Regjisori Samir Karahoda

Samir Karahoda: Pjesëmarrja jonë në Kanë bëri që bota ta njohë më shumë kinematografinë tonë

Filmi “Pa vend” i regjisorit Samir Karahoda u bë filmi i parë kosovar që garoi për “Palmën e Artë”, (kategoria e filmave të shkurtër) në edicionin e sivjetëm në festivalin e filmit në Kanë, (06-17 korrik 2021).  Edhe pse nuk e mori “Palmën e Artë”, filmi u shpërblye me çmimin si “Filmi më mirë evropian” dhe u nominua si kandidat për Akademinë Evropiane të Filmit.

Prezantimi i “Pa vend” në Kanë u cilësua si historik, marrë parasysh peshën që ka ky festival në arenën ndërkombëtare.

Kujtojmë se në 2019, filmi “Në mes” i Samir Karahodës ishte përfshirë në garën zyrtare të filmave të shkurtër në festivalin e filmit në Berlin, “Berlinale 2019”.

Në këtë intervistë për KALLXO.com, Karahoda flet për prezantimin e filmit në Kanë, rëndësinë dhe përfitimet nga pjesëmarrja e filmave tanë në festivalet e mëdha botërore.

Intervista e plotë me regjisorin Samir Karahoda:

KALLXO.com: Si arritët ta dërgoni filmin tuaj “Pa vend” në Festivalin e Kanës?

 Samir Karahoda: Synimi primar ka qenë që të arrij sa më mirë të rrëfej tregimin për të cilin filmi ka të bëjë. Meqenëse me filmin e parë ishim pjesëmarrës në Berlinale, (filmi ‘Në mes’), qëllimi tjetër ka qenë që edhe me filmin e dytë të jemi në ndonjë festival të kategorisë së njëjtë pasi që rrugëtimi i gjithë filmit varet shumë se nga ku fillon. Për të qenë pjesë e këtyre festivaleve normalisht që filmi duhet të jetë unik dhe të sjell risi në formën e rrëfimit, pra të mos jetë film i zakonshëm.

Samir Karahoda (i pari nga e majta). Foto: Festival de Cannes

KALLXO.com: Cilat janë momentet tuaja më të rëndësishme gjatë prezantimit të filmit në ekranet e festivalit?

Samir Karahoda: Nuk mund ta harroj momentin kur u paraqita në skenë që të prezantohem, pamja përballë meje ishte diçka si ëndërr, përballë kisha mbi 1 mijë shikues në Teatrin e njohur “Claude Debussy”. Ishte ndjenjë e pa përshkueshme dhe një moment i veçantë që nuk do të mund ta harroj gjatë gjithë jetës.

KALLXO.com: Si u prit filmi, ekipi realizues i “Pa vend” nga audienca nga kineastët botërorë që ishin në Kanë?

Samir Karahoda: Ajo që vlen të theksoj në fillim është që filmi jonë ishte i vetmi film që ishte përzgjedhur pa diskutim fare nga komiteti seleksionues. Pra të 10 anëtarët e ekipit seleksionues kanë qenë unanim për ta pranuar filmin me shikim të parë. Në anën tjetër sipas bisedave që kemi pasur me kineastët dhe kolegët në konkurrencë, filmi jonë dhe ai i Brazilit kanë qenë ndër pretendentët kryesor për të marrë çmimin. Edhe pse nuk e morëm “Palmën e Artë”, filmi jonë megjithatë u shpërblye me çmimin si Filmi më mirë Evropian dhe u nominua si  kandidat për Akademinë Evropiane të Filmit, i cili po ashtu është një çmim prestigjioz evropian.

KALLXO.com: Cilat janë përfitimet që mund të sjellë, jo vetëm për ju, por edhe për kineastë tjerë, prezantimi i filmave në Kanë?

Samir Karahoda: Përfitimet do të jenë të shumta në të gjitha aspektet, sidomos për vitet e radhës. Personalisht kam pasur disa takime me producentë francezë të cilët kanë qenë të interesuar për bashkëpunim në projektet e ardhshme.

Në anën tjetër, pjesëmarrja jonë në Kanë ka bërë që bota të njoftohet edhe më shumë më kulturën dhe kinematografinë tonë gjë që ndikon jashtëzakonisht shumë në imazh të vendit dhe njëkohësisht në interesimin për bashkëprodhime të filmave me vendet e tjera të botës.

KALLXO.com: A është mbështetur ekipi i filmit nga Qendra Kinematografike e Kosovës gjatë pjesëmarrjes në Kanë?

Samir Karahoda: Po, i gjithë ekipi që kemi qenë shpenzimet kanë qenë të mbuluara nga Ministria e Kulturës, që prej këtu dua t`i falënderoj për përkrahjen dhe të vazhdoj të ju qëndroj afër gjithmonë artistëve dhe sportistëve.

KALLXO.com:  Cilët janë festivalet tjera që do të prezantohet filmi “Pa vend?

Samir Karahoda: Deri me tani kemi pranuar ftesa të shumta nga vende të ndryshme të botës për të parë filmin, për momentin jemi të përzgjedhur në 7 festivale të tjera, në 4 kontinente të cilat do t’i publikojmë në të ardhmen pas publikimeve nga ana e festivaleve. Pra mund të them që është një fillim jashtëzakonisht i mirë i një rrugëtimi të gjatë të filmit.

KALLXO.com: Çfarë duhet të bëjnë kineastët tanë që të jenë më shumë prezent me filmat e tyre festivalet e njohura botërore?

Samir Karahoda: E para mendoj që duhet të jenë të guximshëm dhe të sjellin risi me forma të ndryshme të realizmit. Filmat e secilit regjisor duhet të kenë nënshkrimin e vet, mënyrën e vet të tregimit dhe më e rëndësishmja shprehjen e ndjenjave të brendshme, pra t’i shmangen formës konvencionale por të fokusohen në origjinalitet. Mos t’ i japim afate vetës për të kryer filmin, presioni i kohës do të ndikoj shumë në realizim, në kreativitet dhe në zhvillimin e tregimit. Ajo çka çdo festival kërkon në ditët e sotme është risia, guximi dhe tregimi e jo çfarë pajisjesh keni përdor apo sa buxhet keni pas, sot me nuk është e rëndësishme me çfarë pajisjesh ke xhiruar, po çka tregojmë dhe si!

Samir Karahoda. Foto: MKRS

KALLXO.com: Sa është sot e vështirë, sipas jush bërja e filmave, në këtë rast dokumentar në Kosovë?

Samir Karahoda: Në shumë vende të botës nuk është e lehtë të bësh film, sidomos në vende si Kosova që konsiderohen si vende në zhvillim normalisht që është më e vështirë. Por, në qoftë se jeni të përkushtuar në punë, punoni mirë ajo një ditë gjithsesi do të shpërblehet. Rasti im konkret është që me suksesin e filmit të parë shumë dyer na janë hapur sidomos edhe ato ndërkombëtare, pra filmi “Pa vend” është para blerë nga televizioni kulturor evropian TV ARTE akoma pa u xhiruar dhe tashmë me rezultatin e filmit të dytë besoj që do të jetë edhe më lehtë.

KALLXO.com: Cili do të jetë filmi jua i radhës që do të sjellë Samir Karahoda për publikun?

Samir Karahoda: Tani më jam më i sigurt që jam i gatshëm për diçka më të madhe, prandaj filmi i radhës besoj që do të jetë film i metrazhit të gjatë, tregimin e të cilit akoma nuk e di, do të ja lë kohës.

Skenë nga filmi ‘Pa vend’. Foto: QKK