat të ngushtë kundër sulmit mbi Sirinë. (285 prej ligjvënësve britanikë ishin kundër, ndërsa 272 pro sulmit)

Interesimi për një intervenim ushtarak nga Shtetet e Bashkuara erdhi pasi Damasku zyrtar përdori armë kimike në konfliktin që po kalon vendi tash e dy vjet.

Organizata e Kombeve të Bashkura raporton se 2 milionë sirianë kanë lënë shtëpitë e tyre, ndërsa numri i refugjatëve shtohet me rreth 5 mijë persona në ditë. Sipas kësaj organizate kriza e refugjatëve sirianë është më e madhja në 20 vjetët e fundit.

Ky shkrim është bazuar në raportimet e BBC-së, CNN-it & OKB-së.