Jeton Emini

Kandidati nga PAI 'Votën për buxhetin do e kushtëzoj për interesat e komunitetit që përfaqësoj' - VIDEO

Nëse do të bëhet deputet në Parlamentin e Kosovë premton se do t`i qojë përpara dy kauza kryesore që janë në dobi të komunitetit që ai përfaqëson, apo edhe të komuniteteve tjera në Kosovë, kështu thotë Jeton Emini nga Partia e Ashkalive për Integrim.

“Kauza ime përbehet prej dy pikave kryesore e para me pas një përfaqësim të denjë në Parlamentin e Kosovës me ngrit zërin e komuniteteve në këtë rast komuniteti ashkali që unë e përfaqësoj dhe kauza e dyte është më iniciua me bë një grup parlamentar, prej komuniteteve jo shumicë me rom, ashkali, egjiptas, eventualisht edhe komuniteteve tjera si turq dhe boshnjak”, thotë Emini.

Ai thotë se problem në komunën prej nga vjen, Ferizaj, mbetet punësimi dhe diskriminimi i komunitetit të tij.

“Problemi kryesor është punësimi, problem tjetër është pjesë e skemës sociale që nuk është e merituar, ndoshta duhet të rritet dhe problem tjetër është çështja e diskriminimit në shkolla dhe në institucionet tjera publike”, theksoi Emini.

Emini është kundër ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr dhe djegies së qymyrit në shtëpi gjatë dimrit, e gjithashtu kundër u deklarua edhe për përdorimin e qeseve të plastikës.

Për shitjen e Telekomit të Kosovës ai tha se duhet të shqyrtohet për shkak se gjendja e tij është jo të favorshme për momentin, njëjtë është deklaruar edhe për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit.

Gjithashtu kundër u deklarua edhe për shkëmbimin e territorit me Serbinë dhe heqjen e taksës për produktet serbe pasi që tha se ndihet krenar që ka qenë pjesëmarrës në mbledhjen e qeverisë kur është vendos taksa prej 100 përqind.

Emini tha se është kundër martesave në mes se gjinisë së njëjtë.

Por u deklarua pro bartjes së shamive në shkolla.

Për Trepçën u deklarua se duhet të mbetët nën qeverisjen shtetërore.

“Nëse nuk bëhen të mira për komunitetin tonë do të kushtëzoj me votën për buxhetin”, tha ai.

Emini tha se duhet të respektohet ligji aktual në lidhje me lejimin e importimeve të makinave në Kosovë.

Nëse i ngritet aktakuzë gjatë kohës sa është duke ushtruar mandatit e deputetit apo ndonjë posti tjetër ai tha se nuk jep dorëheqje.

“Ta zëmë nëse ish ngrit një aktakuzë e cila mundë të jetë edhe politike mirëpo bazuar në vendimin e gjykatës dhe nëse gjykata vendos unë patjetër që nuk do jem pjesë e parlamentit”, shtoi Emini.

Ai tha se nuk e voton rrëzimin e qeverisë nëse Kryeministri ka aktakuzë.