Shefi i Misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano/ Foto e përpunuar
Shefi i EULEX-it: Hapat e pakoordinuar mund të minojnë situatën e brishtë në veri
Edhe pse ndër vite u arritën marrëveshje dhe pajtime, e më pas u hap edhe për kalimin e këmbësorëve, Ura e Ibrit vazhdon të mbetet e mbyllur për qarkullimin e automjeteve dhe të ruhet nga të dyja anët nga tre reaguesit e sigurisë: Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i.
Qëndrimi i BE-së për hapjen e kësaj ure është se kjo çështje që i përket dialogut, thotë Shefi i Misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano në pyetjen e KALLXO.com se çfarë rreziqesh specifike për sigurinë paraqet Ura e Ibrit kur trafiku në dy urat e tjera rrjedh pa probleme- pa asnjë incident.
“Çdo vendim për hapjen e tij duhet të merret në kuadër të Dialogut”- tha Barbano në një intervistë për KALLXO.com.
Se statusi i Urës së Ibrit po kërkohet të zgjidhet në tavolinën e Brukselit nuk është gjë e re, pasi që një që të tillë BE-ja në disa përgjigje për KALLXO.com ka thënë se po planifikojnë ta vendosin në agjendën e takimit të ardhshëm Prishtinë-Beograd.
Edhe pse kjo javë ka qenë më e qetë sa i përket zhvillimeve te Ura e Ibrit, Barbano, i cili është në krye të misionit të EULEX që nga qershori i vitit 2023, thotë se situata e sigurisë në veri të Kosovës është aktualisht stabile dhe e qetë, por mbetet e brishtë.
Ai thotë se është faktike që disa hapa janë ndërmarrë kohët e fundit nga autoritetet e Kosovës pa ndonjë marrëveshje të re të rënë dakord paraprakisht – siç është mbyllja e nëntë degëve të Postës Serbe në veri të Kosovës.
Ndërkaq, në pyetjen e parashtruar se pse Ura e Ibrit nuk u hap në janar 2017, siç ishte planifikuar fillimisht me marrëveshjen e vitit 2016 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Barbano nuk u përgjigj duke rekomanduar që për këtë pyetje të kontaktohet Zyra e Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.
Ura që ndan Mitrovicën e Jugut prej asaj të Veriut, ishte ngritur me qëllim bashkimi, por nuk po vazhdon të shfrytëzohet si e tillë. Përderisa Qeveria e tanishme po e përgatitë që ta hapë, këtë po e kundërshtojnë akterët ndërkombëtarë me arsyetimin se nuk është koha e duhur dhe se statusi i saj duhet të zgjidhet vetëm në tavolinën e dialogut Kosovë- Serbi.
Barbano thotë se veprimet e fundit të autoriteteve kosovare ndikojnë negativisht në kushtet e jetesës së njerëzve, në kohezionin social të Kosovës si dhe në marrëdhëniet ndërkomunale dhe si të tilla mund të minojnë situatën tashmë të brishtë të sigurisë.
“Rreziku është se veprimet e pakoordinuara dhe të njëanshme mund të rrisin tensionet dhe të kenë një ndikim negativ në situatën e sigurisë, duke ndikuar kështu në jetën e përditshme të komuniteteve në terren”- tha Barbano.
E, sipas tij kjo është arsyeja se pse BE-ja po koordinon ngushtë diskutimet e saj të vazhdueshme për hapjen e urës me partnerët e saj ndërkombëtarë në Kosovë.
Zgjidhja e Urës së Ibrit në Bruksel po kundërshtohet nga autoritetet kosovare.
Presidentja Vjosa Osmani tha se dialog për këtë temë me Serbinë nuk do duhej të pranonte askush sepse do të ishte anti-kushtetues dhe kundër sovranitetit të Kosovës.
“Nuk kemi çka e pyesim Serbinë … Nuk ka çka pyetet Serbia për një urë që është brenda territorit të Kosovës”- tha Osmani më 15.08.2024, duke i quajtuar raciste deklarimet e zëdhënësit të BE-së Peter Stanon, cili në një përgjigje për KALLXO.com, kishte thënë se planifikojnë që në takimin e ardhshëm Kosovë-Serbi të vihet në agjendë zgjidhja e statusit të Urës së Ibrit.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se hapja e Urës së Ibrit nuk është kundër askujt “e aq më pak kundër partnerëve ndërkombëtarë” për çka edhe ka shtuar se janë duke vazhduar koordinimin për këtë çështje.
“Qeveria e Kosovës dhe unë si kryeministër besojmë thellësisht se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë si dhe paqja e siguria në anën tjetër janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë dhe shtetin, qytetarët dhe komunitetet”- deklaroi Kurti më 14.08.2024.
EULEX-i nuk ka një prani të vazhdueshme statike të sigurisë në urë, tregon Barbano, por pjesëtarët e Njësisë Policore të Formuar janë duke kryer patrulla të rregullta mobile të zbulimit në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, në baza 24/7 për të marrë vetëdije për situatën.
“Prania e tyre celulare përfshin – por nuk kufizohet vetëm në – afërsinë e urës”- theksoi ai.
Se a ekziston droja e njëjtë si ajo e ambasadorit amerikan Jeffrey Hovenier se me hapjen e Urës së Ibrit rrezikohen ushtarët amerikanë, e në këtë rast njësia e EULEX, Barbano tha se “EULEX-i po monitoron nga afër të gjitha zhvillimet që ndikojnë në situatën e sigurisë, duke marrë kështu të gjitha masat e arsyeshme praktike për të siguruar detyrën e kujdesit ndaj stafit të tij.”
Barbano tha se aktivitete të tilla monitoruese kryhen në përputhje me mandatin tonë të fuqishëm të monitorimit përmes rrjetit të këshilltarëve policorë, monitoruesve të Policisë dhe monitoruesve të Drejtësisë.
Në emër të EULEX-it, shefi i tyre tha se ekipi i tij është i gatshëm të ndërhyjë si reagues i dytë i sigurisë nëse kërkohet dhe është e nevojshme, për të kontribuar në mirëmbajtje dhe promovimin e rendit dhe sigurisë publike në rastet e trazirave civile.
Edhe SHBA-ja i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm të njëanshëm dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Giovanni Pietro Barbano do ta udhëheq misionin deri më 14 qershor 2025.
Para se t’i bashkohej EULEX-it, Barbano ka mbajtur poste të ndryshme komanduese dhe shtabi, si në Itali ashtu edhe në nivel ndërkombëtar.
Nga viti 2016 deri në vitin 2023, Barbano shërbeu si Drejtor i Qendrës së Ekselencës për Njësitë e Policisë së Stabilitetit, të cilën ai ndihmoi në themelimin në Vicenza në vitin 2004.
Në këtë cilësi, ai shërbeu edhe si President i Shoqatës Europiane të Trajnimit të Operacioneve Paqësore në vitin 2016 dhe si Kryetar i Bordit të Policisë në kuadër të Komitetit Ekzekutiv të Shoqatës Ndërkombëtare të Qendrave të Trajnimit Paqeruajtës nga viti 2018 deri në 2022.
Para tij, shef i EULEX-it ka qenë Lars-Gunnar Wigemark.
Intervista e plotë me Shefin i Misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano:
KALLXO.com: Si e vlerësoni situatën e sigurisë në Kosovë pas zhvillimeve të fundit lidhur me hapjen e urës së Ibrit dhe mbylljen e nëntë degëve të Postës Serbe në komunat veriore? A ekziston rreziku i përshkallëzimit të situatës?
Giovanni Pietro Barbano: Situata e sigurisë në veri të Kosovës është aktualisht stabile dhe e qetë, por mbetet e brishtë. Është fakt se disa hapa të ndërmarra kohët e fundit nga autoritetet e Kosovës pa ndonjë marrëveshje të re të rënë dakord paraprakisht – siç është mbyllja e nëntë degëve të Postës Serbe në veri të Kosovës – ndikojnë negativisht në kushtet e jetesës së njerëzve, ndikojnë në kohezionin social të Kosovës dhe marrëdhëniet ndërkomunale dhe mund të minojnë situatën tashmë të brishtë të sigurisë.
Në këtë sfond, në përputhje me mandatin tonë, ne vazhdojmë të monitorojmë nga afër situatën e sigurisë në Kosovë, duke përfshirë mirëqenien e të gjitha komuniteteve në Kosovë.
Për të fituar vetëdijen për situatën, Njësia jonë e Formuar Policore po kryen patrullime të rregullta mobile të zbulimit në baza 24/7, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, në përputhje me mekanizmin reagues të sigurisë tre nivele të Kosovës, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë, EULEX-i është i dyti dhe KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë.
Nga ana tjetër, ne jemi të përkushtuar të mbështesim autoritetet e Kosovës në forcimin e përpjekjeve të tyre policore të orientuara nga komuniteti për të rritur besimin e njerëzve. Për këtë qëllim, monitorimi në terren si palë e paanshme në të, qëndrimin dhe sjelljen e autoriteteve të Kosovës, për të vlerësuar respektimin e tyre ndaj sundimit të ligjit dhe detyrimeve të të drejtave të njeriut, me një përkushtim të qartë kundër çdo forme të abuzimit apo diskriminimit të të drejtave të njeriut. një komponent thelbësor i mandatit tonë. Aktivitete të tilla monitoruese kryhen në përputhje me mandatin tonë të fuqishëm të monitorimit përmes rrjetit tonë të këshilltarëve policor, Monitoruesve të Policisë dhe Monitoruesve të Drejtësisë.
KALLXO.com: Çfarë rreziqesh specifike për sigurinë paraqet Ura e Ibrit kur trafiku në dy urat e tjera po rrjedh pa probleme, pa asnjë incident?
Giovanni Pietro Barbano: Qëndrimi i BE-së për hapjen e Urës është se kjo është një çështje dialogu. Si i tillë, çdo vendim për hapjen e tij duhet të merret në kuadër të Dialogut.
Rreziku është se veprimet e pakoordinuara dhe të njëanshme mund të rrisin tensionet dhe të kenë një ndikim negativ në situatën e sigurisë, duke ndikuar kështu në jetën e përditshme të komuniteteve në terren.
Për këtë arsye, BE-ja po koordinon ngushtë diskutimet e saj të vazhdueshme për hapjen e urës me partnerët e saj ndërkombëtarë në Kosovë.
KALLXO.com: A mund të jepni një pasqyrë se pse Ura e Ibrit nuk u hap në janar 2017, siç ishte planifikuar fillimisht me marrëveshjen e vitit 2016 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?
Giovanni Pietro Barbano: Për të dhënë një vlerësim të zbatimit të marrëveshjes së vitit 2016 bie jashtë kompetencave të mandatit të EULEX-it. Për këtë çështje duhet të kontaktoni Zyrën e Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.
KALLXO.com: A pajtoheni me qëndrimin e Bashkimit Evropian se statusi i urës së Ibrit duhet të zgjidhet ekskluzivisht përmes dialogut Kosovë-Serbi?
Giovanni Pietro Barbano: Siç u tha tashmë, qëndrimi i BE-së për hapjen e Urës është se ajo është një çështje dialogu. Si i tillë, çdo vendim për hapjen e tij duhet të merret në kuadër të Dialogut.
KALLXO.com: Gjatë vitit të kaluar, përfshirë javët e fundit, ka pasur deklarata të shumta që sugjerojnë se Kosova i ka tensionuar marrëdhëniet e saj me aleatët e saj. Cili është këndvështrimi juaj për këtë? A besoni se marrëdhëniet e Kosovës me vendet anëtare të BE-së dhe SHBA-në janë ndikuar negativisht?
Giovanni Pietro Barbano: EULEX-i nuk është një aktor politik, por është një Mision i Përbashkët i Sigurisë dhe Politikës së Mbrojtjes së Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit. Si e tillë nuk është në mandatin tonë të japim një vlerësim politik të statusit të marrëdhënieve të jashtme të Kosovës.
KALLXO.com: Sot në urën e Ibrit ka pasur disa vetura të EULEX-it. A ka pasur rritje të ekipeve të EULEX-it në veri gjatë kësaj kohe? Përveç kësaj, a ekziston shqetësim, i ngjashëm me atë të SHBA-së për trupat e saj, se Njësia e Policisë së formuar nga EULEX-i mund të rrezikohet si reaguese dytësore në Kosovë?
Giovanni Pietro Barbano: Së pari, më lejoni të sqaroj se EULEX-i nuk ka një prani të vazhdueshme statike të sigurisë në urë. Pjesëtarët e Njësisë Policore të Formuar të EULEX-it janë duke kryer patrulla të rregullta mobile të zbulimit në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, në baza 24/7 për të marrë vetëdije për situatën. Prania e tyre celulare përfshin – por nuk kufizohet vetëm në – afërsinë e urës.
EULEX-i po monitoron nga afër të gjitha zhvillimet që ndikojnë në situatën e sigurisë, duke marrë kështu të gjitha masat e arsyeshme praktike për të siguruar detyrën e kujdesit ndaj stafit të tij.
Meqenëse siguria e të gjitha komuniteteve në Kosovë mbetet prioriteti ynë i parë, ne mbetemi vigjilentë dhe, në përputhje me mekanizmin e lartëpërmendur të reagimit të sigurisë të Kosovës, NJFP-ja është e gatshme të ndërhyjë si reagues i dytë i sigurisë nëse kërkohet dhe është e nevojshme, për të kontribuar në mirëmbajtje dhe promovim të rendit dhe sigurisë publike në rastet e trazirave civile.