Behare Rexhepi- Sahitajt

Kandidatja e Partisë Euroatlantike: Do angazhohem për t`i sjellë sa më shumë njohje Kosovës - VIDEO

“Nëse bëhem deputete kauza që do ta kisha shty përpara është diplomacia për t`i sjellë sa më shumë njohje vendit, pasi që kam punuar shumë në diplomacinë kosovare”, kështu ka thënë në një intervistë për KALLXO.com, Behare Rexhepi- Sahitaj, kandidate për deputete në Parlamentin e Kosovës nga Partia Euroatlantike e Kosovës.

Ajo tha se shteti duhet t`i japë përparësi prodhimeve vendore.

“Taksat e prodhimeve që janë në Kosovë, duhet t`u ipet përparësi bujqve tanë dhe prodhimeve tona, ndërsa taksat e prodhimeve që importohen në Kosovë duhet të ngriten”, tha Rexhepi.

Ajo vjen nga komuna e Prishtinës, dhe tha se kjo komunë ka shumë probleme infrastrukturore, mirëpo nëse bëhet deputete do ta ngrit zërin më së shumti për të drejtat e grave dhe fëmijëve.

“Më tepër gratë do t`i përkrah, sepse ato janë shumë të diskriminuara nga burrat”, thotë Rexhepi.

Ajo u shpreh kundër ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr. Gjithashtu është kundër përdorimit të qeseve të plastikës.

Për djegien e qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit tha se në parim është kundër, mirëpo duhet pasur parasysh varfërinë e njerëzve në Kosovë.

Është kundër shitjes së Telekomit të Kosovës, ajo thekson se privatizimi i tij duhet të bëhet në një formë tjetër jo siç po pretendohet të shitet në tërësi.

“Jam shumë kundër Telekomi i Kosovës duhet të jetë nën pronësinë e shtetit dhe mund të shitet, apo privatizohet me 49 përqind, e 51 përqind t`i mbetet gjithnjë shtetit”, tha Rexhepi.

Ajo tha se njëjtë duhet të veprohet edhe me ndërmarrjen Trepça, e cila sipas saj duhet privatizuar, por shteti të mos heqë dorë nga shumica e aksioneve në ndërmarrje.

Gjithashtu kundër u deklarua edhe për shkëmbimin e territorit me Serbinë. Mirëpo u deklarua pro heqjes së taksës për produktet serbe.

Gjithashtu për u deklaruar për ndërtimin e hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës.

Rexhepi tha se është pro martesave në mes se gjinisë së njëjtë, e kundër u deklarua për bartjen e shamive në shkolla.

Rexhepi thotë se ka punuar  në Bruksel për çështjen e Kosovës që shumë vite.

“Si deputete ka me lënë gjurmë sinqeriteti im dhe puna maksimale që i kushtohet shtetit të Kosovës, por unë kam lënë gjurmë për shtetin e Kosovës, 20 vite kam punuar në Bruksel me byronë informative të Kosovës me të ndjerin Enver Hadrin kemi bërë projekte për inicimin e mbi 20 rezolutave që kanë ndodhur në Parlamentin Evropian dhe kemi punuar për çështjen kombëtare pa lek, pa asnjë parti të gjitha, sepse ne kemi dashur të punojmë të pavarur”, shtoi ajo.

Lidhur me lejimin e importimit të veturave me të vjetra se 10 vite, ajo tha se për këtë i duhet konsultimi me ekspertë të fushës.