Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Jeta Xharra për gazetën boshnjake: Serbia ka më së shumti nevojë për gjykatë speciale ndërkombëtare

Nuk është vetëm Kosova që ka nevojë për një gjykatë profesionale. Serbia ka nevojë për të shumë më tepër! Serbia është ajo që ka qenë në luftë me shumicën e vendeve fqinje. Edhe sot, Serbia mohon atë që bëri në luftërat jugosllave.

Gjykata Speciale në Hagë për krimet e kryera në Kosovë nga viti 1998, deri në vitin 2000 sot ka pranuar të arrestuarin e parë.  

Salih Mustafa, ish-shefi i shërbimit inteligjent të Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe një anëtar i Ushtrisë Çlirimtare, u arrestua dhe u transferua në Njësinë e Paraburgimit të Hagës në Schenevingen.

Kjo vetëm ka përforcuar pikëpamjen e përhapur jo vetëm në Kosovë se Gjykata është e njëanshme dhe synon vetëm anëtarët e një formacioni ushtarak të një populli.

Po çka ndodh lidhur me krimet e Serbisë!

Gjykata nuk përfshin krimet sistematike që Serbia ka kryer që nga viti 1989.

Serbia është një vend që vazhdon të mohojë rolin e saj në luftërat e viteve 1990. Por asnjë gjykatë nuk merret me të, që është një absurd shqetësues!

Kjo buron nga një intervistë e gjatë dhënë për Politicki.ba, nga gazetarja e shquar shqiptare Jeta Xharra.

Ajo është një nga gazetaret më të famshme në shtetin e ri.

Për shkak të qëndrimeve të saj të hapura, ajo shpesh sulmohet nga persona që mendojnë ndryshe (disidentët). Kjo ndodh si në Kosovë ashtu edhe në qarqet e bashkësisë ndërkombëtare.

Por ajo nuk ka frikë të flasë hapur dhe të paraqesë pikëpamjet e saj hapur dhe argumentuese.

Çfarë është kjo Gjykata Speciale për Kosovën?

– Është gjykatë e themeluar në vitin 2015, e votuar në Parlamentin e Kosovës, dhe kjo pas shumë polemikave. Qëllimi i themelimit të saj ishte të zgjidhte akuzat e iniciuara nga raporti Dick Marty, para Këshillit të Evropës. Dick Marty pretendoi se anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kryen krime kundër popullatës civile përgjatë viteve 1998-1999.

Definitivisht u përcaktua që Dhomat e Posaçme të Gjykatës do të kenë juridiksion mbi krimet e kryera nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000, të kryera ose të filluara në Kosovë. Edhe pse Gjykata është e pavarur nga gjyqësori i Kosovës, ajo është pjesë e sistemit gjyqësor të këtij shteti.

Më saktësisht, cili është mandati i Gjykatës?

– Gjykata duhet t’u japë përgjigje pretendimeve se luftëtarët e UÇK-së ishin të përfshirë në vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe përndjekje të serbëve, romëve dhe shqiptarëve që besohet se ishin bashkëpunëtorë të regjimit serb ose kundërshtarë politikë të udhëheqjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë konfliktit 1998-1999.

Prandaj, Gjykata në veçanti synon pjesëtarët e UÇK-së.

Vetëm ushtarët e UÇK-së? A është kjo drejtësi selektive?

– Epo, sigurisht që duket kështu kur merrni parasysh shkallën e krimeve të ndodhura në Kosovë.

Ushtria dhe paramilitarët serbë janë përgjegjës për sistemin e aparteidit të Kosovës që nga viti 1989, duke dëbuar gjysmë milioni shqiptarë, përfshirë edhe mua, nga shtëpitë tona, e duke vrarë më shumë se 10,000 njerëz, duke përdhunuar qindra gra shqiptare dhe duke i djegur gati gjysmën e fshatrave Kosovare gjatë zbatimit të politikave të djegies së shtëpive dhe spastrimit etnik.

Andaj, sigurisht që mund ta pyesni veten, se si ata që janë përgjegjës për diçka të tillë nuk janë nën vëzhgimin e gjykatës.

Është e qartë, natyrisht, që edhe shqiptarët që kanë kryer krime duhet të gjykohen.

Por, gjithashtu, është e qartë se të gjitha krimet duhet të ndiqen penalisht dhe të ndëshkohen ata që janë përgjegjës.

Krimet sistematike janë kryer që nga viti 1989, kur edhe unë u përjashtva nga shkolla vetëm sepse jam shqiptare, dhe më pas edhe krimet e tjera të kryera, mbeten të pa-proceduara.

Kishte UNMIK, EULEX, ICTY. Dhe anëtarët e UÇK-së kanë qenë para gjykatave të tyre.

Andaj formimi i një gjykate speciale ndërkombëtare për të gjykuar vetëm pjesëtarët e UÇK-së, por jo edhe palën tjetër në konflikt, pala që ishte aktori kryesor në luftë dhe luftëra tjera, pala që bëri kaq shumë krime në Kosovë, sigurisht që duket e padrejtë në sytë e shumë qytetarëve të zakonshëm kosovar.

Pra nëse është drejtësi selektive, atëherë është gjykatë politike…

– Nëse vendet e BE investojnë paratë e tyre nga buxheti në punën e prokurorëve, gjykatësve dhe stafit profesionist në mënyrë që të gjykojnë anëtarët e një grupi të caktuar – palë në luftë, dhe ata nuk e bëjnë të njëjtën gjë për kriminelët e palës tjetër, si ta quash ndryshe?

Nëse Gjykata Speciale sjell drejtësi për disa nga viktima në Kosovë, kjo nuk do të jetë çështje politike. Të paktën jo për viktimat.

Po në lidhje me viktimat tjera? Ata edhe janë shumica në Kosovë. Krimet kundër tyre nuk janë proceduar penalisht në këtë gjykatë, e as në ndonjë gjykatë tjetër. Për ta, pra, kjo gjykatë do të mbetet përgjithmonë e njëanshme.

Jeta Xharra – Gazetare – Autore e emisionit ‘Jeta në Kosovë’

A ka nevojë Kosova për një gjykatë ndërkombëtare profesionale?

– Nuk është vetëm Kosova që ka nevojë për një gjykatë profesionale. Serbia ka nevojë për këtë gjykatë shumë më tepër! Serbia është ajo që hyri në luftë me shumicën e vendeve fqinje. Edhe sot, Serbia mohon atë që bëri në luftërat jugosllave. Kosovarët nuk shkuan në Serbi për të kryer krime. As ata nuk ishin në Mal të Zi. Trupat serbe shkuan në Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë, Slloveni, Kosovë për të luftuar. E megjithatë, Serbia më nuk është subjekt i një gjykate ndërkombëtare, për të ndjekur penalisht krimet e kryera nga ushtarët e saj.

Dikush mund të thotë se ka qenë ICTY. Megjithatë, ajo gjykatë ndoqi penalisht të gjithë – serbët, shqiptarët, boshnjakët, kroatët, maqedonasit…. Prandaj, është e çuditshme dhe e pa-ekuilibruar të formohet një gjykatë shtesë për t’u marrë me kosovarët, kriminelët nga vetëm një grup etnik.

E dini, drejtësia në sytë tanë është një zonjë, e cila me sy të lidhur, synon të vendosë një drejtësi të ekuilibruar, duke parë vetëm faktet ligjore.

Epo, në Kosovë, ajo zonjë ka hequr fashën e saj nga sytë. Ajo duket se po vendos drejtësi të njëanshme këtu.

Për më tepër, Gjykata Speciale nuk është gjykata e parë që ka Kosova të këtij lloji. Më parë ka pasur edhe dy gjykata ndërkombëtare, të krijuara pas luftës. UNMIK-u ka ekzistuar që nga viti 1999 deri në vitin 2008. Kurse pastaj u krijua EULEX-i që nga viti 2008 e vazhdon deri më sot.

Prandaj, kosovarët tashmë e dinë mirë se me ta është eksperimentuar duke formuar gjykata ndërkombëtare. Dhe secila gjykatë ka pretenduar se do të ishte “speciale” dhe do të sillte drejtësinë që vendasit nuk mund ta jepnin.

Nëse i pyetni sot qytetarët e Kosovës, ata do t’ju thonë se nuk janë aspak të impresionuar me atë që profesionistët ndërkombëtarë kanë bërë deri më tani për sundimin e ligjit këtu. Natyrisht, është e qartë që gjykatat vendore janë përgjithësisht të korruptuara dhe të politizuara. Por është gjithashtu e qartë se zgjidhja nuk është të sjellim njerëz nga jashtë për të zgjidhur problemet tona.

Unë mendoj se është bërë e qartë se tani ne në Kosovë duhet të investojmë në ndërtimin e profesionistëve vendorë, dhe të investojmë në kapacitete qo do të jenë këtu përgjithmonë dhe të zgjidhin problemet e Kosovës. Dhe unë çdo ditë takoj njerëz që janë të gatshëm ta bëjnë këtë.


Shpesh jeni nën kritikën e politikanëve shqiptarë. Pse?

– Nuk është detyra ime që politikanët – ose dikush tjetër – të më duan. Detyra ime është të informoj publikun dhe – idealisht – të bëjë hetime në interes të publikut në mënyrë që të zbulojmë diçka të re. Kur publikojmë të vërtetën, sigurisht që nuk i përshtatet dikujt. Por kjo është puna jonë. Përndryshe pse do të ekzistonim?

Gjatë muajve maj dhe qershor të këtij viti, kam punuar në një hetim që ka vërtetuar se paratë e taksapaguesve të Kosovës ishin përdorur për të lobuar për idenë e shkëmbimit të territoreve. Të them të drejtën, nuk kam menduar kurrë, kurrë në jetën time, se mund të zbuloja një histori kaq të çuditshme. Dua të them, pse ndonjë shtet do të paguante që kufijtë e tij të ndryshonin???

Një histori tjetër e hulumtuar e botuar në muajin prill, zbuloi një skemë nga oligarkët e Kosovës për të monopolizuar prodhimin e energjisë diellore, e cila do të merrte qindra miliona nga buxheti publik.

Kur shikoj prapa, thjeshtë shikoj atë që kemi bërë kohët e fundit dhe mendoj se sa e vështirë është puna e mjekëve dhe infermierëve këto ditë kur ata po luftojnë me Coronavirusin, atëherë i them vetes që ne gazetarët nuk përballemi me rreziqe. Sidomos nuk krahasohemi me stafin mjekësor. Dhe çfarëdo që do të më trembte nga politikanët, nuk është asgjë në krahasim me atë me të cilën përballet stafi mjekësor çdo ditë.

Andaj, ne gazetarët duhet të jemi më modestë dhe thjesht të bëjmë punën tonë.