Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi - Foto: REL/Courtesy photo

Thaçi: Nuk i pranojmë kushtëzimet nga Serbia, taksa mbetet në fuqi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se tarifa e vendosur për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, nuk do të hiqet. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, presidenti Thaçi foli edhe për Samitin e Berlinit, që sipas tij, nuk ka nxjerrë ndonjë konkluzion të qartë, derisa kritikoi sërish Bashkimin Evropian për mosunitet. Ndërkaq, rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, e sheh si të pashmangshëm. Thaçi tha se është kundër shkëmbimit të territoreve, por është i bindur që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, duhet t’i bashkëngjitet territorit të Republikës së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: President Thaçi, pas Samitit të Berlinit ju nuk ishit shumë optimist se do të ketë lëvizje pozitive në drejtim të përmbylljes së procesit të dialogut me Serbinë dhe arritjes së një marrëveshjeje finale. Ku aktualisht qëndrojnë pengesat kryesore në këtë proces?

Hashim Thaçi: Unë them që takimi (Samiti) i Berlinit, nuk ka nxjerrë ndonjë konkluzion të qartë, ndërsa jam optimist se në Paris, mund të kemi një qartësi dhe një dinamikë të re të angazhimeve për gjetjen e një mundësie për përmbylljen e dialogut mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, që mbyllen të gjitha çështjet e hapura me mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, dhe që rezulton me njohje reciproke.

Radio Evropa e Lirë: E shihni si vazhdim të procesit të dialogut apo fillim të ri?

Hashim Thaçi: E shoh si dinamikë të re në kuadër të kornizave të udhëheqjes së Bashkimit Evropian dhe zonjës (Federica) Mogherini, por tash me prezencën edhe të kancelares (Angela)Merkel dhe presidentit (Emmanuel) Macron. Shoh një koncept dhe vizion interesant dhe kreativ nga presidenti Macron, dhe prandaj besoj që do të ketë edhe një konsultim shtesë të vendeve të Kuintit, mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, në mënyrë që të jenë unike në pozicion e tyre, karshi dialogut Kosovë-Serbi, në mënyrë që të reflektojë ky unitet edhe në shoqëri, edhe në skenën politike në Kosovë, por edhe në Serbi dhe të kemi një marrëveshje të pranueshme për palët, por edhe të zbatueshme në terren.

Radio Evropa e Lirë: Nuk i kursyet nga kritikat as BE-në dhe vendet e Kuintit. A nënkupton kjo që procesi nuk është duke u udhëhequr si duhet?

Hashim Thaçi: Definitivisht, në Berlin është treguar edhe njëherë se sa e dobët është Evropa dhe se sa jo unik është Bashkimi Evropian dhe çfarë paqartësie kanë mes veti liderët e vendeve përkatëse. Ishte një vullnet i mirë i kancelares Merkel, por jo rezultativ.

Radio Evropa e Lirë: Keni përmendur edhe rolin e SHBA-së në proces si të pashmangshëm për arritjen e marrëveshjes. Në çfarë kuptimi keni menduar, marrë parasysh faktin që Uashingtoni disa herë është shprehur se e mbështetë procesin që udhëhiqet nga BE-ja?

Hashim Thaçi: Në kuptimin e rolit vendimtar dhe historik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të kaluarën, kur ka arritur paqen në Dejton për Bosnje Hercegovinën, marrëveshjen në Rambuje për Kosovë, e gjithashtu kontributin e jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për marrëveshjen në Ohër të Maqedonisë së Veriut, por edhe marrëveshjen në Konçul. Prandaj, e ritheksoj edhe sot, dhe jo rastësisht kam diskutuar me përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ambasadën amerikane në Berlin rreth dy orë para takimit në Berlin, se roli i SHBA-së edhe në procesin aktual, atë të dialogut Kosovë-Serbi është i pazëvendësueshëm dhe nuk mund të arrihet një marrëveshje pa rolin dinamik dhe udhëheqës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
E them këtë, për arsye se presidenti (Donald) Trump, ka qenë shumë i qartë në mesazhet e tij dhe formula e gjetjes së zgjidhjes për marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi, është në substancën dhe kornizën e letrave të presidentin Trump.

Radio Evropa e Lirë: Ju keni përmendur në shumë raste edhe idenë e korrigjimit të kufirit, si pjesë të negociatave, por nuk keni marrë mbështetje, sidomos në Prishtinë, e së fundit edhe në Samitin e Berlinit. Për çfarë korrigjimi angazhoheni ju?

Hashim Thaçi: Unë gjithmonë kam qenë kundër dhe do të vazhdoj të jem gjithmonë kundër shkëmbimit të territoreve sepse është pazar dhe një gjë të tillë nuk do ta lejoj që të ndodhë. Kam qenë, jam dhe do të vazhdoj të mbes fuqishëm në favor të korrigjimit të padrejtësive historike në rastin e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Punoj fuqishëm që ajo pjesë e Preshevës, Medvegjës dhe Bujoncit që t’i bashkëngjitet territorit të Republikës së Kosovës. Diçka të tillë kam prezantuar edhe në Samitin e Berlinit, por Samiti i Berlinit nuk ka sjell ndonjë ide të re, por nuk i ka mbyllur asnjë ide të diskutuar deri më tani, pra edhe atë të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Radio Evropa e Lirë: Nëse ju do të kërkoni që Presheva, Medvegja e Bujanoci t’i takojnë Kosovës, a nuk i hapë kjo rrugë edhe Serbisë që ta kërkojë të njëjtën gjë për pjesë të caktuara të Kosovës, si veriu për shembull?

Hashim Thaçi: Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, mund dhe do të luftoj që të jenë pjesë e territorit të Republikës së Kosovës, me territorin aktual të shtetit të Kosovës, duke mos e cenuar asnjë centimetër të territorit të shtetit të Kosovës, por në të njëjtën kohë, kam theksuar edhe në Berlin se nuk do të lejojmë asnjë ide për ndonjë sovranitet të dyfishtë për Kosovën, apo ndonjë ide për ndonjë Asociacion me elemente ekzekutive të modelit të Republikës Serbe, sepse kjo nënkupton ndarje të Kosovës, sikundër që nuk do të lejojmë ndonjë model gjermano-gjerman.

Radio Evropa e Lirë: President, t’i kthehemi taksës të vendosur nga Qeveria e Kosovës për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. A mund të vazhdojnë negociatat pa heqjen e kësaj takse?

Hashim Thaçi: Takimi i Berlinit, është fat që në fund me iniciativën e presidentit (Emmanuel) Macron, me pajtueshmërinë time, por edhe të presidentit (Aleksandar) Vuçiq, jemi dakorduar të ndodhë takimi i Parisit. Taksa është një diçka legjitime dhe e drejtë nga ana e Qeverisë së Kosovës, prandaj edhe do të mbetet në fuqi. Nuk do të lejojmë që dialogu të kushtëzohet nga Serbia.

Radio Evropa e Lirë: Më herët edhe ju e keni kundërshtuar taksën, keni kërkuar që të hiqet ose të pezullohet?

Hashim Thaçi: Është gënjeshtër e kulluar nga kushdo që e ka prezantuar se unë e kam refuzuar taksën dhe merrni deklaratat e mija, një nga një, nga dita e parë, nga momenti që është propozuar nga zoti (Enver) Hoxhaj për 10 për qind, e kam mbështetur dhe në momentin që është propozuar nga kryeparlamentari (Kadri) Veseli në 100 për qind, e kam mbështetur. Taksa është vendim legjitim dhe i drejtë dhe do të mbetet. Për gjëra të tjera, ka deklarime të tjera, është gënjeshtar dhe mashtrues.

Radio Evropa e Lirë: Nëse taksa nuk hiqet nga Qeveria e Kosovës, ashtu siç kërkojnë edhe vendet mike të Kosovës, a duhet të ketë zgjedhje të reja në Kosovë?

Hashim Thaçi: Taksa nuk hiqet dhe nuk ndërlidhet fare me zgjedhje. Nëse partnerët e koalicionit humbin shumicën në Kuvend, apo nëse nuk e konstatojnë që e kanë shumicën në Kuvend, natyrisht se vendi mund të shkojë në zgjedhje, nuk është fundi i botës. Përkundrazi, është vetëm shëndet për demokracinë dhe unë u kam dërguar mesazh edhe partnerëve të koalicionit se duhet ta ruajnë shumicën, përndryshe vendi nuk mund të mbetet i paralizuar me qeverisje të minorancës.

Radio Evropa e Lirë: Do të thotë, ju jeni që të mos hiqet taksa edhe pse ka pasur presion nga vendet mike të Kosovës që taksa të hiqet.

Hashim Thaçi: Asnjë presion nuk kam pasur në Berlin, asnjë takim për heqjen e taksës. Të gjitha kanë qenë improvizime, aktruese për poenë politikë. Askush nuk ka pasur ndonjë presion.

Radio Evropa e Lirë: Ka edhe një Ekip negociator në Prishtinë që ka hartuar Platformën për dialogun, të cilën e ka miratuar edhe Kuvendi. Do të jeni ju apo ky ekip që do ta përfaqësojë Kosovën në fazën finale të negociatave?

Hashim Thaçi: Kosova do të jetë e përfaqësuar me bartësit e institucioneve, legjitimitet dhe legalitet që del ky nga Kuvendi i Kosovës, por edhe nga vullneti i qytetarëve të Kosovës, mandati kushtetues dhe ligjor, por do të punojmë që të kemi një përfshirje edhe më të gjerë, atë të një pjese të Ekipit të unitetit. Pra, do të jemi bartësit e institucioneve, por do të jenë edhe anëtarët e tjerë, për çka do t’i informojë sot dhe nesër anëtarët e tjerë, ku do të jetë edhe opozita.

Radio Evropa e Lirë: Në përgjithësi zoti Thaçi, a prisni që Kosova dhe Serbi sivjet të arrijnë marrëveshje?

Hashim Thaçi: Unë shpresoj që po, nëse jo do të humbim dekadë.