Intervistë, deputeti i AAK-së: Koalicioni me LDK-në është stabil

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Rasim Selmanaj në një intervistë për KALLXO.com ka deklaruar se koalicioni qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës është stabil, ndonëse disa mosmarrëveshjeve u bënë publike në ditën kur Kosova dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje në Uashington të ShBA.

Selmanaj në këtë intervistë ka vlerësuar se takimi në Shtëpinë e Bardhë dhe nënshkrimi i marrëveshjes ka qenë ngjarje e mirë për Kosovën.

“Koalicioni vazhdon ta kryer punën e vet, por ne ato shqetësime që i kemi ngritur gjatë kohës kur ishte në pyetje me u nënshkruar marrëveshja, shqetësimet tona janë marr parasysh dhe kanë reflektuar në versionin e fundit të marrëveshjes. Kështu që besoj që gjithçka ka qenë në rregull”, ka thënë deputeti i AAK-së.

Sipas Selmanajt në mosmarrëveshjes mes koalicionit më së shumti ka ndikuar mungesa e takimeve mes liderëve partiak, për shkak të pandemisë, sesa që mund të ketë mosbesim mes LDK-së dhe AAK-së.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj pati paralajmëruar tërheqjen nga koalicioni qeverisës në qeverinë e Avdullah Hotit në ditë e marrëveshjes me Serbinë në ShBA.

Arsye për këtë, ai kishte përmendur mospajtimet në lidhje me marrëveshjen, duke thënë se nuk pranon që në liqenin e Ujmanit Serbia të jetë palë. Ndërkaq pas nënshkrimit të marrëveshjes, Haradinaj ishte shprehur se falë reagimit të tij, ishte ndryshuar pika e marrëveshjes për liqenin e Ujmanit.

Sipas marrëveshjes së Uashingtonit, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë dhe subjektet e tjera të Qeverisë amerikane në një studim fizibiliteti, me qëllim të pëërdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.

Në intervistën për KALLXO.com, deputeti Selmanaj ka theksuar, se AAK-ja nuk e ka diskutuar më kandidaturën e kryetarit të partisë, Ramush Haradinajt për president të vendit, por se sipas tij për këtë çështje kërkohet konsensus politik.

Ligjvënësi ka bërë të ditur se Kuvendit të Kosovës i kanë mbetur punë të papërfunduara dhe se sipas tij, do të duhet të tregohet më i përgjegjshëm në sesionin vjeshtor që do të nis punën në fund të këtij muaji.

“Do të diskutohen edhe zhvillimet më të reja rreth marrëveshjes dhe rreth dialogut. Është një diçka shumë normale që edhe kryeministri i vendit të raportojë për gjithë ato zhvillime që kanë ndodhur në Uashington rreth marrëveshjes”, thotë Selmanaj rreth punës së legjislativit.

Më poshtë mund ta gjeni të plotë intervistën me deputetin e AAK-së, Rasim Selmanaj:

KALLXO.com: Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në vend pas marrëveshjes së Uashingtonit?

Rasim Selmanaj: Marrëveshja në Uashington ka qenë ngjarje e mirë për Kosovën. Sa i përket koalicionit vazhdon të punojë normal. Nuk shoh diçka të jashtëzakonshme.

KALLXO.com: E kemi parë që kanë qenë disa paqartësi pas reagimeve të z. Ramush Haradinaj lidhur me marrëveshjen. A është koalicioni qeverisës stabil mes AAK-së dhe LDK-së pas reagimeve në ditën kur është nënshkruar marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë?

Rasim Selmanaj: Koalicioni vazhdon ta kryer punën e vet, por ne ato shqetësime që i kemi ngritur gjatë kohës kur ishte në pyetje me u nënshkru marrëveshja, shqetësimet tona janë marr parasysh dhe kanë reflektuar në versionin e fundit të marrëveshjes. Kështu që besoj që gjithçka ka qenë në rregull.

KALLXO.com: Ditë më herët disa zyrtarë të AAK-së kanë vlerësuar që ka mosbesim mes kryeministrit Avdullah Hoti ndaj AAK-së, përkatësisht ministrave të AAK-së në Qeveri. A konsideroni edhe ju që ka mosbesim në këtë aspekt?

Rasim Selmanaj: Unë mendoj që për shkak të pandemisë dhe pamundësisë që të ketë takime të drejtpërdejta për shkak që z. Mustafa ka qenë tri javë në izolim, pastaj kryeministri Hoti, unë më shumë e shoh mungesën e takimeve, sesa që ka mosbesim. Por sidoqoftë në kohën që e kemi përpara do të jemi më mirë të koordinuar, sidomos rreth temës së dialogut.

KALLXO.com: Të enjten partnerët e koalicionit patën një takim pasdite. A keni informacione se çfarë është diskutuar dhe çfarë është vendosur?

Rasim Selmanaj: Jo, unë jam në Deçan. Nuk i di detajet.

KALLXO.com: Para disa ditëve është mbledhur edhe kryesia e AAK-së, pas takimit të Uashingtonit. A mund të na tregoni se çfarë është biseduar në këtë takim?

Rasim Selmanaj: Kryesisht janë diskutuar këto tema, dialogu, çështja e funksionimit të koalicionit. Ka qenë një mbledhje e zakonshme ku një parti politike i diskuton në vazhdimësi këto tema.

KALLXO.com: Në këtë takim, a është ridiskutuar edhe për kandidaturën e z. Haradinaj për president të vendit, apo kjo tashmë është një çështje e kryer për AAK-në?

Rasim Selmanaj:  Ne s’kemi çka diskutojmë. Ne e kemi propozimin tonë dhe kur vjen momenti që Kosova duhet të hyjë në proces për ta zgjedhur presidentin e ri, atëherë normal që presim me pasë koordinim dhe konsensus të subjekteve politike, jo vetëm koalicionit.

KALLXO.com: Z. Selmanaj në anën tjetër e kemi parë që dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë refuzuar të jenë pjesë e takimit në ShBA dhe kanë shfaqur kritika. Si e vlerësoni ju opozitën në këtë drejtim?

Rasim Selmanaj:  E drejta e opozitës është me pas mendim ndryshe, por megjithatë nuk e vlerësoj asnjë parti politike, edhe sikur të ishte në pyetje Aleanca, që kur bëhet fjalë për interesa të shtetit të Kosovës dhe për tema siç është dialogu nuk do të duhej me pas pozitë dhe opozitë, por të gjithë me qenë bashkë. Në vazhdimësi [LVV dhe PDK] e kanë derën e hapur për bashkëpunim.

KALLXO.com: Tashmë në fund të këtij muaji pritet të nisë sesioni vjeshtor i Kuvendit të Kosovës. Çfarë prisni dhe çka do të trajtohet në këtë sesion edhe nga ju si AAK?

Rasim Selmanaj: Neve na kanë mbetur disa tema dhe punë pa kryer. Duhet mendoj edhe Kuvendi me qenë më i përgjegjshëm dhe me e kry atë obligim. Do të diskutohen edhe zhvillimet më të reja rreth marrëveshjes dhe rreth dialogut. Është një diçka shumë normale që edhe kryeministri i vendit të raportojë për gjithë ato zhvillime që kanë ndodhur në Uashington rreth marrëveshjes.