Ish-Këshilltari i Thaçit në Krye të Infrakos-it

Bordi i ndërmarrjes “Infrakos”, do të udhëhiqet nga Enver Aruqaj, një ushtarak që ka qenë këshilltar i Hashim Thaçit e Bajramit Rexhepit kur këta dy njerëz të PDK-së mbanin postin e kryeministrit.

Edhe anëtarë tjerë në këtë bord janë të lidhur ngushtë me Partinë Demokratike të Kosovës.

Një prej anëtarëve të lidhur me partinë në pushtet është Fëllënza Xhelili- Fiqi.
Ajo është e bija e Fatmir Xhelilit ish -deputetit të PDK-së.

Fatmir Xhelili ka qenë zëvendës inistër i Punëve të Brendshme në vitin 2008, anëtar i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës, anëtar i Kryesisë së Degës së Partisë Demokratike-dega në Shtime.
Të njejtën përkatësi politike e ka zgjedhur edhe vajza e tij Fëllënza Xhelili e cila është zgjedhur anëtare e Bordit të “Infrakosit”.

Ka të përfunduar drejtimin e Menaxhmentit dhe Informatikës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” në nivelin bachelor dhe master.

Ajo ka punuar si menaxhere e sektorit të tarifave në KOSST që nga qershori i vitit 2011, kompani që është përgjegjëse për administrimin e tregtimit të energjisë në Kosove.

Ajo më pas e ka ndërruar postin në kompaninë e njëjtë duke u bërë kështu specialiste e tarifave.
Xhelili-Fiqi ka punuar edhe në një firmë private si zyrtare e kontabilitetit. Përzgjedhja e Xhelilit si anëtare e bordit në “Infrakos” është përfolur si ndikim i politikës në këto borde.

E pyetur nga Gazeta Jeta në Kosovë se si i komenton këto qëndrime, Xhelili thotë se politika nuk ka të bëjë asgjë më bordin.

“Përzgjedhja e anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike është bërë në bazë të konkursit të hapur, kërkesat dhe kushtet e të cilit i kam përmbushur si në aspektin e shkollimit, përvojës dhe fushëveprimtarisë, të pasuar nga intervista nga paneli intervistues i përcaktuar nga qeveria, i cili ka bërë përzgjedhjen në bazë të kritereve të përcaktuara në Ligjin për Ndërmarrjet Publike. Andaj nuk besoj se ka pasur ndikime partiake në përzgjedhje,” thotë Xhelili.

Ajo ia pohoi gazetës se është anëtare e Partisë Demokratike të Kosovës.

Sipas Xhelilit përvoja në KOSST do i shërbejë edhe në “Infrakos”.

“Bartja e përvojës sime disavjeçare në aspektin e rregullimit financiar, gjegjësisht në fushën e rregullimit të tarifave dhe menaxhimit të këtij sektori në KOSTT besoj se do të jetë shumë pozitive dhe frytdhënëse në zhvillimin e kësaj fushe në ndërmarrjen ‘Infrakos’,” tha Xhelili .
Ajo tha se njohja e gjuhëve të huaja është një përparësi për të.

Anëtari i bordit është edhe deputet lokal i PDK-së

Edhe anëtari tjetër Nexhat Dedia është pjesë e PDK-së. Ai është asamblist në Kuvendin Komunal të Mitrovicës.

“E kam lajmëruar kryetarin e partisë në Mitrovicë që duhet të largohem nga asambleja dhe pres përgjigjen. Po ashtu kam njoftuar edhe Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK). Edhe nga kjo  pres përgjigje,” thotë Dedia.

Ai nuk dëshiroi të komentojë lidhur me emërimin e tij në një bord ekspertësh, përkundër përkatësisë politike.

Dedia, për sa i përket shkollimit, ka të kryer nivelin bachellor në fushën e menaxhimin në kolegjin “Fama”.

Dedia kishte qenë major në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës.

Thotë se ka marrë edhe një mirënjohje nga Agim Çeku, ish-komandanti i TMK-së.

Ai ka qenë edhe pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Shalës.

Ai ka qenë edhe anëtar i grupit rajonal të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës.

Ish-këshilltari i Hashim Thaçit e Bajram Rexhepit

Kryesuesi i Bordit Enver Aruqaj është nga Skenderaj.

Ai ka qenë  këshilltar i ish-kryeministrit Hashim Thaçit gjatë viteve 2013-2014.

Ndërsa gjatë viteve 2008-2012 ka qenë këshilltar i Bajram Rexhepit, ish-ministrit të Punëve të Brendshme.

Post të këshilltarit ka mbajtur edhe gjatë viteve 2003-2004 kur Bajram Rexhepi ishte kryeministër i Republikës së Kosovës.

Aruqaj gjatë kohës së tij si këshilltarë politik ka pasur edhe probleme të mëdha.

I ka ndodhur të shkarkohej nga njeriu që e kishte këshilluar për vite më radhë.

Bajram Rexhepi e kishte shkarkuar nga kjo pozitë pas zbulimit të skandalit të pasaportave në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Aruqaj ishte deklaruar atëkohë për shkarkimin e tij. E kishte cilësuar si veprim të ngutshëm të Rexhepit.

“Është vendim i gabuar në kohë të gabuar. Unë them publikisht që nuk jam i përzier në aferën e pasaportave. Por jo vetëm në këtë rast. Në asnjë tender që është hapur e kryer në MPB nuk kam gisht.

Njerëzit mund të mendojnë se shkarkimi ynë ka ndodhur për shkak të pasaportave, sepse ministri shkarkimin e ka bërë në këtë kohë. Ai është dashur të presë deri në përmbylljen e kësaj afere e të vendosë pas kësaj,” pati thënë Aruqaj për mediat në Kosovë.

Edhe Ministri pati deklaruar se ky shkarkim ishte bërë për shkak të reformatizimit të kabinetit të tij, pa dhënë më shumë detaje se përse ishte larguar Aruqaj.

Aruqaj ishte edhe drejtor në Zyrën për Siguri Publike në Zyrën e Kryeministrit në periudhën 2004/2008 , ndërsa ka punuar në Policinë e Kosovës në periudhën 2000/2003 dhe në Ministrinë e Rendit në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës menjëherë pas luftës.

Ai ka të përfunduar akademinë policore në periudhën 1977-1981 dhe akademinë ushtarake në vitet 1983-1987, ndërsa në biografinë e tij thuhet se ka ndjekur trajnime për menaxhim të lartë, menaxhim të krizave dhe rendit publik.

I pyetur për përkatësinë e tij politike Aruqaj dha këtë përgjigje.

“Sa i përket ndikimit qe unë te jem në Bordin e Drejtorëve të Infrastrukturës së Hekurudhave të Kosovës ju siguroi qe nuk ka pasur ndikim politik, por ndikimi me i madh ishte përvoja e punës dhe përgatitja profesionale të cilën e kam paraqitur edhe në  CV-në time të bashkangjitur në këtë përgjigje,” tha Aruqaj.

Ndërsa përvojën e tij menaxheriale nuk e komentoi shumë.

“Përvoja ime e kaluar besoj qe do të reflektojë shumë pozitivisht në drejtimin e kompanisë se bashku me anëtarët e bordit të përzgjedhur në këtë ndërmarrje..Kompania ka nevojë për një organ drejtues kompakt i cili merret me politikat afatmesme dhe afatgjata të zhvillimit të kompanisë ‘Infrakos’ Sh.A,” tha Aruqaj.

“Jam pastruar nga politika”

Anëtari tjetër i përzgjedhur është Millosh Dimiq nga Graçanica.

Në biografinë e tij thuhet se ka përfunduar Shkollën e Lartë Teknike për Studime Profesionale dhe ka marrë titullin inxhinier profesional në menaxhimin e prodhimit.

Që nga shkurti 2008 deri në dhjetor të vitit 2013 Dimiq ka punuar në Ministrinë e Financave,  Zyra e Mitrovicës.

Nga janari 2014 deri në dhjetor të 2014-ës ai ka punuar në Qeverinë e Kosovës në Zyrën e Kryeministrit si këshilltar politik.

“Tash jam plotësisht i pavarur dhe ka kaluar kohë e gjatë prej se nuk kam lidhje me politikë,” tha Dimiq.
Megjithatë ardhja e Dimiqit në këtë post konsiderohet të jetë në kundërshtim me Ligjin Nr.03/L-087 për Ndërmarrjet Publike, pasi që ai kishte kandiduar në zgjedhjet e vitit 2013 në Komunën e Graçanicës.

Dimiq për më tepër tregoi se si do të kontribuojë në “Infrakos”.

“Mendoj se mund të kontribuoj duke shfaqur njohuritë e mia për të siguruar një organizim të mirë të punës në ‘Infrakos’,” tha Dimiq.
Anëtari tjetër Njazi Selmanaj sipas raportimit të mediave ka qenë këshilltar i lartë i ish-ministrit të Ekonomisë dhe Financave Ali Sadria nga radhët e LDK-së.

Njazi Selmanaj dhe Milazim Bytyqi nuk u përgjigjën në pyetjet rreth punës së tyre dhe përkatësisë politike, përkundër që kanë kaluar disa ditë prej se Gazeta Jeta në Kosovë ka dërguar pyetje te të gjithë anëtarët e bordit.