Ish-prorektori synon postin e rektorit - VIDEO

Faton Berisha është njëri nga tre kandidatët e propozuar nga Komisioni Profesional për të parin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ai në një intervistë për KALLXO.com ka treguar arsyet pse ka vendosur që të kandidojë për këtë pozitë.

Berisha thotë se përmirësimi i imazhit të UP-së gjatë mandatit të tij si prorektor dhe rangimi në lista botërore i universitetit ka ndodhur falë punës së tij si prorektor për kërkime shkencore dhe për këtë arsye ai dëshiron të bëhet rektor i UP-së.

 

Tutje ish-prorektori i UP-së thekson se nëse zgjidhet si rektor i Universitetit Publik të Prishtinës, ai thotë se do të bëjë ndryshime që administrata të jetë më efikase, mësimdhënia të jetë në frymë të marrëveshjes së Bolonjës dhe unifikimi i orëve të ushtrimeve dhe ligjëratave.

Ai zotohet se UP do të jetë gjithmonë transparentë dhe se sipas tij, Universiteti i Prishtinës duhet të orientohet nga fryma e universiteteve të Evropës Perëndimore dhe Amerikës Veriore.

Berisha po ashtu shpreson që Këshilli Drejtues të mos ndikohet nga asnjë palë e interesit, sa i përket përzgjedhjes së rektorit.

Berisha deri më tani ka mbajtur pozitën e prorektorit për kërkime shkencore dhe është profesor i rregullt në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore në departamentin e Matematikës.

Ai ndër vite ka qenë profesor në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Europes Juglindore dhe universiteteve të tjera vendore.

Berisha për disa vite ka qenë udhëheqës i Kosovës në olimpiadat ndërkombëtare të matematikës si dhe viti 2012 deri në vitin 2016 ka qenë anëtar i Këshillit Qendror të Studimeve Shkencore dhe pozita të tjera.

Universiteti i Prishtinës, “Hasan Prishtina” ka hapur konkursin për rektor të këtij Universiteti. Konkursi ishte hapur më 10 korrik dhe ishte mbyllur më 24 korrik.

Për këtë pozitë kishin kandiduar pesë persona, por vetëm tre prej tyre janë dërguar në Këshill Drejtues nga komisioni profesional, i formuar nga senati.

Ky komision i cili ishte në përbërje me kryetar Qerkin Berisha, Kurtesh Sherifi, Liridon Veliu, Qefsere Gjonbalaj dhe Gent Sallauka, ka eliminuar nga gara njërin nga kandidatët më të përfolur për këtë pozitë, Zenun Halili.

Në bazë të vendimit të komisionit profesional, për këtë pozitë janë propozuar Blerim Rexha, Faton Berisha dhe Naser Sahiti. Ky komisioni ka larguar nga kandidatura Isuf Musliun dhe Zenun Halilin.

Kurse, në bazë të dinamikës së zgjedhjeve të UP-së, sot ishte dashur të bëhej intervistimi i kandidatëve për këtë pozitë, por KD nuk e ka bërë një gjë të tillë dhe nuk ka dhënë sqarime në lidhje me këtë çështje.

Intervista e plotë:

KALLXO.com: A mund të na tregoni pse i keni hyrë garës për të parin e UP-së?

Faton Berisha: Siç e dini, unë ka më katër vite që kam qenë prorektor për kërkime shkencore në Universitetin e Prishtinës dhe mendoj se me punën që ë është bërë në këto katër vite, kam dëshmuar se mund të kontribuojë pozitivisht në UP. Po ua përmendi vetëm dy që kanë ndodhur këto vite. Më së pari Universiteti rang listat botërore të cilat bëjnë rangimin e universiteteve është ngritur Webometrics, rreth 1 mijë vende në katër vitet e fundit.

Për herë të parë është ranguar në SIMAGO në 2017 dhe akoma është i vetmi institucion i arsimit të lartë në hapësirat shqipfolëse  i ranguar në SIMAGO. Arsyeja konkrete pse i kam hyrë kësaj pune është se mendoj se Universiteti i Prishtinës ka nevojë akoma për zhvillim në këtë drejtim dhe ka nevfo0jë akoma për punë, në mënyrë që të arrijë aty ku unë e shoh, të jetë institucion relevant i arsimit të lartë në rajon. Kur them rajon mendoj nga Kroacia deri në Greqi.

KALLXO.com: Çka ju bën juve një kandidat më favorit sesa kandidatët e tjerë?

Faton Berisha: Pikërisht fakti që mendoj se puna ime është dëshmuar në periudhën katër vjeçare të menaxhmentit aktual dhe mendoj se kjo është një garanci që në këtë drejtim do ta vazhdoja më punë. Dua t’i spikasë dy gjëra. Çka mendoj se është shumë e rëndësishme është imazhi që UP ka projektuar dhe projekton në opinionin publik kosovar dhe meqë është fushë e juaja dhe mendoj se imazhi i universiteti është përmirësuar dukshëm në katër vitet e3 fundit dhe mënyra se si është bërë kjo, është duke vendosur standarde shumë precize, duke implementuar në mënyrë rigoroze dhe transparenca.

Mendoj se transparenca është buroja më e mirë e Universitetit karshi ndikimeve të jashtme përfshirë edhe ato politike që fatkeqësisht janë dukuri në rajonin po ku jetojmë.

KALLXO.com: Sot, keni pasur të intervistoheni nga Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, por një gjë e tillë nuk ndodhi. A keni marrë njoftim pse ka ndodhur kjo apo ndonjë arsyetim në lidhje me këtë çështje?

Faton Berisha: Në fakt, formalisht nuk kemi marrë asgjë fare. Kjo është ajo që dimë. Është pritur që Këshilli Drejtues t’u dërgojë ftesa kandidatëve në mënyrë që t’i intervistojë siç ka qenë e paraparë më planin dinamik zgjedhor, por ftesat ende nuk kanë arritur. Unë nuk do të ju them të vërtetën, nëse nuk ju them që s’jam i brengosur për shtyrjen, por shpresoj se Këshilli Drejtues do të përformojë në nivel të vetit dhe që nuk do të lejojë ndikime nga jashtë dhe të gjejë kandidatin që konsideron së është më i miri.

KALLXO.com: Cilat do të jenë ndryshimet e para që planifikoni t’i bëni në UP dhe cila do të jetë qasja juaj karshi avancimeve që bëhen çdo vit. A do të lejoni avancime të dyshimta apo cilat janë kriteret që do t’i vendosni në lidhje me këtë çështje?

Faton Berisha: Të nisem nga kjo e fundit, nga avancimet. Organi më i lartë akademik i UP-së, kompetentë që mes tjerash janë edhe avancimet e stafit akademikë është senati i UP-së dhe ju keni qenë dëshmitar se këto katër vite mbledhjet e senatit transmetohet drejtpërdrejtë, konkretisht ju i keni drejtpërdrejtë live mbledhjet.

Transparenca është garancia më e mirë dhe mburoja më e mirë dhe më e fortë e këtij universiteti  kualitativ. Natyrisht kjo është e para, vazhdimësia. Nga ana tjetër përveç këtyre gjërave të mira kanë ndodhur në UP në vitet e fundit, Universiteti ka edhe shumë sfida për të përballuar p.sh administrata më efikase, mësimdhënia në frymë të marrëveshjes së Bolonjës, pikë së pari vlerësimi i studentëve gjatë semestrave, në vend se afat pas afati, rregullimi i mësimdhënies i orëve, pra unifikimi i orëve të ushtrimeve dhe ligjëratave janë disa prej gjërave që duhet të ndodhin në UP-.

UP dalëngadalë duhet të shkëputet nga ajo që ka trashëguar si një universitet më tepër i Evropës Lindore dhe dal nga dalë të orientohet nga universitet e Evropës Perëndimore dhe të Amerikës Veriore.

KALLXO.com: Diçka për të shtuar për fund që nuk ju kemi pyet?

Faton Berisha: Unë mendoj se Universiteti, e ardhmja e një vendi që është akoma i pazhvilluar është i lidhur me universitetin kyç të atij vendi dhe mendoj se publiku, pra opinioni ka të drejtë absolute të interesohet për universitetin e vet më të mirë, mos për asgjë tjetër për faktin se financimi kryesore i UP-së vjen nga buxheti i Kosovës, pra i vendit.