Partia i financon fushatën kandidatit të PDK-së nga Gjilani

Kandidati për deputet nga PDK, Izmi Zeka ka premtuar se në rast se merr postin e deputetit do të kontribuoj në projekte për Anamoravën.

Në intervistën e dhënë për KALLXO.com, Zeka ka treguar qëndrimet e tij rreth bartjes së shamive në shkolla e poashtu për martesat në mes gjinisë së njëjtë, për të cilat ka treguar se është për.

Sipas Zekës, tri problemet kryesore me të cilat përballet Komuna e Gjilanit, janë uji, papunësia si dhe mungesa e një zone industriale.

 

 

Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë të kandidatit të PDK-së, Izmi Zeka:

KALLXO.com: Cila është kauza që keni me e shty nëse bëheni deputet?

Izmi Zeka: Për mu është e rëndësishme që interesi strategjik i Kosovës të ruhet normalisht me SHBA dhe Bashkimin Evropian.

KALLXO.com: Nëse e merrni mandatin a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu me ndonjë post tjetër?

Izmi Zeka: Vullneti im do të ishte me qenë deputet, por natyrisht varet edhe prej partisë.

KALLXO.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?

Izmi Zeka: Mendoj që taksat e bizneseve duhet të rishikohen, dhe të ulen sa më shumë në mënyrë që të ju krijojmë mundësi sa më të madha bizneseve, ndërsa do të doja që në aspektin ekologjik të rriten taksat për ruajtjen e ambientit.

KALLXO.com: Cilat janë tri amendamentet e para që keni me i propozu?

Izmi Zeka: Them të drejtën për momentin amendamentet pa pasur ligje nuk mund të them asgjë tani, duhet të ekzistoj ligji.

KALLXO.com:
Cilat janë tri problemet/nevojat kryesore e komunës prej nga vini?

Izmi Zeka: Gjilani ka tri problem kryesore, uji papunësia dhe një zonë industriale.

KALLXO.com: A ka gjasa me e ndërru partinë ku jeni tash?

Izmi Zeka: Nuk diskutohet.

KALLXO.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?

Izmi Zeka: Po.

KALLXO.com: Cili grup i diskriminuar do ta ndjenë më së shumti përkrahjen tuaj si deputet?

Izmi Zeka: Lugina e Preshevës.

KALLXO.com: Çka do të bëni për përmirësimin e ambientit (mjedisit) dhe ajrit të ndotur në Kosovë?

Izmi Zeka: Ligji për ambientin ka nevojë për amendamentim prandaj duhet të rishikohet edhe një herë ligji dhe të krijohen kushte që vërtet Kosova të jetë më e pastër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?

Izmi Zeka: Për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?

Izmi Zeka: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR përdorimit të qeseve të plastikës?

Izmi Zeka: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shitjes së Telekomit të Kosovës?

Izmi Zeka: Jam për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të autostradës së Dukagjinit?

Izmi Zeka: Është çështje e debatit të brendshëm.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shkëmbimit të territoreve me Serbi?

Izmi Zeka: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së tarifës me Serbinë?

Izmi Zeka: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?

Izmi Zeka: Jam për por duke pasur parasysh standardet evropiane.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?

Izmi Zeka: Nëse institucioni përkatës nuk i akrediton janë që të mbyllen,  nëse akreditohen duhet të vazhdojnë punën.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR monopolit në homoligim?

Izmi Zeka: Jam kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR martesave në mes të gjinisë së njëjtë?

Izmi Zeka: Jam për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR bartjes së shamive në shkolla?

Izmi Zeka: Është çështje e diskutimit më të gjerë.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR kuotës për deputetë nga diaspora?

Izmi Zeka: Jam për.

KALLXO.com: A je PËR apo KUNDËR ridizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzu?

Izmi Zeka: Jam për rishikim.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së kartonit të gjelbër për diasporën?

Izmi Zeka: Është dashur të kryet më herët, por duhet të hiqet gjithsesi.

KALLXO.com: Kush po ua financon fushatën?

Izmi Zeka: Partia.

KALLXO.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajt gjatë kohës kur jeni deputet/ministër?

Izmi Zeka: Një vend pune kam.

KALLXO.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?

Izmi Zeka: 1 mijë e 100 euro janë të hyrat mujore, pasuria ime është e vogël, një shtëpi ku banoj dhe nuk e di sa para kam në bankë mund të jenë 5 mijë ose 6 mijë euro.

KALLXO.com: A e keni pasurinë e përbashkët me grune/burrin? Nëse jo, a keni me e regjistru bashkarisht?

Izmi Zeka: Po së bashku e kemi.

KALLXO.com: Herën e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru, në spital privat apo publik?

Izmi Zeka: Në spital publik.

KALLXO.com: Ku keni me shku kur të bëheni deputet nëse sëmureni?

Izmi Zeka: Adresa ime e parë do të jetë spitali publik por varet prej sëmundjes.

KALLXO.com: Fëmijët tuaj a janë në shkolla publike apo private?

Izmi Zeka: Kam një vajzë e cila është në shkollë publike.

KALLXO.com: Sa familjarë i keni të papunë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që e merr mandatin?

Izmi Zeka: Kam shumë të pa papunë por kam edhe të punësuar, jam kundër nepotizmit.

KALLXO.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbete nën qeverisjen shtetërore?

Izmi Zeka: Është aset strategjik, duhet të mbetet nën qeverisjen shtetërore,

KALLXO.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?

Izmi Zeka: Nuk jam për kushtëzime. por të gjithë punën do ta bëjë për Anamoravën, do të insistoj që të ketë sa më shumë projekte në Anamoravë.

KALLXO.com: Cili ka me qenë projekti/puna me të cilën keni me lënë gjurmë/trashegimia juaj si deputet?

Izmi Zeka: Është herët të flitet dhe të thuhet se cila do të jetë sepse me gjithë atë secila parti ka një program dhe duhet të bazohemi në bazë të programit.

KALLXO.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?

Izmi Zeka: Edhe kjo është herët por do të jem i pa kompromis dhe në interes të qytetarëve.

KALLXO.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajtë gjatë një viti/mandati?

Izmi Zeka: Do të jenë takime të rregullta.

KALLXO.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?

Izmi Zeka: Mendoj që më të vjetra se 10 vite nuk duhet të importohen.

KALLXO.com: Sa dëgjime publike keni me i iniciu në komisionet ku keni me qene pjese?

Izmi Zeka: Është herët.

KALLXO.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritët aktakuzë?

Izmi Zeka: Nuk duhet të diskutohet, menjëherë.

KALLXO.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë?

Izmi Zeka: Menjëherë.

KALLXO.com:  A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?

Izmi Zeka: Është çështje që e rregullon ligji.

KALLXO.com: Sa zv.ministra duhet t’i ketë një ministri?

Izmi Zeka: Prapë është çështje e ligjit, unë jam për reduktim

KALLXO.com: A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike & shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?

Izmi Zeka:Jo asesi.

KALLXO.com: A do t`i bëni transparente fondet e partisë?

Izmi Zeka: Gjithqysh.

KALLXO.com: A keni me i hap dokumentet/faturat në kuvend/ministri?

Izmi Zeka :Është obligim ligjor, nuk diskutohet.