Gjuhëtari Berisha: Mungojnë rezultatet në studimin e gjuhës shqipe

Gjuhësia shqiptare nuk ka bërë sa duhet për të avancuar studimin e gjuhës shqipe në raport me zhvillimet e përgjithshme që po përjeton shoqëria shqiptare në dekadat e fundit.

Gjuha shqipe ka mjaft fusha në të cilat mungojnë rezultatet. Bile, ka nga ato që janë fare pak të prekura.

Gjuhëtari dr. Naim Berisha, shef i Degës së Gjuhësisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ka potencuar në një prononcim për KALLXO.com se shqipes i mungon një fjalor shpjegues i tipit të madh, pasi, siç ka thënë ai, fjalorët ekzistues janë të tipit të mesëm dhe nuk e mbulojnë gjithë leksikun e shqipes.

Duke folur në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, Berisha ka thënë se gjuha si një fenomen shoqëror zhvillohet në vazhdimësi për t’i plotësuar nevojat e komunikimit e funksionimit të shoqërisë që e flet.

“Zhvillimi i vazhdueshëm i gjuhës do të thotë se duhet përkujdesje e vazhdueshme ndaj saj. Kur flasim për kujdesin e institucioneve ndaj gjuhës, mendoj se duhet t’i ndajmë në dy grupe, institucionet profesionale – që merren me studimin e gjuhës shqipe dhe institucionet publike (administratën publike, shtetërore)”, ka thënë ai.

Sipas tij, institucionet profesionale, siç janë Instituti Albanologjik, Fakulteti i Filologjisë, Akademia e Shkencave, me gjithë angazhimet dhe kontributin e dhënë, nuk mund të thuhet se i kanë kryer me sukses detyrat që u takojnë.

“Gjuha shqipe ka mjaft fusha në të cilat mungojnë rezultatet. Bile, ka nga ato që janë fare pak të prekura. Ta zëmë, shqipes i mungon një fjalor shpjegues i tipit të madh. Fjalorët ekzistues janë të tipit të mesëm dhe nuk e mbulojnë gjithë leksikun e shqipes. Pastaj, fjalorët dhe studimet në fushën e terminologjisë kanë mungesa të mëdha. Ka disiplina gjuhësore të cilat në vendet perëndimore kanë njohur zhvillime të mëdha, ndërsa në gjuhën shqipe nuk janë të njohura apo i kanë hapat e parë të zbatimit etj.”, ka pohuar ai.

Kur flasim për institucionet profesionale, shton më tej Berisha, një çështje rreth së cilës nuk ka pasur pajtueshmëri ka qenë shqipja standarde.

Disa nga studiuesit, ka thënë Berisha, në kuadër të përpjekjeve të tyre shkencore, duke provuar t’i argumentojnë qëndrimet kundër disa çështjeve të caktuara të shqipes standarde, apo edhe variantit të përzgjedhur si tërësi, e kanë ngatërruar këtë aspekt dhe nuk kanë qenë të kujdesshëm në shkrime e paraqitje publike, duke provuar ta argumentojnë e ta imponojnë një mënyrë shkrimi a të foluri që nuk përkon me aspektin profesional dhe me realitetin.

“Në Institucione publike (administratë publike, shtetërore) shfaqen probleme të natyrave tjera, si: mungesa e kujdesit të duhur ndaj gjuhës, mungesa e lektorëve apo redaktorëve gjuhësorë, neglizhenca dhe nënvlerësimi për çështjet e gjuhës, mungesa e politikave të qarta që të përmirësohet gjendja, mungesa e vullnetit institucional për të mbështetur projekte të kësaj natyre që kanë kosto financiare etj”, ka pohuar gjuhëtari Berisha.

Ai ka folur edhe për sfidat që duhet të përballojë gjuha në vorbullën e zhvillimeve të mëdha teknologjike.

“Duke i pasur parasysh rrethanat e përgjithshme të kohës dhe të stadit në të cilin është shqipja, mendoj se sfidat e shqipes sot dhe në të ardhmen janë: përpjekjet për destandardizimin e shqipes, modernizimi i shqipes që nënkupton plotësimin e mungesave dhe digjitalizimin, formimi i kuadrove profesionale në të ardhmen, kultura gjuhësore e mangët dhe liria e tepruar e individëve për të dhënë gjykime e përfundime për çështje gjuhësore etj.”, ka thënë gjuhëtari.