Ish-Policët Vendosin t’i Rrëfehen Gjykatës

Lidhur me vrasjen e kryer nga “Grupi i Kaçanikut”, tash janë duke u gjykuar me një aktakuzë të re, Afet dhe Agron Dalloshi, për tri vrasje dhe dy tentimvrasje, ndërsa Nysret Cena dhe Agron Dalloshi për armëmbajtje pa leje. Të enjten kanë dëshmuar Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, sipas së cilëve Qerimi nuk ishte në dijeni për planin për të vrarë Neshat Baftiun.

Procesi gjyqësor ka të bëjë me vrasjen e trefishtë të Kaçanikut, të kryer më 27 dhe 28 shtator 2007, në vendin e quajtur te “Ura e Lepencit” afër fshatit Soponicë, Ferizaj.

Rasti është duke u gjykuar nga gjykatës vendas dhe të EULEX-it, ndërsa prokuror i rastit është Reshat Millaku.

Në një gjykim të mëhershëm të këtij rasti, Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, të dy ish-pjesëtarë të policiës së Kosovës janë shpallur fajtorë për vrasjen e trefishtë dhe janë dënuar me nga 33 vjet burg. Nysret Cena ishte shpallur i pafajshëm. 

Aktakuza e re është ngritur pasi që prokurori pretendon se janë mbledhur fakte të reja që inkriminojnë Agron dhe Afet Dalloshin, si dhe Nysret Cenën.

Sipas aktakuzës, Agron e Afet Dalloshi, Nysret Cena, Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, më 28 dhe 29 shtator 2007 janë marrë vesh dhe kanë privuar nga jeta Neshat, Sylejman dhe Urim Baftiun, ndërsa kishin lënë të plagosur Bujar Baftiun; Sadik Baftiu kishte shpëtuar pa lëndime.

Në seancën e mbajtur të enjtën kundër tre të akuzuarve dëshmuan Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi. 

“Burg e bela për ju më nuk mbaj…” ishin fjalët që Besnik Hasani, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale të Kosovës në Ferizaj, deklaroi gjatë dhënies së dëshmisë së tij në objektet e Gjykatës Supreme. 

Besniku kishte paralajmëruar shoqërinë e tij nga burgu i Dubravës se do e flasë të vërtetën. Sipas tij, Nysret Cena po planifikonte vrasje të tjera, për të cilat plane Hasani kishte kuptuar gjatë qëndrimit në burg. 

Dëshmi ka dhënë po ashtu ish-hetuesi i njësisë antidrogë në rajonin e Ferizajt, Shpend Qerimi. 

Në seancën gjyqësore ka deklaruar edhe Mendhur Baftiu, babai i Urim Baftiut i cili ishte njëri nga viktimat. 

“Unë iu kisha lutë gjykatës që ta zbulojnë të vërtetën dhe ta dënojnë kriminelin sipas ligjit! Kjo tokë nuk ka mbajt asnjëherë kësi kriminelësh, dhe nuk është mësu më mbajt kriminelë të tillë. Pune të mbarë juve dhe le të fitoi drejtësia”.

Besnik Hasani ka dhënë versionin e tij të ngjarjes së ndodhur më 27 dhe 28 shtator të 2007-ës në vendin e quajtur te “Ura e Lepencit” afër fshatit Soponicë.

Hasani pretedon se nuk ishte ai që kishte kryer veprën, e as shoku tij Shpend Qerimi. 

Ai dëshmoi para trupit gjykues se si problemi kishte filluar rreth një borxhi që i ndjeri Neshat Baftiu bashkë me Nexhat Kogjaj, i kishin Nysret Cenës dhe Arsim Kolshit, për shitblerjen e një veture.

Sipas tij, i ashtuquajturi “Grupi i Kaçanikut” i cili përbëhej nga vetë ai dhe Nysret Cena, Mustafë Dolloshi, Ali Aliu, Afet Dolloshi, Agron Dolloshi, Arsim Kolshi dhe se fundmi Shpend Qerimi,  kishin mbajtur disa takime në motelet “Mani”, Europa 92”, “Parku”, picerinë “Ida” dhe pompën e Xhafer Zharkut, të cilat gjenden në magjistralen Ferizaj-Kaçanik. 

“Në këto takime, grupi të cilit i takonte edhe ky vetë, ishte koordinuar dhe kishin ndarë detyrat për sulmin ndaj tashmë të ndjerit Neshat Baftiut, i cili nuk kishte kryer obligimin që kishte ndaj Nysret Cenes dhe Arsim Kolshit”.

Hasani deklaron se kishte shkuar bashkë me Shpend Qerimin te restorant “Mani”, i cili gjendet në magjistralen Ferizaj-Kaçanik, në të cilin restorant ishte edhe viktima Neshat Baftiu. 

Te “Mani” është takuar më shokët e tij të grupit Mustafë Dolloshi dhe Ali Aliu, të cilët kishin marrë rolin e përcjelljes së Baftiut, për t’i dhënë një porosi të Nysret Cenës. Aty ai kishte parë edhe  tashmë të ndjerin, Neshat Baftiu.

Besnik Hasani kishte dalë nga restoranti për të pritur dhe përcjellë në afërsi daljen e Neshatit. Mustafë Dalloshi nuk donte të përcillte Baftiun, siç i ishte caktuar dhe i ishte lutur Besnik Hasanit që ai dhe Qerimi të përcillnin. Ai kishte frikë se do të njihej nga Baftiu. 

Sipas dëshmisë, Neshat Baftiu kishte dalë nga “Mani” pas 10 ose 15 minutash dhe ishte futur në veturën e tij, bashkë me katër persona të tjerë, dhe kishte kaluar nga ura e Lepencit.

Të njëjtën deklaron edhe dëshmitari tjetër Shpend Qërimi, i cili nuk ishte në takimin koordinues dhe sipas tij, nuk kishte njohuri për planin e grupit të Kaçanikut.

Për vrasjen e trefishtë dhe plagosjen e dy personave në afërsi të lumit Lepenc kishte kuptuar të nesërmen në punë.

Shpend Qërimi deklaron para gjykatës së nuk ka ditur asgjë për rastin dhe se në natën kritike ishte telefonuar nga Bejtë Mehmeti dhe Besnik Hasani dhe ishte ftuar për ta vëzhguar “gjoksin” (Neshat Baftiun), i cili më herët ka qenë i njohur për policinë si prishës i rendit. 

Të dy dëshmitarët deklarojnë se ishin vënë në përcjelljë të veturës së Neshat Baftiut. 

Rrugës, kur kishin arritur në fshatin Dubravë, pasi kishin lënë magjistralen Ferizaj – Kaçanik dhe kishin vazhduar në të djathtë, Besniku që drejtonte veturën, në afërsi të një ure i kishte rënë burisë dy apo tre herë.

“Nuk ka kaluar as një minutë nga ky moment, kur ishin dëgjuar të shtënat rafall të automatikut A47 dy herë radhazi” deklaron Qerimi. 

Qerimi, i cili deklaron se nuk dinte asgjë se çfarë po ndodhte, kishte pyetur Besnikun se çfarë ishte kjo. Besniku iu kishte përgjigjur se ‘këtu gjuajnë njerëzia për dasma, e ku ta di unë’. 

Besnik Hasani ka pranuar në gjykatë se Shpend Qerimi nuk ka qenë në dijeni për planin e “Grupit të Kaçanikut”.

Përgatitjet e “Grupit të Kaçanikut” për të kryer vrasjen

Besnik Hasani ka dekluar se fillimisht Nysret Cena së bashku me Afet dhe Agron Dalloshin, ishin pajisur me armë dhe maska, të cilët i kishte parë vetë në takimin që kishte me Nysret Cenën në pompën e benzinës “T Xhafa” në natën kritike.

Nga vetura e Afet Dalloshit e tipit “Golf 3”, të cilën ka qenë duke e drejtuar Hasani, Agron Dalloshi kishte nxjerrë armët e mbështjella, të cilat i kishte futur në veturën e tipit Audi A4 ngjyrë hiri, thotë Hasani.

Sipas dëshmisë së ish-policëve, në veturën e njëjtë Audi A4 pronë e Nysret Cenës, kishin qenë Nysret Cena, Agron dhe Afet Dalloshi. Afeti i kishte përcjellë më veturë deri tek ura – vendi i krimit Nysret Cenën dhe Agron Dalloshin, të cilët i kishte ndaluar aty, për të vazhduar vetë rrugën. 

Sipas dëshmisë, kjo kishte ndodhur pasi që Nysret Cena dhe Afet Dalloshi, kishin kuptuar se Neshat Baftiu gjendej në restorantin “Mani” dhe do ta prisnin në atë vend, kur ai do të kthehej në shtëpinë e tij.

Këta të dy kishin pritur veturën e Neshat Baftiut dhe në momentin kur kishin marrë shenjën e borisë nga Besnik Hasani, ata kishin qëlluar në veturën e Neshat Baftiut. Vetëm dy nga pesë që gjendeshin në veturë, Bujar dhe Sadik Baftiu, i kishin shpëtuar vrasjes, ndërsa tre të tjerët (Neshat, Sylejman dhe Urim Baftiu), kishin gjetur vdekjen, kanë deklaruar dëshmitarët.

Pas aktit, dëshmitarët pohojnë se dy të dyshuarit Nysret Cena dhe Agron Dalloshi, kishin ikur nga vendi ngjarjes në drejtim të fshatit Rrakaj, ku edhe kishin fermën e tyre të deleve. Nga aty kanë lajmëruar Afet Dalloshin, i cili kishte ardhur për t’i marrë dhe ishin nisur në drejtim të motel “Europa”. 

Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi kishin vazhduar në drejtim të picerisë “Ida”, ku Shpendi kishte marrë veturën e tij dhe ishte nisur për në shtëpi.

“Nysret Cenaj frikësohej se forenzika do të tregonte gjurmët e tij”

Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi kanë përmendur një fakt tjetër, i cili sipas tyre dëshmon që Nysret Cena është kryerësi i veprës penale.

Sipas tyre, gjatë kohës sa kishin qenë në paraburgim, Nysret Cena e kishte pyetur Qerimin nëse pas shtënies me automatik, gëzhojat dhe mbetjet nga të shtënat, mund të mbeteshin në trupin dhe rrobat e personit që gjuan me armë.

Sipas Qerimit, Nysreti i kishte thënë edhe se ai frikësohej se mos raporti i forenzikes zbulon gjurmët e Nysretit për shtënien në natën kritike, duke i treguar kështu se ai ishte kryesori që kishte shtënë në natën kritike.

Ndër të tjera, dëshmitarët përmendin faktin se vetë i dyshuari Nysret Cena gjatë procesit gjyqësor, iu kishte premtuar Besnikut dhe Shpendit se në rast se do shpalleshin fajtorë këta dy të fundit, atëherë do të deklaronte dhe pranonte publikisht vetë fajin për veprën.

Nga ana tjetër, Shpend Qerimi shtoi se prej natës kritike, ka qenë i kërcënuar nga Grupi i Kaçanikut siç e quan ai, në rast se do të tregonte për natën kritike. 

Kjo e kishte detyruar atë të mos fliste dhe të montonte edhe situata të tjera rreth veprës së bashku me Besnikun dhe Grupin e Kaçanikut. Sipas tij, edhe Besniku ka qenë i kërcënuar dhe detyruar të veprojë për Grupin e Kaçanikut.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor kishte raste kur trupi gjykues ua tërheqtë vërejtjen Besnik Hasanit dhe Shpend Qerimit që të deklarohen për çështjen/aktakuzën e re, mirëpo  dëshmia e tyre prapë vazhdonte me rrëfimin e tyre për rastin.

Mbrojtësit e të pandehurve, Azem Vllasi, Gani Hoxha dhe Kosovare Kelmendi, nuk iu drejtuan me pyetje dëshmitarëve dhe deklaruan se gjykata ka marrë me shkrim qëndrimin e avokatëve mbrojtës dhe kundërshtimet e tyre për deklarimet e dëshmitarëve.

Nga radhët e palës së dëmtuar, ndër të tjerë gjykatës iu drejtua vëllai i të ndjerit Sylejman Baftiu, Bujar Baftiu, duke pyetur Besnik Hasanin se përse nuk kishte reaguar si polic në natën kritike kur kishte parë të armatosur grupin, të cilët përgatiteshin për sulmin.

Besnik Hasani u përgjigj se e pranonte fajin se përse nuk ka reaguar, mirëpo që sipas tij, ka qenë i befasuar sepse kishte munduar se vetëm do ta rrihnin Neshat Baftiun, jo edhe ta sulmonin dhe ta godisnin për vdekje atë dhe dy të tjerë.

Përveç vuajtjes së dënimit për këtë vepër me nga 33 vjet burg, Besnik Hasani, pjesëtar i Njësisë Speciale të Kosovës dhe Shpend Qerimi, pjesëtar i Njësisë Antidrogë, po ashtu në shtator të vitit 2009,  janë shpallur fajtorë dhe dënuar me nga 25 vjet burgim për tri vepra penale, vrasje e rëndë, lëndim i rëndë trupor dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Ata janë shpallur fajtorë për shpërthimin e 24 shtatorit 2007, në lagjen “Dardania” në Prishtinë ku patën humbur jetën dy persona dhe disa të tjerë qenë lënduar. Besohet se cak i sulmit me eksploziv ka qenë lokali i Enver Sekiraçës në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e policit Triumf Riza, më 30 gusht të atij viti.

Ngjarja sipas aktakuzës

Lidhur me vrasjen e kryer nga “Grupi i Kaçanikut” tash janë duke u gjykuar edhe Afet dhe Agron Dalloshi dhe Nysret Cena. Aktakuza e re e prokurorisë speciale të Kosovës ngarkon këta për vrasje, dy vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Viktima Neshat Baftiu kishte hyrë dorëzan për borxhin që Nexhat Koxhaj ja kishte Arsim Kaloshit, nga i cili i kishte blerë një veturë. Për shkak të këtij borxhi Nysret Cena, i cili kishte marrë përsipër që të kthentë këtë borxh, ishte fjalosur me Baftiun. 

Me të ishte fjalosur edhe i akuzuari tjetër Afet Dalloshi “lidhur me një femër, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt dhe në mënyrë dinake” thuhet në aktakuzë.  

Aktakuza shpjegon se ditën e vrasjes, Afet Dalloshi me veturë të markës Audi ka bartuar Nysret Cenën dhe Agron Dalloshin, që të dy të armatosur me pushkë automatike, deri tek ura e lumit Lepenc, nga i cili vend është larguar pasi ka lënë aty këta dy.

Në anën tjetër, Shpend Qerimi dhe Besnik Hasani kanë shkuar në restorantin “Mani” i cili ndodhej në rrugën magjistrale Ferizaj Kaçanik, ku qëndronte Neshet Baftiu, për të parë se kur do të largohej nga restoranti ashtu që të lajmëroni Nesretin dhe Agronin.

Qerimi dhe Hasani kanë lajmëruar Nesretin dhe Agronin me bori se Baftiu po kalonte andej, të cilët pastaj kanë shtënë me rafalë të gjata 40 fishekë duke e lënë të vdekur, thuhet në aktakuzë. 

Në veturën e Neshat Baftiut ndodheshin dhe Sylejman, Urim e Bujar Baftiu, të cilët kanë vdekur ndërsa i plagosur kishte mbetur Sadik Baftiu.