Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Ish presidenti Trump e padit qeverinë amerikane lidhur me kontrollin e FBI-së në rezidencën e tij në Mar-a-Lago

Ish presidenti amerikan, Donald Trump, të hënën ka ngritur padi kundër qeverisë amerikane lidhur me kontrollin e FBI-së në shtëpinë e tij në Mar-a-Lago, duke kërkuar ta ndalojë përkohësisht këtë agjenci nga leximi i materialeve të sekuestruara derisa të caktohet një zyrtar i gjykatës speciale për t’i shqyrtuar dokumentet në fjalë.

Sipas The Guardian, duke cituar avokatin kryesor të Trump, Jim Trusty, dhe dy burime të njohura me këtë çështje, “padia argumenton se gjykata duhet të caktojë një mjeshtër të posaçëm – zakonisht një avokat ose gjyqtar në pension – sepse FBI ka sekuestruar potencialisht materiale të privilegjuara në kërkimin e tij dhe Departamenti i Drejtësisë (DD) nuk duhet të vendosë vetë se çfarë mund të përdorë në hetimin e tij”.

Padia, e paraqitur në gjykatën e rrethit të SHBA-së për rrethin jugor të Floridës, gjithashtu “kërkon që qeveria ta sigurojë një faturë më të detajuar për pronën; dhe … kërkon që qeveria të kthejë çdo send të sekuestruar që nuk ishte brenda fushëveprimit të urdhrit të kërkimit”.

Kërkimi në Mar-a-Lago, më 8 gusht, u organizua për të kërkuar të dhëna dhe materiale zyrtare nga presidenca e Trump, që Arkivi Kombëtar dhe Departamenti i Drejtësisë besojnë se ishin marrë në mënyrë të parregullt nga Shtëpia e Bardhë kur Trump u largua nga detyra.

Është raportuar se kontrolli është kryer në bazë të Aktit të Spiunazhit dhe se disa materiale të kërkuara kanë të bëjnë me armët bërthamore.

Kontrolli në përgjithësi është konsideruar të ketë shtuar ndjeshëm rrezikun ligjor të Trump, i cili shtrihet nga hetimet e aferave të tij të biznesit në Nju Jork deri te hetimet e përpjekjeve të tij për t’i përmbysur rezultatet e zgjedhjeve.

Trump refuzoi ta pranonte humbjen nga kundërkandidati për president Joe Biden në vitin 2020, duke pretenduar mashtrim të gjerë elektoral, një gënjeshtër që provokoi trazira vdekjeprurëse në Kapitol Hill të SHBA nga mbështetësit e tij më 6 janar 2021.

Pavarësisht nga një seri dëgjimesh publike të mbajtura nga një komitet i Dhomës së Përfaqësuesve që e hetojnë sulmin ndaj Kongresit dhe përmbysjen e zgjedhjeve nga Trump, kontrolli i Trump mbi partinë republikane mbetet i fortë.

Lidhur me kontrollin e FBI-së në Mar-a-Lago, ish presidenti pretendon se ka pasur keqtrajtime nga administrata Biden, një qëndrim i mbështetur nga republikanët në Kongres dhe baza elektorale e partisë.

Padia e paraqitur të hënën e quajti kontrollin “një veprim tronditës agresiv i cili e ka shqetësuar shumicën e amerikanëve”.  

Në anën tjetër, Departameti amerikan i Drejtësisë e kundërshton lëshimin e urdhrit, duke përmendur një hetim në vazhdim.

Padia që Trump ngriti të hënën synonte gjithashtu të tërhiqte vëmendjen ndaj sugjerimeve të tij të vazhdueshme se së shpejti do të shpallte një tjetër kandidim për Shtëpinë e Bardhë.

“Politika nuk mund të lejohet të ndikojë në administrimin e drejtësisë”, tha ai. “Presidenti Donald J Trump është favorit i qartë në zgjedhjet presidenciale republikane të vitit 2024 dhe në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2024, nëse ai vendos të kandidojë.

“Përtej kësaj, miratimi i tij në zgjedhjet afatmesme të vitit 2022 ka qenë vendimtar për kandidatët republikanë”.

Padia thotë gjithashtu se “Zbatimi i ligjit është një mburojë që i mbron amerikanët. Nuk mund të përdoret si armë për qëllime politike”./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala