Qendra multifunksionale “OMNI Sport”, Mitrovicë. Foto: Kallxo.com
Nxënëset nga Nju Jorku, bibliotekë për të rinjtë shqiptarë e serbë në Mitrovicë
Tara dhe Maya Phillips dy vajza nga Nju Jorku kanë vendosur që të kontribuojnë për të rinjtë e Kosovës
Ato në Mitrovicë do të hapin një bibliotekë në qendrën multifunksionale “OMNI Sport”.
Vajzat Phillips janë nxënëse të klasës së 8-të në Shkollën e Masters në Westchester të Nju Jorkut.
Motrat Phillips po planifikojnë që në Mitrovicë të hapin një bibliotekë të cilën të rinj të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Mitrovicë mund ta shfrytëzojnë si vend në të cilin do të mund të mësojnë, studiojnë dhe bashkëveprojnë.
Ato e kanë vizituar Kosovën për rreth një javë në muajin mars me qëllim që të bëjnë restaurimin e bibliotekës së Mitrovicës si një vend ku shqiptarët dhe serbët e Kosovës mund të bashkëveprojnë ndërmjet vete.
“Ne vizituam Kosovën për një javë në mes të marsit. Qëllimi i udhëtimit tonë ishte për të shqyrtuar restaurimin e bibliotekës së Mitrovicës si një vend ku shqiptarët e Kosovës dhe serbët e Kosovës mund të lexojnë, studiojnë dhe bashkëveprojnë. Gjithashtu shpresojmë që Biblioteka të jetë një hapësirë e sigurt për të nxitur një shoqëri multietnike të përbashkët. Më shumë se një Bibliotekë, projekti ka potencial për të promovuar ndërtimin e paqes”, kanë thënë ato për KALLXO.com.
Ndërsa përveç lidhjes së shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës, projekti është gjithashtu një mënyrë për të lidhur rininë e Kosovës me miqtë në Shtetet e Bashkuara.
Tara dhe Maya nxënëse të klasës së 8-të në Nju Jork kanë organizuar koktej me ç’rast kanë mbledhur fonde për projektin me anë të së cilit duan të bëjnë funksionalizimin e kësaj biblioteke në Qendrën Multifunksionale “OMNI Sport” në Mitrovicë.
Tani ato janë kthyer në Nju Jork për të vazhduar mbledhjen e fondeve duke bashkëpunuar edhe me miqtë, familjen dhe anëtarët e komunitetit shqiptaro – amerikan.
Motrat Phillips kanë thënë se po kanë vështirësi në projekt por se ato janë të vendosura që ta çojnë deri në fund atë çfarë tashmë e kanë filluar.
Gjatë udhëtimit të tyre në Mitrovicë kanë vizituar vendet e mundshme për bibliotekën.
Ndërsa si hapësirë më të përshtatshme e kanë parë atë në Qendrën “OMNI Sport” në anën jugore të lumit Ibër.
“Kjo hapësirë ka nevojë për punë, por ka potencial të madh. Ajo përfshin një pishinë, një fushë basketbolli dhe shumë hapësirë të papërdorur. Ka plane për të renovuar tavanin e dëmtuar, dritaret e reja do të zëvendësohen me ato të vjetra. Do të instalohet gjithashtu një sistem ngrohjeje, ventilimi dhe ajri “, kanë thënë ato për KALLXO.com.
Motrat Phillips kanë takuar dy grupe të studentëve shqiptarë dhe serbë për të biseduar lidhur me projektin.
Ato këtë kanë shprehur dëshirën ta bëjnë në një takim të përbashkët por kjo ka qenë e pamundur “për shkak të frikës dhe mosbesimit”.
“Kemi takuar studentë shqiptarë dhe serbë në të dy anët e urës. Ne diskutuam për idetë dhe pikëpamjet e tyre, dhe se si projekti mund të ketë marrëdhënie më të mira mes dy komuniteteve. Ne ftuam të dy grupet e studentëve që të vijnë së bashku dhe të takohen me ne për drekë. Megjithatë, ka shumë frikë dhe mosbesim kështu që duhej t’i takonim të dy grupet veç e veç. Kuptuam nga të dyja ata që janë të interesuar për aktivitete ndërkombëtare dhe për argëtim “, kanë shtuar tutje motrat Phillips.
Kurse për detajet e projektit kanë biseduar edhe me Kryeministrin Ramush Haradinaj i cili ishte entuziast për qëllimet e projektit.
Duke shprehur dashurinë e tyre për Kosovën Tara dhe Maya Phillips edhe pse tashmë janë kthyer në Nju Jork, kanë thënë se do të kthehen në Kosovë kur të restaurohet biblioteka dhe do të vijnë në Mitrovicë me rastin e ceremonisë së hapjes.
“Edhe pse jetojmë në Nju Jork, ndihemi afër Kosovës. Vizita në Mitrovicë ishte një përvojë e mrekullueshme. Do të kthehemi në Kosovë kur të restaurohet biblioteka e Mitrovicës dhe të bashkohemi ne ceremoninë e hapjes. Ne shpresojmë që ndarjen e emocioneve me studentët e tjerë atje dhe të shohim miqtë e tjerë në Kosovë. Amerika ka një mik të madh në Kosovë dhe po ashtu, Kosova ka një mik të madh në Amerikë “, kanë thënë zonjushat Phillips për KALLXO.com.