Ish-këshilltari i Thaçit: "Presidenti nuk duhet të ketë rol në formimin e qeverisë së re"

Ndërkohë që vendi po e pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me ligjshmërinë e emërimit të Avdullah Hotit si kryeministër i ardhshëm i Kosovës, Alexander Borg Olivier, ish- këshilltari ligjor i Presidentit Hashim Thaçi, shpjegon pse dekreti i Thaçit është antikushtetues.

Një vendim nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës pritet të bëhet publik brenda pak ditësh, si përgjigjie ndaj kërkesës së paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje për emërimin e kandidatit të LDK-së Avdullah Hoti si kryeministër i ardhshëm i vendit nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Alexander Borg Olivier ishte këshilltar kryesor ligjor i Misionit Ndërkombëtar në Kosovë, UNMIK, për tetë vjet, dhe gjithashtu ka shërbyer edhe si këshilltar ligjor i Hashim Thaçit gjatë kohës së sa ky i fundit ishte kryeministër midis viteve 2008 dhe 2010. Borg Olivier paralajmëron se përpjekja e presidentit për të formuar një qeveri të re pas mocionit të suksesshëm të votës së mosbesimit kundër Qeverisë Kurti në muajin mars pa shkuar në zgjedhje të reja nuk është paraparë me kushtetutën e vendit.

Në një intervistë ekskluzive për BIRN, Borg Olivier thotë se nëse do ta kishte këshilluar presidentin tani, këshilla e tij për të do të ishte që Kushtetuta e Kosovës nënkupton që duhet të ketë zgjedhje të reja e jo qeveri të re. Ai gjithashtu ngrit shqetësimet e tij për mungesën e “kulturës politike” në Kosovë dhe për pavarësinë e gjyqësorit i cili do ta nxjerrë këtë vendim të diskutueshëm.

Lexojeni intervistën si më poshtë:

Jeta Xharra: Z. Borg Olivier, ju keni qenë i përfshirë në këshillimin e kosovarëve për çështje kushtetuese edhe para se Kosova të bëhej e pavarur dhe jeni këtu qysh në fazën kushtetuese embrionale të këtij vendi. Si mund ta përshkruani përfshirjen tuaj?

Alexander Borg Olivier: Unë kam qenë në Kosovë që nga tetori i vitit 2000, fillimisht si këshilltar ligjor në UNMIK. Unë isha këshilltari kryesor ligjor i përfshirë në krijimin e Kornizës Kushtetuese për Vetëqeverisjen e Përkohshme në Kosovë në vitin 2001. Kjo ishte korniza kushtetuese që përcaktonte elementet themelore për shtetin, pikënisja e nevojshme e shtetësisë së Kosovës.

Pas trazirave të vitit 2004, kur progresi hasi në një pengesë, u bë e domosdoshme që të vazhdohet tutje me procesin për të bërë të mundur një zgjidhje politike mbi shtetësinë e ardhshme të Kosovës. Gjatë kësaj kohe unë mbeta në Kosovë si këshilltar juridik i UNMIK-ut, duke koordinuar të gjitha hapat e parashikuar në planin Ahtisaari dhe duke i përgatitur institucionet e Kosovës që të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre të plota pas pavarësisë.

Mbikëqyrja kalimin nga administrata e UNMIK-ut në Kosovën e re. Nuk isha i përfshirë në hartimin aktual të kushtetutës, por isha i konsultuar rregullisht dhe hartova gjithçka tjetër që ndiqte parametrat e planit të zgjidhjes së Ahtisaari. Pas pavarësisë, Hashim Thaçi, i cili në atë kohë ishte kryeministër, më kërkoi të qëndroja si këshilltar i tij special ndërmjet viteve 2008 dhe 2010.

 Xharra: Si ia kalove me Hashim Thaçin, meqë ra fjala?

Borg Olivier: Unë e pëlqej njeriun nga niveli personal, dhe besoj se ai më sheh si mik. Unë shoh diçka Machiavelliane në të në aspektin politik, megjithatë unë ende e konsideroj atë si një mik. Në punën time unë duhej të jipja mendime juridike për njerëzit më të fuqishëm në botë, dhe ata më falënderuan për këtë. Ata kurrë nuk më gjykuan për këtë.

Xharra: Kjo kushtetutë ka qenë subjekt interpretimi në të kaluarën, dhe është tani përsëri. Asnjë qeveri e vetme që kur Kosova shpalli pavarësinë nuk ka qenë në gjendje të përfundojë një mandat të plotë. Emëruesi i përbashkët gjatë 12 viteve të fundit ka qenë që, sa herë që qeveritë janë rrëzuar në Kosovë, kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese është bërë çelësi i gjetjes së zgjidhjes për situatën. A do të doje të thoje diëka  për këtë?

Borg Olivier: Problemi qëndron në faktin se në Kosovë ka mungesë të kulturës politike. Unë vij nga Malta, një vend që ka krijuar parti të mëdha për qindra vjet. Këtu, është e paqartë qëllimi i vetë partive politike, nuk shoh një kulturë të fortë politike që i dallon partitë politike nga njëra-tjetra, ose për çfarë luftojnë ato.

Xharra: Cili është mendimi juaj për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të shtyrë vendimin e saj deri më 29 maj?

Borg Olivier: Jam i lumtur që Gjykata e ka shtyrë këtë vendim deri më 29 maj, marrë parasysh gjendjen emergjente me shëndetin publik. Ky vendim i jep vendit një shans për të menaxhuar pandeminë në një mënyrë më të qëndrueshme. Kisha frikë se Gjykata Kushtetuese thjesht do të thoshte: “Le të vazhdojmë me qeverinë tjetër” dhe kjo do të kishte qenë një katastrofë. Nuk mund të formohet një qeveri ere pa një bazë të qartë kushtetuese për ta bërë bërë një gjë të tillë, veçanërisht kur vendi ka nevojë për stabilitet në një moment krize. Nuk mund të lejohet krijimi i një qeverie të diskutueshme dhe të shkaktojë përçarje.

Është e thjeshtë: keni pasur një palë zgjedhje në Kosovë, është formuar qeveria. Pas 51 ditësh, pas ndërhyrjeve ndërkombëtare, më saktësisht pas ndërhyrjeve amerikane, ju patët një mocion të dakorduar paraprakisht për të rrëzuar një qeveri.

Xharra: Dhe çfarë tani?

Borg Olivier: Në situata të këtilla kushtetuta nuk i jep pushtetit suprem presidentit. Kjo kushtetutë bazohet në vullnetin e njerëzve. Është e qartë se qeveria buron nga vullneti i popullit i shprehur me votën e popullit përmes zgjedhjeve.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, pozicioni i kryeministrit konsiderohet i lirë vetëm kur jep dorëheqje, vdes, humbet aftësinë për të ushtruar funksionin e tij ose është i dënuar për një krim, i cili më pas e bën të pamundur që ai të kryejë funksionet e tij. Në një situatë të tillë, presidenti mund ta ftojë koalicionin qeverisës të japë propozimin për një Kryeministër të ri. Definitivisht, nuk kemi të bëjmë me një situatë në të cilën Republika e Kosovës e gjen veten në këtë moment.

Sidoqoftë, një situatë e tillë u shfaq në Kosovë në vitin 2019 kur Kryeministri Ramush Haradinaj dha dorëheqjen. Në përputhje me standardet e përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese, presidenti kërkoi nga koalicioni më i madh qeverisës në Kosovë në atë kohë që të propozonte një kandidat të ri. Kur ky koalicion e refuzoi një gjë të tillë atëherë presidenti nuk ndërmori hapa tjerë drejt formimit të një qeverie të re.

Kushtetuta e Kosovës nuk parashikon ndonjë situatë tjetër në formimin e një qeverie të re në rast të një mocioni të suksesshëm të mosbesimit. Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk njeh ndonjë rol për Presidentin e Kosovës ose të drejtën e Kuvendit të Kosovës për të zgjedhur një qeveri të re pas një mocioni të tillë. Ajo njeh vetëm të drejtën e presidentit për shpërbërjen e Kuvendit në përputhje me nenin 82.2 të kushtetutës.

 Xharra: Por a nuk e lejon kushtetuta jonë që presidenti të propozojë ndonjë mundësi tjetër, më parë se zgjedhje, nëse gjendja në të cilën jemi nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve?

Borg Olivier: E vetmja situatë në të cilën mund të shmanget përdorimi i detyrueshëm në zgjedhje të reja janë rrethanat e jashtëzakonshme, të tilla sikurse gjendja emergjente e shëndetësisë publike. Kjo mund të garantojë shmangien e zgjedhjeve dhe formimin e një qeverie të re nëse ekziston pëlqimi unanimisht i të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend, pa asnjë përjashtim, për të formuar një qeveri alternative – për shembull një qeveri të përkohshme të unitetit kombëtar ose një qeveri teknike.

Nëse një konsensus i tillë i cili lejon pezullimin e kërkesës kushtetuese për zgjedhje të reja nuk ekziston, presidenti nuk ka mundësi tjetër përveç shpërbërjes së Kuvendit. Ai mund ta shtyejë datën e shpërbërjes nëse një gjë të tillë e gjykon si të nevojshme. Kjo vonesë do ta mbajë në pushtet qeverinë në detyrë pas votës së suksesshme të mosbesimit që i dha fund mandatit të kryeministrit.

Në një kohë kur Kosova është në një emergjencë shëndetësore duke u përballur me pandeminë shkatërruese COVID-19, vazhdimi i qeverisë së përkohshme të kryeministrit Albin Kurti dhe vonesa e zgjedhjeve të reja do të ishte kursi i duhur dhe i arsyeshëm i veprimit në interesin kombëtar.

Por, për të pasur një lloj modifikimi (devijim), vendi ka nevojë për unanimitet midis të gjithë pjesëmarrësve, dhe tek atëherë mund ta pezulloni atë modifikim dhe të bëni diçka ndryshe. Nëse do të donit ndonjë modifikim apo devijim, nuk është presidenti ai që duhet ta bëjë atë, duhet të jenë të gjitha palët.

Xharra: Ai i ka konsultuar ata. Ai i ka ftuar ata në një takim më 22 prill dhe i pyeti nëse janë të gatshëm të formojnë një qeveri tjetër me këtë përbërje të parlamentit.

Borg Olivier: Ai nuk mund t’i pyesë ata. E vetmja gjë që ai mund të pyesë është: “Kur mendoni se duhet të mbahen zgjedhjet e ardhshme? A do të pranonit që unë ti shtyja zgjedhjet për shkak të gjendjes emergjente me COVID-19? A jeni dakord që ne të shtyjmë zgjedhjet? ” Kjo është pyetja që presidenti pritet të shtrojë sipas kësaj kushtetute.

Xharra: Pse ai nuk mund të formojë një qeveri të re?

Borg Olivier: Sepse krijimi i qeverisë së re mund të propozohet vetëm pasi kryeministri të japë dorëheqjen, të bëhet i paaftë ose të mos jetë në gjendje të përmbushë funksionin e tij. Nenet 83 dhe 95 të kushtetutës janë të qarta në lidhje me këtë.

Xharra: Dhe çfarë mendoni për letrën përmes së cilës kryeministri i është përgjigjur presidentit me datë 13 Prill?

Borg Olivier: Nëse unë do të isha këshilltar ligjor i kryeministrit, do ta këshilloja që të mos i përgjigjej fare asaj letre. Ne duket se jemi në një situatë në të cilën kjo qeveri nuk mund të vazhdojë, por presidenti megjithatë po përpiqet ti japë besimin një qeverie tjetër që do të formohet dhe të marrë përsipër qeverisjen e vendit.

Jemi në një situatë kur kishim një mocion të suksesshëm të mosbesimit për të rrëzuar qeverinë. Në këtë rast, roli i presidentit është shumë pasiv, nuk është roli i tij të formojë një qeveri të re. Për shkak se mandati i kësaj qeverie tani ka përfunduar, roli i presidentit është të shpallë zgjdhje të reja. Nuk ka kuptim që të shpërbëhet parlamenti derisa të mos jetë koha e duhur për të vazhduar me zgjedhjet e ardhshme. Roli i presidentit është të presë derisa pandemia të bëjë të mundur shpërbërjen e parlamentit dhe ti shpallë zgjedhjet e reja.

Xharra: Megjithatë, është e qartë që ky president dëshiron t’i japë mandatin partisë që ka dalë e dyta në zgjedhjet e fundit për të formuar qeverinë, pavarësisht se mendjet më të mëdha juridike në Partinë Demokratike të Kosovës,PDK, të tillë si Arsim Bajrami, po këshillojnë që ai duhet ti shpallë zgjedhjet. Ekspertë të tjerë juridikë kanë paralajmëruar se nuk ka ndonjë afat kohor kur pala fituese duhet të dalë me një propozim tek presidenti për një qeveri të re. Ne kishim një situatë të ngjashme në vitin 2014 kur PDK fitoi dhe nuk i dha emrin e kryeministrit të ri Presidentes Atifete Jahjaga për më shumë se gjashtë muaj. A e ka presidenti tani të drejtën t’i japë mandatin për kryeministër partisë së dytë? A është situata më ndryshe nga ajo e vitit 2014?

Borg Olivier: Presidenti nuk mund të përcaktojë formimin e qeverisë – edhe pas një palë zgjedhjeve – ai mund të këshillohet me partitë, por ai duhet ta ftojë kandidatin e partisë që ka fituar më së shumti vota në zgjedhje për të formuar qeverinë. Formimi i qeverisë është në duart e partisë fituese dhe presidenti duhet ta vendosë këtë në parlament.

Xharra: Si mund të ndikojë tani vendimi i Gjykatës Kushtetuese që është marrë në vitin 2014? A ka ndonjë ngajshmëri apo situata tani është më ndryshe?

Borg Olivier: Atëherë, debati bëhej në lidhje me atë se a do të duhej që presidenti ta ftojë liderin e partisë me shumicën relative të votave në zgjedhje, apo nëse ai duhet të ftojë liderin e një koalicioni që do të jetë në gjendje të sigurojë mbështetjen e shumicës së zgjedhur parlamentare për të formuar qeverinë. Ekziston një ndryshim midis një partie që ka fituar një shumicë relative të votave në një palë zgjedhje, dhe një koalicioni ose grupi me mbështetje të shumicës për të qeverisur në parlament.

Nuk jemi në atë situatë tani. Qeveria është e rrëzuar tashmë dhe nuk mund të shfrytëzosh rezultatin e zgjedhjeve për të formuar një qeveri tjetër. Në anën tjetër, në vitin 2014 keni pasur zgjedhje të reja, dhe Gjykata Kushtetuese ka dalë me vendimin e diskutueshëm se vetëm partia që ka fituar zgjedhjet ka të drejtë të formojë qeverinë.

Xharra: Ekipi i BIRN ka bërë publik të kaluarën e secilit anëtar të Gjykatës Kushtetuese, mënyrën se si ata kanë ardhë në atë pozitë, dhe me cilat parti politike ata janë më afër. Përmes të kaluarës së tyre mund të shihet që disa ishin anëtarë partiakë përpara se ti bashkoheshin Gjykatës Kushtetuese dhe disa prej tyre madje janë subjekt të çështjeve penale që po vazhdojnë së ndjekuri në një vend tjetër. Kur i shtohet kësaj përzierjeje edhe ndikimi që ka ndonjë ambasadë e caktuar në Gjykatë, atëherë a nuk është në interes të këtyre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të shpërblejnë njerëzit që i kanë vendosur ata aty? Në këtë rast kryesisht janë PDK dhe LDK ato që i ka vendosur aty, por edhe amerikanët po ashtu shihet se ushtrojnë ndikim në Gjykatën Kushtetuese. Pra, a mund të presim një vendim të drejtë?

Borg Olivier: Po kjo mund të jetë e vërtetë, por kjo përbën korrupsion në vete. Ata shumë lehtë mund të jenë subjekt i ndikimit politik dhe mund të vendosin në favor të atyre që ushtrojnë më shumë pushtet. Gjykata për fat të keq ka shfaqur tendencë për të ndryshuar interpretimin dhe arsyetimin e saj për t’ia përshtatur kujtdo që në atë moment ushtron ndikim dhe fuqi më të madhe politike në lidhje me ndonjë çështje të caktuar. Kjo ka reduktuar besueshmërinë dhe respektin që qytetarët e Republikës e kanë për Gjykatën Kushtetuese.

Xharra: Pra, çka nëse ata vendosin në favor të Presidentit? Apo, edhe nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, nëse ata prapë vendosin për një mundësi që lejon formimin e një lloj qeverie tani?

Borg Olivier: Ata do të ishin plotësisht gabim. Po të ishin studentë te mi, unë do ti rrëzoja nga provimi për shkak se nuk e kanë lexuar nenin 95. Vetëm pse ata mendojnë se Thaçi është shumë i fortë ata nuk mund ti nënshtrohen atij neni. Shpresoj të jemi shtet i së drejtës që respekton kushtetutën, dhe ku ka një ndarje të pushteteve midis parlamentit, gjyqësorit dhe ekzekutivit.

Intervista është publikuar fillimisht në anglisht.

Former advisor to Thaci: ‘Not president’s role to form new government’