Kandidati për deputet i AKR-së premton bursa për të rinjtë nga paga e tij

Kandidati për deputet të Kuvendit të Kosovës, nga radhët e AKR-së, Imer Rogova në një intervistë për KALLXO.com ka premtuar përkrahje për të rinjtë nëse e merr mandatin në legjislativ, pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Rogova është zotuar se  të rinjve do t’ju ndajë bursa nga paga e tij e deputetit.

“Prej pagës sime, 10 bursa nga 100 euro do ti jap rinisë për me ju tregu rinisë se ne jemi këtu, me mundësitë qe i kemi të ju hapim rrugën me ja u kthy shpresën, e mandej duhet të elaborohen problemet dhe si mundemi ne t’i japim një shpresë që mos t’i humbim rinisë mos të na dalin jashtë”, ka thënë ai.

Rogova ka folur edhe për rritjen dhe uljen e taksave në Kosovë.

“Taksat doganore mendoj që janë shumë të larta për standardin që e ka Kosova, është interesi bankar, kamata që duhet të diskutohen çështjet e interesave të bankave që nuk përputhen me standardin ne ku jetojmë”, është përgjigjur ai.

Kandidati për deputet ka shtuar se tri amendamentet e para që do t’i propozonte, do të jenë shqyrtimi i ligjit në sistemin bankar, në zhvillimin ekonomik dhe në çështje sociale.

Rogova i cili vjen nga komuna e Prizrenit, ka renditur disa nga problemet më të cilat përballen qytetarët e komunës së tij.

“Problemi i parë është problemi i papunësisë së rinisë, mos përfaqësimi i njerëzve të Prizrenit  në Qeveri, në Parlamentin e Kosovës dhe problemet sociale”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Kandidati nga AKR-ja ka shtuar se nuk është kundër ndërtimit të autostradës së Dukagjinit, por sipas tij kjo gjë aktualisht nuk është prioritet.

Kjo është intervista e plotë me kandidatin për deputet nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Imer Rogova:

KALLXO.com: Cila është kauza që keni me e shty nëse boheni deputet?

Imer Rogova: Unë mendoj për veti se prej pagës sime, 10 bursa nga 100 euro do ti jap rinisë për me ju tregu rinisë se ne jemi këtu, me mundësitë qe i kemi të ju hapim rrugën me ja u kthy shpresën, e mandej duhet të elaborohen problemet dhe si mundemi ne t’i japim një shpresë që mos t’i humbim rinisë mos të na dalin jashtë.

KALLXO.com: Nëse e merrni mandatin a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu me ndonjë post tjetër?

Imer Rogova: Jo nuk mendoj të kaloj në post tjetër, do ta vazhdoj si deputet.

KALLXO.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?

Imer Rogova: Taksat doganore mendoj që janë shumë të larta për standardin që e ka Kosova, është interesi bankar, kamata që duhet të diskutohen çështjet e interesave të bankave që nuk përputhen me standardin ne ku jetojmë.

KALLXO.com: Cilat janë tri amendamentet e para që keni me i propozu?

Imer Rogova: Tri amendamentet e para që kemi me i propozu do të jenë shqyrtimi i ligjit në sistemin bankar, në zhvillimin ekonomik dhe në çështje sociale.

KALLXO.com: Cilat janë tri problemet/nevojat kryesore e komunës prej nga vini?

Imer Rogova: Problemi i parë është problemi i papunësisë së rinisë, mos përfaqësimi i njerëzve të Prizrenit  në Qeveri, në Parlamentin e Kosovës dhe problemet sociale.

KALLXO.com: A ka gjasa me e ndërru partinë ku jeni tash?

Imer Rogova: Jo assesi.

KALLXO.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?

Imer Rogova: Nuk ka gjasa të votojmë kundër grupit sepse AKR e ka një plan program zhvillimor shumë të mirë që na nuk dalim jashtë kornizave të programit që e kena përpilu dhe nuk besoj që duhet dikush ta kundërshtojë, jo unë por edhe tjerët që i kemi.

KALLXO.com: Cili grup i diskriminuar do ta ndjenë më së shumti përkrahjen tuaj si deputet?

Imer Rogova: Grupi i rinisë, ata janë më të diskriminuar, unë mendoj që duhen mu përkrah më së shumti dhe duhet ti përkrahim se ata janë fidanë s’duhet t’i thejmë, duhet ti mbrojmë.

KALLXO.com: Çka do të bëni për përmirësimin e ambientit (mjedisit) dhe ajrit të ndotur në Kosovë?

Imer Rogova: Për ta ruajtur ambientin na duhet me ja nis prej vetes, duke nisur me mbrojt pjesën e gjelbërimit, me mbrojt mjedisin dhe në atë drejtim të punohet me projekte në bazë të programit që i kemi Aleanca Kosova e Re.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?

Imer Rogova: Kosova ka nevojë për rrymë, por ne jemi kundër të ndotjes së ambientit, ato duhet me filterat qe i kanë të mbrohet ambienti, po na duhet gjithsesi se na kemi nevojë për rrymë.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?

Imer Rogova: Jam kundër qymyrit.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR përdorimit të qeseve të plastikës?

Imer Rogova: Kundër jam, janë të dëmshme mendoj.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shitjes së Telekomit të Kosovës?

Imer Rogova:  Kundër jam, kundër shitjes.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të autostradës së Dukagjinit?

Imer Rogova: Nuk jam kundër, por besoj që për momentin nuk është prioritet.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shkëmbimit të territoreve me Serbi?

Imer Rogova: Assesi, Kosova i ka territoret e veta, kufijtë e veta dhe na i qëndrojmë prapa.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së tarifës me Serbinë?

Imer Rogova: Jam kundër heqjes për një periudhë të caktuar, që me pa se ata a do të vazhdojnë me negociata ose me premtime ata qysh po na akuzojnë neve për tema të caktuara që i kemi.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?

Imer Rogova: Për momentin jam kundër ndotjes së ambientit, hidrocentralet e dëmtojnë ambientin.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?

Imer Rogova: Unë jam kundër mbylljes së universiteteve, unë jam vetëm për te cilësia e arsimit të ngritët, por për mbyllje nuk jam, assesi  nuk jam për mbyllje të universiteteve.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR monopolit në homologim?

Imer Rogova: Kundër jam.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR martesave në mes të gjinisë së njëjtë?

Imer Rogova: Kjo është një gjë që ka kalu në Parlamentin e Kosovës dhe s’mund ta anashkalojmë këtë realitet që është në Republikën e Kosovës dhe s’jam kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR bartjes së shamive në shkolla?

Imer Rogova: Jam për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR kuotës për deputetë nga diaspora?

Imer Rogova: Jam për.

KALLXO.com: A je PËR apo KUNDËR ridizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzuar?

Imer Rogova: Jam për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së kartonit të gjelbër për diasporën?

Imer Rogova: Jam për.

KALLXO.com: Kush po ua financon fushatën?

Imer Rogova: Fushatën, një pjesë të fushatës mundohem nga ana e subjektit që e kemi dhe një pjesë e fushatës financohet me përkrahje familjare dhe vetanake.

KALLXO.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajt gjatë kohës kur jeni deputet/ministër?

Imer Rogova:  Unë jam këshilltar i jashtëm  i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe mendoj se në të ardhmen do ta mbajë vetëm  pozitën që do ta kem, si deputet.

KALLXO.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?

Imer Rogova: Të hyrat mujore nuk i kemi shumë, janë solide nëse nuk duhet me asi dhe pasuritë i kemi familjare, pasuri të përbashkët.

KALLXO.com: A e keni pasurinë e përbashkët me gruan/burrin? Nëse jo, a keni me e regjistru bashkërisht?

Imer Rogova: Po, po veç na e kemi pasurinë ende edhe me prindërit.

KALLXO.com: Herën e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru, në spital privat apo publik?

Imer Rogova: Publik.

KALLXO.com: Ku keni me shku kur të bëheni deputet nëse sëmureni?

Imer Rogova: Prapë në spital publik.

KALLXO.com: Fëmijët tuaj a janë në shkolla publike apo private?

Imer Rogova: Djalin e kam në shkollë publike, vajzën e kam në shkollë private, në UBT.

KALLXO.com: Sa familjarë i keni të papunë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që e merr mandatin?

Imer Rogova: Të papunë janë të gjithë, fëmijët i kam të rinj dhe vajzën e kam në studime , shoqja nuk më punon. Nuk mendoj unë në ato forma, por nëse duhet ta punësoj gruan unë kam një biznes privat mundet me vazhdu atë që e  ka ajo në plan programin e vet.

KALLXO.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbet nën qeverisjen shtetërore?

Imer Rogova: Unë mendoj që duhet të jetë nën qeverinë shtetërore, është pasuria e vetme e Kosovës qe ne duhet me u mburr që  e kemi  dhe me gjet forma sesi ta ringjallim atë.

KALLXO.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?

Imer Rogova: Po besoj se ato do t’i propozojmë në qeveri dhe do ta shihni cilat janë ato projekte.

KALLXO.com: Cili ka me qenë projekti/puna me të cilën keni me lanë gjurmë/trashëgimia juaj si deputet?

Imer Rogova: Sinqeriteti, të jem i sinqertë me qytetarin tonë, me njerëzit tanë, me atdhedashurinë  tonë, të jemi një model për gjenerata që po na vijnë.

KALLXO.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?

Imer Rogova: Ato nuk mujn me dal jashtë kornizës qe i ka programi jonë dhe ato do të elaborohen prej grupit parlamentar që do ta kemi në qeverisje.

KALLXO.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajt gjatë një viti/mandati?

Imer Rogova: Mendoj që shumë takime duhen të mbahen, por me numër ato nuk mundem.

KALLXO.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?

Imer Rogova: Nuk kisha lan një kusht për mos me na ardhë neve makina të vjetra. Nëse e ka vendos qytetari me marr një makinë, pse na me ju pengu aty kur na nuk mujna me ja ofru ose nuk mujna me kushtëzu qytetarin mos ta merr kur nuk i japim hapësirë, si kemi dhanë hapësirë ai me bë një makinë ma të re, nëse s’mundesh t’ia bësh ma të re pse mos me përdor atë.

KALLXO.com: Sa dëgjime publike keni me i iniciu në komisionet ku keni me qenë pjesë?

Imer Rogova: Sa dëgjime publike? Nuk e di varet prej situatës  se si qëndron.

KALLXO.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritet aktakuzë?

Imer Rogova: Po.

KALLXO.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë?

Imer Rogova: Po.

KALLXO.com: A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?

Imer Rogova: Po.

KALLXO.com: Sa zëvendësministra duhet t’i ketë një ministri?

Imer Rogova: Dy zëvendësministra mendoj se janë mjaftueshëm.

KALLXO.com: A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike & shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?

Imer Rogova: Jo.

KALLXO: A keni me i bo transparente fondet e partisë?

Imer Rogova: Pse jo.

KALLXO.com: A keni me i hap dokumentet/faturat në kuvend/ministri?

Imer Rogova: Subjekti Aleanca Kosova e Re, gjithmonë ka qenë i hapur dhe ne kemi transparencën jo para vetëm brenda subjektit, por edhe para qytetarëve dhe para Parlamentit të Kosovës, na mendojmë që jemi subjekt ma transparent se gjithë subjektet tjera në këtë drejtim.