Njihuni me kandidaten që i ka të gjithë familjarët e punësuar dhe premton fuqizimin e gruas

Arbanë Hajdaraj, kandidate për deputete të Kuvendit të Kosovës nga Nisma Socialdemokrate, në një intervistë për KALLXO.com, ka thënë se gratë do të ndjejnë më së shumti përkrahjen e saj, në rast se do të bëhet ligjvënëse.


Hajdaraj ka shtuar se do të jepte dorëheqje nga posti i deputetes nëse ndaj saj do të ngritje aktakuzë si dhe do ta votonte rrëzimin e qeverisë në rast se kryeministri do të ketë aktakuzë.

Ajo është përgjigjur me “Jo” në pyetjen nëse do të votonte për një qeveri me 15 ministri, ndërkaq vlerëson se një dikaster duhet të ketë vetëm një zëvendësministër.

Kandidatja nga radhët e Nismës, e ka të vështirë të zgjedh nëse është për apo kundër termocentralit të tretë me qymyr.

“Është pak e vështirë. Mund të them po edhe jo. Po të them jo, kemi një problem me energjinë elektrike. Nuk mund të marr ndonjë vendim. Jam kundër djegies së qymyrit sepse e di  që ka qenë një ndotje shumë e madhe për ambientin tonë”, tha ajo për KALLXO.com.

Ndërkaq, ka shtuar se është kundër djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit, si dhe përdorimit të qeseve të plastikës.

Hajdaraj ndër të tjerash, ka thënë se është kundër shitjes së Telekomit të Kosovës, por është për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit.

Kandidatja për ligjvënëse të ardhshme thotë, se është kundër shkëmbimit të territoreve e Serbinë si dhe heqjes së taksës ndaj produkteve serbe e boshnjake, në situatën aktuale.

Kandidatja nga Nisma Socialdemokrate ka theksuar se është pro martesave në mes së gjinisë së njëjtë, si dhe përkrahë po ashtu bartjen e shamive në shkolla.

Ajo ka përgjigje pozitive edhe për ridizajnimin e skemës për veteranët e luftës si dhe për heqjen e kartonit të gjelbër për diasporën.

Ajo për KALLXO.com ka treguar edhe se cila është kauza që do e shtyjë përpara, në rast se do të bëhet deputete.

“Gjithë jetën time i kam shërbyer familjes, prindërve, kolegëve, bashkëpunëtorëve. Ideali im për ti shërbyer popullit dhe gjithë qytetarëve pa dallim feje, pa dallim në gjuhë, etnicitet, më ka bërë mua që sot të fillojë rrugëtimin tim edhe në politikë”, thotë ajo.

Hajdaraj e cila për herë të parë kandidon për deputete, thekson se do të vazhdonte ta mbante pozitën e ligjvënëses, nëse i merr votat e nevojshme në zgjedhjet e 6 tetorit.

Sipas saj, këto janë tri amendamentet e para që do t’i propozonte.

“Amendamenti i parë ka me qenë në reformat në skemën pensionale. Pastaj reforma në pakot sociale si dhe të punojmë sa më shumë për fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri”, theksoi ajo në intervistën për KALLXO.com.

Prizrenasja e cila është e bindur se nuk do ta ndërrojë partinë politike, foli edhe për problemet me të cilat përballet komuna e saj.

“Probleme ka shumë, por problemi kryesor është që të punohet sa më shumë në zhvillimin e turizmit, sepse kohëve të fundit është një numër i madh i turistëve nga e gjithë bota që vijnë dhe e vizitojnë Prizrenin. Duhet të nxisim sa më shumë projekte në këtë drejtim”, theksoi tutje ajo.

Kandidatja e Nismës ka treguar edhe të hyrat mujore si dhe pasurinë familjare.

“Kemi një shtëpi ku jetojmë unë, bashkëshorti dhe tre fëmijët e mi. Kemi dy vetura. Për momentin bashkëshorti e ka një biznes dhe dy vajzat e mia punojnë, djalin e kam në shkollë të mesme. Të hyrat mujore janë diku 2 mijë euro”, ka thënë ajo për KALLXO.com.

Hajdaraj ndër të tjerash ka shtuar se herën e fundit kur është sëmurë, është shëruar në spital privat, si dhe ka treguar se ku do vizitohet, në rast se bëhet deputete.

“Fatkeqësisht është për të ardhur keq sot sistemi i shëndetësisë ne e dimë në çfarë gjendje është. Ndonjëherë hasim edhe në pamundësi për me gjet shërim në spitalet tona atëherë kërkojmë qasje edhe në spitale private. Tani nuk e di varet prej rastit. Kur kemi të bëjmë  me ndonjë problem më të vogël, i kemi ambulantat tona, spitalet të cilat mund ta kryejnë”, është shprehur ajo.

Më poshtë e gjeni intervistën e plotë me kandidaten e Nismës Socialdemokrate, Arbanë Hajdaraj:

Kallxo.com: Cila është kauza që keni me e shty nëse boheni deputet?

Arbanë Hajdaraj: Gjithë jetën time i kam shërbyer familjes, prindërve, kolegëve, bashkëpunëtorëve. Ideali im për ti shërbyer popullit dhe gjithë qytetarëve pa dallim feje, pa dallim në gjuhë, etnicitet, më ka bërë mua që sot të fillojë rrugëtimin tim edhe në politikë.

Kallxo.com: Nëse e merrni mandatin a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu me ndonjë post tjetër?

Arbanë Hajdaraj: Ko me vazhdu me qenë deputete.

Kallxo.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?

Arbanë Hajdaraj: Duhet të shiqojmë të rregullojmë taksat që kanë të bëjnë me importet e lëndës së parë. Aty mendoj se duhet të jemi më tolerant në mënyrë që të ndihmojmë dhe stimulojmë prodhimin në Kosovë.

Kallxo.com: Cilat janë tri amandamentet e para që keni me i propozu?

Arbanë Hajdaraj: Amandamenti i parë ka me qenë në reformat në skemën pensionale. Pastaj reforma në pakot sociale si dhe të punojmë sa më shumë për fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri.

Kallxo.com: Cilat janë tri problemet/nevojat kryesore e komunës prej nga vini?

Arbanë Hajdaraj: Probleme ka shumë, por problemi kryesor është që të punohet sa më shumë në zhvillimin e turizmit, sepse kohëve të fundit është një numër i madh i turistëve nga e gjithë bota që vijnë dhe e vizitojnë Prizrenin. Duhet të nxisim sa më shumë projekte në këtë drejtim.

Kallxo.com: A ka gjasa me e nderru partinë ku jeni tash?

Arbanë Hajdaraj: Jo.

Kallxo.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?

Arbanë Hajdaraj: Nëse ka me qenë e nevojshme.

Kallxo.com: Cili grup i diskriminuar do ta ndjenë më së shumti përkrahjen tuaj si deputet?

Arbanë Hajdaraj: Është gruaja.

Kallxo.com: Çka do të bëni për përmirësimin e ambientit (mjedisit) dhe ajrit të ndotur në Kosovë?

Arbanë Hajdaraj: Nisma Socialdemokrate ka bërë një punë shumë të mirë gjatë këtyre viteve mandat që ka qenë në qeveri. Ka ndaluar pothuajse ndjegien e qymyrit në të gjitha shkollat. Do të vazhdojmë edhe tutje të përkrahim atë iniciative që të mos na mbetet asnjë shkollë që nxehet apo bënë djegien e qymyrit.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?

Arbanë Hajdaraj: Është pak e vështitrë. Mund të them po edhe jo. Po të them jo, kemi një problem me energjinë elektrike. Nuk mund të marr ndonjë vendim. Jam kundër djegies së qymyrit sepse e di  ko me qenë një ndotje shumë e madhe për ambientin tonë.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR djegjes së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?

Arbanë Hajdaraj: Jam kundër.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR përdorimit të qeseve të plastikës?

Arbanë Hajdaraj: Kundër.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR shitjes së Telekomit të Kosovës?

Arbanë Hajdaraj: Kundër.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të autostradës së Dukagjinit?

Arbanë Hajdaraj: Për.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR shkëmbimit të territoreve me Serbi?

Arbanë Hajdaraj: Kundër.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së tarifës me Serbinë?

Arbanë Hajdaraj: Nëse ko me ardh në shprehje një modalitet tjetër, por jo, deri në këtë kohë jo. Jam kundër heqjes së taksës.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?

Arbanë Hajdaraj: Jam shumë pro ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjt e Kosovës.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?

Arbanë Hajdaraj: Është pak e vështirë të përgjigjesh me një përgjigje të vetme. Nëse ekzistojnë kushtet, nëse kemi kuadër sa duhet, pse të mos akreditohen dhe pse të mos kemi universitete sa më shumë.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR monopolit në homoligim?

Arbanë Hajdaraj: Kundër.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR martesave në mes të gjinisë së njëjtë?

Arbanë Hajdaraj: Pro.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR bartjes së shamive në shkolla?

Arbanë Hajdaraj: Pro.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR kuotës për deputetë nga diaspora?

Arbanë Hajdaraj: Pro.

Kallxo.com: A je PËR apo KUNDËR ridizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzu?

Arbanë Hajdaraj: Pro.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së kartonit të gjelbërt për diasporën?

Arbanë Hajdaraj: Pro.

Kallxo.com: Kush po ua financon fushatën?

Arbanë Hajdaraj: Askush, vetë.

Kallxo.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajtë gjatë kohës kur jeni deputet/ministër?

Arbanë Hajdaraj: Kam dhënë dorëheqje nga puna e cila kam punuar, sepse aty ku kam punu nuk është e lejuar të merresh me aktivitet politik. Për momentin jam e pa punë dhe tani jam e angazhuar 100 për qind për partinë. Do te jëm vetëm deputete, në shërbimin e qytetarëve tanë.

Kallxo.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?

Arbanë Hajdaraj: Kemi një shtëpi ku jetojmë unë, bashkëshorti dhe tre fëmijët e mi. Kemi dy vetura. Për momentin bashkëshorti e ka një biznes dhe dy vajzat e mia punojnë, djalin e kam në shkollë të mesme. Të hyrat mujore janë diku 2 mijë euro.

Kallxo.com: A e keni pasurine e perbashket me grune/burrin? Nese jo, a keni me e regjistru bashkarisht?

Arbanë Hajdaraj: Po e kemi, e kemi të regjistruar.

Kallxo.com: Heren e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru, në spital privat apo publik?

Arbanë Hajdaraj: Në spital privat.

Kallxo.com: Ku keni me shku kur të bëheni deputete nëse sëmureni?

Arbanë Hajdaraj: Fatkeqësisht është për të ardh keq sot sistemi i shëndetësisë ne e dimë në çfarë gjendje është. Ndonjëherë hasim edhe në pamudnësi për me gjet shërim në spitalet tona atëherë kërkojmë qasje edhe në spitale private. Tani nuk e di varet prej rastit. Kur kemi të bëjmë  me ndodnjë problem më të vogël, i kiemi ambulantat tona, spitalet të cilat mund ta kryejnë.

Kallxo.com: Fëmijët tuaj a janë në shkolla publike apo private?

Arbanë Hajdaraj: Jo, të tre fëmijët e mi kanë shkuar në shkolla publike dhe dy vajzat e mia i kanë përfunduar universitetin në Prishtinë në Universitetine  Prishtinës.

Kallxo.com: Sa familjarë i keni të papunë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që e merr mandatin?

Arbanë Hajdaraj: Të gjithë familjarët e mi punojnë. Kanë bizneset e tyre të gjithë punojnë.

Kallxo.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbet nën qeverisjen shtetërore?

Arbanë Hajdaraj: Mendoj se Trepça duhet të mbetet nën qeverisjen e shtetit.

Kallxo.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?

Arbanë Hajdaraj: Do të angazhohem shumë për fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri dhe për ndihmën që duhet ti japim dhe angazhimin më të madh për fëmijët me nevoja të veçanta. Aty do të jem shumë strikte.

Kallxo.com: Cili ka me qenë projekti/puna me të cilën keni me lanë gjurmë/trashëgimia juaj si deputet?

Arbanë Hajdaraj: Ashtu siç e thash, qëllimi im gjithmonë ka qenë që të jem në shërbimin e qytetarëve të mi. Po aty ku unë mendoj se do të kem qasjen më të mirë dhe do të lë gjurmë është ta ngrisim gruan tonë dhe ti tregojmë botës se ajo mundet, e ka guximin dhe është e zonja të bëjë punën baraz me burrin.

Kallxo.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?

Arbanë Hajdaraj: Më ke bërë një pyetje të vështirë. Është hera e parë që unë kam filluar të merrem me politikë. Do të jem shumë e zëshme dhe do të mundohem të jap maksimumin. Nuk mund të them sa. 200.

Kallxo.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajt gjatë një viti/mandati?

Arbanë Hajdaraj: Nuk e di, por duhet të jetë një shifër shumë e madhe. Nuk mund të them tani diçka të tillë, por gjatë vitit, ndoshta do të jetë një numër 6 shifror.

Kallxo.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?

Arbanë Hajdaraj: Pikërisht këtu duhet të punojmë shumë dhe ta gjejmë një mes. Populli ynë është shumë i varfër dhe nuk mund të jetë në atë gjendje të blejë një makinë të re. Prandaj duhet të bëjmë një zgjedhje të mirë dhe një vendim të ri të marrim. Mirëpo ia vlen që një veturë e cila është me e vjetër se 12 vite ose 15 vite të mos lejohet të qarkullojë nëpër rrugë.

Kallxo.com: Sa dëgjime publike keni me i iniciu ne komisionet ku keni me qene pjese?

Arbanë Hajdaraj: Nuk mund të them ndonjë përgjigje, nuk e kam mendu por edhe ato do të jenë të shumta. Besoj që do të jenë të shumta.

Kallxo.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritet aktakuzë?

Arbanë Hajdaraj: Po.

Kallxo.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë?

Arbanë Hajdaraj: Po.

Kallxo.com: A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?

Arbanë Hajdaraj: Jo.

Kallxo.com: Sa zv.ministra duhet t’i ketë një ministri?

Arbanë Hajdaraj: Një.

Kallxo.com: A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike & shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?

Arbanë Hajdaraj: Jo.

Kallxo.com: A keni me i bo transparente fondet e partisë?

Arbanë Hajdaraj: Patjetër.

Kallxo.com: A keni me i hape dokumentet/faturat në kuvend/ministri?

Arbanë Hajdaraj: Patjetër.