Rrëfimi ekskluziv i Blerta Hotit - Rruga e saj nga azilkërkuese në nënkryetare të një komune të Suedisë

Blerta Hoti kishte mbushur gjashtë vjeç dhe bashkë me familjen e saj gjashtë anëtarëshe nga fshati Polac i Skenderajt kishin marrë rrugën për në Suedi si azilkërkues në vitin 1992.

Jeta në një qytet të madh siç është Goteborg-u nuk ishte aspak e lehtë në fillimet e saj. Ajo arriti që të diplomohet në studimet globale dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin e Goteburgut.

E përballur me paragjykime në shkollë dhe jashtë saj, ajo nuk u ndal duke kërkuar të drejta të barabarta, duke u angazhuar në shoqëri civile dhe si aktiviste, por për Blertën e ardhmja po i jepte dritë në një drejtim tjetër – në politikë.

“Ti e huaj je këtu, kthehu në vendin tënd. Kur ki mu kthy në vendlindjen tende?”, janë disa nga fjalët që ajo kujton nga shtetasit suedez gjatë asaj kohe, për të cilën thotë së ishin shtytje për të luftuar çdo diskriminim.

Në një intervistë të gjatë dhënë për Gazetën Jeta në Kosovë, ajo thotë së aktivitetet dhe angazhimi në shoqërinë civile, ishte diçka e mirë por që, nuk e ke pushtetin e nevojshëm për të ndryshuar.

“Në Suedi bukur herët e kam filluar angazhimin politik, por fillimisht nisa të aktivizohem përmes shoqatave të ndryshme – OJQ-ve të ndryshme, siç janë ato për gra, kam qenë poashtu edhe themeluese dhe aktiviste e shoqatave rinore shqiptare të cilat i kemi pasur në Suedi më herët. Në fund kam kuptuar që edhe pse është e rëndësishme që të kesh angazhim në shoqërinë civile por në fund ajo nuk e ka pushtetin primar”, rrëfen ajo.

Blerta Hoti – Foto:Facebook

Për gjashtë muaj, ajo në vitin 2011 qëndroi në Kosovë, ku bëri intership – praktikën tek ambasada suedeze, duke u marruar kryesisht me donacionet të cilat i jep Suedia për Kosovën, sidomos në sektorin e ambientit dhe atë të shkollimit.

Atëbotë, ishte 22 vjeçare dhe vullnetin politik e morri pikërisht në një shtet të ri që lufton për integrim evropian – Kosova. Ajo tregon së në të angazhuarit politikisht ndikuan dukuritë “negative” që i hasi aty.

“Kemi punuar bukur shumë në ngritjen e kapacitetit të një qeverisje të mirë, duke përpiluar strategji të ndryshme për pylltarinë dhe për ambientin në Kosovë. Poashtu edhe kemi kontribuar që t’iu ndihmojmë departamentit për arsim, MAShT-it për hartimin e një strategjie të aspektit të arsimit”, tregon ajo.

“Njëra ndër arsyet që vendosa që të angazhohem në parti politike sepse kam parë disa sfida p.sh. të disa mungesave të koordinimeve të donatorëve, mungesa e transparencës në qeverisjen së Kosovës, dhe kjo më ka dhënë motivim që vetë të angazhohem politikisht që të bëhem një pjesë e zgjedhjes së problemeve dhe jo pjesë e problemit”, shtoi Hoti për JnK.

Politika si rrugë drejt ndryshimit

Po në të njëjtin vit, Hoti nis rrugëtimin e saj në politikë, me idenë së të qenurit pjesë e një partie, do të thotë t’i bashkohesh ideologjisë për ndryshim, e si rrjedhojë, iu bashkua qendrës së majtë – Socialdemokratëve, partisë më të madhe në Suedi, ku një vit pas, u punësua ombudsman (mbrojtëse e të drejtave) për partinë Socialdemokrate dhe për organizatën rinore të kësaj partie.

Politikëbërja e saj po kalonte edhe kufijtë suedez në drejtim të kryeqytetit të Belgjikës – Brukselin, duke u ulur kështu pranë shteteve që janë pjesë e Bashkimit Evropian.

Ajo u bë këshilltare politike në Parlamentin Evropian për eurodeputetët e partisë Socialdemokrate të Suedisë. E pyetur për procesin integruese të Kosovës drejt BE-së, Hoti për GjnK e quan proces sfidues por të arritshëm për kosovarët.

Blerta Hoti – Foto:Facebook/Gusht 2019

“Liberalizimi besoj që do të ndodhë edhe pse procesi është zgjatë shumë padrejtësisht nga politika e BE-së kundër Kosovës, e ka diskriminuar shumë Kosovën në këtë aspekt. Por mund të themi që Kosova ka pasur progres përmes MSA-së, që do t`i mundësohej një zhvillim ekonomik por në fund do t`i kisha rekomanduar politikanëve që të jenë në agjendë duke u angazhuar për ndryshime dhe jo vetëm të shpresojnë. BE nuk është zgjidhje e të gjitha problemeve e as në mënyrë automatike”, thotë 33 vjeçarja.

Pas plotë pesë viteve, Blerta Hoti i rikthehet Suedisë, konkretisht pranë ekzekutivit. Ajo mori postin e këshilltares politike të ministrit të Mbrojtjes (Socialdemokrat) në Qeverinë suedeze që nga fillimi i muajit prill të këtij viti.

Por, suksesi i saj nuk ndalet këtu, zyrtarisht në fund të muajit gusht u emërua nënkryetare e partisë Socialdemokrate.

“Partia në distriktin tim të komunës së Goteborgut vendosi që të më nominoj mua si njëra ndër nënkryetarët të partisë sonë në kryesinë e komunës të qytetit të Goteborgut”, shprehet ajo teksa shton së kjo pozitë është shumë e rëndësishme për të, pasi që ka rol në vendimmarrje.

Jo e re në fushën e politikës, ajo e ka të qartë së çfarë fryme e re i nevojitet qytetit në të cilin u rrit. Për të, prioritet do të jenë investimet në një mirëqenie sociale të barabartë në çdo aspekt të politikës – dhe plotësisht kundër privatizimit. Përgjegjësia e saj kryesore është trafiku dhe ambienti.

“Kjo qeverisje i ka rritur çmimet mujore për transport publik me 14 euro dhe bën privatizime në shëndetësi dhe ngrit çmimet për çerdhe. Kjo është skandaloze dhe shumë e dëmshme për qytetarët, por edhe për ambientin dhe ajrin sepse bëhet më e vështirë zëvendësimi i veturës me transport publik”, thotë Hoti, teksa shton edhe qëllimin që ka për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe një vend të sigurt për ta.

“Kosova ka nevojë që të aktivizohen të rinjtë”  

Si pjesë e një partie të majtë siç është partia Socialdemokrate, ajo rekomandon që ashtu sikurse në Suedi dhe Kosova për një ‘të majtë’ më ofensive që të ketë përfitime kapitale, duke përsëritur së qëndron fuqishëm kundër privatizimit të ndërmarrjeve publike, pasi që sipas saj, kjo kufizon zhvillimin qoftë në shëndetësi, arsim apo kudo qoftë.

“Mendoj që themeli i gjithë këtyre është sundimi i ligjit, pa të nuk e ki asnjërën, deri sa të ketë korrupsion në Kosovë nuk do të ketë zhvillim të qëndrueshëm aspak por do të kemi sfida edhe me të mëdha të emigrimit e kështu me radhë. Jam optimiste që të ketë vullnet politik dhe ka potencial nga vajzat e reja”, shprehet ajo tutje për Gazetën Jeta në Kosovë.

Në anën tjetër, për Blerta Hotin, një çelës kyç për një subjekt politik është të pasurit ideologji feministe. Ajo deklaron së për të pasur një zhvillim të qëndrueshëm shoqëror duhet gjithsesi që të inkuadrohet perspektiva gjinore në politikëbërje pa marrë parasysh në cilën fushë.

Por, për të rinjtë e vendit të saj të lindjes ajo inkurajon që të aktivizohen jo vetëm në shoqëri civile por edhe në politikë pasi që konsideron të nevojshëm një frymë më pozitive, progresive dhe të ideve të reja.

“ Politika kurrë nuk duhet të jetë e prezantuar nga njerëzit që e mbrojnë burokracinë. Nevojitet që më shumë njerëz të angazhohen në parti politike që duan të jenë pjesë e ndryshimit pozitiv edhe natyrisht një frymë socialdemokrate do t`i duhet. Që të ketë sundim të ligjit dhe luftë kundër korrupsionit është primare”, është shprehur në fund ajo lidhur më atë që sipas saj i nevojitet Kosovës pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen në tetor.

Blerta Hoti – Foto:Facebook