Ministri hungarez: Jemi shtet kundër emigracionit

Në një intervistë me BIRN, Peter Szijjarto mbron manovrat e Hungarisë për të goditur OJQ-të që ndihmojnë refugjatët dhe emigrantët, lëvdon mënyrën si i trajton Serbia minoritetet – dhe thotë që nuk e kupton përse BE po e zvarrit çështjen e anëtarësimit të Malit të Zi.

Ndërsa Hungaria miraton ligje ndëshkuese për organizatat që ndihmojnë emigrantët dhe refugjatët, Ministri i Jashtëm i Hungarez nga partia në pushtet e Fidesz, tha për BIRN se Hungaria është një shtet ‘’kundra-emigracionit’’.

39-vjeçar, Peter Szijjarto thotë se çështja e emigrantëve dhe refugjatëve është në krye të agjendës, kur vjen puna tek marrëdhëniet me fqinjët, bashkë me pozicionin dhe statusin e Hungarezëve që jetojnë në rajon.

Ministri i Jashtëm i lëvdon marrëdhëniet me Serbinë nën Presidentin Aleksandar Vuçiq, por tha se marrëdhëniet me Kroacinë ngelen të hidhura nga konflikti me kompaninë energjetike të Kroacisë INA.

Organizatat ‘pro-emigrantëve’ duhen etiketuar si të tilla

Szijjarto foli me BIRN më 18 qershor në margjinat e një konference në Këshillin e Europës në Strasburg, vetëm disa ditë pasi disa aktivistë pro-qeveritarë vendosën afishe me shkrime: ‘’Një organizatë që mbështet emigracionin’’ përballë zyrave të OJQ-ve të ndryshme të të drejtave të njeriut në Budapest.

Hungaria kaloi një paketë ligjesh që e konsiderojnë vepër penale nëse personat ndihmojnë azilkërkuesit më 20 qershor.

Afishet ishin lidhur nëpër dyert e OJQ-ve mbarë Budapestit, nga politikanë dhe aktivistë nga partneri i ri i koalicionit në qeverisje, Partia Popullore Demo-Kristiane.

‘’Organizatat që mbështesin emigracionin nuk duhet ta fshehin këtë gjë dhe nuk duhet të befasohen nëse dikush e vë në pah këtë’’, tha Szijjarto, duke e mbrojtur veprimin.

I pyetur nëse një afishe e ngjashme do të ngjitej pranë zyrës së BIRN – nëse do të kishte një zyrë në Budapest – Szijjarto u përgjigj duke pyetur nëse BIRN ishte ‘’pro-emigracionit’’.

‘’Kemi një debat të hapur këtu mes qeverisë dhe organizatave të cilat e konsiderojnë veten si OJQ, edhe pse nuk jam i sigurt nëse ‘J’ është e përshtatshme apo jo’’, tha ai.

‘’Ne debatojmë me organizatat ndërkombëtare mbi çështjen e emigracionit. Ne jemi një vend kundra-emigracionit dhe shpesh stigmatizohemi në mënyra të ndryshme në median ndërkombëtare, me akuza të padrejta po ashtu’’, shtoi Szijjarto.

Szijjarto tha se shumë OJQ janë ‘’armiqësore ndaj Hungarisë’’ dhe kanë vepruar si ‘’parti opozitare’’ gjatë zgjedhjeve të përgjithshme në Prill.

‘’Ato bënë fushata të hapura kundra qeverisë mbi çështjen e emigracionit’’, këmbënguli ai.

‘’Mendoj se këto organizata, të cilat janë kaq shumë pro transparencës dhe hapjes, duhet ta pranojnë që konsiderohen organizata pro-emigracionit në Hungari. Nuk është kanosje’’, vijoi ai.

Asnjë emigrant ilegal nuk do të hyjë në vend

Hungaria është kritikuar nga ndërkombëtarët për qëndrimin e saj mbi emigracionin, sidomos për kundërshtimin e saj për të pranuar refugjatët dhe azilkërkuesit nga Lindja e Mesme. Ishte i pari shtet i BE-së që ngriti një rrethojë kufitare në 2015-ën, në kulmin e fluksit të refugjatëve në Evropë.

Organizatat për të drejtat e njeriut dhe ato bamirëse ndërkombëtare e kanë dënuar Hungarinë për zmbrapsje të paligjshme, duke ia mohuar njerëzve të drejtën për të kërkuar azil.

Por Szijjarto këmbënguli se qëndrimi i Hungarisë mbi emigracionin është i thjeshtë: ‘’asnjë emigrant i jashtëligjshëm nuk mund të hyjë në territorin tonë’’, tha ai.

‘’Mënyra e vetme për të hyrë në Hungari është ajo e ligjshme. Ne i marrim seriozisht kërkesat për azil dhe kemi kapacitetin për t’i hulumtuar, në mënyrë që të mos ndodhë që qindra mijëra njerëz të vijnë’’, theksoi ai.

Pasi Turqia e pezulloi marrëveshjen për ri-pranimin e refugjatëve me Greqinë në fillim të këtij muaji, Szijjarto e sheh gjithë situatën si ‘’të tmerrshme’’, me hapjen e një rruge të re të emigrantëve përgjatë Bosnjës dhe Hercegovinës.

‘’Dikush e konsideron që veprimtaria e tyre në Ballkan po forcohet dhe politikat e Mesdheut dhe Evropës janë njëfarë ftese për ata që duan të vijnë në Evropë. Kurdo që politikanët Evropianë flasin për kuota apo zhvendosje, është një ftesë’’, tha ai.

Ai tha se BE duhet t’i mbrojë kufijtë e saj të jashtëm dhe të vendosë një sistem të pikave kyçe – vende jashtë zonës së lirë të Shengen ku mund të merren vendime për azil për refugjatët.

Sipas Szijjarto, Hungaria do që fqinjët e Sirisë si Iraku, Jordania, Libani të merren me refugjatët, në mënyrë që ata të rikthehen lehtësisht në shtëpitë e tyre pasi konflikti në Siri të përfundojë.

‘’Në këtë rast, ne mbështesim dhënien e ndihmës aty ku duhet; eksporti i ndihmës atje, të mos e importojmë problemin këtu’’, njoftoi ai.

Ai tha që kjo ishte arsyeja përse Hungaria refuzoi sistemin e kuotave të propozuar nga Bullgaria, e cila mban presidencën e BE-së, herët këtë muaj.

‘’Ne nuk do të mbështesim kurrë asnjë lloj nisme që përmban kuotat. Kurrë. Ka pasur një referendum në Hungari (mbi kuotat) me një rezultat shumë të qartë; ka pasur zgjedhje tanimë me një rezultat shumë të qartë. Ne e llogarisim këtë si çështje sigurie’’, shtoi Szijjarto.

Në tetor të 2016-ës, Hungaria organizoi një referendum mbi sistemin e kuotave të propozuar nga Komisioni Evropian, që i caktonte çdo shteti anëtar një numër refugjatësh dhe azilkërkuesish, duke ia reduktuar barrën Italisë dhe Greqisë.

Edhe pse 98.36% e votuesve refuzuan kuotat në referendum, rezultati u mendua si jo detyrues meqë pjesëmarrja nuk e kaloi barrierën ligjore.

Ministri tha se refugjatët po kalojnë disa kufij dhe nuk po qëndrojnë, për shembull në Kroaci dhe Serbi, të cilat ai i sheh si shtete të qeta dhe të sigurta.

Kjo e vë atë në kundërti me UNHCR gjatë krizës në 2015-16, ku tha se nuk e shihte Greqinë, Maqedoninë dhe Serbinë si vende të sigurta për refugjatët.

‘’Asnjë nuk mund të përmendë një arsye pse duhet të tolerojmë njerëzit që shkelin kufijtë tona përmes Serbisë dhe Kroacisë; nuk ka luftë apo kërcënim për jetën atje’’, tha ai.

‘’Kjo sepse ata duan të shkojnë në Gjermani; pse duhet t’i lejojmë të kalojnë? Që të kthehen prapë te ne’’? Szijjarto pyeti në mënyrë retorike, duke këmbëngulur se duhet të ndalen në të parin shtet paqësor që hasin.

Serbia e parë si model në trajtimin e minoriteteve

Në konferencën në Strasburg, Szijjarto theksoi rëndësinë e të drejtave të minoriteteve kombëtare për Hungarinë.

Në intervistë, ai shpjegoi se si, gjatë historisë së saj (dhe përcaktimit ndëshkimor territorial të imponuar pas Luftës I Botërore), Hungaria ka minoritete të konsiderueshme në shtatë shtete fqinje – Slloveni, Kroaci, Serbi, Rumani, Ukrainë, Sllovaki dhe Austri.

‘’Pavarësisht faktit se Serbia nuk është ende anëtare e BE-së, i trajton minoritetet tona në mënyrën më të drejtë’’, tha ai, krahas të shtatëve.

‘’Serbia i trajton minoritetet tona në një mënyrë që duhet parë si shembull për shumë shtete anëtare të BE-së. Hungarezët gëzojnë një shkallë të lartë të drejtash në Vojvodinë, në Serbi’’, tha ai, duke iu referuar provincës veriore të Serbisë.

Ai shpjegoi se si para se Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministri hungarez Viktor Orban të ndryshonin gjërat, marrëdhënia mes dy shteteve ‘’ishte plot tensione, si pasojë e historisë’’.

Ai tha se përpjekjet e tyre të përbashkëta kanë arritur të jenë ‘’ndërruese të kursit’’ gjë që ka sjellë paqe dhe marrëdhënie të mira dypalëshe.

Kjo është arsyeja përse Hungaria ‘’mbështet përshpejtimin e bisedimeve të Serbisë për pranim në BE’’, nënvizoi Szijjarto.

Duke pasur parasysh minoritetin e gjerë hungarez në Rumani, ai tha se po bëhej progres në bisedimet me qeverinë rumune, në të cilën Aleanca Demokratike e Hungarezëve në Rumani është në koalicion.

‘’Kemi mjaft çështje për të zgjidhur. Siç është çështja e shkollave hungareze dhe përdorimi i gjuhës, por hap pas hapi po lëvizim përpara dhe po përjetojmë njëfarë vullneti politik nga ana e tyre për të ballafaquar sfidat’’, shtoi Szijjarto.

Ai theksoi se Hungaria, në përgjithësi e mbështet integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE ‘’sa më shpejt të jetë e mundur’’, meqë BE ka nevojë të zgjerohet për të ‘’mbrojtur fuqinë dhe konkurrencën’’.

‘’Miqtë tanë Evropiano-Perëndimorë nuk e kuptojnë natyrën e Ballkanit Perëndimor; nuk është faji i tyre, ata thjesht janë shumë më tutje se ne’’, tha ai.

 

‘’Ata nuk e mbajnë mend kohën e konflikteve të armatosura në Ballkanin Perëndimor, apo kur Kryeministri Vuçiq u sulmua në Srebrenicë në 2015-ën; ata nuk i kuptojnë këto tensione historike’’, sqaroi ai, duke kujtuar një incident ndaj një lideri serb në Bosnjë.

Mbi 130,000 njerëz u vranë gjatë luftës së viteve 1990 në ish Jugosllavi. Gjatë përkujtimit të përvjetorit të 20të të masakrës së boshnjakëve të Srebrenicës në Bosnjën lindore nga serbët boshnjakë në 1995-ën, një grup hodhi objekte drejt Vuçiq, duke e goditur atë në fytyre dhe duke ia thyer kështu syzet.

Si ish anëtar i Partisë Radikale Serbe, një e tillë nacionaliste e fortë, gjatë luftërave të 1990-ës, Vuçiq mbahej mend ende për deklaratat e tij luftënxitëse kundër boshnjakëve dhe kroatëve.

Por Szijjarto tha se Serbia ishte tanimë një ‘’faktor stabilizues’’ në rajon, në sajë të së cilit duhej përshpejtuar procedura e pranimit në BE. Ai gjithashtu dëshiron të përshpejtohet procedura për Malin e Zi në BE.

‘’Sa i përket Malit të Zi, nuk e kuptoj nga se ka frikë BE, është një shtet me 600,000 njerëz; nuk mund të jetë diçka e keqe apo me rrezik për BE-në’’, tha ai.

‘’Nuk e kuptojmë pse procedura e pranimit të Malit të Zi është kaq e ngadaltë. Nëse do ishte në dorën tonë, do i hapnim të gjithë kapitujt e negocimit me Serbinë dhe Malin e Zi këtë vit’’, sqaroi ai, duke thënë se kjo do i ndihmonte qeveritë e tyre pro-Evropiane.

Debati mbi INA-n ende i tendos marrëdhëniet me Kroacinë

Kur vjen fjala tek marrëdhëniet me fqinjët, Kroacia shfaqet si një marrëdhënie në telash.

Szijjarto tërhoqi vëmendjen për ndjesitë pozitive të Hungarisë kundrejt Kroacisë, duke thënë se marrëdhëniet janë bërë të ‘’hidhura’’ nga qeveria e kaluar e qendrës së majtë në vitin 2015 në Kroaci.

‘’Megjithatë, mendoj se kjo marrëdhënie mund të rritet dhe përmirësohet. Kur sheh statistikat, marrëdhëniet ekonomike janë përherë e më të ngushta, përditë e më tepër hungarezë shkojnë në Kroaci për pushime’’, shpjegoi ai.

Një nga problemet madhore mes Kroacisë dhe Hungarisë është zotërimi i kompanisë energjetike kroate, INA.

Në 2003 dhe 2008, kompania hungareze e energjisë MOL bleu një totaë prej 47.15% të aksioneve të INA-s duke e lënë shtetin kroat me 44.83%. MOL ndërmori menaxhimin e INA-s në 2009.

Megjithatë, në qershor të 2011-ës, zyra kundra-korrupsionit në Kroaci, USKOK, vërtetoi se dyshonte se ish kryeministri Ivo Sanader, nga 2003 në 2009 ka marrë ryshfet prej 10 milion eurosh nga shefi i MOL, Zsolt Hernadi, i cili në këmbim ka ndërmarrë të drejtat e menaxhimit të INA-s.

Ndërsa Sanader u dënua fillimisht dhe më vonë liruar nga Gjykata Kushtetuese e Kroacisë, në dhjetor të 2016-ës, Kroacia humbi procesin arbitrues kundrejt MOL para Komisionit të OKB-së mbi Ligjin e Tregtisë Ndërkombëtare, UNTRAIL, në Gjenevë.

Edhe pse Kroacia njoftoi menjëherë se do të blinte përsëri aksionet e INA-s në MOL, ideja nuk është realizuar.

‘’Çështja e INA-s është përfundimisht një barrë për marrëdhëniet dypalëshe. Shpresojmë se do të bëhet ndonjë marrëveshje mes MOL-it dhe qeverisë kroate, i urojmë fat në këto negociata dhe që këto të zgjidhen sa më shpejt të jetë e mundur’’, u përgjigj Szijjarto, kur u pyet për çështjen e INA-s.

Ai gjithashtu përmendi planin e Kroacisë për të ndërtuar një terminal për lëngëzimin e gazit natyror, LNG, në ishullin Krk, gjë që do të ndihmonte diversifikimin e burimeve të gazit në rajon – tanimë tejet të varur tek Rusia. Kjo është ‘’me rëndësi të lartë’’ për Hungarinë, e cila është e hapur për të blerë gaz nga Kroacia, tha ai.

‘’Kroacia nuk i ka kryer investimet në (tubacionet e gazit) ndërlidhësit në kufi, që mund të bënte Kroacinë të furnizonte Hungarinë me gaz. Ndërtimi i shpresuar për të ardhmen i portit LNG, nuk ka nisur po ashtu’’, vërejti ai.

‘’Ne presim që Kroacia do të marrë vendimet e duhura dhe t’i zbatojë në mënyrë që ta shohim Kroacinë si burim të gazit të diversifikuar’’, tha ai.

Si rrjedhojë e mosarritjes që Kroacia të zbatojë vendimin e gjykatës së arbitrazhit, Hungaria aktualisht ia ka bllokuar anëtarësimin Kroacisë në OECD, Organisation for Economic Cooperation and Development.

‘’Qeveria kroate e bëri shumë të qartë që nuk i intereson vendimi i arbitrazhit mbi MOL. Me këtë qasje, nuk mendoj që Kroacia mund të jetë anëtare e OECD’’, tha ai.

‘’Sapo Kroacia të zbatojë vendimet, gjë që shfaq se qeveria kroate respekton institucionet mbi të cilat OECD është ndërtuar, ne jemi të gatshëm për t’ju ndihmuar në rrugën tuaj drejt OECD’’, u përgjigj Szijjarto, kur u pyet nëse vetoja mund të hiqet.