Kandidatja e NISMAS, pro ose kundër autostradës së Dukagjinit dhe shamive në shkolla

Kandidatja për deputete të Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Albulena Balaj – Halimaj, në një intervistë për KALLXO.com, ka premtuar investime në çerdhe publike.

“Ajo  për të cilën unë do të mundohem, janë çerdhet të cilat unë ato do ti shtyjë sapo të bëhem deputete, në çdo qytet minimum do të ketë 2-3 çerdhe publike”, është zotuar Balaj-Halimaj për KALLXO.com.

Ajo ka shtuar se edhe në komunën e saj në Prizren, mungesa e çerdheve është prej problemeve apo nevojave kryesore që kanë qytetarët.

Balaj-Halimaj ndër të tjerash ka shtuar se nuk do ta ndërronte në asnjë mënyrë partinë ku është tash, përderisa varësisht nga situata dhe tema, do të mund të votonte kundër qëndrimit të grupit të saj parlamentar.

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, në këtë intervistë ka thënë se grupi më i diskriminuar, që do të kishte përkrahjen e saj, janë gratë.

Kandidatja për deputete e Nismës, ka thënë se  nuk e di nëse është për apo kundër ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr, atë të “Kosova e Re”, përderisa ka shtuar se është kundër djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit si dhe kundër përdorimit të qeseve të plastikës.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit, Nisma Socialdemokrate garon në një listë të përbashkët me Aleancën Kosova e Re (AKR) dhe Partinë e Drejtësisë (PD), pas nënshkrimit të koalicionit parazgjedhor.

Në anën tjetër, kandidatja e Nismës, është shprehur kundër shitjes së Telekomit të Kosovës, ndërtimit të Autostradës së Dukagjinit, kundër heqjes së taksës ndaj Serbisë, kundër shkëmbimit të territoreve me Serbinë si dhe monopolit në homologim.

Ndërkohë, Balaj-Halimaj nuk është e sigurt nëse është për apo kundër ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës, si dhe nuk e di nëse është për apo kundër të martesave në mes të gjinisë së njëjtë.

Ajo ndër të tjerash ka shtuar se është kundër ridizajnimit të skemës për veteranët e luftës së UÇK-së.

Ish-ligjvënësja që synon të sigurojë prapë ulëse në Kuvendin e Kosovës, në intervistën për KALLXO.com, ka thënë se fushatën e saj parazgjedhore po ia financon bashkëshorti dhe se aktualisht ajo vetë është e papunë.

Balaj-Halimaj ka folur edhe për pasurinë e saj dhe të familjes.

“Ne kemi pasuri të përbashkët me bashkëshortin. Ai është një biznesmen lokal këtu dhe besoj që mesatarisht qëndrojmë mirë. Është e përbashkët, familjare. Sigurisht [që e kemi të regjistruar]”, ka thënë ajo.

Sipas kandidates së Nismës, ajo është çdo herë  ka bërë vizita mjekësore në spitale publike dhe të njëjtën do ta bëjë edhe kur të jetë deputete.

Balaj-Halimaj në intervistën për KALLXO.com ka thënë se nuk do të jepte dorëheqje nëse ndaj saj ngritet ndonjë aktakuzë.

Kurse, kur pyetet se a do votonte rrëzimin e qeverisë, nëse kryeministri ka aktakuzë, sipas saj varet se çfarë aktakuze do ishte ajo.

Sipas saj, një ministri do të duhej t’i kishte një apo më së shumti dy zëvendësministra.

Më poshtë e gjeni intervistën e plotë me kandidaten e Nismës Socialdemokrate, Albulena Balaj Halimaj:

Kallxo.com:Cila është kauza që keni me e shty nëse bëheni deputet?

Albulena Balaj Halimaj: Ajo  për të cilën unë do të mundohem, janë çerdhet të cilat unë ato do ti shtyjë sapo të bëhem deputete, në çdo qytet minimum do të ketë 23 çerdhe publike.

Kallxo.com:Nëse e merrni mandatin a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu me ndonjë post tjetër?

Albulena Balaj Halimaj:  Nuk e di, mendoj se unë po kandidohem për deputete. Duhet të bëhem deputete, pastaj kryesia vendos nëse do të mund të jem në ndonjë post tjetër.

Kallxo.com:Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?

Albulena Balaj Halimaj: Janë taksa komunale shpesh ato të cilat duhet me u ulë për shkak se nuk është se komuna për shembull përfiton shumë ndaj atyre taksave, por që qytetarit i kushton. Prandaj me një inicim atje në qeveri ndoshta edhe kuvendet komunale këtu do të na dëgjojnë dhe t’i heqin taksat në secilën komunë të Kosovës.

Kallxo.com:Cilat janë tri amandamentet e para që keni me i propozu?

Albulena Balaj Halimaj:Ajo për të cilën do ta veçoja është tek ligji i Lehonisë. Ju, siç e dini tashmë ministri Reçica  tashmë e ka ndalë Ligjin e Lehonisë nga Ligji i Punës, e ka bërë ligj të veçantë dhe ka tentuar sa herë që të kalojë ky ligj, por qe qeveria nuk e ka kaluar. Ky do të jetë një projektligj në të cilin Nisma do ta jap zotimin që ky projektligj të shndërrohet në ligj, të votohet në Kuvend dhe edhe nëna,t edhe lehonat e papuna të kenë një pagë e cila do të ju shërbejë për gjashtë muaj atyre.

Kallxo.com:Cilat janë tri problemet/nevojat kryesore e komunës prej nga vini?

Albulena Balaj Halimaj:Ajo që është më kryesorja që mua po më pengon është mungesa e çerdheve publike dhe për këtë edhe zotohem se do të punoj dhe do të fus në buxhet sa të mundem çerdhe në secilin qytet të Republikës së Kosovës. Ky është problemi numër 1 në Kosovë, sa më shumë çerdhe, aq më shumë dije e arsim. Pastaj të tjerat sigurisht se gjatë rrugës do ti shohim dhe do të punoj edhe për të tjera.

Kallxo.com:A ka gjasa me e ndërru partinë ku jeni tash?

Albulena Balaj Halimaj: Jo, në asnjë mënyrë.

Kallxo.com:A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?

Albulena Balaj Halimaj:Varet, ne zakonisht kemi qëndrime të përbashkëta sepse para çdo seance ne mblidhemi në grupin parlamentar dhe secili e jepim mendimin tonë për një pikë të veçantë, pastaj argumentet më të forta fitojnë dhe grupi parlamentar gjithmonë siç edhe e keni parë në mandatin e kaluar, ka qenë i qëndrimit të njëjtë.

Kallxo.com:Cili grup i diskriminuar do ta ndjenë më së shumti përkrahjen tuaj si deputete?

Albulena Balaj Halimaj:Gratë.

Kallxo.com:Çka do të bëni për përmirësimin e ambientit (mjedisit) dhe ajrit të ndotur në Kosovë?

Albulena Balaj Halimaj:Ju siç e dini sa e kemi pasur Ministrinë e Arsimit, jemi munduar që asnjë shkollë të mos shfrytëzojë thëngjill, sepse thëngjilli ka qenë njëra prej këtyre që e ka ndotur ambientin. Asnjë shkollë tashmë në Kosovë, për mos thënë asnjë, 90 për qind e shkollave në Kosovë, tanimë nuk ngrohen me thëngjill dhe kjo është një që e ka bërë Nisma, por që do të vazhdojë edhe me një përqindje të vogël që ka mbetur që të mos ndotet ambienti së paku me thëngjill.

Kallxo.com:A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?

Albulena Balaj Halimaj:Nuk e di.

Kallxo.com:A jeni PËR apo KUNDËR djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?

Albulena Balaj Halimaj:Kundër.

Kallxo.com:A jeni PËR apo KUNDËR përdorimit të qeseve të plastikës?

Albulena Balaj Halimaj:Kundër.

Kallxo.com:A jeni PËR apo KUNDËR shitjes së Telekomit të Kosovës?

Albulena Balaj Halimaj:Kundër.

Kallxo.com:A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të autostradës së Dukagjinit?

Albulena Balaj Halimaj:Kundër ndërtimit të autostradës, por Nisma e ka një qëndrim këtu; ne jemi për zgjerim të rrugës.

Kallxo.com:A jeni PËR apo KUNDËR shkëmbimit të territoreve me Serbi?

Albulena Balaj Halimaj:Kundër.

Kallxo.com:A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së tarifës me Serbinë?

Albulena Balaj Halimaj:Kundër.

Kallxo.com:A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?

Albulena Balaj Halimaj:Nuk jam e sigurt.

Kallxo.com:A jeni PËR apo KUNDËR mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?

Albulena Balaj Halimaj: Jam kundër mbylljes, por jam për nëse ato departamente nuk i përmbushin kriteret ose standardet të cilat i kërkon ligji. Pra , mund të pauzojnë një vit por që në asnjë mënyrë nuk jam për mbyllje të universiteteve.

Kallxo.com:A jeni PËR apo KUNDËR monopolit në homoligim?

Albulena Balaj Halimaj:Kundër.

Kallxo.com:A jeni PËR apo KUNDËR martesave në mes të gjinisë së njëjtë?

Albulena Balaj Halimaj:Nuk e di.

Kallxo.com:A jeni PËR apo KUNDËR bartjes së shamive në shkolla?

Albulena Balaj Halimaj:Jam për.

Kallxo.com:A jeni PËR apo KUNDËR kuotës për deputetë nga diaspora?

Albulena Balaj Halimaj: Jam për.

Kallxo.com:A je PËR apo KUNDËR ridizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzu?

Albulena Balaj Halimaj: Jam kundër.

Kallxo.com:A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së kartonit të gjelbër për diasporën?

Albulena Balaj Halimaj:Jam për.

Kallxo.com:Kush po ua financon fushatën?

Albulena Balaj Halimaj:Bashkëshorti.

Kallxo.com:Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajtë gjatë kohës kur jeni deputet/ministër?

Albulena Balaj Halimaj:Unë jam e pa punë.

Kallxo.com:Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?

Albulena Balaj Halimaj:Ne kemi pasuri të përbashkët me bashkëshortin. Ai është një biznesmen lokal këtu dhe besoj që mesatarisht qëndrojmë mirë.

Kallxo.com:A e keni pasurinë e përbashkët me gruan/burrin? Nëse jo, a keni me e regjistru bashkërisht?

Albulena Balaj Halimaj:Është e përbashkët, familjare. Sigurisht.

Kallxo.com:Herën e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru, në spital privat apo publik?

Albulena Balaj Halimaj:Publik.

Kallxo.com:Ku keni me shku kur të bëheni deputet nëse sëmureni?

Albulena Balaj Halimaj:Në spitalet publike.

Kallxo.com:Fëmijët tuaj a janë në shkolla publike apo private?

Albulena Balaj Halimaj:Unë kam dy vajza, e madhja i ka 5 vjet dhe e vogla 2 vjet. Janë në çerdhe private për shkak të mungesës së çerdheve publike, por edhe aty jam shumë e kënaqur. Kështu që në shkollë do t’i regjistroj në shkollë publike

Kallxo.com:Sa familjarë i keni të papunë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që e merr mandatin?

Albulena Balaj Halimaj:Familjarët e mi,  merren siç thash me biznes dhe nuk kanë nevojë për punë të shtetit.

Kallxo.com:Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbet nën qeverisjen shtetërore?

Albulena Balaj Halimaj: Nën qeverisje shtetërore.

Kallxo.com:Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?

Albulena Balaj Halimaj:Unë nuk do të kushtëzoj votë, por do të mundohem që projektet e mia dhe qëndrimin tonë si Nismë ta bart në qeveri dhe nuk besoj që ka nevojë të kushtëzoj votë.

Kallxo.com:Cili ka me qene projekti/puna me të cilën keni me lanë gjurmë/trashëgimia juaj si deputete?

Albulena Balaj Halimaj:Mendoj se gjatë këtyre dy viteve sa isha pjesë e Kuvendit, kam futur në buxhet shumë projekte, ato sidomos kanë pasur të bëjnë me arsim. Kështu do të vazhdoj sidomos me arsimin, por edhe me të tjera projekte të cilat do të shoh rrugës se për çka kemi nevojë më shumë.

Kallxo.com:Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?

Albulena Balaj Halimaj: Sa herë që do të më interesojë mua dhe qytetarit diçka do të bëj pyetje. (për shifra) nuk e kam idenë, nuk mund të jap përgjigje për shkak se në mandatin dy vjeçar sa kam qenë deputete, kam bërë pyetje, por që meqë kemi qenë në pozitë, shpeshherë nuk kam pasur nevojë të bëjë pyetje për shkak se kam ditur përgjigjet.

Kallxo.com:Sa takime me qytetarë keni me i mbajt gjatë një viti/mandati?

Albulena Balaj Halimaj:Unë takohem çdo ditë me qytetarë. Çdo ditë takohem, kurdo që ata kanë nevojë, më thirrin, i thirri, takohemi diskutojmë kështu që edhe prapë do të takohemi njëjtë.

Kallxo.com:Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?

Albulena Balaj Halimaj:Ndoshta 10.

Kallxo.com:Sa dëgjime publike keni me i iniciu ne komisionet ku keni me qenë pjese?

Albulena Balaj Halimaj: Unë kam qenë pjesë e Komisionit të Arsimit. Në mandatin e ardhshëm nëse do të mund të bëhem deputete, sigurisht se do të jem po në këtë komision. Ne kemi punuar në komision dhe po mendoj ju e keni parë që kemi pasur dëgjime publike. Aty zakonish  jemi marr vesh me kolegët deputetë edhe të subjekteve tjera dhe kemi mbajt goxha dëgjime publike, madje sidomos për projektligjet që i kemi pasur në Komision të Arsimit. Kemi mbajtur shumë, por sa do ti mbajmë varet se sa projektligje do t’i kemi në Kuvend.

Kallxo.com:A jepni dorëheqje nëse ju ngritet aktakuzë?

Albulena Balaj Halimaj:Jo. 

Kallxo.com:A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë?

Albulena Balaj Halimaj:Varet çfarë aktakuze.

Kallxo.com:A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?

Albulena Balaj Halimaj:Po.

Kallxo.com:Sa zv.ministra duhet t’i ketë një ministri?

Albulena Balaj Halimaj:Mendoj se 1 më së shumti 2.

Kallxo.com:A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike & shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?

Albulena Balaj Halimaj:Nuk kam votuar asnjë anëtar që nuk i ka plotësuar kritere deri më tani dhe nuk do të votoj asnjë anëtar për agjencione që nuk plotësojnë kritere.

Kallxo.com:A keni me i bo transparente fondet e partisë?

Albulena Balaj Halimaj:Besoj qendra i ka bërë deri tash dhe i bën vazhdimisht.

Kallxo.com:A keni me i hape dokumentet/faturat në kuvend/ministri?

Albulena Balaj Halimaj:Sigurisht, partia e ka Departamentin e Financave dhe financat merren me të. Do të isha ministrja më transparente që do të ekzistonte ndonjëherë.