Sislej Xhafa. Foto: Armend Nimani

Gjetja e Identitetit të Humbur në Venedik

Kur e mori ftesën për ta përfaqësuar Kosovën në Bienalen e Venedikut, Xhafa thotë të jetë ndjerë “bajagi i befasuar”.

Krejt çka iu nevojit për ta bërë atë që deshi ishte një kabinë e bërë nga dërrasat, në formë tezge pazari, dhe një aparat i moçëm telefoni fiks.

Dashuria e Xhafës me Bienalen nis 20 vjet më parë, si njëfarë dashurie e njëanshme. Xhafa e deshi Venedikun, e Venediku nuk i bëri vend.

Megjithatë, ai i bëri vend vetes në Venedik atë vit, në mënyrën më shqiptare.

Në vitin 1997, Xhafa i veshur me fanelë, shorce e këpucë sportive të kombëtares shqiptare e me një top futbolli në dorë, kishte hyrë në mënyrë ‘klandestine’ në Bienale. Me një çantë krahu dhe në të një flamur shqiptar, ai simbolizoi fatin e atëhershëm gjithnjë në lëvizje të shqiptarëve në Shqipëri e Kosovë, shumë nga të cilët për ta realizuar një jetë më të mirë, duhej të kalonin ilegalisht e fshehtë male, dete e kufij për të nisur jetë klandestini.

Performancë e paautorizuar e Sislej Xhafës në Bienalen e 47-të të Venedikut, Pavijoni klandestin Shqiptar (1997). Foto: Collection My Private, Italy

Që nga atëherë, atij dyert e Bienales iu hapën edhe dy herë tjera. Një herë duke përfaqësuar Shqipërinë (2005) e herën tjetër Italinë (2013).

Ja tek erdhi viti 2017 dhe Xhafa që jeton në Nju Jork është bërë më në fund kosovar për dashnorët e artit në Venedik.

Në ditët kur Xhafa priste vizitorë në Pavijonin e Kosovës në kuadër të Bienales së Venedikut, ekipi i Kallxo.com (BIRN) është ulur me Sislej Xhafën për të biseduar për rrugën e gjatë që ai ka ndjekur deri sa e ka ‘legalizuar’ praninë e Kosovës në këtë ngjarje të madhe të artit botëror dhe si e ka shfrytëzuar Kosova këtë hapësirë sivjet për t’ia treguar botës shpirtin e vet përmes artit.

Kallxo.com: Sislej, herën e parë kur ke ardhë këtu në Bienale të Venedikut në 1997, ke ardhë si klandestin në kohën kur as Kosova as Shqipëria nuk kishin përfaqësim dhe ti e bëre një shfaqje që e quajte “Pavijoni Klandestin Shqiptar” ku me një top e rroba futbolli dhe një flamur të vjetruar shqiptar në shpinë silleshe nëpër bienale. Me këtë performancë e ngrite çështjen e mungesës së përfaqësimit shtetëror për një artist si ti. Tash, saktësisht 20 vjet pas performancës tënde të parë, po e përfaqëson shtetin prej kah vjen – je artisti i përzgjedhur sivjet për ta përfaqësuar artin në Pavijonin e Kosovës. Ironikisht, si me e marrë seriozisht tash një artist me shtet, kur fillimisht ia kanë nisë me ta njoftë emrin, si “ai artisti klandestin, pa shtet”?

Sislej Xhafa: Edhe unë nuk po e kuptoj as vetë. Vërtetë, punimi im “Lost and Found” (E humbur dhe e Gjetur) e ilustron edhe tranzicionin e identitetit të Europës ku ka debate për njerëz që ndihen se po e humbin dhe po e kërkojnë këtë identitet. Identiteti gjithmonë është në lëvizje. Pra, edhe para 20 viteve, me pavijonin klandestin shqiptar kam qenë i preokupuar me këtë temë dhe ka qenë monumenti im i parë që ka krijuar njëfarë forme të qëndrimit ndaj sistemit të arteve që përjashtojnë apo që përfshijnë.

Kallxo.com: Dhe tash saktë 20 vjet pas, po e përfaqëson Kosovën në Bienale. A ke kërkuar të kthehesh saktë 20 vjet pas punës klandestine apo është rastësi?

Pamje nga ekspozita e Pavijonit Shqiptar në Bienalen e Venedikut (2005). Kortezi: GALLERIA CONTINUA, San Gimignano / Beijing / Les Moulins / Habana/ Foto: Amedeo Benestante

Sislej Xhafa: Rastësisht ka qenë, edhe e kam pas ndier veten bajagi të befasuar për shkak se kam qenë i ftuar prej komisionerit të Kosovës edhe filluam punën me konsideru çfarë vepre të zgjedh.

Kallxo.com: Por nuk është hera e parë që ti përfaqëson një shtet në Bienale apo jo?

Sislej Xhafa: Jo. Pra, shtetin e parë që e kam përfaqësuar ka qenë Pavijoni Klandestin Shqiptar, pra prapë ajo është klandestin.

Kallxo.com: Por s’ka qenë zyrtare?

Sislej Xhafa: Por është më zyrtare sesa zyrtare për mendimin tim për shkak se ajo ka qenë depërtim, ajo e ka sfiduar politikën e Bienales. Mandej e kam përfaqësuar Shqipërinë në vitin 2005. Në 2013 Italinë [sepse] kam pasur punim në Pavijonin Italian dhe tash po kthehem në rrënjët e mia të natyrës sime, Kosovë.

Kallxo.com: Si po ndihesh kur po e përfaqëson Kosovën në krahasim me kur e ke përfaqësuar një herë kërkushin, të dytën herë Shqipërinë, të tretën herë Italinë? Qysh është ta përfaqësosh Kosovën?

Sislej Xhafa: Identiteti në çfarëdo forme të saj është i ndikuar prej kohës edhe lëvizjes. Normal vendi ku kam lindë është i shenjtë, ndërsa sa i përket këtij tranzicioni [të vendeve ku kam jetuar që nga hera e parë që kam qenë këtu në Bienale], në aspektin personal unë i takoj universit, botës. Sot unë po ndihem i Venedikut, nesër shkoj në Nju Jork, jam i atjehit, jam shumë lëvizës. Po i bjen që e praktikoj filozofinë e “tradhtarit” në atë aspektin klasik qysh mendohet identiteti, por…

Kallxo.com: Po vetëm ky punimi yt që e ke bërë sivjet, nuk është hiq “lëvizës”, është shumë punim kosovar, i ka rrënjët në dhimtën ma të madhe të Kosovës, të pagjeturit. Nëse nuk është sekret, kallxoma procesin se si arrite deri te koncepti për këtë punim?

Vice Versa, Pavijoni Italian në Bienalen e Venedikut (2013). Kortezi: GALLERIA CONTINUA, San Gimignano / Beijing / Les Moulins / Habana/ Foto: Ela Bialkoëska, OKNO Studio

Sislej Xhafa: Përpara se të filloj të bëj hulumtim për këtë temë, unë së pari e vizitoj shpesh Kosovën edhe m’ka ra me kalu kah ato fotografitë e të zhdukurve [në qendër të Prishtinës], edhe gjithmonë e kam pyet veten, si me qenë prezent me art për këtë temë? Si jam pasiv ndaj një padrejtësie që s’kam as mundësi ta shtjelloj me dy ose tri fjalë? S’kam fjalë.

Kur nuk ke fjalë atëherë mendon se si është e mundshme që nuk janë gjetë hala fakte për këtë që ka ndodhë. S’po flas për drejtësi se drejtësia është një proces politik që duhet me ardhë te familjet, ajo është proces ma kolektiv që kërkon shumë forcë prej rrethanave dhe fqinjëve që e  kanë kriju këtë. Por, po flasim për një problem elementar e intim, një familje me e gjetë diku njeriun e vet.

Kështu që ka qenë sfidë për mua si ta ilustroj këtë dhimtë edhe kam ardhë në përfundim që forma ma e ndritshme me e adresu këtë çështje, e që mundet me lanë mbresë, është ironia. Tema është shumë e thellë dhe delikate dhe e vetmja mënyrë me e angazhu publikun me mendu për këtë temë është ironia.

Kallxo.com: Ku e ki pa ti këtu ironinë, apo ma mirë me të pyet, si je munduar mandej ta zbatosh atë ironi në punimin tënd?

Pamje nga Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venedikut (2017). Kortezi: Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venedikut/ Foto: Armend Nimani

Sislej Xhafa: Shumë ka qenë vështirë por unë kam dashtë që puna ime, vepra ime, të shkojë në një dimension tjetër të përvojës personale. Pra, që kur e sheh veprën së pari, ti e sheh si “lost and found” që janë ato shallterat tipikë për “të humburat dhe të gjeturat” nëpër aeroporte apo në stacione të trenit, por kur të afrohesh mandej duhesh më pa ma thellë. Kur afrohesh e sheh që kjo nuk ka të bëjë me humbjen e gjetjen e gjësendeve, por jemi duke folë për trupa njerëzish.

Kallxo.com: E telefoni? Çka po lypë telefoni këtu në këtë kabinë?

Sislej Xhafa: Eh telefoni e ka historinë e vet. Kur kam filluar ta hulumtoj për punimin, jam takuar me Prenk Gjetajn, [Kryetarin e Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur] dhe më ka tregu për një babë që ka humbë tre fëmijë në luftë. Ai babë një ditë i ka cingërru telefoni, kur e ka kapë askush s’ka folë dhe ka ra lidhja. Ai babë ka jetu edhe katër vjet, para se me vdekë, me shpresën që ka me cingrru prapë telefoni dhe kanë me u lajmëru fëmijët e tij. Pra kam dashtë t’i bëj të zhdukurit disi prezentë këtu me këtë telefon, sepse familjarët janë duke pasë shpresë që me gjetë farë forme të ndriçimit të çështjes së të zhdukurve.

Kallxo.com: Po vetëm shumë njerëz që vinë me pa punën tënde, nuk e kanë kënaqësinë ta intervistojnë Sislejin për të marrë shpjegim prej teje se pse është telefoni këtu?

Pamje nga Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venedikut (2017). Kortezi: Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venedikut/ Foto: Armend Nimani

Sislej Xhafa: Për shkak se për mua është i rëndësishëm mos me kriju një formë të simbologjisë, është me rëndësi me e kidnapu atë kureshtjen fillestare të pjesëmarrësve.

Telefoni është një element si ceradë, janë shumë të rëndësishme dhe për mua është gjithçka prej asaj drejtësie që po e kërkojmë.

Kallxo.com: Pse ke zgjedhë të punosh me këto materiale si dërrasat edhe najloni për me kriju këtë kabinë?

Sislej Xhafa: Dërrasat janë reflektim i mobilitetit, lëvizjes, i deportimit masiv të njerëzve. Por, në këtë rast, edhe deportim i objekteve: kur e blen një frigorifer ta bjen me dërrasë përfundi, është një send që i lëviz gjithmonë mallrat, kur e mendon në atë aspektin e objektit, gjendja shpirtërore e njeriut si njeri ose dinjiteti nuk është mall. Kjo është e kundërta e asaj që e kam marrë për shkak se është një send shumë lëvizës dhe që e kam ricikluar për t’i dhënë njëfarë jete të re, njëfarë alkimie, ndërsa kjo që është e mbështjellë me këtë najlon është material i tejdukshëm që simbolizon transparencën që po kërkohet, transparencë për drejtësinë që janë duke e kërkuar familjet. Pra kërkesa që mos e mshefë atë dhunë që ka ndodhë.

Kallxo.com: Mund të them që kur po vjen këtu te pavijoni i Kosovës, ky punim po duket tepër minimalist, shumë diskret edhe 2/3 e hapësirës së pavijonit është i zbrazët., edhepse e kemi telallin, apo lajmëruesin, që është duke ecur nëpër hapësirën e Bienales me tupan e duke i thirrë emrat e të zhdukurve. Çka ke dashtë me arritë me këtë minimalizëm në një pavijon që ashtu-kështu është sa grima, e ti me punim e ke okupuar vetëm një kënd të tij?

Sislej Xhafa: Është një thënie “sa më pak, aq më shumë”. Shumë është me rëndësi kur një vepër e mbush me aktivitete një hapësirë edhe nuk ka nevojë absolutisht për diçka më tepër, se në fakt vetë spektatorët janë interaktivë duke kërkuar njerëzit që janë “lost and found” (të humbur e të gjetur) edhe bëhen pjesë të vet aktit të veprës.

Kallxo.com: Me vizitu krejt Bienalen, secili shtet me pavijonin e vet po ta jep një ndjenjë të caktuar, pra është rrëfimi çka ai shtet don të tregojë para botës. Tash, unë po ta jap një përshtypje të parë që po e jep Pavijoni i Kosovës, ta krijon ndjenjën e pikëllimit, zymtësisë, njëfarë introvertizmi (që shikon kah vetja) në krahasim me të tjerët që po shtyhen me krenari dhe ngjyra e madhësi të objekteve. Kur po vjen në Pavijonin e Kosovës e ke një ndjenjë të ftohtësisë, thua se ke ardhë në varrim, ose mua po më duket ashtu. A je i sigurt që po don të reflektosh këtë ndjenjë kur, në anën tjetër komisionieri, Valon Ibraj, në libër po shkruan që prej këtij përfaqësimi po pret “njohje të reja” për shtetin e Kosovës. A është kompatibile kjo çka ti ke krijuar me atë që njerëzit presin ta arrijnë me një pavijon?

Sislej Xhafa. Foto: Armen Nimani

Sislej Xhafa: Shumë pyetje me vend. Për mua, arti është një përvojë, është një përvojë personale edhe është një demokraci, e vetmja që ka mbetë. Pra, arti, filmi, librat, literatura janë e vetmja formë e përvojës personale dhe një udhëtim personal. Unë tentoj dhe mundem ta kidnapoj kureshtjen, posaçërisht kureshtjen ndaj një hapësire edhe është shumë me rëndësi me art me pyet, me ba pyetje. Për mua, kjo ndjenjë ndoshta mund të krijohet te ti e te ata që janë ardhë prej atij vendi ku i njohim shumë mirë rrethanat politike dhe dinamikën e krejt deri sot, ku jemi sot. Por, sa i përket audiencës tjetër, sa i përket spektatorëve në këtë rast të përvojës së pyetjes, është shumë me rëndësi ne, unë personalisht, ta shtrojmë këtë pyetje në një dimension tjetër, jo ta lëmë vetëm lokalisht si pyetje politike por ta bëjmë si një pyetje universale edhe me fakte që ekzistojnë, individë që sot po na mungojnë, persona që s’dimë ku janë.

Kallxo.com: Ekziston një tendencë në Kosovë momentalisht që të mos flitet për tema të tilla, për shembull, personat e zhdukur nuk janë as pjesë e bisedimeve që po zhvillohen qe 6 vjet në Bruksel. Ka hezitim. Pse ti po vjen prej Nju Jorku edhe dhe po e merr temën që po i dhemb më së shumti kosovarëve e të cilën politikanët s’po duan ta marrin në bisedime e të cilët në anën tjetër e krijojnë Gjykatën Speciale, përderisa nuk bëjnë asgjë me u marrë me këta njerëz të zhdukur – pra s’ka asnjë muze që kallxon se në çka ka kaluar Kosova gjatë luftës. Me fjalë tjera, në Kosovë nëse dëshiron ta shohësh një vepër që flet për të zhdukurit, s’mund ta shohësh. Çka kallxon kjo amnezi e dy dekadave, po bëhen gati 20 vjet prej që njerëzit figurojnë të zhdukur e ne nuk po insistojmë të kemi shënim të tyre në formë kujtimi në Kosovë.

Sislej Xhafa: Sa u përket politikanëve, është pyetje shumë me vend, kjo është mëkat që politikanët absolutisht nuk e kanë këtë sensibilitet, ose janë të kufizuar, ose janë të imponuar sa i përket përzgjedhjes së temave. Kjo temë për mua duhet me qenë prioritet, nuk ka hapësirë pa ardhë deri te temat tjera derisa të gjinden të gjitha trupat. Përndryshe shndërrohet në tabu.

Kallxo.com: Në fakt vepra jote nuk po na jep vetëm art, mua si gazetare po më duket që kjo vepër e ka anën e vet informative e faktografike sepse kur po dal prej këtij pavijoni, si vizitor, po dal me një bllok të vogël 5cmx5cm që e paskeni krijuar, katalog të emrave të të pagjeturve? Në këta emra i i paskeni shënuar krejt që mungojnë: shqiptarë, serbë, romë…

Sislej Xhafa: Po sepse kemi punuar me institucionet kredibile qe i kanë krejt këto emra, një ndër resurset kryesore këtu ka qenë Prenk Gjetaj që e udhëheq Komisionin [për Presona të Zhdukur] qe sa vite edhe që na i ka dhënë të gjitha databazat. 1664 emra.

Natyrisht që në këtë listë të zhdukurish janë të gjithë ata që mungojnë, pa dallim etnie. Përderisa të jenë qytetarë të Kosovës për mua nuk ka pasur dallim. Prej këtyre 1664 njerëzve që sot janë të pagjetur, 90% janë shqiptarë, të tjerët janë serbë, romë etj. Por natyrisht, arti nuk guxon të bjerë në kurthin e patetizmit në formë patriotike e t’i dallojë njerëzit nga njëri- tjetri. Ata janë të njëjtë.

Kallxo.com: E qartë është që në karrierën tënde mbi 20 vjeçare në art, shtetet tjera të kanë ftuar që t’i përfaqësosh në Bienale – por a është hera e parë që të fton Kosova si shtet për ta përfaqësuar?

Sislej Xhafa: Po. Para  përafërsisht 1 viti më kanë ftuar edhe kemi filluar ta diskutojmë formën e prezantimit. Në fillim për mua ka qenë e rëndësishme që të sigurohemi që do të prezantohemi me një ekip të Kosovës. Për shembull, për mendimin tim, ka qenë shumë i rëndësishëm vendimi që kuratori të jetë dikush nga Kosova sepse Kosova ka njerëz.

Kallxo.com: Kush e ka gjetë kuratoren Arta Agani në këtë rast?

Sislej Xhafa: Së pari ka qenë Komisioneri apo Komisioni që e ka zgjedhë artistin edhe procesi shkon ashtu që artisti e zgjedh kuratorin.

Kallxo.com: A mos ju ka imponuar politika e Kosovës ndonjë përzgjedhje? Kënd me zgjedh, çka me hangër, sa mëditje me i harxhu në këtë proces?

Sislej Xhafa: Një gjë ma ka imponu, qebapa me hangër në Prishtinë.

Kallxo.com: E në Venedik? A ju kanë dediku të holla që të ushqeheni në restorane të shtrenjta?

Sislej Xhafa: S’e kam mendu atë punë – për shembull sot momentalisht s’kam kohë për drekë për shkak se kam uri që ta ndaj këtë përvojë me juve, sa i përket çfarëdo pyetjeje, jam trasnparent, qysh e kam mbështjellë këtë punim me mbështellës 100% transparent. Por, mund të them që kam pasur përkrahje të qindpërqind për çdo gjë që kam kërkuar prej shtetit të Kosovës – besom, jam trajtuar ma mirë prej Kosovës se sa prej Italisë, kur më ka ftuar Pavijoni i Italisë të jem pjesë e tij.

Kallxo.com: Në fund a mund ta komentosh faktin që Kosova i ka dy artistë këtë herë këtu në Bienalen e Venedikut sivjet – përkundër faktit që e ka një pavijon. E keni edhe Petrit Halilajn në hyrje të Arsenales, çfarë kënaqësie t’i shohësh dy artistë të Kosovës kaq të respektuar në një skenë aq të rëndësishme të artit bashkëkohor ndërkombëtar. Mendoj që është epokë e artë e artit tonë bashkëkohor ta kemi Sislej Xhafën duke e përfaqësuar Pavijonin e Kosovës, ndërsa artistin që e ka përfaqësuar Pavijonin e Kosovës para dy viteve, tash e kanë ftuar si mysafir të ekspozitave kryesore ku zgjidhen më të mirët prej krejt botës…

Sislej Xhafa: Pajtohem – është i shkëlqyeshëm Petriti (Halilaj), sot erdhi edhe na nderoi, është me të vërtetë një artist i shkëlqyer.

Kallxo.com: Çka kallxon për Kosovën, një vend i vogël, në krahasim me krejt këta që janë këtu sot në ketë mal të shteteve që t’i ketë dy prej artistëve kaq të mirë e të respektuar?

Sislej Xhafa: Për t’ia shtuar kësaj që po thua ti, po gëzohem që sivjet po ndërtojmë në këtë përvojë duke e pas Pavijonin e Kosovës, për herë të parë, një kurator që flet shqip [nga Kosova], dizajnerin nga Kosova që e ka punuar këtë bllok që po të pëlqen e që na i ka dizajnuar krejt materialet tjera, Komisionerin që është nga Kosova. Pra, s’jemi vetëm unë e Petriti – Kosova ka shumë njerëz të talentuar.

Kallxo.com: Si t’i bëjmë njerëzit të besojnë që s’i kemi shumicën e njerëzve, profesionistëve, të pavlerë, të komprometuar e të korruptuar?

Sislej Xhafa: Shiko, duhet ta pranojmë që njerëzit si unë e Petriti kemi dalë në pah kur kemi dalë jashtë Kosovës dhe të dy jetojmë jashtë. Por, për mendimin tim, duhemi të mësojmë e t’i identifikojmë të mirat që i kemi. Kemi ende shumë paragjykime dhe gjithmonë kam thënë se paragjykimet janë dobësia më e madhe e jona, por herët a vonë duhemi të mësohemi t’i çmojmë njerëzit e individët që krijojnë – t’u ofrojmë më pak ashpërsi e më shumë hapësirë e inkurajim të krijojnë edhe brenda Kosovës. Krejt duhemi të ndihmojmë që ta krijojmë këtë atmosferë edhe unë, aq sa kam pasur mundësi, jam munduar të kontribuoj në këtë drejtim duke insistuar sivjet që i gjithë ekipi [dizajnerë, kuratorë, komisionerë etj] të jemi nga Kosovë, sepse kemi mundësi që të krijojmë kualitet me kapacitete vendore.