Dikur shokë. Albin Kurti e Shpend Ahmeti festojnë fitoren e këtij të dytit në mandatin e ri në krye të Prishtinës

Kurti: Shpend Ahmeti s’ka çka lyp në zgjedhjet e ardhshme në Prishtinë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, në një intervistë të gjatë dhënë për KALLXO.com ka komentuar edhe punën e ish bashkëpartiakut të tij, Shpend Ahmeti.

Kurti thotë se në të kaluarën e kanë mbështetur për shkak të arsyeve ekipore e jo personale.

“Hyri në grupin antikushtetues, sepse ka dëshirë të madhe për pushtet më shume se sa për punë. Prishtina ka nevojë për punë, dhe në shumë aspekte mandati i tij i dytë është i dobët, krahasuar me të parin. Pra, ka zhgënjyer”, ka thënë Kurti në intervistën dhënë për KALLXO.com.

Madje, Kurti thotë se edhe vet Shpend Ahmeti e di se në zgjedhjet e ardhshme s’ka çfarë kërkon.

“Mendoj se edhe vetë e di që nuk ka as çka lyp në zgjedhjet e ardhshme lokale”, ka thënë tutje Kurti gjatë intervistës.

Intervistën e plotë të Albin Kurtit për KALLXO.com mund ta lexoni më poshtë:

Intervistë me Albin Kurtin: LVV dhe LDK duhet të bëhet qeveri e re

 

Shpend Ahmeti kishte qenë nga të fundit që u ishte bashkuar vagonit të të larguarave nga Lëvizja Vetëvendosje në valën e largimeve në muajt e parë të vitit të kaluar.

Ai ishte larguar nga Vetëvendosje pak ditë para se ta zyrtarizonte postin e kryetarit në partinë e Kaqusha Jasharit.

 

Shpend Ahmeti ishte zgjedhur kryetar i Prishtinës për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2013, duke e “rrëzuar” dinastinë e LDK-së në kryeqytet.

Ai e kishte rifituar mandatin përsëri në 2017, por me një rezultat tepër të ngushtë përballë Arban Abrashit.

Pak muaj më vonë, ai ishte larguar nga partia, në emër të së cilës ishte zgjedhur kryetar dy herë radhazi.

Vetëm 1 vit para se Shpend Ahmeti të kyçej në Lëvizjes Vetëvendosje, ai i kishte hyrë garës me një parti të re, të sapoformuar, ‘Fryma e Re’ (FER).

Në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2010, FER nuk kishte arritur as ta kalojë pragun e kërkuar prej 5% për të hyrë në Kuvend.