Haki Abazi | Foto: Atdhe Mulla

Haki Abazi: Arbitrazhi Ndërkombëtar, Zgjidhja për Demarkacionin

Drejtori për Ballkanin Perëndimori Fondacionit ‘Rockefeller Brothers’ , Haki Abazi vlerësoi se çështja e demarkacionit do duhej të zgjidhej përmes arbitrazhit ndërkombëtar në mënyrë që të evitohen tensionet e mëtutjeshme në Kosovë.

Abazi në një intervistë për KALLXO.com theksoi se Kosova do duhej të ndiqte shembullin e Kroacisë dhe Sllovenisë të cilët kishin problem të ngjashëm me kufijtë dhe arritën ta zgjidhin pa tensione të brendshme apo në mes të shteteve.

“Kur ka shkuar kjo marrëveshje [për demarkacion] në ratifikim te Parlamenti kroat, nuk është pranuar dhe në një mënyrë të dy kryeministrat janë kthyer mbrapa dhe janë pajtuar që çështja të shkojë në arbitrazh ndërkombëtar. Ky është mekanizëm i njohur ndërkombëtar i njohur, pikërisht për të eliminuar ngritjen e tensioneve dhe prishjen e marrëdhënieve në mes të dy shteteve”, shpjegon Abazi.

Ai vlerësoi se në Kosovë është shkaktuar konflikt i panevojshëm që, sipas tij, rrezikon marrëdhëniet e mira me Malin e Zi.

“Politikanët në Kosovë e sidomos këta që kanë negociuar, përfshirë njerëzit e qeverisë, nuk kanë bërë kalkulimet e duhura se duke e futur këtë çështje në tensione në fakt janë duke e shkatërruar një marrëdhënie të shëndoshë me Malin e Zi”, vlerësoi Abazi.

Ai gjithashtu u shpreh se Parlamenti nuk po tregohet i përgjegjshëm për sa i përket votimit të kësaj marrëveshje dhe sipas tij deputetët nuk po përfaqësojnë interesat e qytetarëve që i kanë votuar.

“Ne e kemi parë që Parlamenti i Kosovës në shumë raste, pas shpalljes së pavarësisë është institucion sa për ‘sy e faqe’, Unë mendoj që kësaj çështje ja vendosur pikën çështja e përgjimeve ku tregohet që një njeri me forcë politike mund të ja dredhojë krahun cilit do deputet”, tha Abazi.

Për shembullin e Kroacisë dhe Sllovenisë ka folur edhe Përfaqësuesi në largim i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar i cili ka cilësuar se duhet të jetë mësim për Kosovën.

“Nuk mendoj që anëtarët e BE-së kanë qenë të kënaqur me bllokimin që Sllovenia ia ka bërë Kroacisë në negociata. Mendoj që kjo ka qenë një nga mësimet e marra, pse ju duhet të merreni me vendet më herët”, ka thënë Zbogar për ‘Jeta në Kosovë’.