Posta e Kosovës, Foto: Valon Fana, KALLXO.com

Ish-punëtorët e një banke kundërshtojnë emërimin e kryeshefes së 'Postës'

Zgjedhja e Nora Rracit si kryeshefe në ndërrmarjen publike “Posta e Kosovës” ka nxitur reagimin e një grupi të ish-punëtorëve që kanë pasur përvojë të “hidhur” me të njëjtën gjatë punës në bankën Procredit, në periudhën 2011-2013.

Asokohe, Nora Rraci ishte duke punuar si drejtoreshë e Burimeve Njerëzore në këtë institucion bankar në Prishtinë. 

Përmes një letre drejtuar gjashtë institucioneve të Kosovës, ish-punëtorët kanë pretenduar se 1 mijë punëtorë janë larguar në mënyrë të kundërligjshme gjatë periudhës 2011-2013 nga Procredit Bank, nën udhëheqjen e Nora Rracit në zyrën e Burimeve Njerëzore.

Në vitin 2015, KALLXO.com kishte publikuar emisionin me titullin “Largimet nga puna në Procredit Bank” i cili shfaqte rrëfimet e punëtorëve të cilët thonë se u detyruan e madje edhe u kërcënuan për të shkëputur marrëdhënien e punës.

Edhe pas dhjetë vitesh, asnjë rast i parashtruar nga ish-punëtorët që po kërkojnë kthimin në vendin e punës dhe kompensimin e pagave, nuk ka marrë një verdikt final nga instancat gjyqësore.

KALLXO.com ka kontaktuar Nora Rracin, tashmë kryeshefe e Postës së Kosovës, por e njëjta nuk ka dashur që të deklarohet për këtë çështje. 

“Më vjen keq, por nuk dua ta komentojë” – ka thënë shkurt Rraci.

Me vendim të Bordit të Drejtorëve të Postës më datën 30 nëntor 2022, Nora Rraci është zgjedhur kryeshefe e Postës. Ndërkohë që ajo punën ia filloi më 10 janar 2023.

Gjithashtu, Rraci nuk është deklaruar as në pyetjet nëse është kontaktuar nga dikush për shkresën e cila iu është dërguar nga grupi i ish-punëtorëve.

Çka thuhet në shkresën e ish-punëtorëve? 

Në javën e tretë të dhjetorit 2022, 61 ish-punëtorë të bankës Procredit Bank nënshkruan një shkresë në të cilën bashkangjitën kundërshtitë e tyre për zgjedhjen e Nora Rracit si kryeshefe e Postës.

Në këtë letër-reagimi, grupi i ish-punëtorëve janë shprehur ‘të zhgënjyer’ nga ky emërim pasi pretendojnë se kanë përvoja të hidhura me Nora Rracin gjatë kohës sa ajo ka qenë duke ushtruar pozitën e drejtoreshës së Burimeve Njerëzore në Procredit Bank, pozitë të cilën e ka ushtruar gjatë periudhës 2011-2013.

Pretendimet e këtij grupi vazhdojnë duke thënë se për shkak të veprimeve të Nora Rracit, 1 mijë punëtorë, në mënyrë të kundërligjshme gjatë periudhës 2011-2013 janë larguar nga puna, duke shtuar se kanë pësuar “dëme financiare, profesionale, dhe në aspektin shëndetësor”.

Të gjitha këto sipas tyre, janë si pasojë e presioneve dhe largimeve kolektive, sipas tyre të kundërligjshme të ekzektuara nga Rraci.

”Ju përkujtojmë se znj.Nora Rraci gjatë periudhës 2011-2013, derisa ka ushtruar pozitën e Drejtoreshës së Burimeve Njerëzore pranë ProCredit Bank Kosovë, është prsonalisht përgjegjëse për largimin masiv dhe të jashtëligjshëm, përmes kërcënimit, shtantazit e denigrimit të mbi 1000 punonjësve të zellshëm të cilët me punën e tyre i kanë sjellë mbi 15 milionë euro ndër vite fitim bankës” – thuhet në letrën të cilën KALLXO.com e ka siguruar. 

Sipas këtij grupi, në shkurt të vitit 2015 mbi 62 ish-punonjës kanë inicuar kallëzime penale ndaj znj.Rraci ndërkohë që dhjetëra konteste ndaj ProCredit Bank ka 10 vjet që presin zgjidhje nëpër gjykata.

KALLXO.com ka dërguar dy herë mesazh në email-in zyrtar të bankës Procredit Bank në Kosovë për të marrë një koment, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.

Çka thojnë institucionet për shkresën? 

Bordi i Drejtorëve të Postës për KALLXO.com ka pohuar se kanë pranuar një shkresë nga disa ish-punëtorë të bankës në fjalë.

Sipas bordit, këtë shkresë, pohojnë se e kanë pranuar pas përmbylljes së procesit të rekrutimit.

Dhe shtojnë se “nuk e dinë” se çfarë veprimesh mund të marrin si Bord i Drejtorëve për “një proces të para 10 viteve”.

“Po kemi pranuar një shkresë nga disa ish punëtorë të bankës në fjalë. Këtë shkresë e kemi pranuar pas përmbylljes së procesit të rekrutimit për Kryeshef Ekzekutiv, mirëpo keni parasysh që po bëhet fjalë për 10 vite më parë dhe ne si Bord i Drejtorëve nuk jemi në njohuri se si ka shkuar ai proces. Znj.Rraci e ka prezantuar certifikatën nga Gjykata që nuk është nën hetime” – thuhet në përgjigjen e Bordit të Drejtorëve.

Qeveria e Kosovës në një përgjigje për KALLXO.com ka deklaruar se shkresën e ish-punëtorëve të ProCredit-it e kanë dorëzuar te bordi i drejtorëve përmes Ministrisë së Ekonomisë.

“Mund ta konfirmojmë se e kemi pranuar shkresën në fjalë. Të njëjtën, nëpërmjet Ministrisë së Ekonomisë, e kemi përcjellë te bordi i drejtorëve të ndërmarrjes. Për pjesën tjetër të pyetjeve tuaja, ju lutemi që t’i drejtoheni bordit i cili është kompetent dhe përgjegjës, sipas ligjit, për përzgjedhjen dhe mbikqyrjen e kryeshefit ekzekutiv” – ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Në anën tjetër, kryesuesja e Komisionit parlamentar për të drejtat e njeriut, Duda Balje ka deklaruar se për këtë rast do të ftojnë në intervistë Nora Rracin kur të fillojë punën Kuvendi.

“Është e vërtetë që e kemi pranuar një shkresë, në mënyrë peticioni. Unë si kryetare e kam përcjellur tek anëtarët e tjerë e komisionit. Për mua ka qenë shumë e çuditshme. E kam kontaktuar znj.Nora me marrë informata edhe prej saj si palë. Pas vitit të ri, unë e thirri drejtoreshën në komision para deputetëve dhe e hapim këtë temë, sepse ne nuk mundemi me marrë vendim vetëm me njërën palë. Ne i shkojmë deri në fund procesit, ndonëse nuk shkon shpejtë. Normalisht thirret edhe pala e ankuar për shkelje të të drejtave” – ka thënë ajo.

Ministria e Drejtësisë ka deklaruar se nuk janë kompetente për ta trajtuar këtë rast.

Ndërkaq, nga Presidenca e as nga Sindikata e Postës nuk kanë kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.