Valdrin Lluka synon ta privatizojë menaxhimin e spitaleve shtetërore

Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, është kandidat për deputet të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës Kosova e Re (AKR), në zgjedhjet nacionale të 6 tetorit ndërsa njëra nga kauzat që ai premton reformë është futja e bizneseve private në menaxhimin e spitaleve shtetërore.

“Janë tri kauza kryesore. E para është rinia. Dua ta bëj një fond për bursa për gjithë të rinjtë që pranohen në top 50 universitetet botërore. E dyta kryesisht ka të bëjë me shëndetësinë, për reformimin e shëndetësisë, ku do të fusim sektorin privat pra përmes partneritetit publiko-privat ne menaxhimin qendrave spitalore shtetërore. Dhe e treta do të jetë normalisht pjesa ime më e fortë, është zhvillimi ekonomi”, është shprehur ndër të tjerash ai.

Ministri në detyrë ka shtuar se është për ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr dhe kundër përdorimit të qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit.

Lluka gjithashtu ka thënë se është për shitjes së Telekomit të Kosovës. Kurse sa i përket ndërtimit të autostradës së Dukagjinit, ai për KALLXO.com ka thënë se nuk ka ndonjë qëndrim zyrtar.

“Kjo është temë që kërkon më shumë shtjellim prandaj në këtë moment nuk kam ndonjë qëndrim zyrtar. Po së shpejti do të kem edhe qëndrim për këtë punë”, ka theksuar ai.

Lluka ndër të tjerash ka shtuar se është kundër shkëmbimit të territoreve me Serbinë si dhe kundër po ashtu heqjes së tarifës doganore ndaj produkteve serbe.

Sipas tij, Komuna e Gjakovës përballet me tri probleme.

“Problemi kryesor që e shoh për momentin është ikja e qytetarëve pra nga Gjakova në vende të ndryshme, qoftë në Prishtinë, qoftë jashtë Kosovës dhe pra si shkak që është papunësia. Problem të dytë e shoh shkatërrimin totalisht të industrisë që ka qenë në Kosovë. Problem të  tretë e shoh sektorin e bujqësisë”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Lluka ka shtuar se është kundër ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës si dhe pro mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit.

Ministri në detyrë ka theksuar se është për martesave në mes të gjinisë së njëjtë dhe kundër bartjes së shamive në shkolla.

Ai ka thënë se përkrahë një rishikim të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzuar.

Kjo është intervista e plotë me kandidatin për deputet nga radhët e AKR-së, Valdrin Lluka:

Kallxo.com: Cila është kauza që keni me e shty nëse boheni deputet?

Valdrin Lluka: Janë tri kauza kryesore. E para është rinia. Dua ta bëj një fond për bursa për gjithë të rinjtë që pranohen në top 50 universitetet botërore, do t’i kenë të mbuluara të gjitha shpenzimet e edukimit, si për bachelor, si për master , si për doktoraturë nga buxheti i Republikës së Kosovës. E dyta kryesisht ka të bëjë me shëndetësinë, për reformimin e shëndetësisë, ku do të fusim sektorin privat pra përmes partneritetit publiko-privat ne menaxhimin qendrave spitalore shtetërore dhe e treta do të jetë normalisht pjesa ime më e fortë, është zhvillimi ekonomik ku kryesisht ka të bëjë me reformimin se si i tërheqim investitorët e huaj, pra krijimi i zonave të veçanta ekonomike të sistemit irlandez.

Kallxo.com: Nëse e merrni mandatin a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu me ndonjë post tjetër?

Valdrin Lluka: Varësisht prej rezultateve. Domethënë deputetët rrinë nëse është e nevojshme dhe kërkohet për me pas forcë politike. Po domethënë shihen rezultatet dhe aty vendosim, tash nuk mund të vendosim.

Kallxo.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?

Valdrin Lluka: Unë mendoj që tatimi që duhet me u ulë është tatimi mbi fitim që vjen nga eksportet. Ajo që duhet të rritet për momentin nuk mendoj që është ndonjë taksë, për arsye se nuk dëshirojmë ta humbim konkurrueshmërinë me shtetet e rajonit që i kemi si avantazh.

Kallxo.com: Cilat janë tri amandamentet e para që keni me i propozu?

Valdrin Lluka: Amendamenti i parë do të jetë Ligji për Energjinë ku do të promovojmë energjinë e ripërtritshme përmes konkurrencës, pra jo siç është sistemi aktual, duhet të ndryshohet ajo formë, është sipas trendëve më të reja, të cilat kanë dëshmu që e ulë çmimin e energjisë pra duke mos i ngarkuar qytetarët. E dyta do të jetë ligji mbi arsimin, do ta krijoj fondin e bursave që e përmenda më herët. Bursave për të rinjtë që studiojnë jashtë vendit, kryesisht në fushat shkencë, teknologji, inxhiniering dhe matematikë. Si dhe e treta do të ishte tatimi mbi fitim të korporatave, si amendamentim do të bëhej eliminimi i tatimit që vie nga eksportet pra, çdo fitim që vjen nga eksporti  që bëhet nga Kosova duhet të bëhet në zero, jo 10 për qind siç është tani.

Kallxo.com: Cilat janë tri problemet/nevojat kryesore e komunës prej nga vini?

Valdrin Lluka: Unë vij nga Gjakova. Problemi kryesor që e shoh për momentin është ikja e qytetarëve pra nga Gjakova në vende të ndryshme, qoftë në Prishtinë, qoftë jashtë Kosovës dhe pra si shkak që është papunësia. Problem të dytë e shoh shkatërrimin totalisht të industrisë që ka qenë në Kosovë. Gjakova ka qenë një ndër vendet më të industrializuara në Kosovë dhe ajo industri është totalisht e shkatërruar pra si problem i dytë. Problemi i tretë e shoh sektorin e bujqësisë, edhe bujqësia pra ka qenë jashtëzakonisht shumë e zhvilluar kurse sot jemi dëshmitarë të fragmentimit të tokave, shndërrimit të tokave nga bujqësore në ndërtimore, pra prishja e sistemit bujqësor ku secila nga këto toka bujqësore ka pasur sistemin e ujitjes pra, që nga koha e Jugosllavisë, por çdo gjë po shkatërrohet, është shkatërruar një pjesë e madhe. Dhe ky është problemi i tretë sepse ndihmon direkt edhe në rritjen e shitjes, eksportit, punësimit e gjëra të tilla.

Kallxo.com: A ka gjasa me e ndërru partinë ku jeni tash?

Valdrin Lluka: Jo, asnjëherë.

Kallxo.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?

Valdrin Lluka: Nuk besoj.

Kallxo.com: Cili grup i diskriminuar do ta ndjenë më së shumti përkrahjen tuaj si deputet?

Valdrin Lluka: Unë mendoj që grupi më i diskriminuar që do ta ketë përkrahjen, do të jetë rinia për shkak që nuk e ka pasur mundësinë e barabartë si për edukim si për çdo gjë tjetër. Edhe për vende pune e dimë që papunësia më e madhe është tek rinia dhe në fusha të profesionalizimit sidomos. Pra profesionistët do ta kenë vendin e vet në punët dhe pozitat kyçe ku i takojnë. Dhe kjo do të jetë luftimi më i madh i imi kundër kësaj dukurie.

Kallxo.com: Çka do të bëni për përmirësimin e ambientit (mjedisit) dhe ajrit të ndotur në Kosovë?

Valdrin Lluka: Pa hi shumë në detale se kjo është edhe temë e imja. Janë dy sene kryesore; e para është investimi në zgjerimin e  rrjeteve të ngrohtoreve qendrore. Pra zgjerimi i rrjeteve në Prishtinë dhe Gjakovë ku shumë më shumë shtëpi do të mbulohen me ngrohtore qendrore në mënyrë që ata të mos e përdorin thëngjillin apo ndonjë lëndë tjetër dhe djegëse për ti ngrohur shtëpitë e tyre dhe normalisht vazhdimi i investimeve në komuna tjera kryesore. Pra shtatë komuna i ka Kosova, dy nga to kanë ngrohtore dhe 5 nuk kanë. Pra sjellja e ngrohtoreve edhe në qytetet e tjera të Kosovës, pra kjo është njëra. Dhe e dyta është zëvendësimi i thëngjillit të pa trajtuar nëpër shtëpi që djegim sot ku ne gjatë dimrit nuk mund të marrim frymë në vendet tona, me një alternativë tjetër që është e përballueshme për qytetarët që edhe mund të subvencionet nga buxheti i Kosovës por të mos jetë barrë shtesë për qytetarët e Kosovës, që nuk kanë kushte të mira financiare. Pra mund të jetë thëngjilli që zëvendësohet me dru, mund të zëvendësohet me pelet apo mund të zëvendësohet me thëngjill të trajtuar pra kur teret, trajtohet, hiqet lagështia, e tjera, e tjera.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?

Valdrin Lluka: Për.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?

Valdrin Lluka: Kundër.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR përdorimit të qeseve të plastikës?

Valdrin Lluka: Kundër.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR shitjes së Telekomit të Kosovës?

Valdrin Lluka: Për.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të autostradës së Dukagjinit?

Valdrin Lluka: Kjo është temë që kërkon më shumë shtjellim, prandaj në këtë moment nuk kam ndonjë qëndrim zyrtar. Por së shpejti do të kem edhe qëndrim për këtë punë.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR shkëmbimit të territoreve me Serbi?

Valdrin Lluka: Kundër.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së tarifës me Serbinë?

Valdrin Lluka: Normalisht jam kundër pra, por normalisht këtu duhet të ketë një bashkëpunim të ngushtë me komitetin ndërkombëtare për çështjen në të ardhmen.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?

Valdrin Lluka: Kundër.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?

Valdrin Lluka: Pro mbylljes.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR monopolit në homoligim?

Valdrin Lluka: Jam kundër monopolit në çfarëdolloj monopoli.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR martesave në mes të gjinisë së njëjtë?

Valdrin Lluka: Për.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR bartjes së shamive në shkolla?

Valdrin Lluka: Kundër.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR kuotës për deputetë nga diaspora?

Valdrin Lluka: Për. Duhet me pas përfaqësues.

Kallxo.com: A je PËR apo KUNDËR ridizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzuar?

Valdrin Lluka: Përderisa është nën hetime dhe është duke u shikuar rasti unë jam për një rishikim të kësaj skeme.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së kartonit të gjelbër për diasporën?

Valdrin Lluka: Jam për çdo lehtësim që duhet me ia bo diasporës, që është e mundur ne duhet me ia bo me çdo kusht, pra përfshirë edhe heqjen e kartonit të gjelbër, zëvendësimin apo të themi marrëveshje direkte me shtetet e tyre nga vijnë për të mos i ngarkuar me ndonjë tarifë shtesë.

Kallxo.com: Kush po ua financon fushatën?

Valdrin Lluka: Është z. Pacolli si kryesues, është financuesi kryesor.

Kallxo.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajt gjatë kohës kur jeni deputet/ministër?

Valdrin Lluka: Një e kam momentalisht dhe një do ta kem edhe si deputet.

Kallxo.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?

Valdrin Lluka: Të hyrat mujore personale, është rroga e ministrit rreth 1800 euro në muaj. Te pasuria, e kam një shtëpi rreth 170 mijë euro ka vlerë, por e kam dhe një kredi rreth 40 mijë euro e mbetur që nga 10 vite kur e kam marr kredinë për shtëpi. Kjo është pak a shumë dhe e kam një makinë rreth 10 mijë euro vlera e makinës.

Kallxo.com: A e keni pasurinë e përbashkët me gruan/burrin? Nëse jo, a keni me e regjistru bashkërisht?

Valdrin Lluka: Po normalisht, si të përbashkët është e regjistruar.

Kallxo.com: Herën e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru, në spital privat apo publik?

Valdrin Lluka: Herën e fundit, s’kam pas, ka kohë shumë…por për shembull kur djali ka pasur nevojë për shërbime spitalore e kam dërgu në spital publik, në QKUK.

Kallxo.com: Ku keni me shku kur të bëheni deputet nëse sëmureni?

Valdrin Lluka: Prapë mendoj që shërbimet që i ofron spitali shtetëror publik, shumë spitale tjera sidomos ato që janë më të avancuara, nuk mund ti ofrojnë. Prandaj adresa e parë duhet të jetë QKUK-ja. Të shikohet edhe varësisht prej situatës. Është vështirë me u përgjigj në këtë.

Kallxo.com: Fëmijët tuaj a janë në shkolla publike apo private?

Valdrin Lluka: Një djalë e kam, në shkollë private.

Kallxo.com: Sa familjarë i keni të papunë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që e merr mandatin?

Valdrin Lluka: Familjarë të gjithë i kam të punësuar. Asnjëri s’punon në institucione publike, prandaj nuk kam me pas nevojë as me i punësu familjarët në të ardhmen.

Kallxo.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbet nën qeverisjen shtetërore?

Valdrin Lluka: Resurset gjithmonë me mbet shtetërore, menaxhimi gjithmonë privat.

Kallxo.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?

Valdrin Lluka: Nëse është një projekt do të jetë bursa për studentë që studiojnë jashtë vendit.

Kallxo.com: Cili ka me qenë projekti/puna me të cilën keni me lanë gjurmë/trashëgimia juaj si deputet?

Valdrin Lluka: Fuqizimi i të rinjve do të jetë edhe përmirësimi i ambientit i të bërit biznes.

Kallxo.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?

Valdrin Lluka: Sado që ka seanca. Për secilën seancë apo shumicën e seancave.

Kallxo.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajt gjatë një viti/mandati?

Valdrin Lluka: Tash nëse i llogarisim, 220 ditë pune që i ka viti, seancat janë më të rralla ndoshta rreth 40 seanca që mbahen në vjet. Mendoj që minimum rreth 100 takime do të kemi gjatë vitit me qytetarët.

Kallxo.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?

Valdrin Lluka: 12 vite.

Sa dëgjime publike keni me i iniciu në komisionet ku keni me qenë pjese?

Valdrin Lluka: Për secilin komision ku ka interes dhe peshë që duhet të ketë qytetari i Republikës së Kosovës.

Kallxo.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritet aktakuzë?

Valdrin Lluka: Nëse është aktakuzë e ngritur në bazë të fakteve që kam bërë keqpërdorime, menjëherë do të jap dorëheqje. Por përndryshe jo.

Kallxo.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë?

Valdrin Lluka: Varësisht prej aktakuzës. Nëse ka aktakuzë për raste potenciale prej gjykatës ndërkombëtare për krime të luftës apo diçka të tillë që gjykohen padrejtësisht shumë vetë, atëherë jo nuk e votoj. Por nëse ka për fakte të bazuara për keqpërdorim të detyrës, po e votoj.

Kallxo.com: A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?

Valdrin Lluka: Po.

Kallxo.com: Sa zv.ministra duhet t’i ketë një ministri?

Valdrin Lluka: Dy.

Kallxo.com: A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike & shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?

Valdrin Lluka: Jo.

Kallxo.com: A keni me i bo transparente fondet e partisë?

Valdrin Lluka: Varet prej partisë, pra nivelit të menaxhimit të partisë, të kuvendit.

Kallxo.com: A keni me i hap dokumentet/faturat në kuvend/ministri?

Valdrin Lluka: Në ministri unë prej momentin që kam ardh i kam hap të gjitha prandaj e njëjta praktikë ko me shku edhe në Kuvend. Do të jem transparent me secilin shpenzim që e bëj.