Kandidati për deputet i Nismës premton përkrahje për artistët

Aktor me profesion, Eqrem Berisha, nga Nisma Socialdemokrate, ia ka mësyrë postit të deputetit në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit.

Berisha në një intervistë për KALLXO.com ka thënë se kauza që do ta shtyjë përpara nëse e merr mandatin është fokusi në drejtim të artit.

“Do të fokusohem në Ligjin për artin, që t’u jepet mundësia sa më shumë aktorëve të rinj, regjisorëve të rinj, skenaristëve të rinj, dramaturgeve të rinj, që së paku të ketë Teatri Kombëtar apo Ministria e Kulturës një ligj që një herë në vit t’u jepet mundësia për një film apo një shfaqje teatrale”, ka theksuar ai.

Në anën tjetër, kandidati për deputet ka folur edhe për statusin e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Unë jam vet veteran i luftës. Kam qenë pjesë e UÇK-së, në moshën 17 vjeçare dhe problemin kryesor e kam me shokët e luftës që kemi qenë bashkë, dhe realisht statusi i veteranit sot në Kosovë është shumë i dobët”, ka shtuar ai për KALLXO.com.

Kandidati i Nismës ka shtuar se është kundër ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr, përdorimit të qeseve të plastikës dhe kundër djegies së qymyrit gjatë dimrit.

Kurse, thekson se e përkrahë ndërtimin e autostradës së Dukagjinit si dhe është për ndërtimin e hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës.

Kandidati për ligjvënës ndër të tjerash ka thënë se është kundër mbylljes së universiteteve publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet.

Jam kundër mbylljes së universiteteve publike pasi që unë vet i takoj tash për tash një universiteti publik që jam duke studiuar në fakultetin e tretë dhe besoj që kanë kualitet shumë të mirë dhe nuk mendoj që duhet me u mbyllë apo mos me i akreditu, sepse sa më shumë që të kemi universitete është më mirë”, është shprehur ai për KALLXO.com.

Mes tjerash ai është përgjigjur se është kundër martesave mes gjinisë së njëjtë dhe pro bartjes së shamive në shkolla.

Berisha është zotuar se nuk do të ndikojë për punësimin e familjarëve, duke shfrytëzuar pozitën e mundshme të deputetit.

“Nuk do të punësoj asnjë familjar. Nuk po hy deputet që të punësoj familjar”, ka thënë ai.

Kandidati ndër të tjerash ka theksuar se do t’i parashtrojë 51 pyetje parlamentare brenda një viti, nëse siguron pozitën e deputetit, ndërsa, ka shtuar se 50 takime në javë do t’i mbajë me qytetarë.

Kjo është intervista e plotë me kandidatin për deputet nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Eqrem Berisha:

KALLXO.com: Cila është kauza që keni me e shty nëse bëheni deputet?

Eqrem Berisha: Po realisht meqë vij nga profesioni i artit, jam aktor me profesion dhe muzikolog do të fokusohem në drejtime të artit, kryesisht në Ligjin për artin.

KALLXO.com: Nëse e merrni mandatin a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu me ndonjë post tjetër?

Eqrem Berisha: Jo. Kam dëshirë të jem deputet nëse marr mandatin sepse aty mendoj që mund të jem zëri pak më i fuqishëm për popullin e Kosovës.

KALLXO.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?

Eqrem Berisha: Realisht taksat e gjërave luksoze që i quajmë ne për shembull unë mendoj që duhet të rriten, kurse taksa e produkteve esenciale duhet të ulen.

KALLXO.com: Cilat janë tri amendamentet e para që keni me i propozu?

Eqrem Berisha: Nuk mundem me thanë për tri, por mundem për një amendament që do të fokusona në Ligjin për artin, që t’u jepet mundësia sa më shumë aktorëve të rinj, regjisorëve të rinj, skenaristëve të rinj, dramaturgeve të rinj, që së paku të ketë Teatri Kombëtar apo Ministria e Kulturës një ligj që një herë në vit tu jepet mundësia për një film apo një shfaqje teatrale me krejt të rinj, pra aktorë, regjisorë, dramaturg, të gjithë.

KALLXO.com: Cilat janë tri problemet/nevojat kryesore e komunës prej nga vini?

Eqrem Berisha: Realisht unë e kam një problem se unë vij nga dy komuna, për arsye së jam me prejardhje nga komuna e Drenasit, por jetoj në Fushë Kosovë dhe tani mandatin e kam marrë nga komuna e Fushë Kosovës. Jam që tri vite këtu. Problemet e qytetarëve janë në përgjithësi të gjitha, problemi kryesor është nepotizmi që po e quajnë të gjithë, punësimi familjar apo punësimi me të njofshëm dhe papunësia apo mundësia e zhvillimit të shtetit apo politikave të ndryshme ekonomike që të rinjtë të kenë punë sa më shumë, që të inkuadrohen në vendin e punës në vendin e tyre që mos ta lëshojnë vendin e të shkojnë në Evropë, perëndim, për një jetë më të mirë.

KALLXO.com: A ka gjasa me e ndërru partinë ku jeni tash?

Eqrem Berisha: Jo, realisht nuk ka gjasa. Për arsye së unë mendoj, jam i bindur në atë që politikat e Nismës Socialdemokrate janë më të mirat nga të gjitha partitë që ekzistojnë në Kosovë dhe thjesht mundem me lanë politikën, mos mu merr me politikë, por partinë së ndërroj.

KALLXO.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?

Eqrem Berisha: Varësisht prej rrjedhjes por duke u bazuar, njohur politikat e partisë sonë Nisma Socialdemokrate, që realisht gjithmonë ka shtyrë politika të mira në parlamentin e Kosovës   nuk besoj që do të jem kundër.

KALLXO.com: Cili grup i diskriminuar do ta ndjenë më së shumti përkrahjen tuaj si deputet?

Eqrem Berisha: Unë jam vet veteran i luftës. Kam qenë pjesë e UÇK-së, në moshën 17 vjeçare dhe problemin kryesor, kam me shokët e luftës që kemi qenë bashkë, dhe realisht statusi i veteranit sot në Kosovë është shumë i dobët.

KALLXO.com: Çka do të bëni për përmirësimin e ambientit (mjedisit) dhe ajrit të ndotur në Kosovë?

Eqrem Berisha: Meqenëse kandidimi për deputet nuk ta jep mundësinë ty që ti të marrësh bashkësi politika të mëdha, por realisht çdo politikë që bëhet nga qeveria e ardhshme kushdo qoftë ajo që formon në të mirë të popullit në të mirë të ambientit në këtë rast, unë do të jem për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?

Eqrem Berisha: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?

Eqrem Berisha: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR përdorimit të qeseve të plastikës?

Eqrem Berisha: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shitjes së Telekomit të Kosovës?

Eqrem Berisha: Për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të autostradës së Dukagjinit?

Eqrem Berisha: Për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shkëmbimit të territoreve me Serbi?

Eqrem Berisha: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së tarifës me Serbinë?

Eqrem Berisha: Realisht, nuk jam as për as kundër për arsyeje së është një politikë pak ma e madhe por nuk mundem me të thanë, për momentin jam kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?

Eqrem Berisha: Për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?

Eqrem Berisha: Jam kundër mbylljes së universiteteve publike pasi që unë vet i takoj tash për tash një universiteti publik që jam tu e studiu fakultetin e tretë, dhe besoj që kanë kualitet shumë të mirë dhe nuk mendoj që duhet me u mbyllë apo mos me i akreditu, sepse sa më shumë që të kemi universitete është më mirë mendoj.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR monopolit në homoligim?

Eqrem Berisha: Jam kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR martesave në mes të gjinisë së njëjtë?

Eqrem Berisha: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR bartjes së shamive në shkolla?

Eqrem Berisha: Për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR kuotës për deputetë nga diaspora?

Eqrem Berisha: Unë mendoj dhe jam shumë i sigurt në këtë që mendoj që diaspora duhet të ketë deputet në Parlamentin e Kosovës.

KALLXO.com: A je PËR apo KUNDËR ridizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzuar?

Eqrem Berisha: Po, do të thotë ndërrimi i praktikës së deritanishme jam kundër kësaj sepse është praktika më e keqe. Veterani për momentin është shumë i degradum.     

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së kartonit të gjelbër për diasporën?

Eqrem Berisha: Jam për heqje.

KALLXO.com: Kush po ua financon fushatën?

Eqrem Berisha: Realisht nuk kam financim, vetëm financimi i partisë që është, jo dikush tjetër.

KALLXO.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajt gjatë kohës kur jeni deputet/ministër?

Eqrem Berisha: Unë për momentin punoj vetëm në emisionin “Odeon”, aty jemi me vetëfinancim që do të thotë jemi të varur nga sponsoret nuk kemi marrëveshje që kemipagë mujore përmes bankës, për momentin jetoj me një pension të veteranit, 170 euro. Nëse bëhem deputet nuk do të mbaj vende punës tjera, e du arsimin shumë, kam punu 11 vite në arsim si arsimtar dhe pas punës se deputetit nëse bëhem, do t’i kthehem arsimit, e du punën në arsim, kryesisht në shkolla fillore apo të mesme, jo më lart. 

KALLXO.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?

Eqrem Berisha: Në të hyrat mujore kam një pension të veteranit 170 euro. Neve kemi beneficione pak që merremi më këtë punën e emisionit me honorare, me pagesa të sponsoreve, kam një jetë nën mesatare për momentin.

KALLXO.com: A e keni pasurinë e përbashkët me gruan/burrin? Nëse jo, a keni me e regjistru bashkërisht?

Eqrem Berisha: Po, para tri viteve kam hyrë në kredi, kam qenë duke punu në arsim, kisha mundësi me hy në kredi mirë. E kam marrë një banese në Fushë Kosovë, e kemi të përbashkët. Banesen kam edhe pak borxh me pagu kredinë edhe nja 20 mijë euro. Po realisht [e kemi të regjistruar], edhe kur kemi shku me ble banesën, tash është edhe me ligj me sa e di unë që duhet të nënshkruajnë dy palët, edhe bashkëshortja edhe bashkëshorti.

KALLXO.com: Herën e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru, në spital privat apo publik?

Eqrem Berisha: Në spital publik, gjithmonë në spital publik. Në spitale private vetëm në raste të shpejta, kur kam nevojë ndonjë analizë që më duhet shpejt për shpejtë.

KALLXO.com: Ku keni me shku kur të bëheni deputet nëse sëmureni?

Eqrem Berisha: Në spital të shtetit, gjithmonë.

KALLXO.com: Fëmijët tuaj a janë në shkolla publike apo private?

Eqrem Berisha: Fëmijët më janë të vegjël, realisht djali i madh i ka katër vite, i vogli një vit e gjysmë, djali i madh është në çerdhe private.

KALLXO.com: Sa familjarë i keni të papunë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që e merr mandatin?

Eqrem Berisha: Të gjithë familjarët i kam pa punë të shtetit, nuk kam asnjë familjar që ka punu në punë të shtetit. Punojnë si të gjithë në Kosovë, në punë private që edhe këto privatet nuk po janë të regjistruara, që duhet të jenë të regjistruara do të ishte më mirë. Nuk do të punësoj asnjë familjar. Nuk po hy deputet që të punësoj familjar.

KALLXO.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbet nën qeverisjen shtetërore?

Eqrem Berisha: Fati i Trepçës mendoj së duhet të mbetet nën qeverisjen shtetërore, për arsyeje së është asiti më i pasur kombëtar, por duhet ndërruar politika.

KALLXO.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?

Eqrem Berisha: Meqenëse i përkas fushës së artit, do të mundohna që të fokusona në lëmin e artit për arsyeje së jam i sigurt që kontributi më i madh do të jetë aty.  Do të mundohem që buxheti sa më i lartë të jetë për artin në përgjithësi.

KALLXO.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?

Eqrem Berisha: Do t’i parashtroj 512.

KALLXO.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajt gjatë një viti/mandati?

Eqrem Berisha: 50 në javë, se pushimi është pushim. Vikendit duhet më ja kushtu familjes së familja është në rend të parë por 50 në javë ku ka nevojë. 

KALLXO.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?

Eqrem Berisha: Për momentin mendoj që 2007 e më të rinj.

KALLXO.com: Sa dëgjime publike keni me i iniciu në komisionet ku keni me qenë pjesë?

Eqrem Berisha: Varësisht prej situatave qysh shfaqen, se është problem me dhanë numra.

KALLXO.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritët aktakuzë?

Eqrem Berisha: Patjetër.

KALLXO.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë?

Eqrem Berisha: Patjetër.

KALLXO.com: A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?

Eqrem Berisha: Nuk besoj që do ta votoj sepse nuk besoj që janë të nevojshme 15 ministri.

KALLXO.com: Sa zv.ministra duhet t’i ketë një ministri?

Eqrem Berisha: Më së shumti 2.

KALLXO.com: A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike & shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?

Eqrem Berisha: Jo.

KALLXO: A keni me i bo transparente fondet e partisë?

Eqrem Berisha: Qaty cka më përket mu, patjetër.

KALLXO.com: A keni me i hap dokumentet/faturat në kuvend/ministri?

Eqrem Berisha: Patjetër.