Koperina e librit "Triptikon arbëresh" nga Arben Veselaj

Në gjurmët e "botës së harruar" arbëreshe

Katundet e Kalabrisë e kanë frymëzuar gazetarin dhe studiuesin letrar Arben Veselaj të shkruajë librin “Triptikon Arbëresh.”

Në gjurmim të gjenezës së letërsisë shqipe, Veselaj ka sjellë një rrëfim, siç e quan ai, “flashback” i filleve të kësaj letërsie.

Autori në një intervistë për KALLXO.com ka shpalosur ekspeditën e tij deri në botimin e këtij libri, i cili e bën të gjallë botën “e harruar” arbëreshe.

“Udhëtimi në botën arbëreshe për një gazetar – albanolog do të thotë më shumë sesa një udhëtim ekspeditiv, sepse papritmas të zbulohet “i gjallë” trualli ku lindën idetë e qytetërimit modern shqiptar”, tha Veselaj.

Ai tha se bota arbëreshe ka qenë gjithmonë një lloj ekzotizmi për çdo gazetar dhe udhëpërshkrues, dhe të rrallë kanë qenë ata që kanë mundur ta frenojnë yshtjen e të mos shkruajnë për të.

Veselaj tha se viset e hirnosura të gjeografisë kalabreze që i kishte kaptuar në leximet e pionierëve të romantizmit shqiptar ia nxitën kureshtjen për të rrëmuar në letërsinë arbëreshe, për të nxjerrë një kuptimësi e interpretim ndryshe nga ai tradicional –historik.

Kopertina e librit “Triptikon arbëresh” nga Arben Veselaj

Përmes shtjellimit të “Triptikon arbëresh”, autori është munduar të diskutojë për padrejtësitë që historiografia shqiptare ia ka bërë botës arbëreshe, duke u përqasur në fondin historik, ikonik dhe estetik.

“Jo rrallë nëpër tekstet e historisë së letërsisë ndeshim formulimin në formë titulli ose nëntitulli, të tipit si: “Letërsia e arbëreshëve të Italisë si degë e letërsisë shqiptare”, thotë Veselaj.

Sipas tij, vet bota arbëreshe është zanafilla e letërsisë shqipe, duke filluar nga drama e parë shqipe “Emira” e Anton Santorit, poema epiko-lirike “Këngët e Milosaos” e Jeronim de Radës e cila e bëri gjuhën shqipe gjuhë të letërsisë, e autorët si Zef Serembe, Gavril Dara i Ri etj.

“Si mund të jetë degë letërsia arbëreshe, kur vepra e parë letrare në gjuhën shqipe është shkruar nga një autor arbëresh në Itali?”, pyeti në mënyrë retorike ai.

Këtë “short history”, Veselaj tha se në një version alternativ, do mund ta quante “Tri rrëfenja arbëreshe”.

“As krejt reportazh, as udhëpërshkrim i plotë, as rrëfim i pastër, as prozë dokumentare… por të gjitha nga pak, të shkrira në një triptikon gjithëpërfshirës dritë-hijesh arbëreshe”, tregoi Veselaj.

Ndërsa, për fabulën e “triptikonit” ai tha se lidhet me një ikonë e cila është e përhapur në muret e kishave bizantine arbëreshe, ka tri faqe që lidhen me spango në formën e një libri. Këtë term autori e ka përdorur për të përqasur sfondin historik, estetik dhe atë ikonik të arbëreshëve.

“Në faqet e triptikonëve të traditës bizantine zakonisht paraqiten shenjtorët e krishterë, por në traditën e Kishës Arbëreshe, jo rrallë, paraqitet edhe heroi kombëtar i shqiptarëve: Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” shpjegoi ai.

Veselaj shprehu pakënaqësinë për përdorimin e arbërishtes dhe mungesën e studimeve të albanologëve në këtë fushë.

Arben Veselaj në bibliotekën e Kolegjit të Shën Adrianit në Shën Mitër Koronë/Itali; Fotografi: Arben Veselaj

Sipas tij, kjo gjuhë po vdes para syve tanë edhe pse në Itali me ligj lejohet mësimi i arbërishtes në shkolla publike.

Ai tha se nuk është çudi që pas dy dekadash do të flitet për të si gjuhë e vdekur, gjuhë legjendare që me shkencë e letërsi e lartësoi shpirtin e popullit arbëror.

“Katundet legjendare arbëreshe dita-ditës po i mbyt vetmia dhe braktisja, prandaj institucionet shkencore, por edhe ato politike të dy shteteve shqiptare, në Tiranë dhe në Prishtinë, duhet të bëjnë më shumë për vëllezërit tanë arbëreshë”, u shpreh ai.

Për të, vizita në Kalabri dhe shkrimi këtij libri ishte si të kishte udhëtuar në kohë për 600 vite mbrapa, atëherë kur në Arbërinë e vjetër gjuha shqipe tingëllonte më të butë, më skofiare.

“Njerëzit që takoja në rrugë flisnin me një shqipe të çuditshme. Edhe pse shumica nuk ia thoshin mirë arbërishtes, megjithatë ngulnin këmbë të flisnin në gjuhën e vjetër. Nuk më ndienin aspak për të huaj ku më thoshin: Mirë se erthit në Arbëri!” rrëfeu ai.

Veselaj me një triptikon tjetër përshkroi muret e vjetra të shtëpive arbëreshe si fisnike, ekzaltuese e të përjetshme.

Ndërsa, botën arbëreshe e cilësoi si një atdhe tjetër i yni, që dëshmon qytetërimin e humbur evropian.