Kandidatja e PDK-së: Në Kosovë nuk ka grupe të diskriminuara

Kandidatja e PDK-së për deputete të Kuvendit të Kosovës, Mexhide Mjaku- Topalli në një intervistë për KALLXO.com ka thënë se në Kosovë nuk ka grupe të diskriminuara.

Kjo pasi sipas saj, PDK ka punuar në këtë drejtim.

“Unë nuk besoj se ka grupe të diskriminuara në Kosovë për shkak se gjatë dy viteve të këtij mandati kam pasur takime të natyrave të ndryshme në qytete, dhe qe dy vite isha në Komisionin për Barazi Gjinore, kështu që kemi punuar së bashku me shoqëritë civile dhe kemi qenë zë i përbashkët në mënyrë që të kenë të drejta në qoftë se ka pasur ndonjë diskriminim”, ka thënë Mexhide Mjaku-Topalli.

Ajo tutje ka folur edhe për përdorimin e qymyrit, ku ka thënë se qymyri nuk përdoret nga qytetarët tanë.

“Nëpër shtëpi unë e di se nuk ka, ne po jetojmë qitu edhe po i shohim por në disa institucione ka pas por edhe aty e kanë eliminu përdorimin e qymyrit, edhe është konstatu se është ndotës i ajrit kështu që besoj që do të vetëdijesohen edhe qytetarët”, ka thënë ajo.

Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë të kandidaten e PDK-së, Mexhide Mjaku- Topalli:

KALLXO.com: Cila është kauza që keni me e shty nëse bëheni deputet?

Mexhide Mjaku- Topalli: Luftimi i korrupsionit, nepotizmit dhe ndalimi i emigracionit të të rinjve, gjë që po reflekton edhe po shihet se edhe partitë tjera po i referohen kauzës sonë.

KALLXO.com: Nëse e merrni mandatin a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu me ndonjë post tjetër?

Mexhide Mjaku- Topalli: Unë e vlerësoj vetën duke shërbyer për qytetarët dhe do të jem në ulse të kuvendit të Kosovës.

KALLXO.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?

Mexhide Mjaku- Topalli: Gjatë mandatit të dytë më ka rastit që të takohem në teren me qytetar kam parë që duhet të ndihmohen bizneset e vogla e kryesisht bizneset e grave, dhe do të ishte një mundësi e mirë edhe për nënat vetushqyese që të kenë lirim nga taksat në mënyrë që të kenë mundësi që të mbajnë familjet e tyre.

KALLXO.com: Cilat janë tri amendamentet e para që keni me i propozu?

Mexhide Mjaku- Topalli: Në mandatin që shkoj unë bëra një amendament dhe u nda një buxhet që të blihet të gjitha instrumentet për institutin e patologjisë, nuk po flas për amendamentet e tjera, kështu që çfarëdo që është e nevojshme unë jam e gatshme sepse edhe nga përvoja di sit ë kërkohet një amendament.

KALLXO.com: Cilat janë tri problemet/nevojat kryesore e komunës prej nga vini?

Mexhide Mjaku- Topalli: Ne si deputet takohemi me qytetar dhe e dimë çalia është nevojat e tyre, kështu që unë do të jem ajo që përmes kuvendit të ndihmoj qytetarët e Komunës së Ferizajt.

KALLXO.com: A ka gjasa me e ndërru partinë ku jeni tash?

Mexhide Mjaku- Topalli: Jo, asnjëherë nuk e kam menduar dhe nuk e mendoj, i kam besuar kësaj partie sepse kjo parti ka vizion dhe ka sjell ndryshime në vend.

KALLXO.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?

Mexhide Mjaku- Topalli: Ndonjëherë ka ndodhur në legjislaturat e kaluara që kemi pasur votimet, kështu që jemi të lirë si deputet.

KALLXO.com: Cili grup i diskriminuar do ta ndjenë më së shumti përkrahjen tuaj si deputet?

Mexhide Mjaku- Topalli: Unë nuk besoj se ka grupe të diskriminuara në Kosovë për shkak se gjatë dy viteve të këtij mandate kam pasur takime të natyrave të ndryshme në qytete, dhe qe dy vite isha në Komisionin për Barazi Gjinore, kështu që kemi punuar së bashku me shoqëritë civile dh e kemi qenë zë i përbashkët në mënyrë që të kenë të drejta në qoftë se ka pasur ndonjë diskriminim.

KALLXO.com: Çka do të bëni për përmirësimin e ambientit (mjedisit) dhe ajrit të ndotur në Kosovë?

Mexhide Mjaku- Topalli: Kam qenë duke punuar në këtë drejtim, sepse ne e kemi pasur edhe një seancë për ndotjen e ajrit, por në përgjithësi Kosova ka nevojë të punoj për këtë çështje, unë e kam hartuar një strategji që Kosova të merr modelet e vendeve evropiane, si Zvicra, dhe do të jem e zëshme.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?

Mexhide Mjaku- Topalli: Në seancën që e kemi mbajtur ne kemi qenë ata që kemi thënë që të eliminohet përdorimi i qymyrit me sa e mbaj në mend, por nëse është në interes të qytetarëve dhe mendohet se duhet të ekzistojë ne duhet të mendojmë cila është më e mira për qytetarët.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?

Mexhide Mjaku- Topalli: Nëpër shtëpi unë e di se nuk ka, ne po jetojmë qitu edhe po i shohim por në disa institucione ka pas por edhe aty e kanë eliminu përdorimin e qymyrit, edhe është konstatu se është ndotës i ajrit kështu që besoj që do të vetëdijesohen edhe qytetarët.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR përdorimit të qeseve të plastikës?

Mexhide Mjaku- Topalli: Kemi punuar në këtë drejtim, e kemi pa si objektiv për eliminimin e qeseve, kemi praktika të mira ku kartoni i letrës përdoret, dhe është mirë që përveç qeseve, të zëvendësohen edhe shishet e plastikës me u zëvendësu me shishet e xhami, e është edhe më mirë që shishet të kthehen e kur të kthehen nga qytetarët, me u pagu ajo shishe sikurse në Gjemani, janë disa  mundësi që ne duhet të punojmë në këtë drejtim.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shitjes së Telekomit të Kosovës?

Mexhide Mjaku- Topalli: Nuk mund të përgjigjem.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të autostradës së Dukagjinit?

Mexhide Mjaku- Topalli: Derisa në mandatin që shkoj u diskutua se kjo çështje është e domosdoshme, dhe kemi pasur edhe koleg nga ajo anë, dhe kam parë që ata kanë qenë për sepse është e nevojshme, edhe pse duhet me ditë cili është prioriteti.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shkëmbimit të territoreve me Serbi?

Mexhide Mjaku- Topalli: Shkëmbimi i territoreve, mendoj se kjo temë është mbyllur në viti ‘99 me luftën e UCK-së, e gjithë PDK janë deklaruar se kjo çështje është e mbyllur.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së tarifës me Serbinë?

Mexhide Mjaku- Topalli: Edhe çështja e taksës e arriti qëllimin, pronarët e maketeve duhet ta zbatojnë ligjin për vendosjen e flamujve, sepse qytetari më nuk e blen produktin e Serbisë.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?

Mexhide Mjaku- Topalli: Është shqetësuese, me u ndërtu duhet por jo duke e zhduk ujin.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?

Mexhide Mjaku- Topalli: Çdo universitet e ka rolin e vet, akreditimet nëse ndodhin duhet të punohet drejt dhe jo në bazë të interesave të dikujt, çdo universitet i cili është afër të rinjve është i mirëseardhur.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR monopolit në homologim?

Mexhide Mjaku- Topalli: Ne e kemi votu këtë çështje në Kuvendi që të hiqet ajo, se paska qenë problem, dhe PDK e ka votu unanimisht që kjo parregullsi të rregullohet.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR martesave në mes të gjinisë së njëjtë?

Mexhide Mjaku- Topalli :Me ligj është e rregulluar, kështu që për interesa të qytetarëve, secili punon dhe i ngrite këto çështje dhe kemi kërkuar mbrojtjen e tyre.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR bartjes së shamive në shkolla?

Mexhide Mjaku- Topalli: Ne si Kosovë kemi nevojë me pa se si trajtohen në vendet e tjera për të marrë vendime sepse edhe ligjet I shohim a po përputhen me BE.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR kuotës për deputetë nga diaspora?

Mexhide Mjaku- Topalli: Jemi për, sepse ne kemi bërë edhe një program për diasporën dhe prej tyre gjithmonë kemi marrë të mira dhe po marrim.

KALLXO.com: A je PËR apo KUNDËR ridizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzu?

Mexhide Mjaku- Topalli: Ne dëshirojmë ti pastrojmë listat dhe emrat e vërtet dhe të dinjitetshëm të trajtohen.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së kartonit të gjelbër për diasporën?

Mexhide Mjaku- Topalli: Unë jam për me largu.

KALLXO.com: Kush po ua financon fushatën?

Mexhide Mjaku- Topalli: Individualisht, ne ndihmohemi pak prej partisë por edhe nga paga.

KALLXO.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajt gjatë kohës kur jeni deputet/ministër?

Mexhide Mjaku- Topalli: Në momentin që jam zgjedh deputete në 2014, nuk kam marr pozitë tjetër të punës, I jam përkushtuar punës së deputetit, edhe pse kam pasur mundësi të punoj edhe diku tjetër. Vetëm deputete.

KALLXO.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?

Mexhide Mjaku- Topalli: Të hyrat mujore diku në muaj si deputet jemi paguar 1 mijë e 700, burri punon në një punë dhe aty paguhet diku 900 euro, e kemi një jetë solide, vajza me master është e pa punë, djali është student dhe një vajzë të vogël në shkollën e mesme.

KALLXO.com: A e keni pasurinë e përbashkët me gruan/burrin? Nëse jo, a keni me e regjistru bashkërisht?

Mexhide Mjaku- Topalli: Po e kemi shtëpinë në emër të përbashkët, edhe tani jemi në kredi me bankën qe e kemi marr një banesë në qytet.

KALLXO.com: Herën e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru, në spital privat apo publik?

Mexhide Mjaku- Topalli: Unë gjithherë në publik shkoj edhe fëmijët, edhe vajzën e kam pasur tri operacione të tijat i ka kryer në publik.

KALLXO.com: Ku keni me shku kur të bëheni deputet nëse sëmureni?

Mexhide Mjaku- Topalli: Po, edhe kam shku.

KALLXO.com: Fëmijët tuaj a janë në shkolla publike apo private?

Mexhide Mjaku- Topalli: Djali është në një kolegj i cili nuk është akredituar tani kështu që është i detyruar të vazhdoj diku tjetër, vajza e madhe e ka përfundu ndërsa vajza e vogël është në shkollë publike.

KALLXO.com: Sa familjarë i keni të papunë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që e merr mandatin?

Mexhide Mjaku- Topalli: Vajzën e kam të papunë me master, familja e ngushtë po ashtu, ata punojnë me një mobilieri, edhe pse kanë tituj, nuk është praktikë e mirë që deputet të punësojnë familjarët e tyre.

KALLXO.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbetë nën qeverisjen shtetërore?

Mexhide Mjaku- Topalli: Problemi i Trepçës është diskutuar edhe në dy mandatet e kaluar edhe me ligjin që e patëm, është çështje që duhet të diskutohet edhe me ekspert.

KALLXO.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?

Mexhide Mjaku- Topalli: Nuk mund të kushtëzoj votën për buxhet.

KALLXO.com: Cili ka me qenë projekti/puna me të cilën keni me lënë gjurmë/trashëgimia juaj si deputet?

Mexhide Mjaku- Topalli: Mandatin që shkoj kam filluar një plotësim ndryshim të ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje, kemi punuar shumë dhe kemi qenë në përfundim, por për shkak që u përmbyll kjo qeveri mbeti e papërfunduar, do të punoj në atë ligj sepse e kam brumosur mirë, ligjin për barazi gjinore dhe do të jem kërkuese që të zbatohet.

KALLXO.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?

Mexhide Mjaku- Topalli: Mandatin e parë kam qenë e para që kam parashtruar pyetje, mandatin e dytë kam qenë më poshtë, ndërsa këtë mandate nëse e marr postin do të parashtroj pyetje parlamentare.

KALLXO.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajtë gjatë një viti/mandati?

Mexhide Mjaku- Topalli: Është mirë që deputet ti kenë edhe kushtet, të kenë edhe një zyrë që të presin palë, por gjithmonë kam qenë e gatshme.

KALLXO.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?

Mexhide Mjaku- Topalli:  Në nuk e kemi komoditetin të blejmë vetura të reja, por është mirë që të shikohet si jemi me kushtet dhe tu përshtatet qytetarëve.

KALLXO.com: Sa dëgjime publike keni me i iniciu në komisionet ku keni me qene pjese?

Mexhide Mjaku- Topalli: Në komision kam thirr në raportim disa herë ministrat, ka qenë më pyetje çështja e pensioneve për familjarët e dëshmoreve, por prape nuk është bërë asgjë, kjo duhet të ngritët si çështje, por edhe ligji për familjet e të zhdukurve.

KALLXO.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritet aktakuzë?

Mexhide Mjaku- Topalli: Patjetër por nuk kam bërë asgjë.

KALLXO.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë?

Mexhide Mjaku- Topalli: Unë e shoh që lideri ynë është pa aktakuzë, është i pranueshëm për të gjithë qytetarët sepse kauzën që e ka dhënë I qëndron mbrapa sepse është I fjalës.

KALLXO.com: A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?

Mexhide Mjaku Topalli: Tash jemi duke folur që të kemi më pak ministra dhe besoj se do të shkoj ashtu siç është thënë.

KALLXO.com: Sa zv.ministra duhet t’i ketë një ministri?

Mexhide Mjaku Topalli: Edhe për këtë çështje është disktu që të mos jenë  dy e tre edhe besoj se kanë me rregullu edhe këtë çështje PDK.

KALLXO.com:
A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike & shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?

Mexhide Mjaku Topalli: Po, edhe kam qenë e zëshme se duhet që edhe femrat të jenë pjesë e bordeve.

KALLXO.com: A do t`i bëni transparente fondet e partisë?

Mexhide Mjaku Topalli: Sigurisht.

KALLXO.com: A keni me i hap dokumentet/faturat në kuvend/ministri?

Mexhide Mjaku Topalli: Unë jam gjithherë për transparencë.