Christian Heldt, Ambasador i Gjermanisë në Kosovë.

Gjermania kërkon nga politikanët e Kosovës përqendrim në luftën kundër COVID-19, jo në përçarje

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Christian Heldt, tha se politikanët e Kosovës duhet të marrin përgjegjësinë për rrëzimin e qeverisë gjatë epidemisë së coronavirusit dhe të mos e portretizojnë krizën politike të vendit si rezultat i mosmarrëveshjeve ndërkombëtare.

 

Ambasadori gjerman Christian Heldt i tha BIRN se liderët politikë të Kosovës “e bartin përgjegjësinë politike” për rënien e qeverisë muajin e kaluar në një votë mosbesimi, duke e futur vendin në një krizë të thellë politike në një kohë kur ata duhej të merreshin me pandeminë e coronavirus.

Përpjekjet për të portretizuar rënien e qeverisë, si rezultat i një mosmarrëveshjeje midis SH.B.A. dhe vendeve të BE mbi politikën mbi Kosovën janë të gabuara, i tha ai BIRN gjatë një interviste me shkrim.

 

BIRN: Pas rënies së qeverisë javën e kaluar, Kosova po përballet me një krizë tjetër politike në të njëjtën kohë me pandeminë e koronavirusit. Cili do të ishte veprimi më i mirë që BE do të duhej bënte për Kosovën tani?

Christian Heldt: Të bëjë saktësisht atë që po bën tani BE, duke dalë me një mbështetje të konsiderueshme për Kosovën në këtë periudhë tejet sfiduese përballë krizës COVID. Unë e mirëpres shumë reagimin e menjëhershëm të BE-së me 5 milionë euro për pajisje mjekësore dhe rishpërndarjen e fondeve IPA [Instrumenti i Paraantarësimit] për t’u përballuar me pasojat e mëtejshme socio-ekonomike të pandemisë. E gjithë kjo arrin deri në një shumë mahnitëse prej 68 milionë eurove, të cilat për çudinë time kaluan pothuajse pa u vënë re këtu.

Dhe shtetet anëtare siç jemi ne, gjithashtu përgatiten në këtë drejtim, kundër një sfondi krizash të rënda në të gjitha vendet tona dhe kritikat e vazhdueshme ndaj BE-së nga qarqe të caktuara këtu. Por ne si evropianë do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë popullit të Kosovës dhe të përpiqemi të japim shpresë me mbështetjen tonë.

Sa i përket situatës politike, është para së gjithash detyra e atyre që mbajnë përgjegjësi politike në këtë vend për ta zgjidhur situatën.

BIRN: Rënia e qeverisë po shihet nga disa në Kosovë si rezultat i një përplasjeje midis BE-së dhe SH.B.A.-së mbi formatin e dialogut Prishtinë-Beograd dhe  supozimin për ndarjen e Kosovës, si bazë për një marrëveshjeje potenciale.

Christian Heldt: Është e lehtë kur të reagosh pa menduar fare dhe gjithmonë t’i mveshësh lajmet e këqija në shpatullat e bashkësisë ndërkombëtare. Në vend të kësaj, politikanët duhet të tregohen të përgjegjshëm për veprimet e tyre: Të gjithë atyre që janë zgjedhur këtu më 6 tetor të vitit të kaluar u është dhënë besimi i votuesve, i qytetarëve të Kosovës si sovranë. Kështu që ata nuk mund ta delegojnë përgjegjësinë dhe detyrat e tyre për të vepruar në përputhje me të tjerët.

BIRN: Pse Gjermania, me Francën, i kërkoi Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, partnerit të vogël në koalicionin qeverisës, të rishqyrtojë vendimin e saj për të filluar një mocion mosbesimi ndaj qeverisë pak para nisjes së seancës së parlamentit?

Christian Heldt: Epo, në Paris dhe Berlin ndanim të njëjtën bindje se iniciativa e mocionit të mosbesimit nuk po bëhej në kohën e duhur dhe nuk ishte e dobishme për Kosovën në kohën kur përballej me coronavirusin. Në të gjithë botën, në Gjermani po ashtu, qeveritë e koalicionit i lanë mënjanë mospajtimet e tyre përballë kësaj sfide të paparë. Kështu që ne nuk ishim të pajtimit me arsyetimin e dhënë për këtë potez dhe ia bëmë të ditur këtë gjë udhëheqjes së LDK-së, duke u munduar të shmangim situatën në të cilën gjendemi tani.

BIRN: A është i Dërguari i Posaçëm Presidencial i SHBA për negociatat për arritjen e paqes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Richard Grenell, duke shkaktuar pasiguri për momentin?

Christian Heldt: Edhe një herë, është shumë e thjeshtë të reduktohet llogaridhënia për veprimet e akterëve politikë këtu në Kosovë dhe ta shndërrosh atë në një lloj konkursi bukurie të bashkësisë ndërkombëtare. Njerëzit këtu mbajnë një përgjegjësi politike dhe nuk mund të përjashtohen duke e drejtuar gishtin diku tjetër.

Është diçka e turpshme përpjekja për të bërë ndasi publike midis SH.B.A. dhe BE-së, ne si miq të Kosovës jemi këtu së bashku me qëllimet tona të përbashkëta afatgjate të Kosovës si një vend plotësisht sovran dhe plotësisht i njohur në integritetin e tij territorial dhe funksionalitetin e tij si shtet. Dhe me mision integrimin e plotë Euro-Atlantik, pikë.

Pra, as kritikat ndaj BE-së e as kritika e padiferencuar ndaj Sh.B.A-së nuk janë të dobishme në planin afatgjatë.

BIRN: A ka ende mungesë komunikimi midis BE-së dhe SH.B.A.-së lidhur me lehtësimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë? Pse përgjigjja e BE ishte kaq e kufizuar në fushëveprim?

Christian Heldt: Më vjen keq, nuk shoh mungesë përgjigjeje ose komunikimi. Ne të gjithë jetojmë dhe punojmë me masa kufizuese për shkak të COVID, dhe për këtë, sipas mendimit tim personal, zyrtarët nga Brukseli ishin jashtëzakonisht aktivë gjatë javëve të kaluara, nëse thjesht e vëreni iniciativën e Komisionerit Varhelyi për Ballkanin Perëndimor. Ose finalizimi i emërimit të Miroslav Lajçak si përfaqësuesi i ri i BE-së për dialogun.

BIRN: Mirosllav Lajçak pritet të fillojë mandatin e tij së shpejti si Përfaqësues Special i BE-së për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. A ekziston ndonjë strategji për hapat e ardhshëm për të rifilluar dialogun që dështoi nën udhëheqjen e shefes së mëparshme të politikës së jashtme të BE, Frederica Mogherini?

Christian Heldt: Sigurisht që ai është në përgatitje e sipër, por unë do t’ju sugjeroja që ma mirë ta pyesni vet atë, pasi që do të jetë ai do që të bëjë hapat e ardhshëm. Më lejoni të shfrytëzoj këtë rast t’u bëj jehonë fjalëve të Ministrit të Jashtëm gjerman Heiko Maas sot: Ai e tha qartë se në këtë fazë kritike është mirë që ne kemi një përfaqësues të fortë të BE si Mirosllav Lajçak  për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Ai u tregua i bindur se zoti Lajçak do të jetë një zë i fortë politik për BE-në në rajon dhe në mënyrë specifike do ta avancojë dialogun.

Ai vuri në pah se dialogu i udhëhequr nga BE është rruga e duhur përpara sepse të gjithë ndajmë një kauzë të përbashkët që do të ndihmojë që në mënyrë gjithëpërfshirëse ti tejkalojmë shumë pyetje që kërkojnë përgjigje. Ai nënvizoi rëndësinë e hapave të mirëbesimit të ndërmarra nga qeveria kosovare në raport me Beogradin duke hequr taksën 100 përqind, e cila tani do të duhej vazhdonte tutje në hapa të mëtejshëm, nga të dy palët. Ministri Maas nënvizoi se Mirosllav Lajçak do të ndihmojë shumë në këtë drejtim.

BIRN: Presidenti i Kosovës e ka kundërshtuar fuqishëm emërimin e Mirosllav Lajçakut sepse ai vjen nga një vend si Sllovakia, shtet ky që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ndërsa shumë të tjerë në Kosovë thonë se ky është një sinjal se BE po merr anë. A është kjo e vërtetë?

Christian Heldt: Janë thashetheme ato kur thuhet se BE po merr anë për shkak se Mirosllav Lajçak vjen nga një vend që nuk e njeh shtetin e Kosovës. Kjo e keqinterpreton dhe e falsifikon qëllimshëm mekanizmin e BE-së. Në pozicionin e tij të ri, zoti Lajçak nuk e përfaqëson Sllovakinë, por BE-në me 27 vendet e saj anëtare, 450 milion banorë, dhe zonën më të madhe ekonomike të botës.

Dhe si Ambasador i një shteti anëtar dhe njëkohësisht duke qenë krenar që i përkas kësaj familje, mund të them që Z. Lajçak gëzon besimin e plotë të qeverisë time për detyrën e tij të re, ku ai gjithashtu do të përfaqësojë Gjermaninë si një shtet anëtar.

Dhe i takon BE-së dhe vendeve anëtare të zgjedhin personelin e saj në funksione udhëheqëse, ashtu sikurse për Kosovën nga ana tjetër. Këtu, siç deklaroi kancelarja Merkel javën e kaluar, ne mezi presim që Kosova të rifillojë dialogun nën udhëheqjen e qeverisë së saj.

Një hap i madh përpara sapo është bërë nga qeveria në detyrë me heqjen e taksës. Një veprim i mirëpritur si nga Brukseli ashtu edhe nga vendet anëtare, përfshirë Gjermaninë. Tani është e rëndësishme të rifilloni bisedimet dhe gjithashtu ti zgjidhni çështjet e hapura.

Pra, le të shohim përpara me optimizëm duke manovruar gjatë kësaj periudhe të vështirë. Ndërsa unë shpesh përdor hashtagun #inthistogether, (jemi bashkë në këtë) besoj fuqimisht se mund të ecim përpara në shumë fusha nëse klasa politike në Kosovë vepron në interesin më të mirë të qytetarëve të saj. Si Quint, ne shtruam disa ide në lidhje me këtë përmes deklaratës sonë të përbashkët përpara zgjedhjeve në gushtin e kaluar, duke pasur si motiv kryesor sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.