Kandidati i AKR-së kundërshton ndërtimin e autostradës së Dukagjinit

Abdullah Mehmeti nga Aleanca Kosova e Re (AKR), garon për herë të parë për postin e deputetit të Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit, ndërsa në një intervistë për KALLXO.com, ka thënë se do të fokusohet shumë në zhvillimin e arsimit, zhvillimin e bujqësisë dhe të shëndetësisë.

Mehmeti e ka lënë të hapur mundësinë që ta ndërrojë partitë, përderisa ka shtuar se  ka gjasa që të votojë kundër grupit të tij parlamentar.

Varet prej propozimit të tyre. Nëse është kundër interesave të Republikës së Kosovës dhe sovranitetit gjithsesi do të jem kundër”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Kandidati i AKR-së është nga Podujeva, për të cilën komunë i ka përmendur edhe problemet dhe nevojat kryesore të qytetarëve.

“Është mungesa e ujit të pijes dhe rrjetit të kanalizimit në regjionin e fshatit Orllan ku banorët atje jetojnë pranë ujit por të njëjtit  nuk kanë ujë të pijes. Prandaj ky është projekti prioritar që patjetër duhet të realizohet. Pastaj duhet të bëjmë çmos në pajisje e shkollave me mjete të konkretizimit sepse në çdo moment po potencomë po kërkojmë dhe po dëshirojmë që niveli dhe cilësia e arsimit të përmirësohet e ajo mund të përmirësohet vetëm me pajisjen e kabineteve me mjete konkretizuese”, është përgjigjur ai.

Mehmeti ka shtuar se është kundër ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr, kundër djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit, si dhe kundër përdorimit të qeseve të plastikës.

Ai e ka kundërshtuar edhe mundësinë për shitjen e Telekomit të Kosovës si dhe ndërtimin e autostradës së Dukagjinit.

Në anën tjetër, sipas tij taksa ndaj produkteve serbe e boshnjake në këtë kohë, duhet të hiqet.

“Në marrëdhëniet ndërkombëtare duhet të respektohen normat ndërkombëtare, prandaj duhet të kemi kujdes në këtë situatë. Konsideroj se duhet të hiqe”, ka theksuar ai për KALLXO.com

Kandidati për ligjvënës, ndër të tjerash ka treguar se dy familjarë i ka të pa punë dhe se do të bëj përpjekje t’i punësojë, duke përcjellë konkurse pune.

Mehmeti është zotuar se do të jap dorëheqje nga pozita e deputetit të Kuvendit të Kosovës, nëse ndaj tij ngritet aktakuzë.

Sipas tij, një ministri duhet ti ketë më së shumti dy zëvendësministra.

Kjo është intervista e plotë me kandidatin për deputet nga radhët e AKR-së, Abdullah Mehmeti:

KALLXO.com: Cila është kauza që keni me e shty nëse bëheni deputet?

Abdullah Mehmeti: Atëherë, Parlamenti i Kosovës punon në respektimin e normave kushtetuese, prandaj unë mendoj që deputeti në Parlamentin e Kosovës, duke del për ta promovuar vetveten ose oratorinë e tij. Nuk del aty për ta sulmuar rivalin e tij partiak por duhet patjetër të prezantoj projektet të cilat do të jenë të favorshme për qytetarët e komunës së tij. Në kuadër të kësaj unë premtoj që do të paraqes të gjitha kërkesat dhe projektet të cilat janë të domosdoshme dhe të favorshme për qytetarët e komunës së Podujevës.

KALLXO.com: Nëse e merrni mandatin a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu me ndonjë post tjetër?

Abdullah Mehmeti: Varet prej situatës. Me dëshirë do të qëndroja deputet.

KALLXO.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?

Abdullah Mehmeti: Konsideroj se taksat duhet të zvogëlohen për bizneset dhe përveç zvogëlimit të taksave duhet tu mundësohen forma tjera për zhvillimin e bizneseve të tyre, ndërsa për ngritjen e taksave, alkooli dhe gjërat e tjera që nuk janë prioritare.

KALLXO.com: Cilat janë tri amendamentet e para që keni me i propozu?

Abdullah Mehmeti: Unë do të fokusohem shumë në zhvillimin e arsimit, zhvillimin e bujqësisë dhe të shëndetësisë.

KALLXO.com: Cilat janë tri problemet/nevojat kryesore e komunës prej nga vini?

Abdullah Mehmeti: Në komunën tonë janë disa probleme, mirëpo unë po i theksoj disa prej tyre. Është mungesa e ujit të pijes dhe rrjetit të kanalizimit në regjionin e fshatit Orllan ku banorët atje jetojnë pranë ujit por të njëjtit  nuk kanë ujë të pijes. Prandaj ky është projekti prioritar që patjetër duhet të realizohet. Pastaj duhet të bëjmë çmos në pajisje e shkollave me mjete të konkretizimit sepse në çdo moment po potencomë po kërkojmë dhe po dëshirojmë që niveli dhe cilësia e arsimit të përmirësohet e ajo mund të përmirësohet vetëm me pajisjen e kabineteve me mjete konkretizuese.

KALLXO.com: A ka gjasa me e ndërru partinë ku jeni tash?

Abdullah Mehmeti: Pyetje interesante. Ndoshta.

KALLXO.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?

Abdullah Mehmeti: Varet prej propozimit të tyre. Nëse është kundër interesave të Republikës së Kosovës dhe sovranitetit gjithsesi do të jem kundër.

KALLXO.com: Cili grup i diskriminuar do ta ndjenë më së shumti përkrahjen tuaj si deputet?

Abdullah Mehmeti: unë do të jem gjithmonë krah i punëtorëve të arsimit.

KALLXO.com: Çka do të bëni për përmirësimin e ambientit (mjedisit) dhe ajrit të ndotur në Kosovë?

Abdullah Mehmeti: këtu duhet të përpilohen projekte të veçanta për mirëmbajtjen e ambientit. Kështu që , mendoj që është detyrë edhe e qeverisë edhe e komunës, mirëpo ne duhet të jemi pjesë e këtij projekti.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?

Abdullah Mehmeti: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?

Abdullah Mehmeti: Kundër, patjetër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR përdorimit të qeseve të plastikës?

Abdullah Mehmeti: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shitjes së Telekomit të Kosovës?

Abdullah Mehmeti: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të autostradës së Dukagjinit?

Abdullah Mehmeti: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shkëmbimit të territoreve me Serbi?

Abdullah Mehmeti: Gjithsesi kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së tarifës me Serbinë?

Abdullah Mehmeti: Në marrëdhëniet ndërkombëtare duhet të respektohen normat ndërkombëtare, prandaj duhet të kemi kujdes në këtë situatë. Konsideroj se duhet të hiqet.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?

Abdullah Mehmeti: varet prej atyre që i përpilojnë projektet, po pse jo të shfrytëzohet energjia që e kemi.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?

Abdullah Mehmeti: Nese nuk janë të akredituara, të mbyllen ato.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR monopolit në homologim?

Abdullah Mehmeti: Për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR martesave në mes të gjinisë së njëjtë?

Abdullah Mehmeti: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR bartjes së shamive në shkolla?

Abdullah Mehmeti: Për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR kuotës për deputetë nga diaspora?

Abdullah Mehmeti: Për.

KALLXO.com: A je PËR apo KUNDËR ridizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzuar?

Abdullah Mehmeti: Për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së kartonit të gjelbër për diasporën?

Abdullah Mehmeti: Për.

KALLXO.com: Kush po ua financon fushatën?

Abdullah Mehmeti: Partia, presidenti ynë Pacolli.

KALLXO.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajt gjatë kohës kur jeni deputet/ministër?

Abdullah Mehmeti: Tani nuk kam vend të punës sepse unë jam pensionist. Vetëm vendin e punës së deputetit.

KALLXO.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?

Abdullah Mehmeti: E kam pensionin 260 euro. Pasi kam shtëpi dhe banesë.

KALLXO.com: A e keni pasurinë e përbashkët me gruan/burrin? Nëse jo, a keni me e regjistru bashkërisht?

Abdullah Mehmeti: Po, shtëpinë e kam unë, ndërsa në emër tyë gruas është banesa.

KALLXO.com: Herën e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru, në spital privat apo publik?

Abdullah Mehmeti: Aty ku qëlloj më afër. Në spital publik.

KALLXO.com: Ku keni me shku kur të bëheni deputet nëse sëmureni?

Abdullah Mehmeti: Publik gjithsesi.

KALLXO.com: Fëmijët tuaj a janë në shkolla publike apo private?

Abdullah Mehmeti: Publike.

KALLXO.com: Sa familjarë i keni të papunë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që e merr mandatin?

Abdullah Mehmeti: atëherë i kam dy anëtarë të familjes të papunësuar dhe do të bëj përpjekje që të punësohen. Duke përcjellë konkurse.

KALLXO.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbet nën qeverisjen shtetërore?

Abdullah Mehmeti: Nën qeverisjen shtetërore.

KALLXO.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?

Abdullah Mehmeti: Në qoftë se vjen në shprehje korrigjimi i kufirit, detyrimisht se do ta kushtëzoj me votën time.

KALLXO.com: Cili ka me qenë projekti/puna me të cilën keni me lanë gjurmë/trashëgimia juaj si deputet?

Abdullah Mehmeti: Përkrahja ime e fuqishme për zhvillimin dhe ngritjen e cilësisë në arsim.

KALLXO.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?

Abdullah Mehmeti: Për herë të parë do të jem si kandidat për deputet, kështu që varet prej sittuatës, po aq pyetje do ti bëj.  

KALLXO.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajt gjatë një viti/mandati?

Abdullah Mehmeti: Unë mendoj se takime me qytetarë të mbahen së paku një herë në gjashtë muaj.

KALLXO.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?

Abdullah Mehmeti: Afati i tyre maksimal të jetë 10 vjet, do të thotë faktikisht 2010-ta.

KALLXO.com: Sa dëgjime publike keni me i iniciu në komisionet ku keni me qenë pjesë?

Abdullah Mehmeti: Edhe këtu varet prej situatës, qysh na imponohet situata atje në parlament.

KALLXO.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritet aktakuzë?

Abdullah Mehmeti: Patjetër.

KALLXO.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë?

Abdullah Mehmeti: Po.

KALLXO.com: A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?

Abdullah Mehmeti: Jo.

KALLXO.com: Sa zv.ministra duhet t’i ketë një ministri?

Abdullah Mehmeti: Më së shumti 2.

KALLXO.com: A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike & shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?

Abdullah Mehmeti: Kurrsesi.

KALLXO: A keni me i bo transparente fondet e partisë?

Abdullah Mehmeti: Patjetëer.

KALLXO.com: A keni me i hap dokumentet/faturat në kuvend/ministri?

Abdullah Mehmeti: Përherë do të jenë të prezantuara.