Kandidati nga PDK e Kadri Veselit propozon shitjen e 49% të Telekomit

Esat Jusufi, është njëri nga kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës për tu bërë deputet i Kuvendit të Kosovës.

Në një intervistë dhënë për KALLXO.com ai ka treguar se kauza që e ka shtyrë që të hyjë në gazën për të zënë ulëse në Kuvendin e Kosovës ka të bëjë me një ekonomi gjithëpërfshirëse.

“ Kauza kryesore është një ekonomi gjithëpërfshirëse, zhvillimit të këtij vendi, veçanërisht të Mitrovicës. Kemi degradim të ekonomisë,  prej pasluftës, ka qenë një qytet industrial. Ideja është që ta zhvillojmë edhe një pjesë të bizneseve, të jetë një zonë e mirë për investime të diasporës, pse jo edhe të zgjerimit të bizneseve që janë vendase”, ka thënë Jusufi.

Ai ka bërë të ditur se në rast se merr postin e deputetit të Kuvendit  të Kosovës, nuk mendon se do kaloj në ndonjë post tjetër qeveritar.

Në këtë intervistë, ai ka folur edhe për taksat, se cilat sipas tij duhet të ulen dhe cilat duhet të rriten në Kosovë.

“Gjithë ato taksa që kanë hapësirë të jenë në favor të sporteve me bë një modifikim të atyre që janë dhe të shihet ku është efekti. Ata që e dëmtojnë ambientin, ato taksa të jenë bukur të larta, këto taksat e brendshme me qenë bukur të larta sepse vetvetiu jemi ka e shkatërrojmë dhe ka i bëjmë dëme secili në pjesën e vetë të qytetit”, ka thënë Jusufi.

Kur është pyetur se cilat do të jenë tri amendamentet e para të cilat Jusufi do t’i propozoj si deputet i Kuvendit të Kosovës, ai nuk ka dhënë një përgjigje konkrete rreth kësaj teme.

“Për momentin është e vështirë ta jap një përgjigje konkrete por mbetet që të shihet por sigurisht se do të jen me përmbajtje ekonomike”, ka thënë ai duke vazhduar të flas për tri problemet kryesore të Komunës së Mitrovicës.

“Papunësia është jashtëzakonisht e madhe, mos bërja e biznesit ose zhvillimit që ndodhi në qytetin e Mitrovicës kanë reflektuar jo kompakt me nevojat e shtetit dhe është një pjesë që ka nevojë për me ridizajnu qytetin”, ka thënë ai.

Jusufi në këtë intervistë si kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosoës ka thënë se nuk besoj se ndonjëherë do të kaloj në ndonjë parti tjetër, ndërsa kur është pyetur nëse do të votonte kundër qëndrimit të grupit të tij parlamentar, ai është përgjigjur duke thënë se nëse është e nevojshme po.

Në rast se Jusufi zgjidhet deputet i Kuvendit të Kosovës, ai nuk ka specifikuar ndonjë grup të diskriminuar të cilit do t’i qëndroj pranë, por ka premtuar se çdo qytetar që ka nevoj do të jetë pranë tij.

Në këtë intervistë, Jusufi ka folur edhe rreth ndotjes së ambientit, duke treguar se është kundër djegies së qymyrit nëpër shtëpi, e po ashtu edhe kundër përdorimit të qeseve të plastikës.
Ndërsa kur është pyetur për privatizimin e Telekomit të Kosovës, Jusufi është përgjigjur për por me një kusht.

“Jam për privatizimin e Telekomit, mirëpo në përqindje që shteti të ketë të paktën 51 %  të aksioneve ndërsa pjesa tjetër të jetë private”, ka thënë ai.

Për temën e cila është përfolur ditëve të fundit rreth ndërtimit të autostradës së Dukagjinit, Jusufi ka treguar se nuk është kundër saj, pas që sipas tij secila pjesë e Kosovës ka nevojë për infrastrukturë.

“Edhe pjesa e Dukagjinit e ka nevojën e vet, edhe duhet me qenë edhe ajo pjesë mirëpo sa e përballon buxheti i shteti tonë këtë në këtë kohë është një pikëpyetje që duhet të ja lëmë kohës”, ka thënë Jusufi.

Jusufi ka folur edhe rreth temës për shkëmbimin e territoreve me Serbinë, për të cilët është shprehur kundër, ndërsa kur është pyetur rreth heqjes së taksës ndaj Serbisë Jusufi ka thënë se një pezullim i përkohshëm do të duhet të ndodhte.

Jusufi është shprehur kundër ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë të vegjël duke thënë se aty ku ka lumenj të mëdhenj që mund të shfrytëzohet edhe për  hidrocentrale nuk është kundër ndërtimit.

Jusufi ka thënë se kundër mbylljes së Universiteteve Publike edhe nëse programet e tyre nga Agjencia e Akreditimit, ashtu siç është edhe kundër monopolit në homologim.

Jusufi ka treguar se është kundër martesës së personave në mes gjinisë së njëjtë, ndërsa ka thënë se është pro bartjes së shamive në shkolla duke thënë se është zgjedhje e lirë.

Për ridizajnimin e skemës së veteranëve, Jusufi ka thënë se është temë e ndjeshme, pasi që ai vetë është djali i një dëshmori.

“Unë vet jam djalë i dëshmorit dhe është pjesë që është shumë e ndjeshme, kanë abuzu një pjesë bukur e madhe por edhe pjesa tjetër që është abuzu ose ka diçka është mirë që të zgjidhet ai problem një herë e përgjithmonë dhe mos ti jepet rasti asnjë subjekti politik asnjë individi që të manipuloj edhe me lista edhe me emra qoftë të veteranëve qoftë të invalidëve coftë me familje të dëshmorëve”, ka thënë Jusufi.

Në intervistën e dhënë për KALLXO.com, Jusufi ka treguar se është pro që kartoni i gjelbër të largohet, por përgjigje konkrete nuk kishte në pyetjen rreth financimit të fushatës së tij, duke thënë se është ende herët.

Jusufi ka thënë se  tani ka vetëm një vend punë, ndërsa në rast të zgjedhjes së tij si deputet i Kuvendit të Kosovës, nuk do të ketë mundësi të mbajë më shumë se edhe këtë vend të punës që ka, përderisa ka treguar se të hyrat mujore në familjen e tij janë rreth 2 mije euro, dhe se ka një pasuri mesatare, pasuri këtë të cilët e ka të regjistruar së bashku me bashkëshorten e tij.

Kur Jusufi është pyetur se ku është shëruar në herën e fundit kur ka qenë i sëmurë ka thënë se nuk e mbanë mend, por në rast se merr postin e deputetit, ai ka premtuar se përparësi gjithmonë do të kenë spitale publike nëse ka mundësi të trajtimit, por nëse jo atëherë do të shoh alternativa të tjera.

Fëmijët e Jusufit vijojnë mësimin në shkolla publike, ndërsa tregon nëse do të punësoj familjarët e tjerë në qoftë se merr mandatin e radhës si deputet.

“Unë jetoj vetëm me gruan dhe më fëmijët, të cilët janë të vegjël gruan e kam të punësuar, vet jam i punësuar, për momentin nuk kam të pa punë”, ka thënë Jusufi.

Si kandidat nga Komuna e Mitrovicës, Jusufi ka folur edhe për fatin e Trepçës, nëse është zgjidhja e duhur që ajo të privatizohet.

“Gjithmonë jam për atë pjesën që qeveria me pas 51% të aksioneve, por është bukur e vështirë ajo me u vendos në një intervistë derisa nuk ka rrethana se cila do të ishte forma më e mirë. Unë besoj se faktori i zhvillimit ekonomik gjithmonë është tek sektori privat, dhe tash Trepça është një pjesë e ndjeshme, është bukur e vështirë që kjo pjesë të jepet në një intervistë pa një analizë të mirëfilltë”, ka thënë Jusufi.

Jusufi përgjigje konkrete nuk ka dhënë se sa pyetje parlamentare do t’i parashtroj brenda një viti në Kuvendit e Kosovës, ashtu siç nuk është përgjigjur konkretisht edhe për takimet me qytetar të cilat do ti mbajë gjatë një viti.

Kur është pyetur nëse do të jap dorëheqje në rast se ndaj tij ngitet aktakuzë, Jusufi ka thënë se nuk besoj se do të vijë situata që ndaj tij të ngitet aktakuzë, ndërsa kur është pyetur nëse do të votojë për rrëzimin e qeverisë nëse në rast se ndaj kryeministrit ngitet aktakuzë, ai ka thënë se kjo do të varet prej llojit të aktakuzës.

Sipas Jusufit, secila qeveri ka bërë ministri më shumë se që ka pasur nevojë, por ai beson se këtë herë nuk do të tejkalohet numri prej 15 ministrive, ku ka thënë se për secilën ministri mjaftojnë dy zëvendësministra.

KALLXO.com ka raportuar shumë herë për emërimet familjare dhe në baza partiake në bordet e ndërmarrjeve publike dhe shoqërore.

Jusufi ka treguar se asnjëherë nuk do të votonte njerëz që nuk do ti plotësonte kushtet për pozita të tilla.

Jusufi ka premtuar se do të bëjë publike fondet e partisë, e po ashtu edhe  faturat e shpenzimeve në kuvend apo në ministri.