Qëndrimet e Marigona Gani Gecit për autostradën e Dukagjinit dhe monopolin në homologim

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Marigona Geci në një intervistë për KALLXO.com ka dhënë dy qëndrime të ndryshe sa i takon privatizimit apo mbetjes nën qeverisje shtetërore të gjigandit Trepça.

Në dy raste të ndryshme, Marigona Geci shprehet se shteti duhet të investoj më shumë në rregullimin e Trepçës se sa në autostrada ndërsa kur pyetet për privatizimin ajo thotë se LDK është parti djathtiste dhe se është pro privatizimit.

Marigona Geci është vajza e ish- deputetit të LDK-së, Gani Gecit.

Geci ka treguar në intervistën për KALLXO.com edhe për kauzën të cilën do ta shtyjë përpara nëse merr besimin e qytetarëve për t’i përfaqësuar ata në Kuvendin e Kosovës.

“Në qoftë se do të jem deputete, kauza e parë do të jetë arsimi, unë do të jem zëri i studentëve i të rinjve në Kosovë”, ka thënë Geci për KALLXO.com.

Tutje ajo tregon se nuk do të marr ndonjë post ministror pasi që po garon për deputete.

Në lidhje me uljen dhe ngritjen e taksave në Kosovë, Geci thotë se duhet të u jepet mundësi që të ulen taksat për ekonomitë familjare të vogla dhe të mesme ndërsa makroekonomitë duhet të varen nga politikat ekonomike.

Tri amendamentet e para të cilat Geci tha për KALLXO.com se do të i propozoj nëse merr mandatin e deputetes lidhen me arsimimin, shëndetësinë dhe drejtësinë.

Ajo thotë tutje se nuk do ta ndërrojë asnjëherë subjektin politik të cilit i takon ndërsa shton edhe se do të varet nga situata nëse do të votojë kundër qëndrimit të Grupit Parlamentar të LDK-së.

Personat me raste sociale do të jenë ata që do të kenë përkrahjen më të madhe të Marigona Gecit.

Krijimi i hapësirave gjelbëruese dhe parqeve janë disa nga veprimet që do të i bëj Marigona Geci në mënyrë që të rregullohet apo përmirësohet ambienti dhe ajri i ndotur në Kosovë.

Në disa nga temat specifike të cilat kanë marrë vëmendje të madhe mediatike por edhe janë shtruar gjerë në opinionin, Geci ka qëndrimet e saj.

Ajo thotë se është kundër ndërtimit të hidrocentralit të tretë me qymyr në Kosovë si dhe djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit.

Në lidhje me përdorimin e qeseve të plastikës, Geci thotë se është kundër por që nuk ka alternativë tjetër dhe se për këtë edhe përdoren në masë të madhe nga qytetarët.

Geci ka shtuar se është kundër shitjes së Telekomit ndërsa kur u pyet për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit ajo dha një përgjigje për investimet në Trepçë.

“Meqenëse para dy- tri dite kam qenë në një vizitë në Trepçë, mendoj se më mirë do të ishte të investonim në Trepçë ku do të sjellnin të mira materiale ku edhe do të ndërtoheshin dy a tri autostrada”, ka thënë Geci për KALLXO.com.

Vajza e ish deputetit të LDK-së Gani Gecit, ka thënë edhe se është kundër shkëmbimit të territoreve me Serbinë si dhe kundër heqjes së taksës me të njëjtin vend.

Gjithashtu Marigona Geci ka thënë edhe se është kundër ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës ndërsa shton se është kundër mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit.

Gjithashtu Geci ka thënë edhe se është kundër monopolit në homologim.

Në lidhje me martesat në mes të gjinisë së njëjtë, Geci ka thënë se këtë gjë e rregullon Kushtetuta e Kosovës.

Në këtë rast, Kushtetuta e Kosovës nuk specifikon nëse martesa në mes të gjinisë së njëjtë është e ndaluar, ndërsa të kundërtën e thotë ligji për martesa.

Geci ka thënë edhe se është kundër bartjes së shamive në shkolla ndërsa shton se është pro kuotës për deputetë nga diaspora, ridizajnimit të skemës së veteranëve të luftës dhe heqjes së kartonit të gjelbër për diasporën.

Për fushatën Geci ka thënë se po përkujdeset personalisht vetë, ndërsa tregon edhe se sa funksione do të i mbaj në rast se zgjidhet deputete.

“Unë jam asistente në Universitetin e Prishtinës dhe në atë të Prizrenit. Në Prizren jam me orar të plotë ndërsa në Prishtinë jo por nëse do të zgjidhem do të vazhdoj të punoj në Prizren edhe nëse jam në parlament”, ka thënë Geci.

Tutje ajo ka shtuar se të hyrat mujore janë të deklaruara në AKK ndërsa shton se ka pasuri të përbashkët me bashkëshortin.

Spitalet publike janë frekuentuar dhe do të vazhdojnë të jenë në rast se Marigona Geci ka probleme shëndetësore ndërsa shton edhe se fëmijën e saj nuk e ka problem ta dërgoj edhe në shkolla private.

Ajo shprehet edhe se është kundër nepotizmit.

“Unë jam kundër nepotizmit. Familjarët e mi punojnë në një kompani private që e kemi në Skenderaj”, thotë ajo.

Në një rast tjetër ku përmendet Trepça, Marigona Geci jep një përgjigje tjetër.

Ajo në këtë rast thotë se është pro privatizimit.

“LDK është parti djathtiste dhe është pro privatizimit”, ka thënë ajo duke ju kujtuar se në po të njëjtën intervistë Geci ka thënë edhe se duhet të investohet në Trepçë e jo të ndërtohen autostrada.

Përkrahja ndaj studentëve dhe të rinjve do të jetë puna me të cilën Marigona Geci do të lë gjurmë si deputete.

Ajo nuk jep numër të saktë të pyetjeve të cilat do të i parashtroj brenda një viti si dhe thotë se do të mbaj takime me qytetarë sa do që të mundet.

Për importimin e makinave të vjetra në Kosovë, Geci thotë se në lidhje me këtë vendos qeveria e ardhshme për të cilën kandidon edhe LDK.

Marigona Geci, thotë se do të jap dorëheqje nëse do t’i ngritët aktakuzë si dhe do të votoj për rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë.

Gjithashtu Geci tregon se do të votoj një qeveri që i ka mbi 15 ministri dhe se nuk jep numra për zëvendës ministra.

Ajo tregon se nuk do të i votoj për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike dhe shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim si dhe do të i bëj publike edhe fondet e partisë edhe faturat e shpenzimeve në kuvend apo ministri.