Rrëfim i të prekurës me COVID-19: Nuk na kontrollojnë askund, serumin e bëra në institucion privat

Prishtina ka thuajse gjysmën e të infektuarëve me COVID-19 në nivel të Kosovës, por si duket shërbimet për këta të prekur i ka në nivelin më të ulët.

Shumë pacientë me virus të cilët duan të bëjnë kontrolle nuk dinë nga të shkojnë për to pasi nuk u lejohet të futen brenda objekteve si të prekur duke i detyruar këta të fundit t’u drejtohen laboratoreve dhe spitaleve private.

Një trajtim të tillë e përjetoi edhe Suliote Aliu- Lahu, farmaciste klinike në barnatoren e Klinikës Interne në QKUK.

Ajo për Kallxo.com ka treguar për mjegullën e madhe që është krijuar lidhur me kontrollet e personave me COVID-19 si dhe anashkalimi që po u bëhet nga QMF-të për shërbimet më të thjeshta si marrja e serumit apo rëntgeni.

Sipas saj ajo është konfirmuar si e prekur me COVID-19 më 15 korrik, por kur ka dashur të kryej kontrolla në QKMF nuk është lejuar të hyjë brenda si e prekur me virus.

“Më 15 korrik jam konfirmuar me COVID-19 përmes testit PCR, pas 5 ditësh jam kontaktuar nga shtabi emergjent i komunës së Prishtinës ku më pyetën për gjendjen edhe pse atëherë nuk kisha simptoma të shprehura. Gjendjen e kisha të menaxhueshme edhe duke kontaktuar me kolegë infektologë nga QKUK përmes telefonit. Fillimisht kam shkuar në QKMF të regjistrohem për kryerjen e analizave rutinore si analiza të gjakut dhe rëntgen të mushkërive, por si u kam treguar që jam e infektuar nuk më kanë lejuar të afrohem, pra unë ndiqja rrugën e duhur brenda sistemit shëndetësor nga ai primar pasi isha me simptoma të lehta,” u shpreh Lahu.

Sipas Lahut pas refuzimit që iu bë nga QKMF, ajo është detyruar të kontaktojë një mjekë në QKUK për rëntgen të mushkërive, kurse analizat i ka bërë në një laborator privat.

“Jam detyruar të thërras një doktoreshë në QKUK në klinikën e Pulmologjisë përkundër se e dija që edhe ata janë të stërngarkuar me raste të rënda, në mënyrë që të bëja një grafikë të mushkërive, të cilën e bëra për hatrin se isha punëtore e atij institucioni. Analizat i bëra në një laborator privat ku fillimisht i tregova që jam e infektuar,” u shpreh tutje Lahu.

Lahu tutje shtoi se deri vonë ka qenë duke u trajtuar në mënyrë vetanake deri sa i është paraqitur problem me të ushqyerit, e këtu ajo thotë se serumi nuk iu dha në Qendër të Mjekësisë Familjare nën arsyetimin se nuk guxojnë ta trajtojnë edhe nëse ka përshkrim nga ndonjë infektolog.

“Meqë nuk isha në gjendje shumë të rëndë si farmaciste që jam e merrja vetë protokollin e terapisë në formë orale në shtëpi derisa fillova të kem problem me të ushqyerit ku si pasojë kisha marramendje dhe plogështi dhe në konsultim me një kolege nga Pulmologjia më rekomandoi të marr serum me vitamina. Meqë nuk kisha mundësi ta bëja vetë infuzionin thirra shtabin emergjent të komunës së Prishtinës por nuk kishte qasje, pastaj vendosa të shkoj në QMF në Dardani ku edhe jetojë. Me t`u futur ju kam treguar se jam e infektuar dhe për gjithë terapinë që kisha ndjekur deri në atë moment, por dy infermierë me keqardhje më thanë se nuk mund të më trajtonin edhe nëse kam përshkrim të infektologut duke shtuar se një kolege e tyre po i bënte vetë serumet në shtëpi. Tutje unë u kam treguar se nuk jam në gjendje ta kryejë vetë dhe u drejtova këtu pasi mu duk si shërbim i thjeshtë, por sipas infermierëve ata kishin urdhër nga kryeshefi për të mos i trajtuar rastet me COVID-19”, u  shpreh më tej Lahu.

Lahu ishte ankuar sesi është e mundur që më gjithë këto raste në Prishtinë nuk ka hapësirë për trajtimin e të prekurve dhe si pasojë i ishte dashur t`u drejtohej institucioneve private ku e kishte marr këtë shërbim.

“Pas asaj që më thanë unë isha e habitur sesi është e mundur që Prishtina me gjithë këto raste nuk ka hapësirë të veçantë për trajtimin e të prekurve me COVID-19, madje edhe punëtorët në QMF nuk ishin të pajisur si duhet, pas kësaj kam kontaktuar shërbimet private prej ku edhe e morra trajtimin sigurisht u kam treguar që jam e infektuar, i njëjti ka qenë i pajisur vetëm me maskë dhe dorëza”, është shprehur Lahu.

Lahu shtoi se ajo si person që e njeh sistemin shëndetësor dhe është e kësaj fushe mund të gjejë lidhje disi në QKUK dhe ekonomikisht nuk qëndron keq pasi shërbimi në privat i kishte kushtuar 20 euro, por ajo se nuk e di si do ja bëjnë të tjerët ku edhe numri i të infektuarëve në personel shëndetësor po rritet çdo ditë e më shumë.

Nga i gjithë ky rrëfim i kësaj të prekure me COVID-19 na bëhet e ditur se sistemi shëndetësor nuk po funksionon dhe nuk ka koordinim të duhur mes shërbimeve primare e deri te ato terciare.

Bujar Gashi, drejtor i shëndetësisë në Komunën e Prishtinës për Kallxo.com tha se kujdesi parësor është përgjegjës për kontrollat fillestare dhe se terapitë si infuzioni dhe injeksioni nuk mund të referohen të gjitha në kujdesin parësor.

“Kujdesi Parësor Shëndetësor është përgjegjës për kontrollat fillestare dhe triazhimin e pacientëve të të gjitha natyrave e edhe te atyre që janë të dyshimtë në Covid-19. Të gjitha terapitë parenterale (infuzione, injeksione etj) si dhe procedurat diagnostike duhet të administrohen në klinikat ku edhe përshkruhen, nuk mund të referohen në Kujdesin Paresor”, është shprehur Gashi.

Kurse Faik Hoti nga Ministria e Shëndetësisë tha se çdo qytetar ka të drejtë për kontoll në QKMF dhe nëse i jepet referim edhe në QKUK. Ai tutje shtoi se shumica e QMF-ve posedojnë kabinete të radiologjisë dhe laboratore të analizave biokimike.

“Secili qytetar e ka të drejtën e padiskutueshme për kontroll mjekësor së pari në QKMF e pastaj nëse ka nevojë referimi, me udhëzim në spitalet e përgjithshme dhe QKUK. Rastet pa simptoma, referohen në vetizolim dy javor, duke u marrë të dhënat që i referohen IKSHPK-së për përcjelljen e rasteve bashkë me QKMF-të. Në QKMF-QMF kryhen shërbimet e nivelit parësor (janë të saktësuara në ligjin për shendëtësi, të cilin e gjeni ne ëeb faqe të msh), kurse në spitale kryhen shërbime shëndetësore të nivelit dytësor, Në QKUK shërbime terciare. Shumica e QKMF posedojnë kabinete të radiologjisë dhe mund t’i bëjnë radiografitë dhe kanë edhe laboratore të analizave biokimike. Ato që nuk kanë, i referojnë për një nivel më të lartë, shembull QMF në QKMF, në spitale rajonale apo QKUK”, është shprehur Hoti.

Kallxo.com është munduar të marr përgjigje edhe nga Sami Uka, drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare lidhur me trajtimin e pacientëve me COVID-19 por nuk kemi marr ndonjë përgjigje deri në momentin e publikimit.

Raportime të tilla nga qytetarë ka çdo ditë edhe në lidhje më bërjen e testit PCR ku po i lënë të presin për shumë ditë ose nuk ua bëjnë fare por vetëm u përshkruhet një recetë mjekësore për trajtim.