Kandidatja për ligjvënëse premton përkrahje për fëmijët me autizëm
Menaxhimi i mbeturinave dhe riciklimi i tyre, do të jetë kauza që do të shtyjë përpara, kandidatja për deputete të Kuvendit të Kosovës, në zgjedhjet e 6 tetorit, nga Aleanca Kosova e Re (AKR), Sevdije Lama.
Ajo në një intervistë për KALLXO.com shpalosur planet e saj për përmirësimin e ambientit dhe ajrit të ndotur në vend.
“Meqenëse jam e angazhuar si këshilltare e ministrit të Mjedisit, i kemi marr disa hapa në këtë drejtim. Me iniciativën tonë ka ardh deri tash që bëhet matja e lirimit të gazrave. Do të mbledhim fonde për ti financuar automjetet elektrike si dhe transportin elektrik”, ka shtuar ajo.
Lama, e cila ka qenë deputete në legjislaturën e katër të Kuvendit të Kosovës, ka theksuar se çfarë amendamente do t`i propozojë në legjislativ, në rast se e merr mandatin.
“Meqenëse Ligji i zhurmës ka disa vite, afërisht tetë vite që nuk ka kaluar dhe u kthy në Parlament. Amendamentet për Ligjin e zhurmës, do t’i kem një prej amendamenteve”, tha ajo për KALLXO.com.
E pyetur se cili është grupi i diskriminuar në vend që do ta ndjente përkrahjen e saj si deputet, Lama ka thënë se do t’i ndihmonte fëmijët me autizëm.
Kandidatja për deputete ka thënë se fushatën po e financon vetë, përderisa ka shtuar se aktualisht e ka një vend pune si këshilltare në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, dhe një vend pune do ta mbajë edhe në të ardhmen.
Ish-deputetja ka folur edhe për martesat e gjinisë së njëjtë dhe për bartjen e shamive në shkolla.
Kjo është zgjedhje e tyre. Nuk kam një përgjigje”, ka thënë ajo për martesat në komunitetin LGBTI.
“Prapë kjo është zgjedhje e tyre, nuk e kundërshtoj”, ka qenë përgjigjja e saj për shamitë në institucione edukative-arsimore.
Lama ka shtuar se fëmijët e saj mësojnë në shkolla private, por sa do të ndikojë ajo në punësimin e familjarëve?
Ne jemi tre të punësuar për arsye se burri im e ka firmën private, bashkë me djalin punojnë dhe njërin djalë e kam student. Jo, a bsolut nuk kam asnjë rast në të cilin jam e involvuar, jam kundër nepotizmit”, ka thënë ajo për KALLXO.com.
Kandidatja e AKR-së është zotuar se do të jap dorëheqje nëse ndaj saj ngritet aktakuzë sa është deputete, kurse ka shtuar se do të votonte për rrëzimin e qeverisë edhe nëse ndaj kryeministrit rëndon ndonjë aktakuzë.
Kandidatja ka premtuar gjithashtu se do t’i hap faturat në rast se do të ketë pozitën në Kuvend ose Ministri.
Kjo është intervista e plotë me kandidaten për deputete nga radhët Aleanca Kosova e Re (AKR), Sevdije Lama:
KALLXO.com: Cila është kauza që keni me e shty nëse boheni deputete?
Sevdije Lama: Me qenë se Kosova ka problem mjaft të madh me menaxhimin e mbeturinave, mendoj se riciklimi do të jetë targeti jonë në të ardhmen, të cilën unë do të mundohen si deputete, ta shtyjë përpara.
KALLXO.com: Nëse e merrni mandatin a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu me ndonjë post tjetër?
Sevdije Lama: Gjithsesi deputete.
KALLXO.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?
Sevdije Lama: Sigurisht se taksat të cilat atakojnë jetën e qytetarëve, produktet bazike esenciale, ato duhet të ulen dhe produktet e luksit duhet të rriten taksat.
KALLXO.com: Cilat janë tri amendamentet e para që keni me i propozu?
Sevdije Lama: Meqenëse Ligji i zhurmës ka disa vite, afërisht tetë vite që nuk ka kaluar dhe u kthy në Parlament. Amendamentet për Ligjin e zhurmës, do t’i kem një prej amendamenteve.
KALLXO.com: Cilat janë tri problemet/nevojat kryesore e komunës prej nga vini?
Sevdije Lama: Komuna e Gjakovës është mjaft e atakuar prej luftës dhe nuk ka pasur ndonjë zhvillim të madh. Gjithsesi që kemi pasur largim të të rinjve nga papunësia. Do të kujdesem për këtë. Si çështje të dytë do ta kisha cek një deponi transferi atje që është e që ka telashe të mëdha Gjakova me të. Do të kujdesem të siguroj fonde për me i largu dhe për me i transferu deri të deponia e cila është në Landovicë. Si çështje të tretë do ta merrja rregullimin e shtratit të lumit Erenik e cila po shkon gjatë pjesës së qytetit por edhe nëpër fshatrat në të cilat kalon.
KALLXO.com: A ka gjasa me e ndërru partinë ku jeni tash?
Sevdije Lama: Kurrë, asnjëherë.
KALLXO.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?
Sevdije Lama: Nëse do të jetë nevoja për ndonjë problem i cili atakon qytetarët, sigurisht që po.
KALLXO.com: Cili grup i diskriminuar do ta ndjenë më së shumti përkrahjen tuaj si deputet?
Sevdije Lama: Fëmijët me autizëm. Projektet ose ligjet të cilat lidhen me ata, mendoj që ata do të jenë.
KALLXO.com: Çka do të bëni për përmirësimin e ambientit (mjedisit) dhe ajrit të ndotur në Kosovë?
Sevdije Lama: Meqenëse jam e angazhuar si këshilltare e ministrit të Mjedisit, i kemi marr disa hapa në këtë drejtim. Me iniciativën tonë ka ardh deri tash që bëhet matja e lirimit të gazrave. Do të mbledhim fonde për ti financuar automjetet elektrike si dhe transportin elektrik.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?
Sevdije Lama: Kundër.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?
Sevdije Lama: Kundër.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR përdorimit të qeseve të plastikës?
Sevdije Lama: Kundër, edhe këtu jemi duke punu në këtë drejtim.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shitjes së Telekomit të Kosovës?
Sevdije Lama: Jam kundër shtijës nëse do të ketë një menaxhim më të mirë e më të rregullt.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të autostradës së Dukagjinit?
Sevdije Lama: për.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shkëmbimit të territoreve me Serbi?
Sevdije Lama: Kundër.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së tarifës me Serbinë?
Sevdije Lama: Ne si parti jemi pro negociatave me Serbinë edhe nëse vjen deri te një mos arritje e marrëveshjes, sigurisht që jemi kundër.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?
Sevdije Lama: Jam kundër nëse ato ndërtohen në lumenj të cilët nuk i plotësojnë kushtet për me pas hidrocentrale.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?
Sevdije Lama: Nëse akreditimi do të bëhet në mënyrë të rregullt, por. Nëse nuk do të ketë anime politike.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR monopolit në homologim?
Sevdije Lama: Kundër.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR martesave në mes të gjinisë së njëjtë?
Sevdije Lama: Kjo është zgjedhje e tyre. Nuk kam një përgjigje.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR bartjes së shamive në shkolla?
Sevdije Lama: Prapë kjo është zgjedhje e tyre, nuk e kundërshtoj.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR kuotës për deputetë nga diaspora?
Sevdije Lama: Gjithsesi duhet të ketë deputetë, domethënë jam për.
KALLXO.com: A je PËR apo KUNDËR ridizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzuar?
Sevdije Lama: Për, po. Meqenëse ka pas abuzime, jam për.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së kartonit të gjelbër për diasporën?
Sevdije Lama: Për.
KALLXO.com: Kush po ua financon fushatën?
Sevdije Lama: Vetë.
KALLXO.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajt gjatë kohës kur jeni deputet/ministër?
Sevdije Lama: Momentalisht e kam një vend pune dhe një do ta mbaj.
KALLXO.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?
Sevdije Lama: Të hyrat mujore të mijat duhen, e kam një page prej 760 euro. E kam një shtëpi në Gjakovë, një banesë në Prishtinë dhe një zyrë të cilën e përdor burri im që e ka firmën e vet private. Këto i kam dhe kanë qenë prej se kam hyrë në politikë.
KALLXO.com: A e keni pasurinë e përbashkët me gruan/burrin? Nëse jo, a keni me e regjistru bashkërisht?
Sevdije Lama: Po, e kemi. Jo të regjistruar se kemi, është në emër të bashkëshortit. Mendoj se nëse do të jetë nevoja po [do ta regjistrojmë]. S’e kemi problem këtë pikë.
KALLXO.com: Herën e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru, në spital privat apo publik?
Sevdije Lama: Publik, në spital regjional.
KALLXO.com: Ku keni me shku kur të bëheni deputet nëse sëmureni?
Sevdije Lama: Në të njëjtin vend.
KALLXO.com: Fëmijët tuaj a janë në shkolla publike apo private?
Sevdije Lama: Private.
KALLXO.com: Sa familjarë i keni të papunë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që e merr mandatin?
Sevdije Lama: Ne jemi tre të punësuar për arsye se burri im e ka firmën private, bashkë me djalin punojnë dhe njërin djalë e kam student. Jo, absolut nuk kam asnjë rast në të cilin jam e involvuar, jam kundër nepotizmit.
KALLXO.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbet nën qeverisjen shtetërore?
Sevdije Lama: Nëse do të ketë një menaxhim të mirë dhe do të ketë financim, do të gjendet një investitor i mirë, sigurisht që jam për me mbet si aset i joni shtetëror.
KALLXO.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?
Sevdije Lama: Nuk e di, varësisht cilat do të jenë aty projektet. Edhe e kushtëzoj nëse do të jetë nevoja.
KALLXO.com: Cili ka me qenë projekti/puna me të cilën keni me lanë gjurmë/trashëgimia juaj si deputet?
Sevdije Lama: Meqenëse jam vetë femër dhe 50 për qind e popullatës sonë të shtetit të ri është femra fatmirësisht, unë do t’i inkurajoj të gjitha gratë që të jenë më tepër prezente në jetën publike, institucionale e pse jo e dhe në pozita shtetërore të larta.
KALLXO.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?
Sevdije Lama: Sa herë që do të jetë nevoja.
KALLXO.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajt gjatë një viti/mandati?
Sevdije Lama: Vazhdimisht do të mundohem të jem pranë qytetarëve sepse ne shkojmë me besimin e votës së tyre. Gjatë kohës sa kam qenë deputete, ne vazhdimisht kemi mbajt dëgjime publike për ligje dhe ato janë dokumente të cilat ekzistojnë në parlament gjatë legjislaturës së katërt. I kemi përkrahë shumë debatet me qytetarë dhe prap do të vazhdoj me të njëjtin ritëm.
KALLXO.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?
Sevdije Lama: Ne si ministri e kemi përkrahë 10 vjet.
KALLXO.com: Sa dëgjime publike keni me i iniciu në komisionet ku keni me qenë pjesë?
Sevdije Lama: Dëgjimet publike janë edhe të parashtruara me ligj, është obligative me u mbajt dëgjime publike dhe po aq sa të jetë nevoja do t’i mbajmë.
KALLXO.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritet aktakuzë?
Sevdije Lama: Po, menjëherë.
KALLXO.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë?
Sevdije Lama: Po.
KALLXO.com: A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?
Sevdije Lama: Parimisht jo, për arsye se dhe ne si parti gjithmonë e kemi përkrahë një qeveri me më pak ministri. Po meqenëse nuk ka kaluar ligji, tash nuk mund të them që nuk do ta votoj. Te shohim varësisht prej situatës.
KALLXO.com: Sa zv.ministra duhet t’i ketë një ministri?
Sevdije Lama: Maksimumi 2.
KALLXO.com: A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike & shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?
Sevdije Lama: Jo, asnjëherë.
KALLXO: A keni me i bo transparente fondet e partisë?
Sevdije Lama: Po, edhe i kemi.
KALLXO.com: A keni me i hap dokumentet/faturat në kuvend/ministri?
Sevdije Lama: Po, patjetër.