Asllan Kryeziu

Zotimi i kandidatit nga PDAK - Nëse shkelen të drejtat e komuniteteve do ta kushtëzoj votën time për buxhetin

Nëse do të zgjedhej deputet i Kuvendit të Kosovës, Asllan Kryeziu nga Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës (PDAK) thotë se një prej kauzave kryesore të tij do të jetë përmirësimi i gjendjes në tërësi i komunitetit të cilin e përfaqëson ai dhe partia e tij.

Kryeziu ka kërkuar që taksat e produkteve elementare duhet të ulen, ndërsa taksat e produkteve të luksit duhet të rriten.

Ai thekson se nëse arrin të marrë besimin e qytetarëve dhe të bëhet deputet do t’i propozojë disa amendamente.

“Mendoj që Ligji mbi skemën sociale tek kriteret për përfituesit, amendamenti i dytë ndryshimi i Ligjit për përfaqësimin e minoriteteve në nivele lokale ashtu qysh është në nivelin qendror dhe garancinë e përfaqësimit për minoritete në nivel qeveritar”, tha Kryeziu.

“Mendoj që ka shumë tema, por në mesin e tyre është përmirësimi i kushteve të banimit, ndërtimi, mandej problem tjetër mbeten hapësirat shkollore dhe universiteti publik i Ferizajt, ka filluar të iniciohet ky rast mirëpo ta jetësojmë atë dhe në anën tjetër të mbrojë  të drejtën e studentëve për vendet e garantuara në universitetet publike të Kosovës”, ka shtuar Asllan Kryeziu.

Ai tha se komuniteti ashkali do ta ndjejë më së shumti punën e tij në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka kërkuar që të iniciohet krijimi i kompanive të reja për mbrojtjen e ambientit.

“Duhet që bashkërisht me komunat të mendojmë funksionalizimin e ndërmarrjeve të reja publike për ambientin sepse kemi rastin e komunës së Ferizajt ku kemi vetëm një ndërmarrje publike dhe një komunë kaq e madhe me një ndërmarrje publike nuk mund të mirëmbahet qyteti dhe të iniciojmë krijimin e bizneseve të reja kryesisht në mbrojtje të ambientit jo vetëm në Ferizaj po në gjithë Kosovën”, tha ai.

Asllan Kryeziu është kundër ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr dhe djegies së qymyrit në shtëpi gjatë dimrit mirëpo nuk është kundër përdorimit të qeseve të plastikës.

Kundër është deklaruar për shitjen e Telekomit e për është deklaruar për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit.

Gjithashtu, kundër u deklarua edhe për shkëmbimin e territorit me Serbinë dhe heqjen e taksës për produktet serbe.

Për është deklaruar për ndërtimin e hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës.

Kryeziu tha se është kundër martesave në mes të personave të gjinisë së njëjtë.

Por u deklarua “për” mbajtjen e shamisë në shkolla.

“Me plot bindje jam për dhe do ta përkrah deri në pikën e fundit këtë çështje”, tha Kryeziu.

Për Trepçën u deklarua se duhet të mbetet nën qeverisjen shtetërore.

Nëse shkelen të drejtat e komuniteteve do të kushtëzoj me votën për buxhetin.

“Për të gjitha ato projekte që janë në interesin e komuniteteve që unë përfaqësoj kryesisht në zhvillim në përmirësimin e kushteve të banimit dhe ligjet e tjera që garantojnë të drejtat e komuniteteve”, shtoi Kryeziu.

Ai tha se makinat më të vjetra se 20 vite nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë e jo qysh është me ligjin aktual 10 vite.

Nëse i ngritët aktakuzë gjatë kohës sa është duke ushtruar mandatin e deputetit apo ndonjë post tjetër ai tha se do japë dorëheqje në momentin e ngritjes së aktakuzës.