Kandidati për deputet zotohet ta ‘luftojë’ dhunën në familje

Kandidati për deputet të Kuvendit të Kosovës nga Nisma Socialdemokrate, Xhevdet Smakiqi në një intervistë për KALLXO.com, ka thënë se kauza e tij në rast se do të bëhet deputet, do të jetë që në Kosovë të ketë mundësi të barabarta në aspektin e mirëqenies sociale, shkollimit dhe punësimit.

Smakiqi ka shtuar se do të ‘luftojë’ edhe dhunën në familje.

“Iniciativa ime e parë nëse do të zgjidhem deputet është që t’i japim fund dhunës në familje dhe ngacmimit seksual të femrës në Kosovë, ku këtyre viteve kemi pasur fatkeqësisht edhe vrasje”, ka thënë kandidati.

Sipas tij, lidhur me këtë duhet të ashpërsohet edhe qasja e prokurorisë dhe gjykatave ndaj këtyre rasteve.

“Politika ndëshkimore quhet të jetë shume e ashpër ndaj atyre që shkaktojnë  dhunë në familje, qoftë shpirtërore, qoftë psikologjike, qoftë fizike”, ka shtuar ai.

Smakiqi ka folur edhe për përmirësimin e ambientit dhe ajrit të ndotur në Kosovë.

“Si deputet do të shtroja pyetjet parlamentare, do të ndërmerrja iniciativa që ministria e mjedisi, mekanizmat impelmetues që janë inspektorati sidomos në bashkëpunim edhe me komunën, po edhe me donatorët të arrijmë që ti disiplinojmë bizneset të cilat e ndotin ambientin, që ato të ndërmarrin masat tekniko-teknologjike dhe sidomos të ngritet kultura individuale edhe nëpër shkolla që ambienti është shtëpia jonë”, ka thënë ai.

Në pyetjen nëse është për apo kundër martesave në mes të gjinisë së njëjtë, ai ka abstenuar, përderisa ka thënë se është për bartjes së shamive në shkolla.

Smakiqi ka shtuar se është për kuotës për deputet nga diaspora si dhe për ridizajnim të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzuar.

Kandidati që synon karrige në Kuvendin e Kosovës është zotuar se do të mbajë vetëm pozitën e deputetit.

“Momentalisht jam në Postën e Kosovës si drejtor ligjor, kam qenë edhe këshilltar i Jashtëm i ministrit në detyrë, z. Endrit Shala. Por nëse zgjidhem deputet do të përkushtohem vetëm legjislacionit”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Ai ka treguar edhe për pasurinë që posedon.

“Të hyrat mujore të mijat janë rreth 2 mijë euro. Një shtëpi, një truall, një automjet”, është përgjigjur kandidati.

Sa i përket pasurisë së përbashkët me bashkëshorten, ai ka thënë se nuk po kanë kohë ta regjistrojnë atë.

“E kam të përbashkët por nuk e kam rregulluar ende me dokumente. Kurdo që nusja është gati se s’po kemi kohë”, është përgjigjur Smakiqi.

Kjo është intervista e plotë me kandidatin për deputet nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Xhevdet Smakiqi:

KALLXO.com: Cila është kauza që keni me e shty nëse boheni deputet?

Xhevdet Smakiqi: Kauza ime kryesore do të jetë që në Kosovë të ketë shanse të babarata për të gjithë qytetarët e Kosovës, në aspektin e mirëqenies sociale, shkollimit, punësimit etj, etj.

KALLXO.com: Nëse e merrni mandatin a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu me ndonjë post tjetër?

Xhevdet Smakiqi: Synimi im është që si deputet ta jap kontributin brenda Kuvendit të Kosovës që të jap një kontribut shtesë, ose një vlerë shtesë të cilësisë së zbatimit dhe hartimit të ligjeve në Kosovë dhe sidomos kontrollit parlamentar, i cili ka munguar edhe pas pavarësisë, por edhe para, ndaj ekzekutivit, sepse roli i deputetit dhe kuvendit është që ta disiplinojë në njëfarë mënyre zbatimin e ligjit nga ana e ekzekutivit ose ministrave të caktuar.

KALLXO.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?

Xhevdet Smakiqi: Mendoj që tatimi në pronë duhet të jetë unik brenda komunës, të mos jetë i zonuar sepse po krijon diskriminim sepse edhe brenda që po është tatimi në pronë ose tatime të ndryshme po ka edhe persona ose shtresë të varfër e cila po detyrohet të paguajë një lartësi të taksës e cila ju referohet ta zëmë si zonat super urbane ose në qendër të qytetit. Kjo më duket pabarazi.

KALLXO.com: Cilat janë tri amendamentet e para që keni me i propozu?

Xhevdet Smakiqi: Iniciativa ime e parë nëse do të zgjidhem deputet është që t’i japim fund dhunës në familje dhe ngacmimit seksual të femrës në Kosovë, ku këtyre viteve kemi pasur fatkeqësisht edhe vrasje. Mendoj qqë duhet të ashpërsohet në mënyrë të shumëfishtë ose dhjetëfishtë dënimi dhe qasja edhe e prokurorisë edhe e gjykatave, ose politika ndëshkimore quhet të jetë shume e ashpër ndaj atyre që shkaktojnë  dhunë në familje, qoftë shpirtërore, qoftë psikologjike, qoftë fizike.

KALLXO.com: Cilat janë tri problemet/nevojat kryesore e komunës prej nga vini?

Xhevdet Smakiqi: Në komunën prej nga vij unë, problemi kryesor është siç dihet zhvillimi ekonomik, punësimi, ambienti dhe është koordinimi i projekteve të ndryshme të cilat shpesh bëhen në mënyrë të çakorduar dhe një projekt përfundon, tjetri dhe kjo vazhdimisht po ju shkakton problem qytetarëve.

KALLXO.com: A ka gjasa me e ndërru partinë ku jeni tash?

Xhevdet Smakiqi: Jo.

KALLXO.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?

Xhevdet Smakiqi: Unë nëse do të kisha dilema do ta ndaja mendimin, por nëse partia do të kishte një qëndrim politikë, ta zëmë për dialogun, për interesin e Kosovës, tema të cilat janë mbi partiake atëherë unë do të votoja pro qëndrimit të grupit parlamentar. Por nëse do të ketë nevojë do ta mbaja mendimin tim për atë çështje.

KALLXO.com: Cili grup i diskriminuar do ta ndjenë më së shumti përkrahjen tuaj si deputet?

Xhevdet Smakiqi: Grupi më i diskriminuar është mbi parimet të cilat i shpjegova, por unë do të merresha shumë me dhunën në familje.

KALLXO.com: Çka do të bëni për përmirësimin e ambientit (mjedisit) dhe ajrit të ndotur në Kosovë?

Xhevdet Smakiqi: Si deputet do të shtroja pyetjet parlamentare, do të ndërmerrja iniciativa që ministria e mjedisi, mekanizmat impelmetues që janë inspektorati sidomos në bashkëpunim edhe me komunën, po edhe me donatorët të arrijmë që ti disiplinojmë bizneset të cilat e ndotin ambientin, që ato të ndërmarrin masat tekniko-teknologjike dhe sidomos të ngritet kultura individuale edhe nëpër shkolla që ambienti është shtëpia jonë. Bile bile mund të themi që ne kemi një kontradiktë me botën perëndimore, ku shtëpitë janë shumë të pastra ndërsa rrugët oborret dhe hapësirat publike është e kundërta. Ndoshta më e dobishme me 100 për qind do të ishte e kundërta.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?

Xhevdet Smakiqi: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?

Xhevdet Smakiqi: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR përdorimit të qeseve të plastikës?

Xhevdet Smakiqi: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shitjes së Telekomit të Kosovës?

Xhevdet Smakiqi: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të autostradës së Dukagjinit?

Xhevdet Smakiqi: Për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shkëmbimit të territoreve me Serbi?

Xhevdet Smakiqi: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së tarifës me Serbinë?

Xhevdet Smakiqi: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?

Xhevdet Smakiqi: Për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?

Xhevdet Smakiqi: Për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR monopolit në homoligim?

Xhevdet Smakiqi: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR martesave në mes të gjinisë së njëjtë?

Xhevdet Smakiqi: Abstenoj.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR bartjes së shamive në shkolla?

Xhevdet Smakiqi: Për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR kuotës për deputetë nga diaspora?

Xhevdet Smakiqi: Për.

KALLXO.com: A je PËR apo KUNDËR ridizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzuar?

Xhevdet Smakiqi: Për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së kartonit të gjelbër për diasporën?

Xhevdet Smakiqi: Për.

KALLXO.com: Kush po ua financon fushatën?

Xhevdet Smakiqi: Financimi i fushatës është ekskluzivisht shpenzim të cilin e bëj vet dhe familjarët që  më ndihmojnë.

KALLXO.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajt gjatë kohës kur jeni deputet/ministër?

Xhevdet Smakiqi: Momentalisht jam në Postën e Kosovës si drejtor ligjor, kam qenë edhe këshilltar i Jashtëm i ministrit në detyrë, z. Endrit Shala. Por nëse zgjidhem deputet do të përkushtohem vetëm legjislacionit.

KALLXO.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?

Xhevdet Smakiqi: Të hyrat mujore të mijat janë rreth 2 mijë euro. Një shtëpi, një truall, një automjet.

KALLXO.com: A e keni pasurinë e përbashkët me gruan/burrin? Nëse jo, a keni me e regjistru bashkërisht?

Xhevdet Smakiqi: E kam të përbashkët por nuk e kam rregulluar ende me dokumente. Kurdo që nusja është gati se s’po kemi kohë.

KALLXO.com: Herën e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru, në spital privat apo publik?

Xhevdet Smakiqi: Unë preferoj edhe zakonisht kontrollohem nëpër shtëpi të shëndetit që quhen, qendra të Mjekësisë Familjare ku jetoj në Mati 1.

KALLXO.com: Ku keni me shku kur të bëheni deputet nëse sëmureni?

Xhevdet Smakiqi: Në rast se sëmurem do t’i drejtohem QKUK-së që është niveli më i lartë i trajtimit.

KALLXO.com: Fëmijët tuaj a janë në shkolla publike apo private?

Xhevdet Smakiqi: Në shkolla publike.

KALLXO.com: Sa familjarë i keni të papunë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që e merr mandatin?

Xhevdet Smakiqi: Kam motra dhe vëllezër të papunë por besoj që me programin e Nismës Socialdemokrate do të gjejnë punë. Nuk do të ndikoj.

KALLXO.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbet nën qeverisjen shtetërore?

Xhevdet Smakiqi: Mendimi im është që e para Trepça të zhvillohet, të rivitalizohet mandej të shikohet momenti se kur do të ishte më e dobishme që ajo në një pjesë të menaxhimit të saj të privatizohet me qëllim që të maksimalizohet profiti.

KALLXO.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?

Xhevdet Smakiqi: Votën time do ta kushtëzoj nëse do të shoh që planifikimi buxhetor ose ligji mbi buxhetin të jetë diskriminues ndaj ndonjë komuniteti që unë mendoj që duhet të mbrohet. Do të rezistoj që buxheti të orientohet kah shëndetësia, arsimi, punësimi dhe të zvogëlohet, përveç mirëmbajtjes në asfalt të mos ketë më shpenzime të mëdha buxhetore.

KALLXO.com: Cili ka me qenë projekti/puna me të cilën keni me lanë gjurmë/trashëgimia juaj si deputet?

Xhevdet Smakiqi: Si deputet do të më mbanin mend qytetarët për iniciativat ligjore dhe për ngritjen e çështjeve të cilat i shqetësojnë çdo qytetar të Republikës së Kosovës.

KALLXO.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?

Xhevdet Smakiqi: Varet prej zhvillimeve të cilat do të ndodhin dhe programet qeveritare sepse kjo nuk mund të planifikohet. Por nëse ka nevojë do të ushtroj gati çdo seancë pyetje parlamentar.

KALLXO.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajt gjatë një viti/mandati?

Xhevdet Smakiqi: Nëse unë do të zgjidhem deputet, telefoni im dhe kontakti me qytetarët do të jetë 24 orë.

KALLXO.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?

Xhevdet Smakiqi: Mendoj që kjo përgjigje nuk mund të jetë po jo por duhet të analizohet ashtu që të mos diskriminohen shtresat që nuk mund të kenë një makinë më të re se 10 vjet. Shpesh determinohet gjendja ekonomikë dhe sociale për të përmbushur një standard. Ne e kemi një standardin e shteteve të regjionit dhe të Bashkimit Evropian, por një kufizim i tillë do të dëmtonte një shtresë, ndërsa do të favorizonte një shtresë tjetër. Mendoj që duhet gjetur një mes këtu për të ekuilibruar këtë dilemë.

KALLXO.com: Sa dëgjime publike keni me i iniciu në komisionet ku keni me qenë pjesë?

Xhevdet Smakiqi: Në komisionet ku do të jem pjesë unë, sa herë do të jetë e nevojshme do të inicoj ndonjë dëgjim publik.

KALLXO.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritet aktakuzë?

Xhevdet Smakiqi: Po.

KALLXO.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë?

Xhevdet Smakiqi: Po.

KALLXO.com: A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?

Xhevdet Smakiqi: Unë mendoj që Kosova duhet t’i ketë maksimum 13 ministri.

KALLXO.com: Sa zv.ministra duhet t’i ketë një ministri?

Xhevdet Smakiqi: Një ministër mendoj duhet të ketë maksimum dy zëvendësministra.

KALLXO.com: A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike & shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?

Xhevdet Smakiqi: Nuk do t’i votoj.

KALLXO: A keni me i bo transparente fondet e partisë?

Xhevdet Smakiqi: Nëse varet prej meje dhe jam kompetent, po.

KALLXO.com: A keni me i hap dokumentet/faturat në kuvend/ministri?

Xhevdet Smakiqi: Nëse do jem kompetent do t’i hap. Ashtu kemi edhe një ligj për qasje në dokumente.