Elbert Krasniqi

Kandidati nga IRDK premton zyrtarizimin e 'Festës memoriale të komunitetit egjiptian' - VIDEO

“Kauza kryesore e IRDK-së është promovimi dhe mbrojtja e komunitetit egjiptian në Kosovë, njëkohësisht dëshmojmë se komunitetet në Kosovë nuk janë veç ngarkesë për shtetin por janë aset për zhvillimin e interesit të përgjithshëm të shtetit”, theksoi Elbert Krasniqi, kandidat për deputet nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës.

Krasniqi tha se taksat të cilat duhet të ulen në Kosovë janë taksat e shportës elementare.

“Amendamenti i parë e që është shumë i rëndësishëm për ne do të jetë amandamentimi i ligjit që 24 qershori të zyrtarizohet si festë memoriale e komunitetit egjiptian në Kosovë”, potencoi Krasniqi.

Ai ka shtuar se nëse e merr mandatin do të fokusohet t`i ndihmoj qytetit të tij për ngritjen e turizmit.

“Peja si komunë mendoj ka që një zhvillim të mirë, por ka edhe probleme. Fokusi im si deputet për me mbështet Pejën si komunë dhe qytetarët si tërësi do të jetë fokusimi dhe mbështetja në turizëm, zhvillimi i resurseve të natyrës do të mundësoj qytetarëve për krijimin e kushteve për biznes por edhe me pas më shumë turistë që do të ndikonim drejtpërdrejtë në ekonominë e qytetit tonë”, tha Krasniqi.

Ai tha se nuk do ta ndërrojë partinë ku është tani, mirëpo do të angazhohet të bëjë bashkimin e komunitetit që përfaqëson në një parti të vetme.

Kjo parti me theks të veçantë mbron interesat e komunitetit egjiptian në Kosovë, por Krasniqi tha se do punojë edhe për të tjerët.

“Definitivisht do të jetë komuniteti egjiptian në rend të parë por gjithë ato grupe etnike dhe të tjerë që kanë problemet e njëjta në të cilat ne do të fokusohemi në përmirësimin e jetës së qytetarëve do të përfitojnë nga angazhimi ynë në politikë”, theksoi Krasniqi.

Për përmirësimin e ambientit Krasniqi theksoi se do i mbështet komunat e Kosovës.

“Do të fillojmë t`i mbështesim komunat që ato të jenë në rend të parë organizatore të jetës së qytetarëve, mirëmbajtja e qytetit është përgjegjësi e komunës do të jemi në mbështetje të komunave”, tha Krasniqi.

Krasniqi u deklarua kundër ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr. Gjithashtu tha së në parim është kundër djegies së qymyrit edhe nëpër shtëpi gjatë dimrit por theksoi se duhet t`i kuptojmë edhe kushtet e rënda të qytetarëve tanë.

Ai tha se do të inicioj që mos të ketë më qese të plastikë në përdorim.

“Shumë kundër, do të inicioj ndonjë praktikë të mirë që qeset e plastikës të mos shfrytëzohen më në marketet tona ku është edhe baza kryesore e ndotjes së ambientit prej qeseve të plastikës, ka praktika të mira ku mundemi me kalu në qese të letrës të reciklueshme”, tha Krasniqi.

Ndërtimin e autostradës së Dukagjinit tha se do e mbështet 100 %.

“Besoj që kjo është një gabim i madh për shkak se edhe ndarja, shkëmbimi bëhet në baza etnike, Kosova është shtet multietnik i ndërtuar mbi konceptin e qytetarit kështu që nëse ndahet është edhe kundër konceptit të Kosovës”, shtoi Krasniqi.

Krasniqi u deklarua kundër shkëmbimit të territoreve me Serbinë, ndërsa sa i përket taksës me Serbinë ai tha se duhet lëvizur kur parimi i reciprocitetit është në tryezën tonë.

“Në parim jam kundër ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë dhe shkatërrimin e lumenjve kam votuar edhe si asamblist për anulimin e projektit të hidrocentraleve në Lumëbardhin e Pejës, mirëpo e di që praktika të mira ku mundë të ndërtohen edhe pa u dëmtuar lumenjtë”, theksoi Krasniqi.

Martesat në mes të gjinisë së njëjtë Krasniqi e sheh si zgjedhje personale.

“Në parim do duhej të respektohet e drejta e çdo individi”, theksoi Krasniqi.

“Jam shumë pro bartjes së shamisë në shkollat tona për shkak se edhe kjo është një e drejtë e njeriut në ushtrimin e fesë”, theksoi Krasniqi kur u pyet për bartjen e shamisë në shkolla.

Krasniqi tha se ka të ardhura të mjaftueshme të përafërta sa paga e një deputeti në organizatën ku punon dhe se nëse merr mandatin do të fokusohet vetëm në postin e deputet.