Synimet e kandidatit të LDK-së që la Policinë për politikën

Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrustem Leti, në një intervistë për KALLXO.com ka treguar se pse la pozitën në Policinë e Kosovës dhe iu fut garës për deputet.

Leti shton se nuk mendon se do të marrë pozitë ministrore dhe se fokusin do ta ketë te postit i deputetit pasi që po kandidon si i tillë.

Tutje Leti për KALLXO.com tregoi edhe qëndrimet e tij sa i takon disa prej çështjeve që morën vëmendje të madhe si në opinion ashtu edhe në shoqëri.

Ai gjithashtu tregon edhe se është për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit si dhe për martesave mes gjinisë së njëjtë.

Në Komunën e Gjakovës, prej nga është ai, Leti tha se problem kryesor është zhvillimi ekonomik.

Më poshtë mund të lexoni intervistën e plotë me Rrustem Letin:

KALLXO.com: Cila është kauza që keni me shty nëse bëheni deputet?

Rrustem Leti: Po, unë tashmë kam vendos që të futem në politikë dhe të garoj për deputet duke parë se në këtë vend ka humb shpresa për të rinjtë tanë, ka humb disponimi që ata të jetojnë këtu dhe duke analizu përvojën time edhe në polici po edhe në biznes, kam vlerësuar se tash është momenti të kyçem në politikë.

KALLXO.com: Nëse e merrni mandatin, a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu në ndonjë post tjetër?

Rrustem Leti: Këtë mundem me analizu më vonë, nuk mundem tash të them se do të jem ministër apo do të mbetem vetëm deputet, megjithatë fokusi im, kapaciteti im do të koncentrohet që t’i shërbej njerëzve qytetarëve të mi.

KALLXO.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?

Rrustem Leti: Mendoj në këtë aspekt duhet pasur parasysh bruto produktin vendor që ata ti stimulojmë, që ata ti subvencionojmë, që ata t’i përgatisim për treg jo vetëm vendor por edhe për tregun jashtë në mënyrë që të analizojmë se cilat janë produktet që prodhohen këtu ato produkte nëse kemi import të produkteve të njëjta atyre produkteve ti vihet taksa jo produkteve tjera.

KALLXO.com: Cilat janë tre amendamentet e para që keni me i propozu?

Rrustem Leti: Nuk e kam bërë një vlerësim të tillë, nuk kam bërë analiza që tash për tash që të them për disa amendamente ose për një ose për dy ose për tri, por do të punoj që ato që do të bëhen do të bëhen në favor të qytetarëve dhe rinisë tonë e cila vetëm është e zhgënjyer me vendin e tyre.

KALLXO.com: Cilat janë tre problemet apo nevojat kryesore të komunës prej nga vini?

Rrustem Leti: Unë mendoj që këtu problemi ekonomik është thelbësor edhe parësor për me intervenu në çdo biznes pavarësisht të vogël apo të mesëm sepse përmes biznesit vlerësoj që rregullohet mirëqenia e qytetarëve, rregullohet perspektiva e të rinjëve tanë që nesër të gjejnë hapsirë dhe të gjejnë vende pune.

KALLXO.com: A ka gjasa me e ndërru partinë ku jeni tash?

Rrustem Leti: Asnjëherë.

KALLXO.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?

Rrustem Leti: Ka gjasa atëherë kur e vlerësoj se është ne dëm të qytetarit dhe të qytetarëve të mi në përgjithësi.

KALLXO.com: Cili grup i diskriminuar ka me ndje më shumë përkrahjen tuaj si Deputete?

Rrustem Leti: Unë mendoj se tashmë Lidhja Demokratike e Kosovës e ka dhënë një shembull duke pas parasysh se familjet tona kanë qenë familje patriarkale, asnjëherë s’ka qenë ndonjë kohë më e favorshme se tash të bëjmë një ndryshim në lidhje me gratë. Gratë tona, nënat tona, femra në përgjithësi Kosovare ka qenë pak e nëpërkëmbur kështu që është momenti që ne si parti veç e kemi dhënë shenjë që duhet me dhanë për këtë vend edhe për këtë shtet edhe për të ardhmen e fëmijëve tanë, sepse mendoj që nënat tona janë ato që më së miri e japin kontributin në shoqëri duke edukuar dhe zhvilluar fëmijët tani, të ardhmen tonë.

KALLXO.com: Çka do të bëni për përmirësimin e ajrit dhe ambientit në Kosovë?

Rrustem Leti: Për momentin gjendja lë për të dëshiruar sepse ndotësi kryesor mendoj që është Obiliqi, aty ku prodhohet vetëm rryma mirëpo ka edhe ndotës tjerë për shembull nuk ka kontroll të veturave nuk ka kontroll të gazrave që lirohen nga ato, nuk kemi fabrika ndoshta që ndotin ambientin por kemi shumë faktor tjerë që ndotet ambienti dhe jemi dëshmitar të asaj por ndër to duhet vepruar me kujdes. Janë disa elemente të vogla ose finese që duhet marrë, jo pse s’ka ligje në këtë drejtim por nuk ka zbatim të ligjeve në këtë drejtim.

KALLXO.com: A jeni për apo kundër ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?

Rrustem Leti: Kundër.

KALLXO.com: A jeni për apo kundër djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?

Rrustem Leti: Kundër.

KALLXO.com: A jeni për apo kundër përdorimit të qeseve të plastikës?

Rrustem Leti: Kundër.

KALLXO.com: A jeni për apo kundër shitjes së Telekomit të Kosovës?

Rrustem Leti: Për.

KALLXO.com: A jeni për apo kundër ndërtimit të Autostradës së Dukagjinit?

Rrustem Leti: Për.

KALLXO.com: A jeni për apo kundër shkëmbimit të territoreve me Serbinë?

Rrustem Leti: Kundër.

KALLXO.com: A jeni për apo kundër heqjes së tarifës me Serbinë?

Rrustem Leti: Kundër.

KALLXO.com: A jeni për apo kundër ndërtimit të Hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?

Rrustem Leti: Kundër.

KALLXO.com: A jeni për apo kundër mbylljes së Universiteteve publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?

Rrustem Leti: Për.

KALLXO.com: A jeni për apo kundër monopolit në homologim?

Rrustem Leti: Për.

KALLXO.com: A jeni për apo kundër martesave të gjinisë së njëjtë?

Rrustem Leti: Për.

KALLXO.com: A jeni për apo kundër bartjes së shamive në shkolla?

Rrustem Leti: Kundër.

KALLXO.com: A jeni për apo kundër kuotës së Deputetëve nga diaspora?

Rrustem Leti: Për.

KALLXO.com: A jeni për apo kundër ri dizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzu?

Rrustem Leti: Për.

KALLXO.com: A jeni për apo kundër heqjes së kartonit të gjelbër për diasporën?

Rrustem Leti: Për.

KALLXO.com: Kush po ua financon fushatën?

Rrustem Leti: Vet.

KALLXO.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajt gjatë kohës kur keni me qenë Deputete apo Ministre?

Rrustem Leti: Unë kam pasur një dhe do ta kem një.

KALLXO.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?

Rrustem Leti: Unë deri tash kam qenë në policinë e Kosovës punonjës dhe aty kam pas të hyra mujore 520 Euro, tashmë jam pa të hyra.

KALLXO.com: A e keni pasurinë e përbashkët me bashkëshorten?

Rrustem Leti: Po.

KALLXO.com: Herën e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëruar në spital privat apo publik?

Rrustem Leti: Nuk jam sëmurë, asnjëherë s’kam qenë në spital.

KALLXO.com: Ku keni me shku kur të bëheni Deputete, nëse sëmureni?

Rrustem Leti: Në spitalin publik.

KALLXO.com: Fëmijët tuaj, a janë në shkolla publike apo private?

Rrustem Leti: Një në shkollë publike, dy në shkollën private.

KALLXO.com: Sa familjarë i keni të pa punë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që keni me marrë mandatin?

Rrustem Leti: Kam biznes privat dhe thuajse gati të gjithë janë në biznesin tim privat, familjarë të mi, nuk kam familjarë të papunësuar.

KALLXO.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbet në qeverisje shtetërore?

Rrustem Leti: Tash mendoj që duhet bërë një analizë tjetër për këtë, nuk është momenti që ajo të privatizohet por është momenti që të ketë dorën e shtetit që të merret me të.

KALLXO.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?

Rrustem Leti: Atëherë kur e shoh se diçka po shkon në dëm të qytetarëve do ta kushtëzoj.

KALLXO.com: Cili ka me qenë projekti apo puna me të cilën ju keni me lënë gjurmë si Deputete?

Rrustem Leti: Do të punoj, do të përkushtohem maksimalisht që t’i shërbej qytetarëve të mi, njerëzve dhe në veçanti të rinjve tanë.

KALLXO.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?

Rrustem Leti: Me siguri do të jenë shumë, për momentin nuk mund të flas me numra.

KALLXO.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajt gjatë një viti apo mandati?

Rrustem Leti: Do të përkushtohem me tërë qenien time që t’i shërbej biznesit në Kosovë dhe qytetarëve të Gjakovës me kontakt të vazhdueshëm me ta, në mënyrë që të rregullojmë diçka rreth bizneseve tona.

KALLXO.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?

Rrustem Leti: 2005.

KALLXO.com: Sa dëgjime publike keni me i inicu në komisionet ku keni me qenë pjesë?

Rrustem Leti: Me siguri do të jenë disa, numër tash s’mund të them.

KALLXO.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritet aktakuzë?

Rrustem Leti: Nëse ajo është e bazuar në fakte dhe prova, Po.

KALLXO.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse Kryeministri ka aktakuzë?

Rrustem Leti: Nëse provat dëshmojnë që me të vërtetë Kryeministri ka bërë një vepër penale dhe ka aktakuzë të bazuar në prova, Po.

KALLXO.com: A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?

Rrustem Leti: Nuk do ta votoj.

KALLXO.com: Sa Zëvendësministra duhet t’i ketë një Ministri?

Rrustem Leti: Një.

KALLXO.com: A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike dhe shoqërore njerëz që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?

Rrustem Leti: Jo.

KALLXO.com: A keni me i bo transparente fondet e partisë?

Rrustem Leti: Po.

KALLXO.com: A keni me i hap dokumentet dhe faturat në Kuvend apo Ministri?

Rrustem Leti: Po.