Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli - Foto: KALLXO.com

Pacolli: Njohjet e Kosovës më të rëndësishme se shkëmbimi i territorit

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, tha për BIRN se ai do të përqendrohej më shumë në bindjen e pjesës tjetër të vendeve të BE-së që ta njohin Kosovën sesa të nxiten ndryshimet kufitare si pjesë e një marrëveshjeje me Serbinë.

Shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë është vetëm një ide nga shumë të tjera  që mund të diskutohet gjatë dialogut të vazhdueshëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por në ndërkohë Qeveria në Kosovë do të përqendrohet më shumë në bindjen e pesë shteteve anëtare të Bashkimit Europian për ta njohur pavarësinë e saj. Kështu tha në një intervistë për BIRN, Ministri i Jashtëm dhe zëvendëskryeministri i parë Behgjet Pacolli.

“Në funksion të Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse ndërkombëtarëshit ligjërisht obligative për Republikën e Kosovës dhe për Serbinë, ky proces dialogu do shoqërohet edhe me ide tjera, në fakt me shumë ide. Për rrjedhojë, të gjitha idetë do të trajtohen veç e veç, por edhe në ndërlidhje me njëra tjetrën. Nga këndvështrimi aktual, është herët të pozicionohemi në përkrahje apo kundërshtim të kësaj ideje, shkëputur prej ideve tjera”, tha Pacolli.

Pacolli, një biznesmen i pasur i cili shkurtimisht shërbeu si president i Kosovës nga shkurti deri në prill 2011, ishte një nga nënshkruesit e shpalljes së pavarësisë së vitit 2008 dhe para kësaj, një nga strategët që qëndronin pas lëvizjes lobuese duke luftuar për të marrë mbështetjen e SHBA-së për pavarësinë e Kosovës.

Ideja e “korrigjimit të kufijve” e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, e interpretuar gjerësisht si një shkëmbim territorial që do të shihte territorin jugor të Serbisë me shumicën shqiptare të shkëmbyer për shumicën serbe në veri të Kosovës, nuk ka shumë mbështetje në Kosovë, Serbi apo në Bashkimin Europian.

Kancelarja gjermane Angela Merkel e kundërshton fuqishëm atë, megjithëse Brukseli dhe Uashingtoni kanë thënë se do të mbështesin çdo marrëveshje reciproke të pranueshme midis Prishtinës dhe Beogradit për të përfunduar një marrëveshje normalizimi.

Pacolli tha se ai nuk sheh ndonjë ndryshim të vërtetë midis dy qëndrimeve, sepse si BE dhe SHBA mbështesin procesin e dialogut. Ai gjithashtu tha se ideja që bashkësia ndërkombëtare është e ndarë në fatin e Kosovës është joreale.

“Emëruesi i përbashkët i pozicioneve të SHBA-ve dhe të Gjermanisë, i cili përqafohet fuqishëm nga Republika e Kosovës, është fakti që SHBA-të përkrahin fuqishëm procesin e dialogut dhe epilogun, respektivisht arritjen e Marrëveshjes, përderisa Gjermania përkrahë fuqishëm faktin që përmbajtja duhet të jetë në frymë dhe kontekst evropian. Të dy këto pozicione flasin në favor të Republikës së Kosovës, prandaj është çështje e të bërit politikë të jashtme dhe diplomaci aktive mënyra se si dhe sa do të arrijmë t’i shfrytëzojmë ato”, shpjegoi Pacolli.

Vazhdon lobimi për njohje

Pacolli tha se do ta bënte atë prioritet për strategjinë e politikës së jashtme të Prishtinës, të cilën ai dëshiron të finalizohet deri në fund të vitit, për të forcuar marrëdhëniet me Sllovakinë, Spanjën, Rumaninë, Greqinë dhe Qipron, pesë vendet e BE që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Pacolli gjithashtu tha se bindjen e vendeve të Amerikës Latine që ta njohin Kosovën e sheh si një “sfidë të jashtëzakonshme”.

“Për dallim nga pesë vendet të cilave ju referoheni, e për të cilat ekziston nevoja për qasje konstante, në vendet e Amerikës Latine ky proces më shumë lidhet me mundësitë dhe kanalet përmes të cilave mund të arrihen sukseset, dhe kjo nuk është diçka konstante por më shumë varet nga zhvillimet atje, nga zhvillimet globale, nga zhvillimet shumëpalëshe, etj.”, shpjegoi ai, duke shtuar se i gjithë kontinenti po kalon transformimin e vazhdueshëm politik.

Serbia, nga ana tjetër, ka intensifikuar përpjekjet e saj diplomatike për të bindur disa vende që të tërheqin njohjen e Kosovës.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq gjatë një konference të përbashkët shtypi me homologun e tij të Komoreve të mërkurën deklaroi se ky shtet, një shtet ishull në brigjet e Afrikës lindore, është vendi i dhjetë që ka hequr dorë nga njohja e tij.

Serbia gjithashtu thotë se një sërë shtetesh të vogla, Dominika, Surinami, Liberia, Sao Tome dhe Principe, Guinea-Bissau, Burundi, Papua Guinea e Re dhe Lesoto kanë tërhequr njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga Serbia, por Kosova po i mohon deklaratat e tilla.

Denoncimi i “standardeve të dyfishta” të Serbisë

Duke shprehur zemërimin e tij ndaj lobimit ndërkombëtar të Serbisë për mosnjohjen, Pacolli akuzoi Beogradin se ka standarde të dyfishta.

Ai pretendoi se ndërsa Serbia premton të jetë konstruktive, atëherë “shkel çdo marrëveshje” që bën.

“Në raport me komunitetin ndërkombëtar flet [Serbia] për gjoja gabimin që kanë bërë vendet që e kanë njohur Kosovën si shtet, dhe njëkohësisht refuzon të pranojë që ky realitet ekziston.”, tha Pacolli.

Fushata e mosnjohjes së Serbisë udhëhiqet nga njerëz “të cilët për vite me radhë kanë ushqyer mendimin publik me gënjeshtra në Serbi, në rajon dhe ndërkombëtar”, tha ai.

“Ata e dinë që në këtë beteje kanë humbur, dhe do të humbin gjithmonë, por është pikërisht skizofrenia e tyre ajo e cila nuk i lejon të ndryshojnë qasje dhe sjellje”, tha ai.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj vitin e kaluar akuzoi Serbinë për fillimin e një “fushate agresive” për të penguar njohjen e pavarësisë së Kosovës, si pjesë e një “politike të re të jashtme të lajmeve të rreme dhe luftës hibride [duke synuar] për të minuar paqen dhe stabilitetin në rajon”. Në korrik, Hoxhaj u ndalua gjatë kalimit në Serbisë në rrugën e tij drejt Bosnjës dhe Hercegovinës.

Ka pasur disa raste të arrestimit të shtetasve të Kosovës gjatë tranzitimit të Serbisë dhe Ministria e Jashtme në Prishtinë, ka akuzuar Beogradin për shkeljen e të drejtës së tyre për lirinë e lëvizjes dhe mbajtjen e listave të vjetruara të autorëve të dyshuar të krimeve të luftës.

“Autoritetet serbe operojnë me lista fiktive, me dosje fiktive, me raste fiktive, me juridiksion fiktiv”, këmbënguli Pacolli.

“Ne nuk pranojmë lista sikurse nuk e pranojmë as Kosovën si listë, ne dëshirojmë të sillemi sikurse secili vend demokratik evropian”, tha ai.