Kandidati për deputet nga LVV 'Jam për qeveri që ka 12 ministri' - VIDEO

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi në intervistën e 46 pyetjeve për KALLXO.com ka thënë se kauza e tij do të jetë ndryshimi i thellë në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe sigurisë.

Duke folur për uljen dhe ngritjen e taksave, Kurteshi thotë se taksat e prodhuesit vendor duhet të ulen, ndërsa taksat e mallrave të luksit duhet të rriten.

Kurteshi thotë se ligji për konfiskimin e pasurisë së paligjshme është prioriteti i tij dhe i Lëvizjes Vetëvendosje.

Ismajl Kurteshi, ndonëse njëherë  e ka ndërruar partinë, duke e lënë PDK-në për Vetëvendosjen, sot thotë se s’ka gjasa që ai ta ndërrojë partinë ku është tash, ndërsa nuk e ka përjashtuar mundësinë që të votoj kundër qëndrimit të grupit parlamentar.

I pyetur nëse është pro apo kundër ndërtimit të termocentralit të tretë më qymyr, Kurteshi thotë se është kundër në formën që është paraparë të ndërtohet.

Në anën tjetër, Kurteshi është shprehur së është kundër djegies së qymyrit në shtëpi gjatë dimrit, kundër përdorimit të qeseve të plastikës.

Ai poashtu ka qëndrim kundër edhe për shitjen e Telekomit, privatizimin e Trepçës e për shkëmbimin e territoreve me Serbinë.

Kurteshi ka deklaruar se është kundër martesave në mes të gjinisë së njëjtë, derisa për bartjen e shamisë në shkolla, ai thotë se duhet respektuar ligji për këtë.

Kurteshi poashtu ka deklaruar se në rast të ngritjes së aktakuzës ndaj tij, ai do të jep dorëheqje, poashtu në rast se kryeministri ka aktakuzë, Kurteshi thotë se do të kërkojë dorëheqjen e tij, derisa thotë se do të votojë edhe për rrëzimin e Qeverisë në rast se nuk ka dorëheqje.

Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë të kandidatit të LVV-së, Ismajl Kurteshi:

KALLXO.com: Cila është kauza që keni me e shty nëse bëheni deputet?

Ismajl Kurteshi: Së pari është me rëndësi që Lëvizja Vetëvendosje do të jetë subjekti më i madh dhe më së shumti vende në Kuvend dhe pastaj do të jetë e mundur ta shtyjmë kauzën, e cila do të bëhet publike me programin. Dihet se ajo për çka do të angazhohemi ne është lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar për zhvillim të gjithmbarshëm të vendit. Do ta mbështesim prodhimin vendor, natyrisht se do të ketë ndryshime të thella në fushën e arsimit, shëndetësisë e sigurisë.

KALLXO.com: Nëse e merrni mandatin a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu me ndonjë post tjetër?

Ismajl Kurteshi: Nëse e marr mandatin e deputetit, do të mbetem deputet.

KALLXO.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?

Ismajl Kurteshi: Mendoj që të gjitha taksat që kanë të bëjnë me prodhuesin do duheshin të uleshin dhe aktualisht mendoj që nuk ka vend për ngritjen e ndonjë takse përveç atyre rasteve ku bëhet fjalë për luksin.

KALLXO.com: Cilat janë tri amendamentet e para që keni me i propozu?

Ismajl Kurteshi: Ne e kemi pothuajse gati ligjin për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, ku nuk janë vetëm 3 amendamente por është një ligj i tërë, e ai do të jetë prioritet i LVV dhe pastaj natyrisht në arsim do të angazhohem për harmonizimin e ligjeve që kanë të bëjnë me arsimin.

KALLXO.com: Cilat janë tri problemet/nevojat kryesore e komunës prej nga vini?

Ismajl Kurteshi: Në Gjilan ka probleme të mëdha. Mos-respektimi i ligjit, mos-respektimi apo mos mosplotësimi i prioriteteve dhe korrupsioni si njëri nga plagët e kësaj shoqërie, që është prezentë edhe në Gjilan.

KALLXO.com: A ka gjasa me e nderru partinë ku jeni tash?

Ismajl Kurteshi: Jo.

KALLXO.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?

Ismajl Kurteshi: Ka gjasa.

KALLXO.com: Cili grup i diskriminuar do ta ndjenë më së shumti përkrahjen tuaj si deputet?

Ismajl Kurteshi: Ne jemi parti social demokrate dhe sigurisht që do t’i përkrahim shtresat që ekonomikisht qëndrojnë dobët, do ta përkrahim rininë dhe ekspertët e të gjitha fushave.

KALLXO.com: Çka do të bëni për përmirësimin e ambientit (mjedisit) dhe ajrit të ndotur në Kosovë?

Ismajl Kurteshi: Do të angazhohemi menjëherë që të fillojmë ta pastrojmë ambientin dhe ta ruajmë ambientin që po kontaminohet për shkak të mos-funksionimi të shtetit ose për shkak të korrupsionit të Ministrisë së Ambientit e cila në vend se të angazhohet për ruajtjen e ambientit, lejon ndërtime e ndotje të ambientit.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?

Ismajl Kurteshi: Jo në këtë formë në të cilën është bërë kontrata.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?

Ismajl Kurteshi: Kundër

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR përdorimit të qeseve të plastikës?

Ismajl Kurteshi: Kundër

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shitjes së Telekomit të Kosovës?

Ismajl Kurteshi: Kundër

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të autostradës së Dukagjinit?

Ismajl Kurteshi: Në këtë formë që është paraparë nuk jemi për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shkëmbimit të territoreve me Serbi?

Ismajl Kurteshi: Shumë kundër

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së tarifës me Serbinë?

Ismajl Kurteshi: Ne do ta përdorim reciprocitetin, një formë tjetër e tarifës

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?

Ismajl Kurteshi: Kundër

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?

Ismajl Kurteshi: Ne jemi për universitete me cilësi. Të gjitha ato universitete që nuk e arrijnë cilësinë e duhur, jemi që të ua japim një kohë që të arrijnë cilësinë e duhur, nëse nuk e arrijnë, atëherë le të mbyllen.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR monopolit në homoligim?

Ismajl Kurteshi: Kundër

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR martesave në mes të gjinisë së njëjtë?

Ismajl Kurteshi: Kundër

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR bartjes së shamive në shkolla?

Ismajl Kurteshi: Atë duhet me rregullu me ligj. Aktualisht jam me respektu ligjin ashtu siç është

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR kuotës për deputetë nga diaspora?

Ismajl Kurteshi: Mendoj që diasporta duhet të ketë përfaqësues të vet.

KALLXO.com: A je PËR apo KUNDËR ridizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzu?

Ismajl Kurteshi: Jam kundër cdo abuzimi edhe kundër këtij abuzimi.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së kartonit të gjelbërt për diasporën?

Ismajl Kurteshi: Jam kundër taksës që po e paguajnë bashkatdhetarët.

KALLXO.com: Kush po ua financon fushatën?

Ismajl Kurteshi: Një pjesë të saj e financon partia, por kemi edhe shpenzime vetanake për takimet që i mbajmë.

KALLXO.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajtë gjatë kohës kur jeni deputet/ministër?

Ismajl Kurteshi: Sa herë që kam qenë deputet e kam pasur vetëm një vend pune.

KALLXO.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?

Ismajl Kurteshi: E kam rrogën e deputetit, e cila ndryshon nga muaji në muaji për shkak të aktivitetit. Sa i përket pasurisë, atë e kam paraqitur në Agjencinë Kundër Korrupsionit. E kam shtëpinë, e kam një pjesë të tokës të trashëguar nga prindërit, e kam një pjesë të një lokali poashtu të trashëguar dhe një veturë të vitit 2002.

KALLXO.com: A e keni pasurinë e përbashkët me gruan? Nese jo, a keni me e regjistru bashkarisht?

Ismajl Kurteshi: Nuk e kam të regjistruar bashkë, por pasuria është e përbashkët.

KALLXO.com: Herën e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru, në spital privat apo publik?

Ismajl Kurteshi: Nuk më ka ndodhë asnjëherë me shku në spital privat.

KALLXO.com: Ku keni me shku kur të bëheni deputet nëse sëmureni?

Ismajl Kurteshi: Në institucionet publike. Mendoj se atje do të krijohen kushte të mirë për të gjithë.

KALLXO.com: Fëmijët tuaj a janë në shkolla publike apo private?

Ismajl Kurteshi:  Shkolla publike.

KALLXO.com: Sa familjarë i keni të papunë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që e merr mandatin?

Ismajl Kurteshi: Realisht tash unë jetoj me bashkëshorten. Fëmijet jetojnë të ndarë. Bashkëshortja ime ka qenë mjeke, tani është në pension.

KALLXO.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbetë nën qeverisjen shtetërore?

Ismajl Kurteshi: Me mbetë nën qeverisjen shtetërore.

KALLXO.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?

Ismajl Kurteshi: Votën për buxhet do ta kushtëzojmë atëherë kur e shohim buxhetin. Mirëpo unë jam shumë i interesuar që të investohen në fushën e arsimit.

KALLXO.com: Cili ka me qene projekti/puna me të cilën keni me lanë gjurmë/trashegimia juaj si deputet?

Ismajl Kurteshi: Mendoj që angazhimi në ngritjen e cilësisë së arsimit dhe në trajtimin e barabartë të të gjitha zonave. Në zonën ku jetoj unë, është evidente një prapambetje dhe një investim më i vogël se në zonat tjera.

KALLXO.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?

Ismajl Kurteshi: Unë kam qenë njëri nga deputetët që kam parashtruar më së shumti pyetje parlamentare, por e keqja është që për shkak të mungesës së përgjigjeve, s’kemi marrë përgjigje. Është vështirë me fol me numra, por nuk ndodhë seancë e rregullt, kur unë nuk shtroj dy pyetje parlamentare.

KALLXO.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajtë gjatë një viti/mandati?

Ismajl Kurteshi: Jam në takime të vazhdueshme me qytetarë, por besoni numrin e tyre asnjëherë nuk mund ta di.

KALLXO.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?

Ismajl Kurteshi: Ashtu siç parashihet edhe me ligj, jo më të vjetra se 10 vite.

KALLXO.com: Sa dëgjime publike keni me i iniciu në komisionet ku keni me qenë pjesë?

Ismajl Kurteshi: Sa më shumë që të jetë e mundur. Për dëgjime publike duhet me punu edhe qeveria që me na furnizu me projektligje.

KALLXO.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritet aktakuzë?

Ismajl Kurteshi: Natyrisht

KALLXO.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë?

Ismajl Kurteshi: Po natyrisht, do të kërkoj dorëheqjen e kryeministrit ose shkuarjen në zgjedhje.

KALLXO.com:  A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?

Ismajl Kurteshi: Jo, jam për një qeveri që nuk i ka ma shumë se 12 ministri.

KALLXO.com: Sa zv/ministra duhet t’i ketë një ministri?

Ismajl Kurteshi: Maksimumi 2, e shumica nga 1 ministër.

KALLXO.com: A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike & shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?

Ismajl Kurteshi: Jo

KALLXO.com: A do t`i bëni transparente fondet e partisë?

Ismajl Kurteshi: Po

KALLXO.com: A keni me i hape dokumentet/faturat në kuvend/ministri?

Ismajl Kurteshi: Po