Intervistë: Hasan Shala, Kryetar i Gjykatës së Apelit

Në emisionin “Drejtësia në Kosovë” të premten u transmetua intervista me kryetarin e Gjykatës së Apelit, Hasan Shala.

Në intervistën dhënë për “Drejtësia në Kosovë”, Shala ka folur për ngritjen e tij në këtë pozitë dhe përmendjen e emrit të tij në aferën e përgjimeve të EULEX-it.

Shala ka thënë se njeh shumë politikanë nga të gjitha partitë, përfshirë edhe Adem Grabovcin. Mirëpo, e ka mohuar që politika ta ketë emëruar në krye të Gjykatës së Apelit.

Ai ka folur edhe për sfidat me të cilat po ballafaqohet Gjykata të cilën ai do ta drejtojë për katër vitet e ardhshme. I pari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala është zotuar se në mandatin e tij nuk do ketë më punësime pa kritere në gjykatë. Po ashtu ai ka thënë se do rishikohet politika e dënimeve për veprat e korrupsionit.

Shala në këtë pozitën e kryetarit të Apelit ka ardhur pas një procesi konkurrues, siç dihet ish kryetari i kësaj Gjykate Sali Mekaj është duke u përballur me një proces gjyqësorë, ku akuzohet për keqpërdorim të detyrë Zyrtare.

Në fund të intervistës, u transmetua rubrika e rregullt “Policia”, me xhirimet ekskluzive nga aksione e njësive të Policisë së Kosovës në luftën kundër krimit.