Xhavit Haliti - Foto: Facebook

Xhavit Haliti flet për degën e PDK-së në Pejë pas rrahjeve

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti, që së fundi u rizgjedh kryetar i degës së PDK-së në Pejë tha për KALLXO.com se ende është herët të mendohet për kandidatin e PDK-së për kryetar të Komunës së Pejës.

Haliti, ka qenë pjesë e të gjitha legjislaturave që nga paslufta.

“Është herë të mendojmë për kandidim. Janë edhe dy vite, deri të zgjedhjet e ardhshme, ka kohë deri atëherë”, tha Haliti kur u pyet nëse do të kandidojë për kryetar të Komunës së Pejës.

Ai shton se kandidaturat i aprovon kryesia e partisë dhe kryetari.

“Çështja e udhëheqjes së Komunës, sipas statutit të PDK-së e vendos kryesia e partisë dhe pastaj e konfirmon kryetari i partisë, ndërsa kandidaturë mund të shpallë gjithkush”, tha Haliti për KALLXO.com.

Që nga paslufta, PDK asnjëherë nuk ka qenë pretenduese serioze për pushtet komunal, duke mbetur pas LDK-së e AAK-së që kanë pasur rotacion në pushtet.

Peja, tash e dy mandate udhëhiqet nga Gazmend Muhaxheri i LDK-së. Madje në zgjedhjet e 2017, Muhaxheri kishte rifituar zgjedhjet qysh në raundin e parë.

Mirëpo, në Kuvendin Komunal, LDK kishte arritur marrëveshje koalicioni me PDK-në.

Sipas Halitit, ky bashkëpunim do të vazhdoj edhe më tutje, derisa palët i përmbahen marrëveshjeve politike.

“Bashkëpunimi me LDK-në do të vazhdojë përderisa partneri i koalicionit i përmbahet marrëveshjeve, unë s’kam asnjë arsye me prish koalicionin me LDK-në. Nëse ai nuk i përmbahet marrëveshjeve, sigurisht që prishet koalicioni”, tha në mes tjerash Haliti.

Në zgjedhjet e brendshme të PDK-së që janë mbajtur për të gjitha degët në nivel të vendit, nuk kanë munguar lajmet për incidente gjatë proceseve zgjedhore.

Dy të tilla kishin ndodhur edhe në Pejë, ku kryetar i zgjodh Haliti. Në fshatin Raushiq dhe Ballagajë janë raportuar për incidente. Madje në Ballagajë ishte dashur edhe ndihma e Policisë për të siguruar procesin.

https://kallxo.com/rrahjet-brenda-pdk-se-ne-rajonin-e-pejes-policia-siguron-zgjedhjet-foto/

 

Mirëpo sipas tij, incidentet e tilla nuk janë shqetësuese.

“Ka pasur ndonjë ekses, mirëpo nuk ka pasur diçka shqetësuese. Në zgjedhjet e brendshme dega ka hyrë e bashkuar dhe e bashkuar do të vazhdojë dhe nuk ka shqetësim për ndarje të degës apo diçka të tillë”, tha Haliti, duke shtuar se nuk e ka problem të menaxhojë degën, përkundër pakënaqësive që kanë ndodhur.

“Menaxhimi i degës së PDK-së në Pejë nuk do të jetë fare sfidë për mua sepse e kam menaxhu që 5 vite dhe do të vazhdoj”, u shpreh Haliti.

Përveç situatës brenda degës që ai e drejton në Pejë, Haliti ka folur edhe për koalicionin që partia e tij e ka në nivelin qendror bashkë me AAK-në, Nismën dhe AKR-në.

Ai e pranon se herë pas here ka probleme, por megjithatë mendon se koalicioni është mirë.

“Po shihet që ka probleme herë pas herë, mirëpo përderisa nuk ka çështje që duhet të shqyrtohet politikisht në organet e partisë, atëherë unë mendoj që koalicioni është mirë. Edhe po të ishim vetëm ne duke qeverisur do të kishte probleme në Qeveri, sepse qeverisja është problematike, njerëzit kanë pretendime. Çdo qeverisje në botë ka probleme”, tha Haliti.