(VIDEO) Problemet me abuzimin me substancat narkotike gjatë izolimit

Përdorimi i substancave narkotike në Kosovë, sidomos nga moshat e reja po konsiderohet dukuri shqetësuese nga qytetarët dhe profesionistët shëndetësorë.

Me përhapjen e rasteve të para me pandeminë COVID-19 në Kosovë u morën edhe masat izoluese që detyruan shumë persona, përfshi edhe përdoruesit e narkotikëve të qëndrojnë të mbyllur në shtëpi. Qëndrimi i izoluar në rrethin familjar, megjithatë, sipas psikologes Arjeta Musliu, mund të ketë pasur efekt pozitiv për shumë nga ta.

 

Musliu që është edhe udhëheqëse e qendrës këshilluese “Ri-Jeta”, ka treguar se si ka qenë periudha e izolimit për personat të cilët janë përdorues të narkotikëve dhe funksionimin e këshillave falas të cilat bëhen në këtë qendër.

Musliu ka treguar se këshillat në këtë qendër ka vendosur që t’i bëjë falas, për shkak të gjendjes ekonomike në Kosovë dhe ka potencuar se të rinjtë e Kosovës kanë nevojë edhe për shumë qendra të tjera të llojit të tillë, sepse numri i përdoruesve është duke u rritur, ndërsa janë duke u prekur edhe moshat më të reja.

Sipas statistikave të regjistruara në Drejtorinë e Hetimeve e Trafikimit me Narkotik në periudhën janar- qershor në vitin 2020, numri i personave të arrestuar për përdorim të narkotikëve është 337, ndërsa në të njëjtën periudhë në vitin 2019 kanë qenë 491 persona të arrestuar.

Për ndikimin e izolimin në kohë të pandemisë, psikologia Musliu ka thënë se pasojat janë duke u parë që tani.

“Fatëkeqësisht që pasojat veç po shihen, jemi me një situatë në nivel global. Por gjithçka e rëndë, apo gjithçka  jo e mirë, gjithmonë brenda saj ekziston një diçka e mirë, këtë e them nga përvoja, nga rastet nga dëshmitë që po m’i japin, përderisa edhe gjatë periudhës së karantinimit, izolimit që kemi qenë unë e kam pasur qasjen përmes rrjeteve sociale, qasjes online edhe vazhdimisht kemi qenë në kontakt me përdoruesit dhe familjarët edhe këtë du me  e potencu që nuk e mendoj dhe nuk di ku ekziston një diçka më e sigurt apo një vend më i sigurt se në mesin e familjes në shpi”, është shprehur Musliu.

Tutje, ajo thotë se me anë të izolimit përdoruesit e narkotikëve janë vetëdijësuar për dashurinë që kanë familjet ndaj tyre.

“Është vetëdijësu përdoruesi për shërbimet, për ndihmën për dashurinë që e ka familja ndaj tij është dhënë hapësira, që ai me dhënë vlerësimin, dallimin, është përmbush me dashuri, gjithmonë duke u këshilluar. Jemi në mungesë të një përqafimi, jemi në mungesë të një përkëdhelje, dinamika e përditshmërisë ndoshta na imponon apo një pakujdesi që ka një vlerë jashtëzakonisht të madhe. Kështu që janë vetëdijesuar, ushqim ime rregull, gjumi i rregullt, vetëdijesimi, t’u e pa përkrahjen, mbështetjen, ofrimin e dashurisë dhe format e tjera, kanë ndikuar në një aspekte jashtëzakonisht muj me thanë pozitiv.”, ka shtuar ajo.

“Përdoruesit i’u ka imponu me një formë, jo me u kushtëzu që me qëndru n’shpi, duke u vetëdijesuar, shëndeti është në pyetje që ka ndikuar në formën më të mirë të mundshme, është vetëdijesu përdoruesi për shërbimet, për ndihmën, për dashurinë që e ka familja ndaj tij”, ka thënë Musliu.

Sipas Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës gjatë periudhës së pandemisë COVID-19 nuk është vërejtur rritje e numrit të përdoruesve të substancave narkotike, ndërsa përdorimi i tyre fillon nga personat e moshës 14 vjeçare.

“Moshat fillojnë nga mosha 14 vjeçare, por numri më i madh i përdoruesve është: nga 22 vjeç deri në 35 vjeç ne nivel  vendi. “, thuhet në përgjigjen e tyre.