Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti - Foto: KALLXO.com

Kurti e quan 'marketing qesharak' vendimin e Veselit për zyrtarët me aktakuza

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka quajtur “marketing qesharak” vendimin e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, për t’i larguar nga partia dhe nga institucionet publike zyrtarët e PDK-së që kanë aktakuza.

Sipas Kurti, është Kadri Veseli ai që vendos se kush duhet të ketë aktakuzë e kush jo.

“Vendim i kotë, duke e ditur se në Kosovë Veseli e veselët janë ata që vendosin se kush ka e kush nuk ka aktakuza”, ka thënë Kurti në intervistën e dhënë për KALLXO.com

“Ky njeri vetë e ka pranuar që ka drejtuar për vite me radhë një organizatë kriminale si ShIK-u, dhe ende nuk e ka një aktakuzë. Pra, marketing qesharak”, ka thënë tutje ai.

Kurti pret që Kadri Veseli të ndërmarrë edhe hapa të tjerë, që ai i quan qesharakë.

“Kreu i PDK-së do të ndërmarrë edhe hapa të tjerë qesharakë, sepse s’ka ç’bën, e ka të domosdoshme të mbrohet prej rënies në vend të katërt”, ka thënë në mes tjerash Kurti gjatë intervistës.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli para disa javësh kishte marrë vendim që t’i largojë nga partia dhe nga pozitat publike të gjithë ata zyrtarë që kanë aktakuza.

Intervistën e plotë të Albin Kurtit për KALLXO.com mund ta lexoni më poshtë.

Intervistë me Albin Kurtin: LVV dhe LDK duhet të bëhet qeveri e re

www.kallxo.com