Ish- zëvendësministri i PDK-së bëhet shef i hetimeve në ATK

Ish zëvendësministri i PDK-së në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Bekim Jupa, është rikthyer në Administratën Tatimore të Kosovës.

Bekim Jupa, që është edhe anëtar i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës, është emëruar shef i Hetimeve në Administratën Tatimore të Kosovës.

Jupa e kishte pezulluar punën në ATK me rastin e emërimit si zëvendësministër i Tregtisë dhe Industrisë.

Jupa ka qenë aktiv për një kohë të gjatë në politikë.

Ai kishte kandiduar nga PDK-ja për asamblist të Komunës së Gjakovës.

Profili i tij në “Facebook” është i mbushur me fotografi me krerët e Partisë Demokratike të Kosovës, të nivelit qendror dhe lokal.

Jupa, përveç fushatës për PDK-në është marrë edhe me partitë që aktualisht janë në pushtet – LVV dhe LDK-në, duke i thumbuar ato gjatë kohës sa negocionin për formimin e Qeverisë.

Lajmin se zëvendësministri i PDK-së i njëjti është emëruar në këtë pozitë e ka konfirmuar për KALLXO.com drejtori i përgjithshëm I ATK-së, Ilir Murtezaj.

Murtezaj ka thënë për KALLXO.com se duke e pasur parasysh se zv.ministri Jupa i është kthyer punës në ATK, është dashur që ta emërojë në një pozitë të barasvlershme me pozitën që e ka mbajtur para se të largohej nga ATK-ja.

“Zv.ministri Jupa është kthyer në punë në ATK. Ai nuk është graduar por është në pozitën e njëjte të cilën e ka pasë kur e ka pezullu detyrën. Ai ka qenë udhëheqës i Divizionit të mbledhjes së detyrueshme dhe pasi ajo pozitë është shuar është obligim i punëdhënësit që ta emërojë në një pozitë ekuivalente”, tha drejtori i ATK.

Ky emërim është në kundërshtim me nismën e Murtezajt për depolitizimin e Administratës Tatimore të Kosovës.

Në shtator të vitit 2019, drejtori Murtezaj kishte ndërmarrë një nismë për depolitizimin e ATK-së. Ai kishte kërkuar nga të gjithë të punësuarit që të zgjidhnin në mes të politikës dhe punës në ATK.

Depolitizimin e ATK-së Murtezaj e kishte theksuar në mesin e sukseseve të tij prej emërimit në krye të Administratës Tatimore.

Anëtari i PDK-së është vendosur në njërin nga rolet më të rëndësishme në Administratën Tatimore të Kosovës.

Njësiti i hetimeve është njësit i cili bashkëpunon ngushtë më prokurorinë e shtetit dhe me hetuesit e krimeve ekonomike. Si njësit hetimor ka të drejtë të hapë kontrolle kundër bizneseve të ndryshme në Kosovë për të cilat ka bazë për hetim.

Jupa e zëvendëson Safet Krasniqin, i cili ishte suspenduar nga pozita e shefit të hetimeve pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale për vepra korruptive.

Safet Krasniqi po akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës se gjatë kohës sa ishte ushtrues detyre i pozitës së drejtorit të Hetimeve në ATK nuk kishte ndërmarrë asnjë aktivitet kontrolli apo vizitë duke e dëmtuar kështu qëllimisht buxhetin e Kosovës.

Sipas aktakuzës, Safet Krasniqi i kishte autorizuar disa zyrtarë të ATK-së për të vizituar disa biznese dhe për t’ua korrigjuar deklarimet tatimore, ndonëse për to kishte deklarime se punonin me fatura të dyshimta.