Qëndrimet e Besa Gaxherrit rreth martesave, shamive dhe autostradës së Dukagjinit

Në një intervistë për KALLXO.com, Besa Gaxherri tregon se si do të veprojë në mandatin e ardhshëm nëse fton votat e mjaftueshme për tu bërë deputete.

Një post tjetër përveç deputetet Gaxherri thotë se ajo nuk e vendos.

“Kjo do të vendoset nga partia politike, në qoftë se LDK kërkon diçka tjetër jashtë deputetit do të jem e gatshme ndonjëherë edhe jashtë vullnetit”, tregon ajo për KALLXO.com.

Tutje Gaxherri tregon se cilat taksa do të mendonte se duhet të kishin ulje dhe cilat rritje.

“LDK ka punuar qysh mandatin e kaluar pakot fiskale edhe sot kanë filluar me i dhanë frytet e saj, ne do të vazhdojmë që të përcjellim tregun dhe ndërmarrësit dhe do të jemi këtu që të bëjmë sa ma të lehtë punën”, thotë ajo.

Besa Gaxherri nuk pati përgjigje konkrete në lidhje me tri amandamentet e para të cilat do t’i propozojë para kolegëve të tjerë deputet në Kuvendin e Kosovës.

Sipas Gaxherrit, disa nga problemet apo nevojat e Komunës prej nga vjen, asaj të Pejës, janë shëndetësia e arsimi.

“Edhe në Komunë janë kërkesat e mëdha dhe zakonisht për komuna buxheti kurrë nuk është i mjaftueshëm, natyrisht do të jem më e gatshme të punoj për shëndetësi se ka ma shumë nevojë edhe për arsim për arsye se infrastrukturë kryetari ka punuar shumë, megjithatë kam qenë në të kaluarën dhe do të vazhdoj të jem prapë në shërbim të komunës sime edhe komunave të tjera, nëse duhet analizë për çdo komunë  kam bërë amandament për buxhet”, thotë ajo.

Madje në pyetjen për ndërrim të partisë, Gaxherri dha një qëndrim të sigurtë.

“Jo se kom ndrru kurrë as tash”, u përgjigj ajo.

Në lidhje me kundërshtimet ndaj qëndrimeve të Grupit Parlamentar të LDK-së, Gaxherri thotë se nuk ka pasi që partia e saj i ndan mendimet me të tjerët.

“Jo 99% por ndonjëherë por ndonjëherë  fatmbarësisht jemi në një sistem demokratik jetojmë dh e veprojmë e aq ma shumë në LDK që shumë shpesh ne ndajmë mendimin”, thotë tutje Gaxherri.

Barazia gjinore për Besa Gaxherrin është fokusi i përkrahjes së saj.

“Ne ende punojmë e luftojmë për gjininë tonë, e që kemi edhe grupe tjera edhe më problematike por ndoshta primare është barazia gjinore, edhe pse në filozofinë e partive të djathta nuk merren parasysh shumë por ne në Kosovë pa marrë parasysh filozofinë e partisë po punojmë dhe do të angazhohemi”, tregon ajo.

Por cilat do të jenë veprimet e Gaxherrit ndaj përmirësimit të mjedisit dhe ajrit të ndotur.

“Kjo pikë është shumë e ndishme dhe e dashur për mua, mandatin e kaluar kam qenë nënkryetare e komisionit për ambient, zhvillim rural dhe bujqësi, do të jem e angazhuar kudo që jam, sepse çështja e ambientit mendoj se prek çdo dikaster edhe si deputet edhe ministritë e caktuar”, tha ajo.

Në lidhje me disa çështje dhe tema të ngritura shumë herë në debate publike si në kuvend ashtu edhe në shoqëri, besa tregon nëse është kundër apo pro tyre.

Besa Gaxherri ka thënë se është për ndërtimin e termocentralit të tretë me qymyr, por është kundër djegies së qymyrit në shtëpi gjatë dimrit.

Ajo thotë se është kundër përdorimit të qeseve të plastikës, ndërsa nuk tregon saktë nëse është kundër shitjes së Telekomit të Kosovës.

Tutje Gaxherri nuk tregon nëse është kundër apo pro ndërtimit të autostradës së Dukagjinit, ndërsa është kundër edhe shkëmbimit të territoreve edhe heqjes së tarifës me Serbisë.

Gjithashtu Gaxherri tregon se është kundër ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës dhe pro mbylljes së universiteteve publike nëpër komuna nëse nuk akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit.

Një tematikë tjetër e cila ka ngritur debat në opinion e më gjerë, është edhe çështja e monopolit në homologim. Besa Gaxheri është kundër një gjëje të tillë.

Tutje kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së thotë se është kundër martesave në mes të dy gjinive të njëjta si dhe bartjes së shamive nëpër shkolla.

Në lidhje me kuotën për deputetë nga diaspora, Besa nuk dha përgjigje ndërsa shtoi se është për ri- dizajnimin e skemës për veteranët e luftës si dhe heqjen e kartonit të gjelbër për diasporën.

Pasi që fushata zyrtare ende nuk ka filluar, nuk do të thotë që deputetët nuk kanë filluar që të mbledhin votat e tyre .

Gaxherri tregon se fushatën e saj po e financon vet.

“Nuk kam asnjë informatë jam duke menduar për veten time a me marr kredi apo me i mbledh familjarët mem ndihmu”, thotë ajo.

Në lidhje me mundësinë e mbajtjes së më shumë se një vendit të punës përveç të asaj të deputetes, Besa përgjigjet qartë se do ta mbajë vetëm një vend pune.

“Prej që kam marr mandatin e kam vetëm punën si deputete, edhe të ardhmen çfarë do posti që do të kem do të kem vetëm një vend pune. Të gjithë personat publik të lartë, do ta kenë vetëm një vend pune sepse nuk mundemi me dhanë kontribut me 2e 3 vende pune”, tha ajo.

Pasuria e Besa Gaxherrit me bashkëshortin e saj është e përbashkët.

“Të hyrat mujore është paga e deputetit dhe pasurinë tjetër e keni të regjistruar në Agjencinë Kundër Korrupsion. Pasurinë e kemi të regjistruar në emër të përbashkët (me bashkëshortin).

Gaxherri thotë se në rast se do të ketë nevojë për trajtim mjekësor do të shkojë në spitale publike.

“Fatmbarësisht s’mbaj mend kur kam qenë sëmurë, por skam qenë asnjëherë në ordinancë private. Dëshiroj dhe këtë po e them shumë sinqerisht që të shkoj së pari në spitalin regjional të pejës, e pastaj në QKUK por uroj të mos sëmurem dhe uroj që të kem sëmundje të shërueshme”, tregon tutje ajo në një intervistë për KALLXO.com.

Fëmijët e Gaxherrit kanë kryer shkollë jashtë vendit ndërsa tregon nëse do të i punësoj ata në qoftë se merr mandatin e radhës si deputete.

“Unë e kam një djalë që punon në një televizion dhe do të mundohem me punësu me i ndihmu se ka të kryer shkolla të mira dhe e ka problem me u punësu pikërisht pse është djali im, sepse kur jemi ne në pushtet, të gjitha mediat fokusohen tek ne për punësime kur jemi në opozit nuk na pranojnë në punë dhe është fat i keq me disa politikan që fëmijët tanë janë shumë herë viktima”, thotë ajo.

Në lidhje me çështjen e Trepçës edhe kjo një temë e diskutuar mjaftë, Gaxherri thotë se duhet që një pjesë të privatizohet e një pjesë të jetë në qeverisje shtetërore.

“Procesi i Trepçës është bukur kompleks por natyrisht ajo duhet një pjesë të privatizohet sepse është një aset kompleks, LDK e ka përgatitur planin  për këtë gjigand po e quaj dhe me probleme shumë, aq sa presim prej saj zhvillim, kjo është shumë komplekse, së pari duhet ta kryejmë aspektin legjislativ që me të mos të kemi probleme çfarë kanë pretendime Serbia e pastaj për zhvillim duhet me mendu në aspektin publiko privat dhe të eci tutje”, tha ajo.

Gaxherri tregon edhe se për çfarë projekti do të kushtëzonte votën për buxhet.

“Jo, ne në aspektin buxhetor e diskutojmë si GP dhe shprehim kërkesat tona por kur vie në pyetje buxheti nuk ka rëndësi a do të aprovohet kërkesa ime apo jo, vota për buxhet kur partia ime është në qeverisje është gjithmonë për”, tregon tutje Gaxherri.

Në lidhje se me çfarë do të mbahet mend Gaxherri ajo thotë se do të punojë në shumë projekte.

“Kam një kohë të gjatë që punoj në politikë, nuk i ndaj temat jam si gratë që gjatë rrugës krejt çka gjen në rrugë e drejton por nuk kam mendu që këtë projekt ta qoj deri në fund. Kosova a nevojë për projekte e shumë gjëra, edhe unë si gjithmonë do të jem me çka do që kam mundësi do ta kryej”, thotë ajo.

Pasi që Kuvendi i Kosovës në seanca të ndryshme jep hapësirë për pyetje parlamentare, në lidhje me këtë rast Besa Gaxherri nuk tregon numër të tyre se sa do të parashtroj brenda një viti. Gjithashtu ajo thotë se takimet e qytetarë do t’i ketë të shpeshta.

“Tre takime në muaj apo dy muaj, varet në bazë të arsyes, kemi struktura të fuqishme kurdo që duam të ftojmë takime”, tha ajo.

Besa Gaxherri thotë se nëse do t’i ngritët aktakuzë do të dorë hiqet.

“Po natyrisht nëse aktakuzë vërtet, se më qite në një situatë të keqe pasi skam qenë asnjëherë në gjykatë”, tha ajo.

Në lidhje me mundësinë se nëse një kryeministër ka aktakuzë a do ta votonte rrëzimin e po asaj qeverie, Gaxherri tha se do të duhej që kryeministri të dorëhiqet.

Gaxherri tregon se LDK do të ketë më pak se 15 ministri ndërsa idealja për zëvendësministrat e një ministrie sipas sajë do të ishte 2 pozita të tilla.

KALLXO.com ka raportuar shumë herë për emërimet familjare dhe në baza partiake në bordet e ndërmarrjeve publike dhe shoqërore.

Besa Gaxherri tregon se asnjëherë nuk do të votonte njerëz që nuk do ti plotësonte kushtet për pozita të tilla.

Në fund Gaxherri beson shumë në transparencën e fondeve të partisë të cilës i takon dhe se premton se do të jetë e hapur për transparencë të dokumenteve dhe faturave të kuvendit në qoftë se merr mandat të radhës.

“Po edhe zakonisht, edhe kur ka tentu kuvendi shpesh herë i kam deklaru shpenzimet e kuvendit, kudo që jem ne kemi obligim për popullin për shpenzim të parave të tyre”, tha ajo.