Investimet e ‘padukshme’ në shëndetësinë e sëmurë

Partitë politike po e fajësojnë njëra-tjetrën për shëndetësinë e sëmur të Kosovës. Përkundër që për shëndetësinë janë ndarë miliona euro nga buxheti i Republikës së Kosovës sërish kemi mungesë të aparaturave, mungesë të furnizimit të rregullt me barna të listës esenciale e së fundmi edhe ikje të stafit shëndetësore. Ndërkohë, qytetarët vazhdojnë ta mbajnë vet barrën e sigurimit të një pjesë të barnave esenciale, ndërsa shpenzohen miliona për shërbime shëndetësore jashtë Kosovës.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë për “Kallxo.com” se periudha e tij si ministër është e shkurtër për të realizuar premtimet e dhëna.

Sipas tij, shëndetësia vuan nga probleme të cilat duan trajtim afatgjatë, rezultatet e të cilave mund të shihen pas një apo dy viteve.

Përndryshe, ai ka përmendur edhe Pandeminë COVID-19, me ç’rast ka thënë se me tu bërë ministër, e ka gjetur sistemin shëndetësorë pa asnjë lloj përgatitje për këtë pandemi.

Ai ka thënë se është marrë me mungesën e pajisjeve elementare për përballimin e kësaj pandemie. Por, thotë se edhe në kohë të pandemisë kanë arritur të bëjnë një skanim të gjendjes në shëndësi.

“Natyrshëm sikur që e prisnim gjetëm edhe probleme që nuk kishim mundur t’i identifikojmë nga jashtë. Adresuam për këtë kohë të shkurtër mungesën dhe jofunksionimin e Bordit të ShSKUK-së si domosdoshmëri për përballimin e situatës por nuk arritëm të merremi me problemet tjera organizative”, ka thënë ai.

Investimet

Vitia ka deklaruar se ministrat e kaluar të Shëndetësisë kanë pasur programet e tyre dhe kanë bërë edhe punë të mira, por siç ka thënë ai, shpeshherë interesat partiake kanë qenë mbi ato personale.

“Fatkeqësisht, përtej perceptimit publik, është edhe një fakt që shpeshherë interesat partiake kanë qenë mbi ato profesionale. Por kjo nuk do të thotë se nuk ka pasur iniciativa dhe punë të mira. Dhe mu për këtë ne kishim në plan që të krijojmë edhe një Komitet konsultativ të përbërë nga të gjithë ish-ministrat që proceset dhe punët e shumta të lëna në gjysmë prej tyre t’i vazhdojmë në mënyrën më të mirë”, ka shtuar ai.

Ai ka vlerësuar se një konsensus politik, do të mundësonte një reformë rrënjësore të sistemit shëndetësor.

Përndryshe, derisa është vlerësuar se nuk është punuar mjaftueshëm për shëndetësinë, Buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimit Spitalorë Klinikë e Universitar të Kosovës(SHSKUK), ka shënuar rritje ndër vite. Që nga viti 2015 deri në vitin 2020, buxheti për këto dy institucione është rritur për 45 milionë e 142 mijë e 837 euro.

Buxheti për shëndetësi gjatë vitit 2015 ka qenë 124 milionë e 426 mijë e 690 euro, përkatësisht buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë ishte 37.9 milionë euro, ndërsa i SHSKUK-së ishte 86.4 euro.

Buxheti i këtyre dy institucioneve gjatë vitit 2016 ishte 125.6 milionë euro. Për ministrinë e Shëndetësisë ishin ndarë 55.4 milionë euro, ndërsa për SHSKUK-në 70.2 milionë euro.

Gjatë vitit 2017, buxheti i përgjithshëm i MSH-së dhe SHSKUK-së ishte 126.6 milionë euro, ndërsa gjatë vitit 2018 buxheti i këtyre dy institucioneve ishte rritur në 146.4 milionë euro. Për Ministrinë e Shëndetësisë, në vitin 2018 ishin ndarë 65.5 milionë euro, ndërsa për SHSKUK-në ishin ndarë 80.9 milionë euro.

Në vitin 2019 buxheti i shëndetësisë MSH-së dhe SHSKUK-së ishte 161 milionë e 35 mijë e 71 euro. Për MSH-në ishin ndarë 39 milionë e 863 mijë e 808 euro, ndërsa për SHSKUK-në, 121 milionë e 171 mijë e 263 euro. Buxheti për këto institucione, ka pësuar rritje edhe këtë vit, kështu buxheti për to është rritur në 169 milionë e 569 mijë e 527 euro, buxheti i ndarë për MSH-në është 50 milionë e 855 mijë e 125 euro, ndërsa për SHSKUK-në, 118 milionë e 714 mijë e 402 euro.

Akuzat a partive politike së fundmi janë drejtuar edhe nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të cilit iu kërkua të jap edhe dorëheqje, pas vdekjes së një të riu në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka thënë për “Kallxo.com” se ka pasur një keqmenaxhim nga ana e ministrit Arben Vitia, i cili sipas tij ka shkelur Kushtetutën dhe Ligjin për Shëndetësi në momentin kur ka pranuar 1 mijë teste nga Serbia si donacion.

Mirëpo, derisa ka pasur kritika për punën e ministrit Vitia, Haxhiu është shprehur ndryshe për ish-ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili, i cili vinte nga radhët e PDK-së. Për Ismailin thotë se ka qenë ministri më i mirë i Shëndetësisë.

“Ne kemi një keqmenaxhim nga ana e ministrit Vitia, në veçanti në qendrën e karantimit ku ka pasur si pasojë vdekjen e një të riu. Po ashtu janë zhvilluar miliona tendera me çmime abuzive ku përfitues kanë qenë kompanitë të afërme me ministrin Arben Vitia… Dimë që Intensivë kanë qenë vetëm 14 aparate respiratore, ndërsa në fund të vitit 2019 kanë qenë në dispozicion 142 aparate respiratore, dhe kjo është bërë në menaxhimin e PDK-së”, ka theksuar ai.

Kërkohen më shumë investime në shëndetësi

Derisa nga Partia Demokratike e Kosovës, ka pasur kritika për ministrin Vitia, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka pasur kritika për të gjithë ministrat e deritanishëm të Shëndetësisë.

Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila njëherësh është edhe kryetare e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Albena Reshitaj, ka deklaruar se që nga paslufta ka pasur ngritje të buxhetit për shëndetësi, por që përkundër kësaj, ky sistem ende mbetet larg standardeve të pranueshme për ofrimin e shërbimeve cilësore shëndetësore.

“Ne jemi në dijeni se kemi trashëguar një sistem shëndetësor të rrënuar nga lufta e fundit dhe si i tillë ka pasur shumë sfida dhe ende ballafaqohet me vështirësi nga më të ndryshmet në funksionimin e tij. Nuk duhet harruar se ende nuk e kemi të  instaluar Sistemin Informativ Shëndetësor në vend dhe pa dyshim sot po të kishim funksional një sistem të tillë sigurisht që situata me Pandeminë COVID-19 do të menaxhohej më lehtë”, ka theksuar ajo.

Sa i përket punës që ka bërë ministri Arben Vitia, Reshtiaj ka thënë se duke pas parasysh situatën e tanishme, nuk është që ka parë angazhim tjetër përveç angazhimit në Pandeminë COVID-19.

Sipas saj, kjo situatë duhet të vetëdisojë një herë e mirë institucionet shëndetësore dhe drejtuesit e saj që vendi duhet përfundimisht dhe sa më parë të bëjë funksional dhe me standarde të pranueshme sistemin shëndetësor.

Edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ishin drejtuar kritika ndaj ministrave të Shëndetësisë, që vinin nga radhët e subjekteve tjera politike.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ekrem Hyseni ka thënë për “Kallxo.com” se sistemi shëndetësorë në Kosovë ka nevojë për investime më të mëdha se që janë bërë deri tani.

Sipas tij, Sistemi i Sigurimeve Shëndetësore i cili ka qenë premtim i të gjithë ministrave të Shëndetësisë, duhet të jetësohet, e duhet të bëhen edhe ndryshime tjera që nuk janë bërë deri tani.

“Sistemet shëndetësore në botë dhe në Kosovë kanë nevojë për investime. Investimet duhet të jenë në drejtim të aparaturës, infrastrukturës, spitaleve të reja e në drejtim të trajnimit të stafit. Në Kosovë duhet të ketë shumë më shumë investime se që ka pasur dhe duhet që Sistemi i Sigurimeve të jetësohet së bashku me Sistemin Infromativ Shëndetësor, e duhet të bëhet edhe ristrukturimi komplet i spitaleve”, ka theksuar ai.

Hyseni ka thënë tutje se tani është e rëndësishme që pandemia të jetë në kontroll, pasi që siç ka shtuar ai, Ministria e Shëndetësisë u ka hyrë në hak pacientëve me sëmundje kronike duke ua kufizuar lirinë e lëvizjes, e shërbimet shëndetësore.

Faji ‘jetim’

Përderisa anëtarë të subjekteve tjera politike kanë kritikuar ministrin Vitia, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku thotë se qeveritë e kaluara nuk e kanë pasur si prioritet shëndetësinë, përkundër rritjeve buxhetore.

Kollçaku është shprehur se Qeveria Kurti ka trashëguar një shëndetësi të brisht, ku nuk është investuar nga ministrit e kaluara, por që është prioritet i ministrit Arben Vitia.

“Ne e kemi trashëguar një sektor të shëndetësisë të brishtë. Me atë qe kemi trashëguar ne është dashur të veprojmë në kohën e pandemisë”, ka thënë ajo. “Nuk është investuar nga qeveritë e mëhershme në parandalim. Janë bërë vetëm disa përpjekje modeste, por nuk ka qenë shëndetësia prioritet. Më shumë kemi pasur marketing politik se sa përpjekje të vërtetë që të bëhet diçka serioze në shëndetësi. Qeveria Kurti e ka vënë si prioritet shëndetësinë.”

Kollçaku ka shtuar se në vend nuk zbatohet Ligji për Sigurimin Shëndetësorë, e kjo ia ka vështirësuar Ministrisë së Shëndetësisë punën.

Buxheti për shëndetësi viteve të fundit ka shkuar duke u rritur, por që gjendja në këtë sistem vazhdon të mos ketë ndryshime të mëdha.

Gjatë mandatit të secilit ministër, furnizimi me barna nga Lista Esenciale dhe me material shpenzues, nuk i ka përmbushur kërkesat e institucioneve publike shëndetësore.

Pacientët është dashur të sigurojnë vet edhe produktet më elementare, si gjilpërat, penjët e kapelat për stafin shëndetësorë.

Gjatë vitit të kaluar klinikat në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë pasur mungesë të medikamentit kundër dhimbjeve “Fentanyl” (opioid sintetik), me ç’rast edhe janë shtyrë operacionet selektive.

Ndërsa, spitalet rajonale vitin e kaluar disa herë janë ballafaquar me mungesë të dyoksidit të karbonit, i cili është i nevojshëm për kryerjen e operacioneve të ndryshme në Kirurgji, në Gjinekologji e në reparte të tjera. Institucionet publike shëndetësore nuk kanë qëndruar mirë as me aparatura.

Përkundër mungesës të shumë prej tyre, klinikat në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës e spitalet rajonale kanë kryer shërbime edhe me aparatura të cilat është dashur të dalin jashtë funksionit

Institucionet publike shëndetësore kanë ofruar shërbime për pacientë me aparaturë më të vjetër se 30 vite. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, aparaturat të cilat janë më të vjetra se shtatë vjet, duhet të dalin jashtë përdorimit.

Përkundër këtyre problemeve, shëndetësinë me vite po e përcjell edhe një problem tjetër, ai i ikjes së punëtorëve shëndetësor. Qindra punëtorë shëndetësor viteve të fundit kanë lëshuar vendin, kështu për të gjetur një punë në shtetet tjera.

Nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë është thënë se në 10 vitet e ardhshme shëndetësia në vend do të futet në një krizë të thellë për shkak të ikjes së punëtorëve shëndetësor.

Po ashtu kujtojmë se miliona euro janë shpenzuar për ngritjen e Sistemit Informativ Shëndetësor (SISH), i cili konsiderohet edhe baza e sigurimeve shëndetësore, por që ky sistem edhe nuk ka filluar të implementohet.