Konferenca 'Java e Albanologjisë', nesër nis edicioni i 15-të
Konferenca shkencore, “Java e Albanologjisë” që organizohet nga Instituti Albanologjik i Prishtinës (IAP) nis nesër, më 09.09.2024, edicioni e 15-të të saj në Prishtinë.
Gjatë tri ditëve, kumtesat e tyre do t’i shpalosin 92 studiues në pesë sesionet e kësaj konferencë, të ndara sipas degëve të albanologjisë.
Lulëzim Lajçi, ushtrues i detyrës së drejtorit të IAP-së, ka thënë për KALLXO.com se “Java e albanologjisë” është aktiviteti më i rëndësishëm shkencor i Institutit Albanologjik.
Lajçi ka thënë se deri tani janë realizuar katërmbëdhjetë edicione.
“Ky është edicioni i pesëmbëdhjetë që po mbahet sivjet, pra është edhe një mini-jubile. Themelimi i këtij aktiviteti shkencor është bërë sipas parimit që secila nga pesë degët e Institutit Albanologjik organizon një sesion shkencor njëditor”- tha ia.
Temat e sesioneve të javës, sipas Lajçit caktohen në fillim të vitit dhe përfshihen në planin e punës. IAP thotë ai, mund të organizojë këtë konferencë edhe me një temë bosht për të gjitha disiplinat albanologjike, sidomos me rastin e përvjetorëve të rëndësishëm që lidhen me të kaluarën dhe kulturën e shqiptarëve.
Edhe në edicionin e 15-të të “Javës së Albanologjisë”, sipas Lajçit janë paraparë pesë sesione shkencore, të ndara sipas disiplinave albanologjike, nga degët përkatës të IAP-së.
Dega e Gjuhësisë e IAP, organizon sesionin shkencor me temën bosht: Drejtshkrimi i shqipes 60 vjet pas ortografisë së Prishtinës.
“Praktika të reja kulturore në ritualet tradicionale përgjatë periudhës së pandemisë Covid-19”, është tema bosht e sesionit te Degës se Etnologjisë.
Dega e Letërsisë në këtë konference paraqitet me temën bosht, “Drama shqipe 1945-1990”. Kurse, “Xehetaria dhe aktivitetet minerare në Kosovë – refleksione historike” është tema bosht e sesionit të Historisë. Ndërsa, sesioni i fundit në këtë edicion të “Javës së Albanologjisë, është ai folkloristikes dhe etnomuzikologjisë me temën bosht, “Trashëgimia gojore e muzikore në arkiva: tekstet, zërat dhe tingujt e arkivuar para mundësive të reja teknologjike”.
Lajçi ka thënë se në këto pesë sesione kumtesat e tyre do t’i lexojnë 92 studiuese.
“Rëndësia parësore e kësaj konference padyshim janë rezultat shkencore. Me kumtesat që do te lexohen do te trajtohen çështje nga gjuhësia, letërsia, historia, folklori dhe etnologjia shqiptare, si edhe gjatë diskutimeve, do te paraqiten shumë mendime të vlefshme për studimet shqiptare në përgjithësi si edhe për vizionin për ardhmërinë që do ta ketë albanologjia në përgjithësi në të ardhmen”- ka pohuar, Lulëzim Lajçi, u.d.drejtorit të IAP-së.
Po, sipas tij, kjo konference shkencore është njëherësh një rast i mirë për të shpalosur rezultatet shkencore por edhe shkëmbim mendimesh nga studiuesit që merren me problemet e kulturës shpirtërore dhe materiale të popullit tonë
Ai thotë se punimet e prezantuara gjatë konferencës “Java e Albanologjisë” do të botohen, pasi siç ka thënë ai, pas një distance kohore vlerat e këtyre punimeve shkencore do të jetë akoma më të madhe.
“Deri me tani janë botuar materialet e 13 viteve kurse edicioni i 14 është në fazën e përgatitjes për shtyp. Pra, janë botuar rreth – mbi 12 mije faqe dhe tani gjenden në duart e lexuesve- ka thënë Lajçi.
Edicioni i 15-të i Javës së Albanologjisë” së IAP-së mbyllet më 11 shtator 2024.