Qëndrimi i kandidatit të PD për martesat në mes gjinisë së njëjtë

Vesel Neziri nga Mitrovica është kandidat për deputet të Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Partisë së Drejtësisë (PD), në listën e përbashkët Nisma-AKR-PD dhe i njëjti në një intervistë për KALLXO.com, është zotuar se do të jetë zëri i qytetarëve të Mitrovicës.

“Të gjitha qëndrimet që do t’i mbaj në Parlamentin e Kosovës do të jenë konform interesave të qytetarëve të Kosovës. Ndoshta kjo temë për të drejtat e njeriut dhe të drejtat e qytetarëve është bërë hit te deputetët tanë. Do të jem zëri i qytetarëve të Mitrovicës, e veçmas zëri i qytetarëve të Shalës së Bajgorës”, ka thënë ai.

Sipas Nezirit, qyteti i Mitrovicës përballet me këto probleme.

“Problemet kryesore të komunës nga unë vij është se 20 vite Autostrada Mitrovicë – Prishtinë nuk po përfundon. Problemi tjetër është caktimi i kufijve administrativ mes dy komunave. Pika e tretë që unë kisha pas dëshirë për qytetarët e Mitrovicës është që ndotja e ajrit të përmirësohet dhe automjetet të cilat vijnë në Komunën e Mitrovicës të jenë të pajisura me cilësi të ajrit”, theksoi ai për KALLXO.com.

Kandidati për ligjvënës ka shtuar se nuk ka plan konkret se çfarë do të bënte për përmirësimin e ambientit dhe ajrit të ndotur në Kosovë.

Neziri në intervistën për KALLXO.com thotë se nuk do ta ndërrojë partinë, kurse i pyetur nëse do të votojnë kundër qëndrimit të grupit të tij parlamentar, ai është përgjigjur se nuk do të jetë “kukull” e partisë.

“Unë nuk do të jem kukull e partisë, por do të jem zëri i qytetarëve”, zotohet ai.

Kandidati i PD-së ka thënë se është shumë kundër martesave në mes të gjinisë së njëjtë, përderisa e përkrahë bartjen e shamisë në shkollat e Kosovës.

I pyetur për kuotën për deputetë nga diaspora, Neziri është përgjigjur se po të kishte mundësi të gjithë deputetët në Kuvendin e Kosovës, do t’i sillte nga diaspora.

Ai ka folur edhe për listat e fryra të veteranëve.

“Mua më vjen turp se jam veteran më atë çka kanë bërë deri sot dhe kisha pas shumë dëshirë që vetëm veteranët e vërtetë të jenë në listat e veteranëve. Jam pro ri dizajnimit”, ka vlerësuar ai.

Kjo është intervista e plotë me kandidatin për deputet nga radhët e PD-së, Vesel Neziri:

KALLXO.com: Cila është kauza që keni me e shty nëse boheni deputet?

Vesel Neziri: Unë po mendoj që të gjitha qëndrimet që do t’i mbaj në Parlamentin e Kosovës do të jenë konform interesave të qytetarëve të Kosovës. Ndoshta kjo temë për të drejtat e njeriut dhe të drejtat e qytetarëve është bërë hit te deputetët tanë, unë mendoj se kauza kryesore që ko me qenë, do të jem zëri i qytetarëve të Mitrovicës, e veçmas zëri i qytetarëve të Shalës së Bajgorës, regjion i cili i ka 29 fshatra dhe nuk përfaqësohet me deputet pikërisht për shkak të ligjit zgjedhor i cili po e diskrimon këtë regjion të Shalës së Bajgorës.

KALLXO.com: Nëse e merrni mandatin a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu me ndonjë post tjetër?

Vesel Neziri:  Unë nuk kisha dasht të kaloj në asnjë post tjetër. Posti më i rëndësishëm për mua është posti ku unë do të mund ti përfaqësoj interesat e qytetarëve të cilët më kanë votuar mua dhe për të cilët do të punojë pandërprerë.

KALLXO.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?

Vesel Neziri: Taksa të cilën unë kisha pas dëshirë me e rritë do të ishte akciza ndaj duhanit, alkoolit dhe pijeve të cilat po e dëmtojnë rininë dhe shoqërinë tonë, ndërsa prodhimtarinë taksa kryesore që do të kishte ndikuar te qytetarët, do të ishte, taksë për prodhimtarinë do të thotë që do tu mundësonte qytetarëve që produktet e veta ti nxjerrin në treg me çmim sa më të lirë dhe taksa kryesore që unë kisha mendu me e ngritë do të ishte produktet që vijnë ose importohen nga jashtë të kenë një taksë më të madhe sesa produktet që prodhohen në vendin tonë.

KALLXO.com: Cilat janë tri amendamentet e para që keni me i propozu?

Vesel Neziri: Ndoshta është pyetje pak që nuk kisha dashur të jap shumë mendime, mirëpo amandametet të cilat deri tash kanë kaluar në Kuvendin e Kosovës nuk them që janë të këqija por do të kisha pas dëshirë që ato amandamente që janë votuar të realizohen dhe zbatohen. Pra qytetarët e Kosovës nuk po vuajnë për amendamente dhe për, ligje por po vuajnë për zbatueshmëritë e tyre.

KALLXO.com: Cilat janë tri problemet/nevojat kryesore e komunës prej nga vini?

Vesel Neziri: Problemet kryesore të komunës nga unë vij është se 20 vite Autostrada Mitrovicë – Prishtinë nuk po përfundon. Problemi tjetër është caktimi i kufijve administrativ mes dy komunave të cilat pa dashje apo me dashje të dikujt po shkojnë duke u zvarritur dhe duke ia komplikuar situatën Mitrovicës dhe pika e tretë që unë kisha pas dëshirë për qytetarët e Mitrovicës është që ndotja e ajrit të përmirësohet dhe automjetet të cilat vijnë në Komunën e Mitrovicës të jenë të pajisura me cilësi të ajrit, domethënë që të kemi mundësi që ajri të jetë më i mirë, me qenëse Mitrovica ka qenë ndër qytetet më të ndotura dhe banorët këtu kanë vuajtur edhe sot e kësaj dite për shkak të ndotjes së madhe të ajrit.

KALLXO.com: A ka gjasa me e ndërru partinë ku jeni tash?

Vesel Neziri: Jo. Të gjithë thonë kështu, por unë nuk jam i mendimit që partinë duhet me e ndërru sepse Vesel Neziri nëse është i mirë në këtë parti atëherë s’kam nevojë të shkoj në ndonjë parti tjetër sepse partia nuk më ndryshon mua, por unë duhet ta ndryshojë partinë.

KALLXO.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?

Vesel Neziri: Unë nuk do të jem kukull e partisë, por do të jem zëri i qytetarëve.

KALLXO.com: Cili grup i diskriminuar do ta ndjenë më së shumti përkrahjen tuaj si deputet?

Vesel Neziri: Unë mendoj se grupi më i diskriminuar janë gratë, por jo gratë të cilat merren me organizata joqeveritare. Ato nuk i përfaqësojnë të drejtat e grave, ato e përfaqësojnë interesin e ngushtë të tyre. Ndërsa unë mendoj se gratë të cilat mbajnë familjet e tyre dhe merren me prodhime, unë ato grupe do t’i kisha përkrahë më së tepërmi sepse dihet se në Kosovë nanat shtatëzëna janë më të diskriminuara.

KALLXO.com: Çka do të bëni për përmirësimin e ambientit (mjedisit) dhe ajrit të ndotur në Kosovë?

Vesel Neziri: Plan konkret nuk kam.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?

Vesel Neziri: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?

Vesel Neziri: kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR përdorimit të qeseve të plastikës?

Vesel Neziri: Jam kundër përdorimit.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shitjes së Telekomit të Kosovës?

Vesel Neziri: Për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të autostradës së Dukagjinit?

Vesel Neziri: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shkëmbimit të territoreve me Serbi?

Vesel Neziri: Pse a ka mbet diçka pa u shkëmby deri sot? Përgjigje këtu nuk kam, do të shikojmë kur të vijnë amendamentet atje çka po propozohet.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së tarifës me Serbinë?

Vesel Neziri: Në rast se vërtetë do të kishte pasur bojkot total do të isha pro por me këtë tarifë që neve na e kanë vendos nuk ka përfituar kurrkush vetëm ata grupet e interesit sepse mall i Serbisë po futet çdo ditë dhe nuk ka bllokadë të tyre. Në qoftë se do të ketë bllokadë totale unë do ta kisha përkrahë. Po në këtë formë po [jam kundër].

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?

Vesel Neziri: nuk jam kundër në qoftë se zbatohet ligji, por kështu qysh janë duke i bllokuar totalisht duke e ndalur rrjedhën e ujit jam kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?

Vesel Neziri: Unë po mendoj se duhet të mbyllen të gjitha ato universitet ku nuk shpërndahet dije por shiten diploma në mënyrë legale.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR monopolit në homologim?

Vesel Neziri: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR martesave në mes të gjinisë së njëjtë?

Vesel Neziri: Shumë kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR bartjes së shamive në shkolla?

Vesel Neziri: Jam pro shamisë në shkolla, ndërsa kundër ekstravaganizmit në shkolla jam kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR kuotës për deputetë nga diaspora?

Vesel Neziri: Unë po të kisha pasur mundësi të gjithë deputetët i kisha sjell nga diaspora.

KALLXO.com: A je PËR apo KUNDËR ri dizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzuar?

Vesel Neziri: Mua më vjen turp se jam veteran më atë çka kanë bërë deri sot dhe kisha pas shumë dëshirë që vetëm veteranët e vërtetë të jenë në listat e veteranëve. Jam pro ri dizajnimit.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së kartonit të gjelbër për diasporën?

Vesel Neziri: jam pro heqjes së kartonit të gjelbër. Mjaftë kanë vuajtur qytetarët tonë.

KALLXO.com: Kush po ua financon fushatën?

Vesel Neziri: Vetë.

KALLXO.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajt gjatë kohës kur jeni deputet/ministër?

Vesel Neziri: Kam një vend pune si profesor i rregullt pranë shkollës së mesme teknike dhe jam anëtar i Kuvendit Komunal në Mitrovicë dhe besoj se në rast se nuk zgjidhem deputet dhe fillon me u apliku paga për deputet, jam shumë i bindur se nuk do të rri peng i asaj por do t’ia lëshoj vendin pasardhësit që është në rend për të hyrë deputet.

KALLXO.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?

Vesel Neziri: Të hyrat mujore të mia personale janë së bashku me gruan diku 1200 euro. Pasuri tjetër e kam një shtëpi.

KALLXO.com: A e keni pasurinë e përbashkët me gruan/burrin? Nëse jo, a keni me e regjistru bashkërisht?

Vesel Neziri: Përderisa jemi bashkë mund të them se pasuria është krejt e gruas, po e menaxhojmë bashkë dhe nuk na pengon kjo.

Unë besoj se po, se kështu ligji po e jep.

KALLXO.com: Herën e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru, në spital privat apo publik?

Vesel Neziri: Për fat të  mirë nuk jam sëmurë asnjëherë dhe nuk e mbaj mend që kam qenë te mjeku ndonjëherë.

KALLXO.com: Ku keni me shku kur të bëheni deputet nëse sëmureni?

Vesel Neziri: Unë me gjasë do kisha shkuar në spitalin privat në qoftë se do të kishe kushte, por nëse sëmundja kërkon diçka tjetër atëherë duhet me gjet alternativa tjera por unë besoj që në këtë mandat kushdo qe të vjen dhe unë do të kisha bërë përpjekje maksimale, do t’i kisha lutur të gjithë që ligji për shëndetësinë ta aplikohet sepse atë ligj e mbyten me largimin e ministrit Agani, i cili e pruri  në vijë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ligji për Shëndetësinë është dashur të zbatohet prej 2015-ës dhe u them qytetarëve të Kosovës ankohuni dhe kërkoni drejtësi sepse Ligji për Shëndetësinë është dashur të zabtohet nga 2015-a.

KALLXO.com: Fëmijët tuaj a janë në shkolla publike apo private?

Vesel Neziri: Fëmijët e mi janë në shkollën publike dhe asnjëherë s’do të shkojnë në shkollë private.

KALLXO.com: Sa familjarë i keni të papunë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që e merr mandatin?

Vesel Neziri: Asnjë familjar i imi nuk është i pa punë, për fat të keq ata punë kanë gjet diku, por jo në Kosovë. Unë po e them që ata nuk kthehen në këtë situatë këtu, ne ua kemi vështirësuar kthimin atyre. Do të kisha vërë çmos për ti kthyer por gjasat janë të vogl për tu kthyer ata këtu.

KALLXO.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbet nën qeverisjen shtetërore?

Vesel Neziri: Votimi jem është që Trepça të privatizohet dhe të menaxhohet nga ata të cilët vërtetë ia dinë vlerën Trepçës.

KALLXO.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?

Vesel Neziri: Projektin e parë që unë e kisha kushtëzuar për buxhet do të ishte aplikimi i skemës shëndetësore do të thotë zbatimi i Ligjit për Shëndetësinë.

KALLXO.com: Cili ka me qenë projekti/puna me të cilën keni me lanë gjurmë/trashëgimia juaj si deputet?

Vesel Neziri: Ndoshta kjo është herët me fol. Por ajo që unë do të kisha pasur dëshirë të lë gjurmë është që fëmijëve tanë t’ia sigurojmë një të ardhme dhe ata të mos lëvizin nga Kosova. t’u krijojmë vende të reja të punës. Për mua sot është heroi më i madh ai që e hap një vend pune dhe për këtë kisha pas shumë dëshirë që të kontribuoj në hapje të vendeve të punës me ligjet që do t’i miratojmë në Parlamentin e Kosovës.

KALLXO.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?

Vesel Neziri: Unë si anëtar i Kuvendit, brenda vitit deri në 30 pyetje parlamentare të grupi tim i kam bërë dhe për fat të keq shumicën prej tyre nuk kam marr përgjigje. Kisha aps dëshirë që pyetjet që i bëj unë të marr përgjigje dhe pozitive normalisht.

KALLXO.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajt gjatë një viti/mandati?

Vesel Neziri: Mesatarisht në ditë 2 ose 3 takime do t’i zhvilloj me qytetarët.

KALLXO.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?

Vesel Neziri: Unë besoj që edhe ky 10 vjetëshi është i gjatë, por ky do të ishte i preferuari me qenë këtu sepse ashtu ligji e parasheh. Edhe unë nuk jam kundër ligjit.

KALLXO.com: Sa dëgjime publike keni me i iniciu në komisionet ku keni me qenë pjesë?

Vesel Neziri: Nuk e di. Varet a ko me kane pjesë e komisioneve apo jo. Tri dëgjime publike kisha pasur dëshirë.

KALLXO.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritet aktakuzë?

Vesel Neziri: Po.

KALLXO.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë?

Vesel Neziri: Po.

KALLXO.com: A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?

Vesel Neziri: Po.

KALLXO.com: Sa zv.ministra duhet t’i ketë një ministri?

Vesel Neziri: Dy.

KALLXO.com: A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike & shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?

Vesel Neziri: Jo.

KALLXO: A keni me i bo transparente fondet e partisë?

Vesel Neziri: Po.

KALLXO.com: A keni me i hap dokumentet/faturat në kuvend/ministri?

Vesel Neziri: Po.